Inteligjenca artificiale, shkurtimisht AI, mund të ketë ndikim të madh dhe transformues në industrinë e argëtimit, në arte, muzikë dhe filma. Por kritikët po shprehin shqetësimet e tyre ndërsa shtrojnë pyetjen nëse programet kompjuterike inteligjente përbëjnë kërcënim për krijuesit dhe artistët.
Në muajin mars, fotografi gjerman Boris Eldagsen fitoi një çmim prestigjioz në konkursin e fotografisë të firmës “Sony”. Por ai e refuzoi çmimin, duke pranuar se kishte kishte konkuruar me një imazh të krijuar përmes inteligjencës artificiale, AI. Ai tha se synimi ishte ngjallja e një debati mbi këtë çështje.
Programet inteligjente si ChatGPT mund të shkruajnë një tregim, thotë për Zërin e Amerikës studiuesi Jonathan May me Universitetin e Kalifornisë Jugore.
“Kryesisht një shkrim koherent, por jo një histori veçanërisht shumë interesante. Nuk jam redaktor për shkrimet artistike, apo diçka të tillë, por nga ajo që kam parë, tregimet, që shkruhen nga këto programe inteligjente, nuk janë diçka që do të harxhoja para për t’i botuar”.
Një tjetër studiues i inteligjencës artificiale, hobi i të cilit është komedia, përfshin një robot inteligjent në trupën e tij improvizuese me qendër në Londër, të quajtur “Improbotics”.
"Isha shumë i kënaqur që doje të më shihje përsëri."
"Po shkojmë në kopshtin zoologjik."
Ai thotë se inteligjenca artificiale është mbresëlënëse, por nuk e kupton kontekstin ashtu si aktorët.
“Nuk e di se sa njerëz janë në sallë. Nuk e di nëse dikush po qan”, thotë për Zërin e Amerikës Piotr Mirowski, studiues i inteligjencës artificiale dhe bashkëthemelues i firmës “Improbotics”.
Ai thotë se AI shpesh prodhon përmbajtje mediokre kur zëvendëson një aktor apo shkrimtar.
“Shtrohet pyetja, përse ju duhet një shkrimtar fantazmë? Pse nuk e shkruani vetë?
Por njerëzit duan të eksplorojnë kufirin midis njeriut dhe makinës. Në Universitetin Southampton në Britani, muzikantët kombinojnë temat e krijuara nga AI me xhazin e improvizuar.
Një kompozitor, fitues i çmimit Emmy, i cili ka shërbyer si drejtor muzikor për dy Lojëra Olimpike, thotë se AI mund të prodhojë muzikë në sfond për shfaqjet e lojërave.
“Kriteret nuk janë që të jetë unik dhe i shkëlqyeshëm. Ideja është që të ketë energji, ose që të përcjellë emocionin e duhur”, thotë Mark Watters me Shkollën e Muzikës Eastman.
Ai thotë se inteligjenca artificiale mund ta krijojë atë, por i mungon pasioni i një artisti.
Hulumtuesi Jonathan May pajtohet.
“I mungon përvoja e jetës. AI nuk ka traumat, jetën e përditshme dhe pikëpamjet për botën në zhvillim, sikurse i përjeton njeriu që nga ardhja në jetë”.
Inteligjencës artificiale i mungon shkëndija e krijimtarisë, diçka që ende nuk është programuar në një kompjuter./VOA