Pesë nga agjencitë më të rëndësishme të inteligjencës dhe sigurisë kibernetike në botë kanë lëshuar një paralajmërim të pazakontë për zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale, duke thënë se modelet e reja të IA-së, që mund të përdoren për sulme ndaj qeverive, institucioneve dhe bizneseve mund të shfaqen brenda pak muajsh.
Në deklaratën e përbashkët të aleancës Five Eyes, ku bëjnë pjesë Australia, SHBA-ja, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Zelanda e Re, thuhet se inteligjenca artificiale do të ndihmojë mbrojtjen kibernetike, por njëkohësisht po rrit edhe mundësitë për sulme më të shpejta, më të sofistikuara dhe më të vështira për t’u ndalur.
“Modelet më të avancuara të IA-së pritet të tejkalojnë pritshmëritë aktuale të industrisë dhe të ndryshojnë rrënjësisht aftësitë sulmuese dhe mbrojtëse në fushën kibernetike. Afati nuk është me vite, por me muaj”, thuhet në deklaratë.
Paralajmërimi vjen vetëm pak javë pasi administrata e presidentit Donald Trump vendosi të ndalojë përdorimin nga “shtetas të huaj” të modelit Fable, të zhvilluar nga kompania teknologjike Anthropic. Vendimi u mor pas rekomandimeve të autoriteteve amerikane të sigurisë kombëtare.
Edhe pse Five Eyes nuk përmend asnjë model apo kompani me emër në deklaratën e saj, shumë ekspertë e lidhin paralajmërimin me zhvillimet e fundit rreth Anthropic. Kompania ka tërhequr vëmendjen me modelin Mythos, i cili sipas raportimeve është në gjendje të identifikojë dobësi në sistemet kibernetike. Për shkak të shqetësimeve se këto aftësi mund të keqpërdoren, modeli është i disponueshëm vetëm për organizata dhe kompani të verifikuara.
Një nga produktet më të reja të kompanisë është Fable 5, i prezantuar si një version më i aksesueshëm i Mythos. Megjithatë, edhe ky model u përfshi në vendimin e administratës amerikane për kufizimin e përdorimit nga shtetas të huaj.
Olivia Shen, eksperte e sigurisë kombëtare dhe inteligjencës artificiale në Qendrën e Studimeve Amerikane pranë Universitetit të Sidneit, tha se fokusi i botës është aktualisht te Anthropic, por shqetësimi i vërtetë është se modele të tjera po aq të avancuara mund të jenë duke u zhvilluar në vende të ndryshme.
“Mendoj se duhet të presim që modeli i ardhshëm si Mythos apo Fable të jetë shumë pranë. Ne shohim vetëm atë që publikohet, por mund të ketë modele të tjera që po zhvillohen nga Kina, shtete të tjera, kompani apo aktorë të ndryshëm dhe që mund të jenë po aq të avancuar”, tha ajo.
Sipas agjencive të Five Eyes, zhvillimet e fundit tregojnë se barrierat për personat apo grupet që duan të kryejnë sulme kibernetike po bëhen gjithnjë e më të ulëta. Për këtë arsye ato kërkojnë që rreziku kibernetik të mos trajtohet më vetëm si problem teknik i departamenteve të IT-së, por si një çështje që duhet të merret seriozisht nga drejtuesit e institucioneve dhe kompanive.
“Nevojitet një përgjigje e të gjithë organizatës dhe e gjithë shoqërisë. Rreziku kibernetik nuk mund të shihet më si një çështje thjesht teknike. Ai është një rrezik për biznesin dhe një përgjegjësi e drejtuesve”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, në muajin mars, qeveria australiane e Anthony Albanese nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Anthropic në kuadër të planit kombëtar për inteligjencën artificiale. Marrëveshja nuk është detyruese, por parashikon që kompanitë të ndajnë me qeverinë informacione mbi zhvillimet në AI dhe të promovojnë sigurinë në përdorimin e kësaj teknologjie.
Australia, ashtu si disa vende të tjera, po ndjek një qasje më të lehtë ndaj rregullimit të sektorit, me argumentin se inteligjenca artificiale mund të sjellë përfitime ekonomike dhe rritje të produktivitetit. Megjithatë, paralajmërimi i Five Eyes tregon se krahas mundësive, po shtohen edhe shqetësimet për rreziqet që mund të sjellë brezi i ardhshëm i modeleve të AI.
Komente







