Komisioni i Venecias publikoi sot raportin në lidhje me mandatin e deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka. Shqiptarja.com siguron raportin. Në konkluzion thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme por jo të diktojnë votën. Terminologjia jashtëzakonisht teknike e përdorur në vendimin e Komisionit të Venecias po krijon interpretime të ndryshme midis shumicës dhe opozitës. Të dyja palët mendojnë se kanë arritur të mbështesin qëndrimin e tyre.
Në pikën 58 të opinionit Gjykata Kushtetuese argumenton se normalisht, kur një person gjendet duke mbajtur dy funksione që janë të papajtueshme me njëri-tjetrin, situata mund të rregullohet nga vetë personi – zakonisht duke zgjedhur njërin nga pozicionet dhe duke hequr dorë nga tjetri. Megjithatë, në rastet kur situata nuk rregullohet, pasoja e zakonshme është që personi në fjalë humbet mandatin e tij ose të saj.
Konkluzionet e Komisionit të Venecias
54. Komisioni i Venecias është ftuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të japë opinionin e tij “mbi marrëdhënien midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese në kontekstin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve mbi papajtueshmërinë me mandatin e një deputeti”, duke trajtuar kështu zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti.
55. Ky Opinion nuk synon të mbajë qëndrim në lidhje me vendime specifike të Gjykatës Kushtetuese, dhe as nuk është kompetencë e Komisionit të interpretojë Kushtetutën e Shqipërisë.
56. Koncepti i papajtueshmërisë kuptohet si një pengesë për një deputet që të ushtrojë mandatin e tij ose të saj për shkak të mbajtjes së një pozicioni (privat ose publik) i cili konsiderohet i papajtueshëm dhe në konflikt me detyrën e deputetit. Ai përqendrohet te arsyet për tërheqjen e mandatit nëpërmjet zbatimit të ndalimit për të mbajtur një post të papajtueshëm. Një nga këto arsye mund të jetë konflikti i interesit ndërmjet funksioneve.
Pyetjet në lidhje me mandatin e një deputeti (pyetjet 1 dhe 3) kuptohen si më poshtë:
57. "Çfarë standardesh rregullojnë mandatin e një deputeti në një demokraci parlamentare përfaqësuese dhe në çfarë rrethanash mund të detyrohet një deputet të votojë në një mënyrë të caktuar?" Nga kjo mund të përfundohet: Respektimi nga të gjitha autoritetet i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si një element i shtetit të së drejtës. Ky respektim nuk duhet të kushtëzohet nga vota e një shumice parlamentare, por përbën një kërkesë thelbësore të shtetit të së drejtës. Kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të pushtetit vendimmarrës të Parlamentit, ky i fundit duhet të miratojë një vendim të përputhur me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë vetëm për çështjet e kufizuara siç përcaktohen nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo edhe për mundësinë e referimit të çështjes në Gjykatë. Në këtë mënyrë, Parlamenti nuk detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar, por është i kufizuar të votojë vetëm për çështjet që hyjnë në kompetencën e tij.
58. Sa i përket pyetjeve mbi standardet për dispozitat e papajtueshmërisë dhe rolin e organeve legjislative dhe gjyqësore (pyetjet 2 dhe 4, pjesa e parë), mund të përfundohet si më poshtë:
Në përgjithësi, parimi i ndarjes së pushteteve shtetërore imponon që disa pozicione nuk mund të mbahen nga i njëjti person në të njëjtën kohë, duke garantuar kështu integritetin dhe funksionimin e duhur të secilit pushtet (legjislativ, ekzekutiv ose gjyqësor). Në disa raste, standardet ndërkombëtare parashikojnë një papajtueshmëri absolute (p.sh., të qenit deputet dhe njëkohësisht gjyqtar). Në raste të tjera, lejohen përjashtime (p.sh., një deputet që është pjesë e qeverisë). Normalisht, kur një person gjendet duke mbajtur dy funksione që janë të papajtueshme me njëri-tjetrin, situata mund të rregullohet nga vetë personi – zakonisht duke zgjedhur njërin nga pozicionet dhe duke hequr dorë nga tjetri. Megjithatë, në rastet kur situata nuk rregullohet, pasoja e zakonshme është që personi në fjalë humbet mandatin e tij ose të saj. Sa i përket procedurës për vendosjen e papajtueshmërisë, nuk ka standarde të qarta.
59. Në lidhje me praktikën shtetërore mbi dispozitat e papajtueshmërisë dhe rolin e organeve legjislative dhe gjyqësore (pyetjet 2 dhe 4, pjesa 2), Komisioni i Venecias ka mbledhur informacion mbi dispozitat kushtetuese të papajtueshmërisë në 12 shtete anëtare dhe Bashkimin Evropian (BE).
Gjetjet e analizës tregojnë se nuk ka një qasje të njëtrajtshme për çështjet e papajtueshmërisë dhe praktikat e shteteve ndryshojnë në varësi të faktorëve të ndryshëm, si struktura e qeverisjes, numri i dhomave dhe parametra të tjerë specifikë për secilin vend. Pyetjet e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë mbi praktikën shtetërore mund të trajtohen, me kujdes, si më poshtë:
Bazuar në materialin e shqyrtuar nga Komisioni i Venecias për këtë Opinion, përcaktimi i papajtueshmërisë me mandatin e një deputeti – në nivel kushtetues – në shumicën e rasteve bazohet në pozicionet e tjera që deputeti mban. Në disa vende, aktivitetet e deputetit (si ato me qëllim fitimi) mund të konsiderohen të papajtueshme me detyrën e tij si deputet (edhe pse kjo nuk rregullohet gjithmonë në nivel kushtetues). Në shumicën e shteteve, subjektet që kanë të drejtën të referojnë një çështje në një organ gjyqësor janë organe politike ose persona që janë pjesë e një organi politik; dhe në shumicën e rasteve shqyrtimi bëhet nga një Gjykatë Kushtetuese ose një gjykatë e zakonshme. Vetëm në disa vende çështja e papajtueshmërisë vendoset nga organi legjislativ.
60. Pyetja mbi Gjykatën Kushtetuese dhe krijimin e normave të reja kushtetuese (pyetja 5) kuptohet si më poshtë:
Në parim, a mund të krijojë një Gjykatë Kushtetuese norma të reja? Mund të konkludohet se pushteti për të krijuar norma të reja kushtetuese i përket pushtetit legjislativ, ndërsa pushteti për të interpretuar në mënyrë autoritative një normë kushtetuese ekzistuese i përket Gjykatës Kushtetuese, e cila merr parasysh parime të përgjithshme kushtetuese, si qasja në drejtësi, kur interpreton dispozita specifike kushtetuese. Megjithatë, kufiri i saktë midis interpretimit të një norme kushtetuese ekzistuese dhe krijimit të një norme të re kushtetuese nuk është i qartë.
61. Komisioni i Venecias mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për ndihmë të mëtejshme në këtë çështje.
Më 13 shtator 2024 deputetët socialistë abstenuan në shumicë (65 vota) dhe vetëm 9 votuan kundër dërgimit të mandatit në Gjykatën Kushtetuese. Disa ditë më pas kryetarja e Kuvendit iu drejtua Komisionit të Venecias për opinion. Votimi i 13 shtatorit ishte hera e tretë që socialistët penguan kalimin e çështjes së mandatit të deputetes socialiste në Gjykatë Kushtetuese.
Kliko këtu për të lexuar Raportin e plotë
Deputeti demokrat, Dash Sula ka reaguar pas zbardhjes së opinionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës.
"Halli i madh i detyron që të lexojnë si fitore edhe SHUPLAKËN e Komisionit të Venecias. Mazhoranca ka dy vite që përpiqet ta mbrojë me imunitetin që i garanton mandati si ligjvënëse deputeten e vetë bashkëshorti i së cilës u bë investitor strategjik gjatë kohës që Znj. Xhaçka ishte ministër.
Në mënyrë të imagjinueshme (siç e ka cilësuar vet kryesuesja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj), socialistët në parlament injoruan dy herë vendimin e Gjykatës. Sigurisht e kanë bërë se halli që kanë është i madh ndaj po e mbrojnë. Në këtë kontekst nuk kishte asnjë dyshim se dërgimi i çështjes për Opinion në Komisionin e Venecias ishte një procedurë për të kaluar kohën dhe se në çdo rast pavarësish opinionit, ligjvënësen nuk do ia dorëzonin drejtësisë.
Komisioni i Venecias e ka thënë qartë, pa ekuivok se të gjitha autoritetet janë të detyruara të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe Parlamentin. Vetë qëllimi i Gjykatës Kushtetuese thotë Opinioni i Komisionit të Venecias është të kufizojë shkeljet e mundshme të ligjvënësit ose pushteteve të tjera shtetërore. Shtuar këtu teksin që vendos në paragrafin 22 të
Opinionit se duhet të të mos shihet si çështje e mandatit të lirë, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Paragrafi 22 i Opinionit të Venecias”Si rezultat i njohjes kushtetuese të natyrës detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të gjitha autoritetet janë të detyruara t’i zbatojnë këto vendime dhe t’i zbatojnë ato në mënyrë efektive. Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës.
Vetë qëllimi i Gjykatës Kushtetuese është të kufizojë shkeljet e mundshme të ligjvënësit ose pushteteve të tjera shtetërore. Parlamenti nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në kuadrin e kompetencave që i jep Kushtetuta.
Në dritën e sa më sipër, pyetjet numër 1 dhe 3 duhet të të mos shihet si çështje e mandatit të lirë, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votim apo shumicë parlamentare”.
Ndërkohë në Paragrafin e theksohet nga shkëlqesitë e tyre në Komisionin e Venecias se Pajtueshmëria e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kushtëzohet në Parlament me votën e shumicës parlamentare. Paragrafi 57:Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës.
Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Abuzimet e mazhorancës janë të qarta, ndërkohë çdo vonesë për t’ia dërguar Gjykatës Kushtetuese vlerësimin nëse deputetja e PS është apo jo në kushtet e heqias së mandatit si deputete është një mbrojtje e pandershme dhe trajtim jo i barabart para ligjit", shkruan Dash Sula.
Opinioni i Komisionit të Venecias mesa duket po kthehet në një ‘mollë sherri’ mes mazhorancës dhe opozitës.
Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka reaguar sërish, kësaj here duke i kthyer një përgjigje kryeparlamentares Elisa Spiropali për qëndrimin e saj ndaj këtij opinioni.
Sipas Bardhit, Spiropali po dezinformon në një mbrojtje të paprecedentë sipas tij ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale.
'Kryetarja e Kuvendit duhet ta rilexojë edhe njëherë opinionin e Komisionit të Venecias, ta kuptojë dhe ta zbatojë. Dezinformimi i saj që vazhdon edhe pasi opinioni është publik tregon se ka një tentativë për të vijuar me mbrojtjen e paprecedent ndaj deputetëve që shkelin kushtetutën për përfitime personale, tërësisht në të kundër të asaj që Komisioni i Venecias këshillon.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nga sot ka vetëm një detyrim: Të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, siç këshillon në opinionin e tij edhe Komisioni i Venecias. Çdo deformim apo devijim nga thelbi i opinionit dhe përhumbja nga detaje pa thelb nuk ndihmojnë në forcimin e demokracisë dhe as të shtetit ligjor', thotë Bardhi.
Reagim i Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka.
“Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit!
Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë!
Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time.
Kam bindjen se ky opinion i drejtë do t’u shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen", thuhet në reagimin e Elisa Spiropalit.
Opinioni është miratuar unanimisht në datë 06.12.2024 dhe është botuar nga Komisioni I Venecias. Kryetarja e Kuvendit ka patur detyrimin të ruajë konfidencialitetin e dokumentit sipas rregullave të diktuara nga Komisioni i Venecias deri në botimin e opinionit. Kjo është interpretimi i vendimit të ''Venecias'', i përgatitur nga juristët e Partisë Socialiste.
1. Mbi detyrimin e Kuvendit të votojë në një mënyrë të caktuar
Komisioni i Venecias arrin në përfundimin se – Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por është vetëm në gjendje të votojë për cështje që janë brenda kompetencës së vet, (prg. 57).
Prg.18 - Venecia konstaton se parimi që deputetët janë të lirë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare (vendimi n.44/2011).
Sipas Komisionit të Venezias, prg 20: Nuk mund të ketë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetit është i lirë dhe i parevokueshëm dhe deputeti nuk mundet ligjërisht të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar.
Disa Kushtetuta përmbajnë parashikime që parlamenti nuk voton për cështje të caktuara, si një set kufizimesh të vendimeve parlamentare dhe jo si një impostim i autonomisë së votës.
Pra, me pak fjalë Kushtetuta mund të përjashtojë disa cështje nga vendimmarrja e Parlamentit (cështje që nuk hidhen në votim), por nëse Kushtetuta parashikon kompetencën e Kuvendit të vendosë (të votojë) për një cështje, kjo votë duhet të jetë e lirë të jepet nga secili deputet e nuk mund të diktohet. (Prg. 20)
Për sqarim: Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 70, pika 4, për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, shprehimisht thotë: ….Parlamenti vendos për dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese….
2. Detyrueshmëria e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi (mazhoranca) e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, (prg. 14).
Komisioni analizon detyrimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese si parim i shtetit të së drejtës dhe parimit të besnikërisë ndaj kushtetutës.
Ky Komision shpreh mendimin se dy vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese për mandatin e OXH nuk duheshin kondicionuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre (prg.22).
Me fjalë të tjera, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën.
Për sqarim: Sic është theksuar edhe më parë, Kuvendi ka zbatuar cdo vendim që ka qenë i qartë për zbatimin dhe kjo nuk arrihet nëpërmjet diktimit të votës.
Sipas nenit 70, pika 4 të Kushtetutës, Kuvendi në rastin konkret nuk ka si vepron ndryshe për zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përvecse ta kalojë për votim dërgimin e cështjes në Gjykatë Kushtetuese.
3. Rastet për të cilat Kuvendi vendos dërgimin e cështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në Gjykatë Kushtetuese
Komisioni i Venecias konfirmon qëndrimin e mazhorancës se sipas jurisprudencës së vetë Gjykatës Kushtetuese shqiptare Kuvendi dërgon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese cështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti vetëm kur konstatohet se jemi para rasteve të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, (prg.11 ). Kjo do të thotë kur deputeti vetë përdor pasuri të shtetit dhe fiton prej tyre. Rastet e tjera i shqyrton vetë Kuvendi (neni 70/2 i Kushtetutës).
4. E drejta e pakicës parlamentare të marrë pjesë në shqyrtimin e cështjeve të papajtueshmërisë së mandatit të deputetit (debati mbi të drejtën e 1/10 dhe/ose 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese)
Komisioni i Venecias ka qëndrimin se e drejta e pakicës parlamentare për të marrë pjesë në vendimarrje për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit duhet të respektohet dhe se drejta e pakicës parlamentare për të patur akses për rishikimin gjyqësor në këto raste duhet të jetë e rregulluar (nënkupto me kushtetutë, ligj), (prg. 30);
Komisioni i Venecias sqaron se sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese shqiptare e drejta e 1/10 të deputetëve (neni 70, pika 4 e Kushtetutës) konsiston në të drejtën për të vënë në lëvizje Kuvendin që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese cështje për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit që lidhen me kriteret e nenit 70, pika 3 të Kushtetutës (kur deputeti përdor pasuri publike dhe përfiton prej tyre). Në fakt, vetëm në këto raste Kuvendi e dërgon cështjen në Gjykatën Kushtetuese. Pra kështu, sipas Komisionit të Venecias, mund të shihet se mbrohet pakica parlamentare sipas standarteve ndërkombëtare. (prg.30).
E drejta e 1/5 të deputetëve të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese
Komisioni Venecias konstaton se me vendimin e vitit 2016, Gjykata konsideroi nenin 70 të Kushtetutës (që parashikon mocionin e 1/10 të deputëve), si lex specialis (normë që mbizotëron) mbi nenin 134 të Kushtetutës që parashikon të drejtën e 1/5 të deputetëve për t’iu drejtuar dpd Gjykatës Kushtetuese (prg 11).
Ky komision konstaton në prg.11 se pas vendimit të Gjykatës kushtetuese të 2016, neni 66 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese është ndryshuar më pas me qëllim që 1/5 e deputëve mund të referojë dpd në Gjykatën Kushtetuese një cështje për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Megjithatë në vendimin e fundit (ceshtja OXH), Gjykata Kushtetuese duke mos iu referuar (nuk e trajtoi) ndryshimit të nenit 66, mban pozicionin se 1/5 e deputetëve nuk mund të bëjnë një kërkesë të tillë në Gjykatë Kushtetuese sipas nenit 70 të Kushtetutës.
Për sqarim: E drejta e pakicës parlamentare sanksionohet në Kushtetutën tonë, në nenin 134, ku 1/5 e deputetëve njihet si subjekt kushtetues që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për mandatin e deputetit lexuar bashkë me nenin 131).
Kjo e drejtë parashikohet dhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese (neni 66).
Kjo e drejtë e një të pestës u kufizua fillimisht me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016, por pas këtj vendimi - jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ndryshoi; në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 neni 131 mbeti i pandryshuar, dhe neni 134 e parashikon 1/5 e deputetëve si subjekt që vë në lëvizje Gjykatën; Ligji për Gjykatën Kushtetuese pësoi ndryshime duke u garantuar 1/5 e deputetëve si subjekt që vë drejtëpërsëdrejti në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit - ndaj dhe Gjykata Kushtetuese në vendimarrjet e veta të viteve 2022/2024 do duhej t’i përgjigjej këtij realiteti të ri kushtetues ligjor pas vitit 2016. Vecanërisht, pasi e shqyrtoi në themel cështjen e mandatit të OXH me kërkesë të 1/5 të deputetëve dhe nuk dha vendim përfundimtar, por e pushoi cështjen me argumentin se Gjykatën duhet ta kishte vënë në lëvizje Kuvendi.
5. A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re duke listuar si subjekte kushtetues, tej atyre që listohen në dispozitat kushtetuese?
Pyetjes nëse Gjykata Kushtetuese mund të krijojë një normë të re duke listuar si subjekte që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në këto raste, përvec atyre që listohen në Kushtetutë, Komisioni i Venezias i përgjigjet:
Gjykata Kushtetuese nuk mund të krijojë normë të re, vecse të interpretojë normat kushtetuese (prg. 49 – 53, 59). Është kompetencë e legjislativit të krijojë norma kushtetuese dhe kompetencë e Gjykatës Kushtetuese të interpretojë normat kushtetuese.
Sipas Komisionit të Venecias, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese, si një organ gjyqësor dhe jo politik, nuk duhet të shkelë/cënojë domainin/rolin e legjislatorit kushtetues (parlamenti) që ka të drejtën e krijimit të normave (prg.51).
Prg. 52 - Gjykatat kushtetuese duhet të respektojnë ndryshimet kushtetuese që bëhen nga legjislatori kushtetues në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të shmanget perceptimi i “qeverisë së gjyqtarëve” - “gouvernement des juges”
6. Në lidhje me rastet që cojnë në papajtueshmërinë e mandatit të deputetit dhe organin që i shqyrton ato
Nga praktikat që përshkruhen në opinion, konstatohet se rastet që parashikon Kushtetuta jonë në nenin 70, pika 3 janë mbi standartin ndërkombëtar. Sipas standarteve europiane papajtueshmëria që parashikohet në ligjin kushtetues lidhet me mosmbajtjen e disa funksioneve që konfiktojnë me detyrën, ndërsa raste si ai i Kushtetutës sonë që parashikon ndalimin për të përfituar pasuri publike apo fitime prej saj, gjenden në më pak vende dhe nuk parashikohen në nivelin e ligjit kushtetues. Ashtu si dhe në Shqipëri, në shumicën e rasteve cështjet në thelb (meritë) janë objekt rishikimi nga gjykata kushtetuese ose gjykata e zakonshme (prg.47).
Subjektet që legjitimohen të vënë në lëvizje gjykatën janë zakonisht grupet politike (prg.59).
Venecia, 10.12.2024 – Me kërkesë të Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Komisioni Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias) ka përgatitur opinionin e tij mbi zbatimin nga Parlamenti të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.
Në kontekstin e anulimit nga Gjykata Kushtetuese të dy vendimeve të Kuvendit për të mos e dërguar çështjen e papajtueshmërisë së një prej anëtarëve të tij në këtë Gjykatë, Komisioni i Venecias iu përgjigj disa pyetjeve të përgjithshme të ngritura nga Kryetarja e Kuvendit. Parlamenti Shqiptar njohu natyrën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por kërkoi mendimin e Komisionit mbi mënyrën e përmbushjes së kësaj detyrimi. Komisioni i Venecias nuk komentoi apo interpretoi vendime specifike të Gjykatës Kushtetuese.
Së pari, Komisioni iu përgjigj pyetjeve si: cilat standarde rregullojnë mandatin e një deputeti në një demokraci parlamentare përfaqësuese dhe në cilat rrethana një deputet mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar? Komisioni shqyrtoi në thellësi marrëdhënien midis parimit të mandatit të lirë në një demokraci parlamentare përfaqësuese dhe karakterit detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ai theksoi detyrimin e institucioneve shtetërore, përfshirë parlamentin, për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese si një element kyç i shtetit të së drejtës. Ky respekt nuk duhet të kushtëzohet nga vota e një shumice parlamentare. Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimmarrja parlamentare, por nëse Kushtetuta përcakton fuqinë e parlamentit për të vendosur mbi një çështje të caktuar, përmbajtja e kësaj vote duhet të përcaktohet lirisht nga secili deputet dhe nuk mund të diktohet.
Së dyti, Komisioni trajtoi standardet ndërkombëtare mbi papajtueshmërinë, si dhe praktikën shtetërore në këtë fushë, duke përfshirë rolin e organeve legjislative dhe gjyqësore. Komisioni përcaktoi "papajtueshmërinë" si një situatë që pengon deputetët të përmbushin mandatin e tyre për shkak të konflikteve me një funksion tjetër, publik ose privat. Normalisht, personat që gjenden me dy funksione të papajtueshme duhet të zgjedhin njërin prej tyre. Nëse nuk e bëjnë këtë, pasoja zakonisht është humbja e mandatit. Standardet ndërkombëtare imponojnë pak papajtueshmëri, si p.sh. midis të qenit deputet dhe gjyqtar. Në shumicën e vendeve, organet legjislative rrallë kanë fjalën e fundit në përcaktimin e papajtueshmërisë, por një apel në një gjykatë të zakonshme ose kushtetuese është i mundur.
Sa i përket pyetjes nëse një Gjykatë Kushtetuese mund të krijojë norma të reja, Komisioni i Venecias u përgjigj se krijimi i normave të reja kushtetuese është i rezervuar për legjislativin, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka për detyrë interpretimin autoritar të normave ekzistuese.
Komisioni i Venecias mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për ndihmë të mëtejshme mbi këtë çështje.
Lulzim Basha ka reaguar lidhur me publikimin e opinionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës. Sipas Bashës, Komisioni i Venecias thekson në opinion se mazhoranca duhet të mblidhet dhe ti heq mandatin deputetes Xhaçka.
'Sot ka vetëm një reagim që duhet të vijë nga mazhoranca: Të mblidhen dhe t’i heqin mandatin Olta Xhçkës. Ky është shkurt dhe saktë opinioni i Venecias. Çdo interpretim tjetër është përpjekje mjerane për t’u kapur me thonj pas paligjshmërisë.
Në asnjë vend demokratik nuk mund të diskutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në asnjë vend nuk mund të targetohet drejtësia sipas interesit politik dhe individual, siç fatkeqësisht po bëhet sot nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës.'
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Klotilda Bushka mbajti një konferencë për shtyp pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e Xhaçkës. Komisioni, sipas socialistes, konfirmon se Parlamenti nuk është i detyruar të votojë për çështje jashtë kompetencës së tij dhe se deputetët kanë të drejtë të votojnë lirshëm, siç është sanksionuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e vitit 2011.
Për rastin e mandatit të deputetes Xhaçka, Komisioni thekson shton Bushka, se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kushtëzohet nga votimi në Kuvend.
Mazhoranca mbron qëndrimin se Kuvendi shqyrton çështjet e papajtueshmërisë së mandatit kur deputeti përdor pasuri publike, dhe se 1/5 e deputetëve kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për raste të tilla. Opinioni i Komisionit ka një karakter teknik dhe nuk duhet të politizohet, vijoi më tej Bushka.
Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke siguruar që çdo veprim të jetë brenda kornizës kushtetuese dhe juridike.
'Komisioni i Venecias u shpreh për këto 5 pyetje. Shpreh konsideratën më të lartë për ekspertët e Komisionit të Venecias, e trajtuan me seriozitet dhe profesionalizëm në kohë rekord. Shembull më shumë për të konsideruar rolin e Komisionit të Venecias. Kam mirënjohjen tonë më të thellë.
Komisioni i Venecias shpreh qartë se Parlamenti nuk është detyruar të votoj por për atë brenda kompetencës. Për më tepër parimi që deputetë janë të lirë të votojnë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin 44 të 2011. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk bëhen objekt vlerësimi, Komisioni Venecias konstaton dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës nuk duhet kushtëzuar nga votimi në Kuvend. Vendim e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme dhe nuk diktojnë votën. Konfirmojnë qëndrimin e mazhorancës së Kuvendi dërgon në GJK çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti, kur vetë deputeti përdor pasuritë e shtetit, rastet e tjera Kuvendi i shqyrton vetë.
Në vendimin e 2016 GJK konsiderojnë nenin 70 mocioni ne të dhjetës mbizotërojnë mbi 1/5 për t’iu drejtuar drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese. Pas vendimin të 2018 neni 66 për ligjin e Gjykatës Kushtetuese është ndryshuar me qëllim që ti jepet e drejta 1/5 të referoj në një çështje për papajtueshmëri e mandatit. Në çështjen Xhaçka, Gjykata Kushtetuese duke mos e trajtuar nenin 66 mban qëndrimin ese 1/5 nuk mund të referojë. GJK nuk duhet të shkelë rolin e domenin të parlamentit. GJK duhet të respektojnë ndryshimet kushtetues në përgjigje të zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Në përfundim më lejoni të shtoj se bazuar në opinion, pikëpyetjet për votimin për zbatimin, kanë qenë të drejta dhe të bazuar në norma kushtetuese në njohje të pakicës drejtuar direkt Gjykatës Kushtetuese.
E qartë se ky proces përfshin marrjen e opinionit, pati karakter teknik dhe u trajtua nga ne me argumenta juridike. Opinioni i Venecias nuk mund të bëhet objekt i diskursit politik. Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të GJK dhe nuk ka patur qëllim moszbatimin. Por duhet të jenë brenda kompetencave kushtetuese. Kuvendi e dërgon çështjen në GJK vetëm kur deputeti përfiton pasuri publike. E drejta 1/5 e deputetëve për t’iu drejtuar GJK e sanksionuar në Kushtetutës dhe lejimi saj i mbrojtur sipas parimeve ndërkombëtare. GJK në rolin kushtetues ka kompetencën e interpretimit të kushtetutës. Edhe një herë u kërkua qartësimi kur ekzistojnë paqartës. Nuk ka patur asnjë krizë kushtetuese.'
Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka reaguar pas publikimit të opinionit të Venecias lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës.
Komisioni i Venecias, sipas Bardhit, ka konfirmuar se qëndrimi i mazhorancës përbën një shkelje kushtetuese, duke mbështetur qëndrimin e opozitës se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kushtëzohet nga votimi i shumicës parlamentare.
Ky opinion, vijon më tej ai, thekson rëndësinë e respektimit të shtetit ligjor dhe zbardh mashtrimet e Kryetares së Kuvendit lidhur me këtë çështje. Ky është një mesazh i fortë ndërkombëtar kundër praktikave që minojnë institucionet kushtetuese.
Përshëndes me mirënjohje Komisionin e Venecias për opinionin profesional që konfirmon edhe njëherë që qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor.
Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.
Edhe njëherë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake të shpërndarë disa ditë më parë doli zbuluar. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë.
Qëndrimet thelbësore të Gjykatës Kushtetuese:
Paragrafi 20: Kuvendi argumenton se skenari i fundit është i zbatueshëm në lidhje me nenin 70(4) të Kushtetutës pasi dispozita thotë se Kuvendi “vendos” për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Komisioni dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka dhënë tashmë një vendim se Kuvendi u detyrua të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit konkret.
Paragrafi 22: Në dritën e sa më sipër, pyetjet numër 1 dhe 3 nuk duhet të shihen si çështje mandati të lirë, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.
Paragrafi 57: Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, shkruan Bardhi në Facebook.
Pasi ngarkova në ChatGPT4o dokumentin e Komisionit të Venecias, mora këtë përgjigje: "Duke iu referuar vetëm materialit të siguruar nga Komisioni i Venecias dhe parimeve juridike, mund të konkludohet si më poshtë: Detyrimi për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme sipas Kushtetutës së Shqipërisë (neni 132). Moszbatimi i tyre nga Kuvendi ose deputetët përbën shkelje të shtetit të së drejtës dhe cenon parimin e ndarjes së pushteteve. Mandati i lirë i deputetëve: Deputetët kanë një mandat të lirë dhe nuk mund të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar nga palët politike apo institucionet e tjera. Megjithatë, kur Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese përcaktojnë detyrime, këto kufizime nuk bien ndesh me parimin e mandatit të lirë, pasi ato përfaqësojnë zbatimin e normës kushtetuese. Rasti specifik i znj. Xhaçka: Në rastin e debatit mbi papajtueshmërinë e mandatit të një deputeti, Komisioni i Venecias ka theksuar se Kuvendi nuk mund të përdorë shumicën politike për të shmangur zbatimin e detyrimeve kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, në këtë rast, ka kompetencën për të shqyrtuar përputhshmërinë dhe papajtueshmërinë e mandateve në përputhje me Kushtetutën. Vlerësimi i veprimeve të deputetëve: Në këtë rast, veprimet e deputetëve që kanë penguar dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese përmes vendimeve politike bien në kundërshtim me detyrimet kushtetuese të Kuvendit. Kjo shkelje është konsideruar një cenim i besimit ndaj sistemit demokratik dhe i fuqisë detyruese të Kushtetutës. Përfundim: Deputetët kanë liri në vendimet e tyre politike, por kjo liri kufizohet nga detyrimi për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nëse vendimet e Gjykatës nuk zbatohen, krijohet një precedent i rrezikshëm që mund të dobësojë shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike."
PërgjigjuPasi ngarkova në ChatGPTo1 dokumentin e Komisionit të Venecias, mora këtë përgjigje: "Sipas materialit të përgatitur nga Komisioni i Venecias dhe parimeve të shtetit të së drejtës, situata me rastin Xhaçka mund të përmblidhet kështu: Veprimet e deputetëve: Fillimisht, një grup deputetësh (të paktën një e dhjeta e Asamblesë) iniciuan procedurën për të përcjellë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e (mos)papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Xhaçka. Megjithatë, Asambleja, me vendimet e saj, refuzoi dy herë të dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Ky refuzim u realizua përmes procesit të votimit, ku shumica parlamentare nuk pranoi propozimin e opozitës për të proceduar më tej me çështjen. Më tej, një grup deputetësh iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar që ky organ të urdhëronte Asamblenë të bënte referimin e rastit ashtu siç përcaktonte kushtetuta. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe detyrimi i Asamblesë: Gjykata Kushtetuese vendosi se Asambleja ishte e detyruar, bazuar në nenin 70(3)-(4) të Kushtetutës së Shqipërisë, të përcillte çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata, pra, qartësoi se Asambleja nuk kishte kompetencë diskrecionale për të mos e referuar çështjen kur kushtet kushtetuese plotësohen, por detyrim për ta bërë këtë. Qëndrimi i Komisionit të Venecias: Komisioni i Venecias theksoi në opinioni e tij se detyrimi për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese është pjesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme dhe duhen zbatuar nga të gjitha autoritetet shtetërore, përfshirë Asamblenë. Mospërmbushja e këtij detyrimi nuk mund të justifikohet me argumentin e mandatit të lirë të deputetëve. Mandati i lirë nënkupton se deputetët nuk mund të imponohen nga subjekte politike për votimin e tyre politik, por nuk i përjashton ata nga detyrimi për t’iu bindur rendit kushtetues dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vlerësimi juridik i veprimit të deputetëve sot, në dritën e parimeve të Komisionit: Duke pasur parasysh që Komisioni i Venecias theksoi qartë detyrimin për zbatimin e vendimeve kushtetuese, veprimi i deputetëve që përsëri nuk e vijuan procedurën ashtu si urdhëroi Gjykata Kushtetuese, vlerësohet negativisht nga një këndvështrim i shtetit të së drejtës. Mospërmbushja e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese përbën mosrespektim të parimit të supremacisë së kushtetutës dhe të obligimit kushtetues që institucionet t’u përmbahen vendimeve të gjyqësorit kushtetues. Ky qëndrim vë në pikëpyetje respektimin e ndarjes së pushteteve dhe cenon parimin e besnikërisë kushtetuese. Përfundim: Veprimet e deputetëve në rastin Xhaçka, duke refuzuar të zbatojnë dy herë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, janë në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës të nënvizuara edhe nga Komisioni i Venecias. Po ashtu, këto veprime nuk justifikohen nga parimi i mandatit të lirë, pasi detyrimi për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese prevalon mbi çdo liri diskrecionale politike."