Përveç resorti në Zvërnec, ndërsa ministri u përgjigj se për këtë rast, qeveria ka kërkuar që subjekti zhvillues t’i nënshtrohet nivelit më të lartë të një analize të thelluar, bazuar mbi standardet ligjore dhe mbi një ekspertizë profesionale. *** Opozita, përmes dy deputetëve, Ina Zhupa e PD-së, dhe Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë, kërkuan interpelancë me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, për investimin në Zvërnec. Për ligjvënësin e vetëm të partisë së Arlind Qorit, ndërhyrja e PD-së në interpelancën e tij, tashmë që në shesh po mbahen protesta, është e qëllimshme për të sfumuar denoncimet që ai i pari ka shfaqur në Kuvend. “Shqetësim për ndërhyrjet barbare në atë zonë unë i kam ngritur më 7 maj, dhe askush në atë seancë nuk dëgjonte nga veshët. Sot që bucet sheshi Rama në burg, Berisha në burg, u zgjuan nga gjumi”, tha Muçi. Pyetjet e para ndaj ministrit i ngriti Ina Zhupa, duke theksuar se në zonë nuk duhej të lejoheshin ndërhyrje pa pasur më parë një studim për ndikimin në mjedis. “Unë kam dokumentet që janë dhënë 4 leje për atë projekt. A ka leje ndërtimi, leje zhvillimi? A ka apo jo projekt. Si është dhënë dakordësia për leje zhvillimi pa një vlerësim të ndikimit në mjedis të konsultuar dhe publikuar?”, tha Zhupa. Si deputeti Muçi edhe Zhupa, ngritën akuza se ligji për zonat e mbrjtura u ndryshua qëllimisht që t’i hapej rrugë investimeve të tilla. “A ishin ndryshimet e ligji në vitin 2024, pararendëse e asaj që planifikohej në 2026? Duke theksuar me shifra angazhimin e qeverisë Rama për mbrojtjen e natyrës, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, tha se zona për ndërtim, peizazh i mbrojtur i kategorisë 5, lejon zhvillimet turistike, dhe se në këtë rast, është kërkuar që studimi mjedisor të jetë i thelluar. “Gjatë qeverisjes Rama territori i zonave të mbrojtura u rrit në 21%”, tha Jaupaj. Ministri theksoi se çështja nuk është nëse duhet të ketë zhvillim apo jo, por nëse respektohen kriteret ligjore dhe direktivat ndërkombëtare, të cilat në zona të tilla si Zvërneci, nuk kufizojnë investimet, nëse mbrohet mjedisi.">debateve politike në Kuvend, mbi protestat që nisi për kauzën e Zvërnecit, opozita kërkoi në interpelancë ministrin e Mjedisit për të folur mbi investimin që do të kryhet atje dhe se në çfarë është ai. Opozita kërkoi të dijë nëse është bërë vlerësimi i ndikimit në mjedis për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, ndërsa ministri u përgjigj se për këtë rast, qeveria ka kërkuar që subjekti zhvillues t’i nënshtrohet nivelit më të lartë të një analize të thelluar, bazuar mbi standardet ligjore dhe mbi një ekspertizë profesionale.

***

Opozita, përmes dy deputetëve, Ina Zhupa e PD-së, dhe Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë, kërkuan interpelancë me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, për investimin në Zvërnec.

Për ligjvënësin e vetëm të partisë së Arlind Qorit, ndërhyrja e PD-së në interpelancën e tij, tashmë që në shesh po mbahen protesta, është e qëllimshme për të sfumuar denoncimet që ai i pari ka shfaqur në Kuvend.

“Shqetësim për ndërhyrjet barbare në atë zonë unë i kam ngritur më 7 maj, dhe askush në atë seancë nuk dëgjonte nga veshët. Sot që bucet sheshi Rama në burg, Berisha në burg, u zgjuan nga gjumi”, tha Muçi.

Pyetjet e para ndaj ministrit i ngriti Ina Zhupa, duke theksuar se në zonë nuk duhej të lejoheshin ndërhyrje pa pasur më parë një studim për ndikimin në mjedis.

“Unë kam dokumentet që janë dhënë 4 leje për atë projekt. A ka leje ndërtimi, leje zhvillimi? A ka apo jo projekt. Si është dhënë dakordësia për leje zhvillimi pa një vlerësim të ndikimit në mjedis të konsultuar dhe publikuar?”, tha Zhupa.

Si deputeti Muçi edhe Zhupa, ngritën akuza se ligji për zonat e mbrjtura u ndryshua qëllimisht që t’i hapej rrugë investimeve të tilla.

“A ishin ndryshimet e ligji në vitin 2024, pararendëse e asaj që planifikohej në 2026?

Duke theksuar me shifra angazhimin e qeverisë Rama për mbrojtjen e natyrës, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, tha se zona për ndërtim, peizazh i mbrojtur i kategorisë 5, lejon zhvillimet turistike, dhe se në këtë rast, është kërkuar që studimi mjedisor të jetë i thelluar.

“Gjatë qeverisjes Rama territori i zonave të mbrojtura u rrit në 21%”, tha Jaupaj.

Ministri theksoi se çështja nuk është nëse duhet të ketë zhvillim apo jo, por nëse respektohen kriteret ligjore dhe direktivat ndërkombëtare, të cilat në zona të tilla si Zvërneci, nuk kufizojnë investimet, nëse mbrohet mjedisi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:16
‘Struc i Nartës’, Zhupa-Jaupajt: S’të vjen pak turp? S’ta kanë thënë që je ministër i Mjedisit, jep dorëheqjen dhe shijo jetën

Pasi ministri Sofjan Jaupaj tha se politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare “janë arsyeja pse Shqipëria sot është më afër se kurrë BE”, deputetja Ina Zhupa iu drejtua sërish me fjalët “struc i Nartës.”

Duke i thënë se fjalët e ministrit të Mjedisit nuk lidheshin aspak me interpelancën, Zhupa u shpreh se Zvërneci tregon sesi nuk duhet të funksionojë një shtet.

“Sinqerisht, nuk keni pak turp? Sinqerisht dhe miqësisht, flet për agroturizmin e bujqësinë, ndoshta s’ta kanë thënë, e di që je ministër i Mjedisit? U solle gjithë kohën si struci i Nartës, ministri i Mjedisit nuk thotë asnjë fjalë për pyetjet që i bëhen e zonat e mbrojtura. Kjo interpelancë është pasqyrë e qartë e asaj që ndodh në shtetin shqiptar. Disa ministra që nuk e dinë çfarë bëhet. Ca ligje të bëra me porosi, ca ministra që as pyetjeve më minimaliste s’u kthejnë dot përgjigje sepse Zvërneci është kthyer në simbolin e ankthit të shtetit, shikojmë mënyrën sesi nuk duhet të funsionojë një shtet”, tha Zhupa.

Ndërsa foli edhe për protestën e Zvërnecit, deputetja demokrate ‘këshilloi’ ministrin të jepte dorëheqjen.

“Krenaria e secilit protestues atje është që është në anën e drejtë të historisë, do të thotë isha aty kur rrëzuam Ramën, jam shqiptar dhe krenar për historinë tonë të përbashkët, për trashëgiminë tonë të përbashkët. Nëse keni pak dinjitet, në fund të kësaj interpelance, jepni dorëheqjen dhe vazhdoni të shijoni jetën”, tha Zhupa.

Ora 13:16
‘Zvërneci’/ Muçi: Ndryshuan ligjin për t’i hapur rrugë investimit, po dëmtohen habitatet natyrore! S’ka raport vlerësimi për ndikimin në mjedis

Deputeti i opozitës, Redi Muçi zhvilloi një interpelancë me ministrin e mjedisit, Sofjan Japuaj për investimin në Zvërnec, duke u ndalur tek zona e mbrojtur. Njëjtë si Zhupa, edhe Muçi tha se ligji për zonat e mbrojtura u ndryshua për t’iu hapur rrugë zhvillimeve të tilla.

Muçi tha se rrethimi i zonës me gardh e bën të pamundur lëvizjen e faunës. Sipas tij, shtrimi i rrugëve të reja të kalimit me mjete në brendësi të dunave ranore kërkon vlerësim paraprak, pasi mbulon habitate natyrore me rëndësi europiane.

“Dëgjuam përgjigje për Liqenin e Shkodrës, kur hallin e kemi për Zvërnecin. Nga ndryshimet që i keni bërë ligjit për zonat e mbrojtura, para ndryshimeve specifikohej që ato që quheshin nënzona qendrore kishin një status të veçantë. Pavarësisht nëse zona e mbrojtur ishte e kategorisë së parë apo të pestë, brenda saj përcaktoheshin nënzonat qendrore të nivelit A dhe B. Dhe këtu kam ligjin. Ndalohej ndërtimi i çdo lloji, ndërtimi i objekteve çlodhëse dhe sportive, lëvizja me mjete motorike të çdo lloji, me përjashtim të makinave të administratës, si dhe shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive.

Në vitin 2024 i fshitë të gjitha këto përcaktime dhe latë vetëm disa gjëra estetike, si ndalimi i ndezjes së zjarreve dhe gjuetisë, të cilat nuk e pengojnë marshimin drejt zhvillimit që keni planifikuar. Ata kolegë që i kanë propozuar ndryshimet e vitit 2024, sot duhet të fshihen nga turpi. Në vitin 2024 ne ishim në shesh duke protestuar. Turp ju qoftë! Këtë gjë s’kemi pse e themi ne, e thotë mbarë populli. Propozimi im është që duhet të japin dorëheqjen një orë e më parë.

Ka kaluar më shumë se një muaj që kur aktivistët vunë alarmin për dëmet në mjedis. U bënë 12 ditë dhe ende sot që flasim, lejet e zhvillimit nuk janë zbardhur. Kompania në fjalë ka marrë dy leje zhvillimi për ndërtimin e resortit, në janar dhe në prill, nga KKTU-ja, por lejet nuk janë zbardhur ende.

Kjo është bandë hajdutësh. Rrethimi i zonës me gardh e bën të pamundur lëvizjen e faunës. Po kryhen punime brenda një zone të mbrojtur dhe brenda rrethimit ndodhen dy monumente natyre. Shtrimi i rrugëve të reja të kalimit me mjete në brendësi të dunave ranore kërkon vlerësim paraprak, pasi mbulon habitate natyrore me rëndësi europiane. Dunat janë sheshuar, janë hequr sipërfaqe pyjore për të krijuar kantierin, është hedhur çakull për të krijuar sheshe brenda kantierit. Shqetësimi përmes zhurmës nga makineritë e rënda ndikon në biodiversitet. Këto shqetësime i di ministri i Mjedisit, sepse nëse nuk i di, për çfarë je ministër Mjedisi? Çfarë ruan ti? Nëse nuk e di ti çfarë po ndodh, pse ke nën urdhrat e tu agjenci për ruajtjen e mjedisit? Keni thënë se rrethimi me tel me gjemba është bërë në pronë private me studime gjeologjike. E kishin çuar telin me gjemba brenda në det. Edhe bregu, edh erëra, edhe deti na qenkan pronë private dhe për këta vendos kreu i KTTU, Edi Rama”, tha Muçi.

Ora 12:57
‘Zvërneci’, Zhupa-ministrit: S’është miratuar asgjë, por atje kishte rrethim! Shqetësimi yt duhet të ishin zonat e mbrojtura! Kur do të shfuqizohet ligji?

Duke e cilësuar ministrin e Mjedisit “struci i Nartës” sepse s’iu përgjigj pyetjeve të saj, deputetja Ina Zhupa tha se për Zvërnecin s’ka pasur asnjë miratim për të vijuar me ndërtimin, por ndërkohë ka pasur rrethim.

Me tone të ashpra, demokratja i tha Sofjan Jaupajt se me rolin e tij, shqetësimi parësor duhet të ishin zonat e mbrojtura dhe ruajtja e tyre. Zhupa tha se nuk mori përgjigje nëse ka pezullim të projektit, ndërsa kërkoi llogari për marrjen e masave dhe shfuqizimit të ligjit për zonat e mbrojtura.

“Nuk the ku është publikuar, ku është konsultuar dhe a është miratuar. Ndërkohë që nuk miratuar asgjë, atje ti kishte buldozerë e rrethim. Nuk na the që janë dhënë jo 1, por 4 leje për atë zonë atje. Është dhënë dhe kjo është përgjigje zyrtare nga AZHT. Këto s’mund të bëheshin pa konsultime me ekspertët. Këto do të ishin të pamundura nëse nuk do ta kishit ndryshuar ligjin. Ju u fshehët duke bërë të paditurin sepse vetëm zbatonit urdhrat. Punimet përgatitore nuk janë punime neutrale, janë vetë me ndikim mjedisor. Ajo që bëni sot është thjesht tallje me shqiptarët. Shqiptarët e kanë ngritur këtë shqetësim sepse janë pro mbrojtjes së Shqipërisë. Je ministër i Mjedisit, shqetësimi yt i parë duhet të ishin zonat e mbrojtura, pastrimi i tyre, mbrojtja e florës, faunës dhe ruajtja e tyre. Shqetësimi i parë duhet të ishte që ta kenë mbrojtjen 100% me ligj. Nuk ktheve përgjigje, por do të them unë për ty atë që ke frikë të thuash: ky projekt s’mund të bëhej. Turizmi nuk zhvillohet me vila individuale në zona të mbrojtura. A është pezulluar projekti të pyeta? Nuk the asnjë përgjigje. Kryeministri thotë jo, s’di as kujt t’i besoj se gënjeni të gjithë. Na e thoni, thojuani shqiptarëve. Nuk ka pronar zona e mbrojtur, pasuria publike! Kush janë masat që do të merrni për ta mbrojtur zonën e mbrojtur? Kur do ta shfuqizoni ligjin, kur të jepni gjithë Shqipërinë? Këtej doni të shuani protestën, këtej i thoni BE të tjera BE! Të tjera thoni, të tjera bëni! Në ato 3 minuta që ke, kthe ndonjë përgjigje që të mbahesh mend që je ministër!”, tha Zhupa.

Ora 12:48
Interpelanca për Zvërnecin, ministri Jaupaj: Askush s’e dyshon do angazhimin tonë për mjedisin! Analizë shkencore e plotë, BE s’kërkon ndalim automatik

Në interpelancën me deputetët e opozitës lidhur me investimin në Zvërnec, ministri i Mjedisit tha se askush s’mund të dyshojë angazhimin e qeverisë për natyrën. Sipas Sofjan Jaupajt, projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë për ndikimin në mjedis.

Më tej, tha se statusi i peizazhit të mbrojtur lejon zhvillimin në këtë zonë, duke respektuar bashkëjetesën me natyrën. Jaupaj theksoi se BE nuk ndalon automatikisht zhvillimin, por kërkon respektimin e habitatit.

“Askush s’mund të vërë në dyshim angazhimin tonë për natyrën sepse është i matshëm. Është debat i shëndetshëm dhe i nevojshëm, por duhet të mbështetemi te faktet, ligjet dhe shkenca.

Së pari, janë ngritur pretendime se procedura mjedisore është anashkaluar. Faktet tregojnë se pas shqyrtimit të dokumentacionit, u vendos që duhet t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të ndikimit në mjedis, pra është aktivizuar niveli më i lartë i legjislacionit. Projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë.  Me fjalë të tjera, shteti shqiptar ka vendosur që vendimmarrja mjedisore të vendoset mbi evidencën shkencore. Është pikërisht garancia që mbrojtja e natyrës duhet të bazohet mbi fakte, studime dhe vlerësime profesionale.

Statusi i zonës së mbrojtur. Zona e Pishë-Poros është shpallur zonë e mbrojtur, kategoria V që nuk është rezervë strikte natyrore. Filozofia bazohet mbi bashkëjetesën e natyrës dhe aktivitetit ekonomik e social. Mbi zonat e mbrojtura mund të ekzistojnë qendra banimi etj. Ligji shqiptar nuk vendos ndalime, por kushte sesi duhet të realizohen.

BE kërkon respektimin e direktivës së habitateve dhe shpendëve. Projekti të zhvillohet në bazë të ndikimit konkret që mund të ketë. Nenet kërkojnë vlerësim të përshtatshëm të ndikimit dhe jo ndalim automatik”, tha Jaupaj.

Ora 12:34
Interpelancë për Zvërnecin/ Zhupa: Si lejohet rrethimi pa vlerësimin e ndikimit në mjedis, ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve të tilla

1781174198_inazhupa.jpeg

Deputetja demokrate Ina Zhupa po zhvilloi një interpelancë me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj duke ngritur pikëpyetje mbi investimin e planifikuar në Zvërnec dhe ndikimin e tij në mjedis. Zhupa tha se Narta është Zonë e Mbrojtur ( e katëgorisë V), duke theksuar se si miratohet rrethimi i territorit apo si lejohet ndërhyrja në duna pa vlerësimin e ndikimit në mjedis. Zhupa tha se është ndryshuar ligji i zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve të tilla.

“A bini ju dakord me faktin se mund të jetë pronë private brenda zonës së mbrojtur dhe mund të trajtohet si parcelë ndërtimi e zakonshme, apo statusi mjedisor përcakton vlerën ekologjike dhe jo pronësinë mbi tokën? A jeni ju ai që i jeni përgjigjur Komisionit Europian se e keni pezulluar projektin dhe a kishte një projekt? Sepse jeni i njëjti individ që keni thënë se nuk ka projekt, ndërkohë që përmenden shifra konkrete. Ka dokumente që tregojnë se 4 leje janë dhënë për atë projekt.

Sqaroni, a ka leje zhvillimi, a ka leje ndërtimi, a ka projekt apo nuk ka? Si është dhënë miratimi apo dakordësia për leje zhvillimi pa vlerësim të ndikimit në mjedis? Ndërkohë që detyrimi është që ky proces të ndodhë para se të jepet leja e zhvillimit. A mund të miratohen rrethime, rrugë aksesi dhe ndërhyrje të tjera pa u vlerësuar ndikimi mbi dunat, pyllin bregdetar dhe korridoret ekologjike?

Nëse e keni pezulluar, me çfarë akti ligjor e keni pezulluar? Cilën leje keni pezulluar? Kush e ka nxjerrë aktin, në cilën datë dhe a është komunikuar me subjektin zhvillues? Keni ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimeve të tilla dhe për të mos pasur më ndalesa për të zhvilluar ku të doni dhe çfarë të doni. Na thoni: a jeni dakord që duhet të shfuqizohet ligji i zonave të mbrojtura? Na thoni: ka më shumë rëndësi të mbrohet zona e mbrojtur apo të shkatërrohet?”, tha Zhupa.