Informaliteti, Ahmetaj: Betejë e
përbashkët e qeverisë dhe biznesit

Informaliteti, Ahmetaj: Betejë e<br />përbashkët e qeverisë dhe biznesit
Informaliteti në ekonomi ishte në fokus të Këshillit të Investimeve i cili u mblodh këtë të martë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Ministri Arben Ahmetaj teksa e quajti refomën e informalitetit si tejet të rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve tha se aksioni kundër informalitetit ka në thelb bashkëpunimin e qeverisë dhe sipërmarrjes.

Ahmetaj solli në vëmendje dy nismat e rëndësishme në ndihmë të biznesit : taksa zero për biznesin e vogël dhe mundësia që sipërmarrja të vetë korrigjohet pa penalitete deri në datën 31 dhjetor 2015.

“Qeveria kur bën një betejë kundër informalitet patjetër që ka dhe një reaksion nga sipërmarrja. Suksesi i reformës dhe suksesi i aksionit kundër informalitetit, na dha mundësinë që të zerojmë taksën e biznesit të vogël. Që të zerosh taksën për biznesin e vogël është shumë mirë. Pse? Zerimi i taksës nga 0-5 milionë lekë të jeni të bindur që do ta ndihmojë transparencën e zinxhirit financiar dhe fiskal dhe kjo është e sigurt,” tha Ahmetaj.

Elementi tjetër i rëndësishëm në aksionin kundër informaliteti, sipas Ahmetaj ishte ai i masave lehtësuese për sipërmarrjen.

“Masat lehtësuese janë që nëpërmjet ligjit të administrimit iu afrua sipërmarrjes vetëkorrektimi pa penalitete i situatës dhe përgjegjësisë fiskale. Pra, ne nuk bëmë amnisti sepse nuk besojmë tek amnistia, por i japim mundësi të re vetëdeklarimi pa penalitet për të korrigjuar përgjegjësinë financiare dhe fiskale deri në 31 dhjetor 2015. Pra, ka një vullnet nga ana e qeverisë që ta bëjë këtë betejë të përbashkët me sipërmarrjen, jo një betejë e një institucioni kundër një numër biznesesh,” shpjegoi ministri i Ekonomisë.

Në Mbledhjen e Këshillit të Investimeve morën pjesë gjithashtu Zv. Ministrja e Financave Irena Beqiraj, Zv. Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë Natasha Ahmetaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Brisida Shehaj, përfaqësues nga delegacioni BE dhe BERZH, Shoqata e Bankave, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit që janë anëtarë të Këshillit të Investimeve  dhe të ftuar Drejtori i Inspektoratit të Punës Dritan Ylli dhe Drejtoresha e QKR Vasilika Vjero. Mbledhja e radhës e Këshillit të Investimeve do të zhvillohet në fillim të muajit mars 2016.

Fjala e Ministrit Ahmetaj:
Duhet të biem dakord që informaliteti është një e keqe e madhe dhe beteja kundër informalitetit nuk mund të përdoret dot kundër apo pro një force politike. Në momentin që dikush tenton ta përdorë kundër apo pro një force politike ka shkatërruar në gjenezë një reformë, sepse unë e konsideroj jo vetëm betejë kundër informalitetit por një reformë të domosdoshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

 Dua të përmend dy-tre elementë shumë pozitivë që u përmendën këtu, unë besoj personalisht që platforma e modelit të ri të riskut në tatime është pa frikë dhe një evolucion në mendësinë e institucionit dhe ndaj me ju me kënaqësi që atje ka një përpjekje jashtëzakonisht shumë të sinqertë për ta kuptuar në detaje, në thellësi, se gjithsesi dy muaj ka që funksionon dhe duhet ta dimë këtë, pra një përpjekje të sinqertë për ta vënë në shërbim të klimës së biznesit, jo vetëm të të ardhurave në buxhet, dhe sigurisht që është një proces.

E dyta, qeveria kur bën një betejë kundër informalitet patjetër që ka dhe një reaksion nga sipërmarrja sepse sigurisht që dhe niveli i institucioneve, sidomos në terren, lë për të dëshiruar këtu - aty, që do të thotë se reforma jo gjithmonë përkthehet dhe përthyhet me veprime jashtëzakonisht shumë të koordinuara në formatin ligjor dhe mund të japë reaksione të ndryshme. Por, suksesi i reformës dhe suksesi i aksionit kundër informalitetit, na dha mundësinë që të zerojmë taksën e biznesit të vogël. Sa të doni ka debate teknike, ishte mirë, nuk ishte mirë, është shumë mirë. Që të zerosh taksën për biznesin e vogël është shumë mirë. Pse? Ne e kemi quajtur biznesin e vogël, kur e kemi analizuar në gjenezë të tij si vetëpunësim, jo një zinxhir biznesesh që po prodhojnë dhe po fitojnë pa fund. Absolutisht jo. Nuk është kështu me biznesin e vogël shqiptar. E ka këtë tipologji biznesi i vogël shqiptar dhe zerimi i taksës nga 0-5 milionë lekë të jeni të bindur që do ta ndihmojë transparencën e zinxhirit financiar dhe fiskal dhe kjo është e sigurt.

Të mos harrojmë dhe një element tjetër që do të duhet të vlerësohet, dhe këtu po ju kujtoj që para se ta ndërmerrnim aksionin nga të gjithë anët e Shqipërisë na shtynin ta ndërmerrnim, në të gjithë institucionet na shtynin ta ndërmerrnim. E ndërmorëm. Sigurisht që një aksion në këto kushte nuk është perfekt por ishte dhe është i suksesshëm. Mos harroni që qeveria e shoqëroi atë që ju thatë me të drejtë, me dy korsi shumë të rëndësishme, një korsi ishte vendosmëria dhe serioziteti i një qeverie për të bërë një aksion dhe e dyta është me masa shumë lehtësuese.

Masat lehtësuese janë që nëpërmjet ligjit të administrimit iu afrua sipërmarrjes vetëkorrektimi pa penalitete i situatës dhe përgjegjësisë fiskale. Pra, ne nuk bëmë amnisti sepse nuk besojmë tek amnistia, por i japim mundësi të re vetëdeklarimi pa penalitet për të korrigjuar përgjegjësinë financiare dhe fiskale. Dikush mund të thotë që u gjetëm të papërgatitur. Askush nuk gjendet pa përgatitur përballë një ligji i cili nuk është i ri, është i vjetër. Kjo qeveri beson se në një situatë të tillë ekonomike, në një klimë të tillë biznesi që vjen gjithmonë duke u përmirësuar, do të duhet një dialog normal me sipërmarren. Dhe si është dialogu? Dialogu nuk është vetëm në tryezë, sepse mund të mburret qeveria të thotë që po bëjmë dialog për të përmirësuar klimën e sipërmarrjes mirëpo në qoftë se në terren nuk e bën, atëherë na rroftë tryeza.

Në anën tjetër ka (jo vetëm dy, por unë dy do të numëroj), dy lëvizje qoftë fiskale, qoftë ligjore, të cilat japin sinjal të drejtpërdrejtë të dialogut dhe të shëndetshmërisë në marrëdhënien me sipërmarrjen , që janë: taksa zero për biznesin e vogël dhe e drejta që i jepet sipërmarrjes deri në 31 dhjetor të vetë korrigjohet pa penalitet. Pra, të përmirësojnë inventarët, të përmirësojë deklarimet, pa marrë asnjë penalitet. Pra, ka një vullnet nga ana e qeverisë që ta bëjë këtë betejë të përbashkët me sipërmarrjen, jo një betejë e një institucioni kundër një numër biznesesh. Absolutisht jo. E kemi theksuar, e ka theksuar dhe Kryeministrit që në ditën e parë, kjo është një betejë në bashkëpunim me sipërmarrjen e ligjshme.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat