Inflacioni i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në muajin qershor 2026 rezultoi 3.2%, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Sipas raportit, kontributin më të madh në rritjen vjetore të çmimeve e dha grupi "Ushqime dhe pije joalkoolike", me 1.02 pikë përqindje, ndërsa çmimet në këtë kategori u rritën me 2.9% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Në vend të dytë renditet grupi "Argëtim, sport dhe kulturë", i cili kontribuoi me 0.65 pikë përqindje në inflacionin vjetor, ndërsa çmimet u rritën me 10.2%.
Rritja e inflacionit u ndikua edhe nga grupet "Restorante dhe shërbime akomodimi", me një kontribut prej 0.56 pikë përqindje dhe rritje vjetore 3.9%, "Pije alkoolike dhe duhan" me 0.25 pikë përqindje dhe rritje 4.9%, "Transporti" me 0.16 pikë përqindje dhe rritje 1.9%, "Shërbimi arsimor" me 0.15 pikë përqindje dhe rritje 3.3%, "Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme" me 0.12 pikë përqindje dhe rritje 3.8%, si edhe "Shëndeti" me 0.10 pikë përqindje dhe rritje 1.9%.
Në krahasim me muajin maj, çmimet e konsumit shënuan një ulje prej 0.1% gjatë qershorit.
Sipas INSTAT, ndikimin më të madh në rënien mujore e pati grupi "Transporti", ku çmimet ranë me 2.1%, i ndjekur nga grupi "Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera" me 0.8%, "Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë" me 0.6%, si dhe grupet "Ushqime dhe pije joalkoolike" dhe "Veshje dhe këpucë", të cilat shënuan ulje prej 0.5% secila.
Nga ana tjetër, rritja më e madhe mujore u regjistrua te grupi "Argëtim, sport dhe kulturë", me 3.2%, i pasuar nga "Shërbimi arsimor" me 0.7%, si dhe "Shëndeti" dhe "Restorante dhe shërbime akomodimi", me nga 0.5% secili.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë
Komente










