TIRANE - Inflacioni në muajin mars llogaritet 2.2 %. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit në muajin mars 2015, arriti 121.9 %. Në muajin mars 2015 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 2,2 %. Edhe një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 %.
Rritja vjetore në muajin mars 2015 është ndikuar kryesisht nga grupi "ushqime dhe pije joalkoolike" me +1,84 pikë përqindje. Çmimet e grupit "pije alkoolike dhe duhan" kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje.
Çmimet e grupit "shërbimi arsimor" kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit "komunikimi" kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupit "qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji" kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit "shëndeti" dhe "transporti" kanë kontribuar respektivisht me - 0,15 pikë përqindje dhe -0,14 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Çmimet e grupit "mallra dhe shërbime të ndryshme" kanë kontribuar me -0,08 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin mars 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "shërbimi arsimor" me 10,3 %, pasuar nga grupi "pije alkoolike dhe duhan" me 6,3 %, grupi "komunikimi" me 3,3 %, etj. Çmimet e grupit "ushqime dhe pije joalkoolike" u rritën me 4,7 %. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit "fruta" u rritën me 14,6 %, pasuar nga nëngrupi "zarzavate përfshirë patatet" me 13,8 %, "qumësht, djathë e vezë" me 2.5 %, etj.
Çmimet e nëngrupit "vajra dhe yndyrna" u ulën me 4,3 %, pasuar nga nëngrupi "kafe, çaj e kakao" me 1,3 %, etj. Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "shëndeti" me 4,4 % , pasuar nga grupi "transporti" me 2,2 %.
Ndryshimi mujor i indeksit është 0,4 %. Krahasuar me muajin shkurt 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "ushqime dhe pije joalkolike" me 1,0 %, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të nëngrupit "fruta" me 7,0. Ulja më e madhe mujore vërehet në grupin "veshje dhe këpucë" me 0,7 %. Indeksi i grupit "transporti" u rrit me 1,0 %, Krahasuar me muajin shkurt 2014 çmimi i eurodiezelit u rrit me 3,4 dhe çmimi i benzinës u rrit me 2,5 %./ATSH/