Interpretimi i vendimit të ''Venecias'' i përgatitur nga juristët e Partisë Socialiste

Interpretimi i vendimit të ''Venecias'' i përgatitur nga juristët e Partisë Socialiste

Opinioni është miratuar unanimisht në datë 06.12.2024 dhe është botuar nga Komisioni I Venecias. Kryetarja e Kuvendit ka patur detyrimin të ruajë konfidencialitetin e dokumentit sipas rregullave të diktuara nga Komisioni i Venecias deri në botimin e opinionit. Kjo është interpretimi i vendimit të ''Venecias'', i përgatitur nga juristët e Partisë Socialiste.

1. Mbi detyrimin e Kuvendit të votojë në një mënyrë të caktuar

Komisioni i Venecias arrin në përfundimin se – Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por është vetëm në gjendje të votojë për cështje që janë brenda kompetencës së vet, (prg. 57).

Prg.18 - Venecia konstaton se parimi që deputetët janë të lirë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare (vendimi n.44/2011).

Sipas Komisionit të Venezias, prg 20: Nuk mund të ketë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetit është i lirë dhe i parevokueshëm dhe deputeti nuk mundet ligjërisht të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar.

Disa Kushtetuta përmbajnë parashikime që parlamenti nuk voton për cështje të caktuara, si një set kufizimesh të vendimeve parlamentare dhe jo si një impostim i autonomisë së votës.

Pra, me pak fjalë Kushtetuta mund të përjashtojë disa cështje nga vendimmarrja e Parlamentit (cështje që nuk hidhen në votim), por nëse Kushtetuta parashikon kompetencën e Kuvendit të vendosë (të votojë) për një cështje, kjo votë duhet të jetë e lirë të jepet nga secili deputet e nuk mund të diktohet. (Prg. 20)

Për sqarim: Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 70, pika 4, për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, shprehimisht thotë: ….Parlamenti vendos për dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese….

2. Detyrueshmëria e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese

Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi (mazhoranca) e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, (prg. 14).

Komisioni analizon detyrimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese si parim i shtetit të së drejtës dhe parimit të besnikërisë ndaj kushtetutës.

Ky Komision shpreh mendimin se dy vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese për mandatin e OXH nuk duheshin kondicionuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre (prg.22).

Me fjalë të tjera, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën.

Për sqarim: Sic është theksuar edhe më parë, Kuvendi ka zbatuar cdo vendim që ka qenë i qartë për zbatimin dhe kjo nuk arrihet nëpërmjet diktimit të votës.

Sipas nenit 70, pika 4 të Kushtetutës, Kuvendi në rastin konkret nuk ka si vepron ndryshe për zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përvecse ta kalojë për votim dërgimin e cështjes në Gjykatë Kushtetuese.

3. Rastet për të cilat Kuvendi vendos dërgimin e cështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në Gjykatë Kushtetuese

Komisioni i Venecias konfirmon qëndrimin e mazhorancës se sipas jurisprudencës së vetë Gjykatës Kushtetuese shqiptare Kuvendi dërgon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese cështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti vetëm kur konstatohet se jemi para rasteve të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, (prg.11 ). Kjo do të thotë kur deputeti vetë përdor pasuri të shtetit dhe fiton prej tyre. Rastet e tjera i shqyrton vetë Kuvendi (neni 70/2 i Kushtetutës).

4. E drejta e pakicës parlamentare të marrë pjesë në shqyrtimin e cështjeve të papajtueshmërisë së mandatit të deputetit (debati mbi të drejtën e 1/10 dhe/ose 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese)

Komisioni i Venecias ka qëndrimin se e drejta e pakicës parlamentare për të marrë pjesë në vendimarrje për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit duhet të respektohet dhe se drejta e pakicës parlamentare për të patur akses për rishikimin gjyqësor në këto raste duhet të jetë e rregulluar (nënkupto me kushtetutë, ligj), (prg. 30);

Komisioni i Venecias sqaron se sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese shqiptare e drejta e 1/10 të deputetëve (neni 70, pika 4 e Kushtetutës) konsiston në të drejtën për të vënë në lëvizje Kuvendin që të dërgojë në  Gjykatën Kushtetuese cështje për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit që lidhen me kriteret e nenit 70, pika 3 të Kushtetutës (kur deputeti përdor pasuri publike dhe përfiton prej tyre). Në fakt, vetëm në këto raste Kuvendi e dërgon cështjen në Gjykatën Kushtetuese. Pra kështu, sipas Komisionit të Venecias, mund të shihet se mbrohet pakica parlamentare sipas standarteve ndërkombëtare. (prg.30).

E drejta e 1/5 të deputetëve të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese

Komisioni Venecias konstaton se me vendimin e vitit 2016, Gjykata konsideroi nenin 70 të Kushtetutës (që parashikon mocionin e  1/10 të deputëve), si lex specialis (normë që mbizotëron) mbi nenin 134 të Kushtetutës që parashikon të drejtën e 1/5 të deputetëve për t’iu drejtuar dpd Gjykatës Kushtetuese (prg 11).

Ky komision konstaton në prg.11 se pas vendimit të  Gjykatës kushtetuese të 2016, neni 66 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese është ndryshuar më pas me qëllim që 1/5 e deputëve mund të referojë dpd në Gjykatën Kushtetuese një cështje për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Megjithatë në vendimin e fundit (ceshtja OXH), Gjykata Kushtetuese duke mos iu referuar (nuk e trajtoi) ndryshimit të nenit 66, mban pozicionin se  1/5 e deputetëve nuk mund të bëjnë një kërkesë të tillë në Gjykatë Kushtetuese sipas nenit 70 të Kushtetutës.  

Për sqarim: E drejta e pakicës parlamentare sanksionohet në Kushtetutën tonë, në nenin 134, ku 1/5 e deputetëve njihet si subjekt kushtetues që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për mandatin e deputetit lexuar bashkë me nenin 131).

Kjo e drejtë parashikohet dhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese (neni 66).

Kjo e drejtë e një të pestës u kufizua fillimisht me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016, por pas këtj vendimi - jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ndryshoi; në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 neni 131 mbeti i pandryshuar, dhe neni 134 e parashikon 1/5 e deputetëve si subjekt që vë në lëvizje Gjykatën; Ligji për Gjykatën Kushtetuese pësoi ndryshime duke u garantuar 1/5 e deputetëve si subjekt që vë drejtëpërsëdrejti në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit -  ndaj dhe Gjykata Kushtetuese në vendimarrjet e veta të viteve 2022/2024 do duhej t’i përgjigjej këtij realiteti të ri kushtetues ligjor pas vitit 2016. Vecanërisht, pasi e shqyrtoi në themel cështjen e mandatit të OXH me kërkesë të 1/5 të deputetëve dhe nuk dha vendim përfundimtar, por e pushoi cështjen me argumentin se Gjykatën duhet ta kishte vënë në lëvizje Kuvendi.

5. A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re duke listuar si subjekte kushtetues, tej atyre që listohen në dispozitat kushtetuese?

Pyetjes nëse Gjykata Kushtetuese mund të krijojë një normë të re duke listuar si subjekte që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në këto raste, përvec atyre që listohen në Kushtetutë, Komisioni i Venezias i përgjigjet:

Gjykata Kushtetuese nuk mund të krijojë normë të re, vecse të interpretojë normat kushtetuese (prg. 49 – 53, 59). Është kompetencë e legjislativit të krijojë norma kushtetuese dhe kompetencë e Gjykatës Kushtetuese të interpretojë normat kushtetuese.

Sipas Komisionit të Venecias, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese, si një organ gjyqësor dhe jo politik, nuk duhet të shkelë/cënojë domainin/rolin e legjislatorit kushtetues (parlamenti) që ka të drejtën e krijimit të normave (prg.51).

Prg. 52 - Gjykatat kushtetuese duhet të respektojnë ndryshimet kushtetuese që bëhen nga legjislatori kushtetues në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të shmanget perceptimi i “qeverisë së gjyqtarëve” - “gouvernement des juges”

6. Në lidhje me rastet që cojnë në papajtueshmërinë e mandatit të deputetit dhe organin që i shqyrton ato

Nga praktikat që përshkruhen në opinion, konstatohet se rastet që parashikon Kushtetuta jonë në nenin 70, pika 3 janë mbi standartin ndërkombëtar. Sipas standarteve europiane papajtueshmëria që parashikohet në ligjin kushtetues lidhet me mosmbajtjen e disa funksioneve që konfiktojnë me detyrën, ndërsa raste si ai i Kushtetutës sonë që parashikon ndalimin për të përfituar pasuri publike apo fitime prej saj, gjenden në më pak vende dhe nuk parashikohen në nivelin e ligjit kushtetues. Ashtu si dhe në Shqipëri, në shumicën e rasteve cështjet në thelb (meritë) janë objekt rishikimi nga gjykata kushtetuese ose gjykata e zakonshme (prg.47).

Subjektet që legjitimohen të vënë në lëvizje gjykatën janë zakonisht grupet politike (prg.59).


Lajmi kryesor:

Mandati i Xhaçkës, Komisioni i Venecias / Bushka: Vendimet e GJK, të zbatueshme por jo të diktojnë votën! Bardhi: Konfirmoi se mazhoranca bëri puç (DOKUMENTI)


xy/S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës