Instituti Kombëtar i Fizikës (IKF) i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është njësi bashkëpunimi dhe koordinimi shkencor në fushë e Fizikës dhe degëzimet e saj, me mision nxitjen e dijes e të vërtetës shkencore, mbrojtjen e shëndetit publik, trashëgimisë kulturore, mjedisore dhe materiale, nxitjen e teknologjisë dhe inovacionit, përmirësimin e programeve të studimit universitar, zhvillimin e Fizikës si shkencë themelore, në bashkëpunim me institutet, akademitë e tjera dhe institucione të mirëfillta shkencore.
Me synimin për promovimin e dijeve më bashkëkohore në fushën e Fizikës në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, lehtësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes fizikanëve shqiptarë kudo në botë, rritjen e aksesit dhe lidhjes mes fizikanëve shqiptarë dhe të huaj, mbështetjen e ekselencës shqiptare në kërkim e mësimdhënie, me fokus talentet e reja, IKF organizoi Konferencën e Parë të tij në fushën e Fizikës, me një pjesëmarrje të gjerë të fizikanëve të vendit, Kosovës e Maqedonisë dhe mjaft prej tyre të cilët punojnë sot në institucione të rëndësishëm shkencorë në Europë dhe SHBA. Kolegë e bashkëpunëtorë të huaj, u angazhuan me kumtesa në këtë Konferencë, krahas studiuesve tanë.
Megjithë vështirësitë e kohës, fizikanët tanë pasqyruan rezultate inkurajuese të studimeve të tyre eksperimentale e teorike dhe zbatimeve në jetën e vendit, në kuadrin e kërkimeve shkencore pranë universiteteve dhe instituteve që kanë ruajtur fizionominë e tyre dhe kanë shtuar bashkëpunimet në sferën ndërkombëtare. Punime me vlera u paraqitën nga drejtuesit e institutit dhe pjestarët e tij, lidhur me koncepte moderne mbi hapësirën, kohën, lëvizjen dhe materien, si pjesë e rëndësishme e formimit në nivel të lartë shkencor të fizikanëve dhe profesoratit universitar si dhe lidhur me elementë themelorë të studimeve të sjelljeve të strukturave të hapësirës, duke demostrar teknikat e sotme të sofistikuara studimore dhe dëshmuar për nivele të larta të kualifikimit shkencor e punime të nivelit ndërkombëtar të të ndjerit Prof. Boriçit në fushën e grimcave elementare dhe kombinimeve e vetive të tyre, asocijuar ekipeve kërkimore më të avancuara europiane, punime të rëndësishme me vlera aplikative u paraqitën nga fizikanët tanë në fusha me interes si ato të lidhura me rrezatimet bërthamore, aplikimin e tyre në teknikë dhe, sidomos në monitorimin e rrezatimit mjedisor në kuadrin e rrjetit kombëtar të këtij monitorimi, identifikimet e burimeve kryesore të ndotjes grimcore dhe aerosole të atmosferës në vend, specifika e veçanti rajonale të shfrytëzimit me rendiment ë energjisë diellore; interesante u paraqitën punimet e fizikanë tanë të fushës së Biofizikës dhe Fizikës Mjekësore, nisur nga të dhëna e specifika në trajtimin me rrezatime të sëmundjeve të ndryshme të vështira, deri në paraqitjen e elementëve të inteligjencës artificial shoqëruar me algoritme të simulimeve imazherike, veti të biomolekulave në projektimin dhe realizimin e biosensorëve etj.
Komunikimet e kolegëve të huaj, profesorë dhe drejtues kërkimesh në këto fusha, ardhur nga Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Svicra, Greqia, gjetën një mjedis intelektual, të përgatitur dhe me shumë ambicie në kërkimin shkencor, duke diskutuar me pjesëmarrësit për problemet e trajtuara dhe interpretimet e zbatimet e tyre.
Me këtë veprimtari, Instituti u shfaq si një organizëm serioz i Akademisë së Shkencave për thellimin e kërkimeve në fushën e Fizikës, intensifikimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe aplikimin e kërkimeve në këtë fushë në mjedisin shqiptar dhe, me perspektivë, për nxitjen e inovacioneve dhe ngritjen e nivelit të Arsimit të Lartë në vend.
IKF është një zë aktiv dhe autoritar në mjedisin kombëtar të Fizikës dhe synon të shërbejë si qendër e komunitetit të shqiptarëve të diplomuar në fizikë, duke ndjekur me vëmendje synimin e Akademisë së Shkencave për përparime të dukshme në kërkim, edukim dhe inovacione në interes të vendit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tij.
Prof. Marenglen Spiro
Komisioni i Biologji dhe Shkenca Bujqësore