Intervista e plotë, Duka: Basha i vonuar, duhet të përcaktojë drejtuesit politikë! Largohem nga ai nëse nuk plotëson pritshmëritë e PAA

Pata një diskutim me zotin Basha, jemi në proces negocimi dhe për momentin nuk kemi vendim të prerë sepse dalja më vete ka problematika të mëdha me Kodin e ri Zgjedhor. Dalja më vete rrezikon konvertimin e votave në mandate sepse ngrihet numri i votave për qark. Nuk ka komisionerë, nuk ka numërues. Kështu që i gjendur përballë këtij fakti, do të shihet si mundësi dalja në një listë të përbashkët me opozitën e bashkuar. Të dy rastet kanë anët e veta pozitive dhe negative. Ana pozitive është, nëse dalim me Kodin e ri Zgjedhor në një listë të përbashkët maksimalizohet vota, por nga ana tjetër ka një anë negative sepse siglat e partive tona pothuajse asimilohen dhe numri i deputetëve të cilët mund të shkojnë në zonën e sigurt është më i pakët sesa ai që ne do të pretendonim nëse do të dilnim me siglën e PAA-së. prandaj, të gjendur përballë këtij fakti, nuk mund të them sot se cili do të jetë vendimi i PAA-së. megjithatë, në të dy rastet ne do të kërkojmë vota për njerëzit tanë, edhe nëse futemi në një listë të përbashkët sepse përveç asaj listës së sigurt do të ketë edhe njerëz që do të jenë tek ajo lista jashtë, siç edhe e dini. Pavarësisht se shiten si lista të hapura, faktikisht janë të mbyllura. Kështu që për njerëzit tanë të PAA-së, në të dy rastet do të kërkojmë vota. Prandaj pikërisht kemi filluar edhe fushatën në Tiranë, në Durrës dhe siç ju thashë do të shkojmë në Elbasan, në Korçë dhe do të vazhdojmë në të gjitha qarqet e tjera të Shqipërisë.

Zoti Duka, ju flisni për maksimalizim të votave por duke pasur parasysh krijimin e partive të reja, së pari, si e komentoni ju këtë krijim vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve; dhe e dyta, a i druheni ju rrjedhjes së votave nga opozita e bashkur drejt këtyre partive, të cilat duhet thënë se po krijohen nga njerëz të larguar  nga PD-ja, partia më e madhe opozitare, ndërkohë që mund të sjellë kjo edhe rrjedhje mandatesh drejt tyre.

Për sa i përket asaj që ka lëvizje nga PD-ja, ka pasur edhe nga PS-ja dikur dhe me këto ne duhet të ambientohemi sepse e tillë është politika. Kështu që nuk është e thënë që një njeri, i cili militon në një parti të caktuar politike duhet ta vazhdojë jetën politike vetëm me atë parti. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me mua p.sh., pavarësisht se unë kam qenë ministër i PS-së, por sot jam në opozitë me Edi Ramën. Kështu që në këtë kontekst unë i justifikoj plotësisht ata sepse kanë të gjithë të drejtën e Zotit të krijojnë parti dhe të marrin vota në dobi të partisë së tyre. se kë dëmtojnë, atyre nuk u bën shumë përshtypje, dëmtojnë PD-në apo PS-në.

Në këndvështrimin tuaj, kush është më e dëmtuar?

Në këndvështrimin tim, partitë që dalin nga PD-ja, nëse nuk konvertojnë, nëse nuk i përkthejnë në deputetë votat e tyre në qarqe të caktuara, atëherë natyrisht që këto vota me Kodin e ri Zgjedhor shkojnë dëm. Kështu që në këtë kontekst i shërbejnë PS-së. nuk e besoj që ata janë nisur për t’i shërbyer PS-së, por kështu ndodh. Kështu që unë kam dëgjuar zëra nga këto partitë e reja të krijuara që do të mund të krijojnë një koalicion të vetin, ku të jenë të gjithë anëtarë të këtij koalicioni. Në këtë rast, mundësia për të çuar vota dëm është më e vogël, kështu që “dëmi” që mund t’i sjellin PD-së apo opozitës së bashkuar, mund të jetë edhe nul, zero, mund të jetë edhe shërbim. Këstu që varet se si do të shkojë skena politike shqiptare. Është akoma herët për të dhënë mendime përfundimtare. Unë shikoj që ata po tentojnë vazhdimisht që të bashkohen, në mënyrë që të ndodhë pikërisht kjo që unë ju thashë, që votat t’i përkthehen në mandate dhe të mos shkojnë dëm, në dobi të PS-së dhe të Ramës.

Ju mendoni se do të arrihet që të krijohet një front i ri opozitar mes këtyre partive që, në njëfarë mënyre, jo vetëm mund t’ju rrezikojë por mund të nevojitet që ju, pra opozita e bashkuar, të ketë edhe një koalicion me ta, qoftë edhe paszgjedhor. Do ta mirëprisnit një koalicion me opozitën e bashkuar?

Nuk jam unë ai që vendos nëse do të mirëpriten apo jo. Unë jap mendimin tim. E kam thënë kohë më parë që PD-ja dhe opozita, e cila tashmë ka pothuajse 8 vite në opozitë, nuk ka luksin që të përjashtojë asnjë votë, e cila mund ta çojë në pushtet. Ky është mentaliteti im. Në fund të fundit ky është mentalitet pragmatist dhe jo shumë ideor. Ai që vendos për opozitën e bashkuar, pra ai që është kryesori, natyrisht që është lidershipi i PD-së, si partia më e madhe në bllokun opozitar. Dhe me sa shoh, ka disa probleme ndoshta të pariparueshme dhe të pakthyeshme në marrëdhëniet individuale të këtyre njerëzve që kanë krijuar partitë me lidershipin e PD-së. Kështu që, të jem i sinqertë, nuk shoh ndonjë mundësi që brenda këtij afati kohor që na lejon Kushtetuta, të mund të bashkohen përsëri në një front unik opozitar. Megjithatë në politikë është ai postulati “kurrë mos thuaj kurrë”.

Këtu përfshini edhe një koalicion të mundshëm, pra në këtë frazë që ju thatë “kurrë mos thuaj kurrë”, keni parasysh mbase edhe një koalicion të mundshëm PD-PS paszgjedhor? Mund të arrihet kjo gjë?

Unë kam vënë re që shpesh aludohet me një koalicion të tillë, madje zoti Rama pothuajse e thotë troç, në shumë raste, kur thotë që “votoni Bashën por mos votoni Monikën, mos votoni Ilirin” etj., etj., “me Bashën mund të qeveriset”. Por unë e lexoj kështu, rasti i parë është diversion. Me të tilla diversione ai ka qenë i suksesshëm deri tani, sidomos te votuesit e opozitës së djathtë të PD-së, duke u lënë të nënkuptojnë që “Basha është i imi, ju kot lodheni, se në fund të fundit ne do të qeverisim bashkë”. Dhe unë besoj që është kjo e para. Nuk besoj në të dytën. Por mund të ndodhë edhe ajo e dyta sepse nuk na lë të kundërshtojmë 100% ajo shprehja që ju thashë, “kurrë mos thuaj kurrë”.

Duke pasur parasysh që ju vazhdoni të jeni pjesë e opozitës së bashkuar, ju thoni që “jemi të bashkuar” etj., etj., por a mendoni që partia më e madhe opozitare, PD-ja, po e udhëheq siç duhet betejën e opozitës së bashkuar?

Mendoj se po. Megjithatë përsosmëri nuk ka. Nëse do të duhet që unë të bëj vërejtje dhe sugjerime jua them dhe nëpërmjet ekranit tuaj e kam thënë edhe tête à tête, edhe me këmbime sms etj., që nuk kemi kohë për të humbur. Pavarësisht se ne duhet të presim edhe mendimin e Venecias, atë që kërkoi edhe presidenti, por gjasat janë dhe koha ka treguar që këta kanë vepruar ashtu siç kanë dashur. Duke qenë se ky ligj, këto ndryshime, kaluan edhe në “Fletoren Zyrtare”, po të isha unë do ta merrja si të mirëqenë dhe minimalisht do të kisha përcaktuar 12 koordinatorët e qarqeve, të cilët do të udhëheqin qarqet në të gjithë Shqipërinë. Flas për PD-në sepse LSI-ja, nëse ju e keni vënë re, është në punë. Pra, pothuajse është e ndarë që LSI-ja do të dalë me listën e vet dhe PD-ja me listën e vet akoma të pastrukturuar se kush do të jenë personat, duke filluar që nga kryetarët e qarqeve. Kështu që përgjigjja ime do të ishte që po punohet por ndoshta duhet të ecet pak më shpejt sepse kundërshtari ynë politik është në avantazh, jo vetëm se ka pushtetin por edhe është pjesë e ekzistencës së tij, e ADN-së së tij, e kam fjalën këtu për Ramën, që të rrijë në pushtet dhe shfrytëzon çdo lloj mënyre, të gjitha asetet që i jep qeverisja t’i konvertojë në vota. Duke qenë se ke përballë një kundërshtar të tillë, i cili ka në qendër të vëmendjes së tij vetëm atë se si do të zgjasë jetën në pushtet, se si do të zgjasë karrigen e tij, atëherë duhet që ne të mos humbim kohë. Me një fjalë, pak a shumë do të thosha kështu, që nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur. Sipas meje, duhet patjetër që brenda këtij muaji ose më shpejt, të strukturohen të gjithë deputetët, por në radhë të parë ata 12 koordinatorët apo kryetarët e qarqeve që do të vihen në krye të listave në 12 qarqet e Shqipërisë.

Ndërkohë mendoni se duhet të dilni me një platformë të përbashkët, pra të keni një program elektoral me pika të përbashkëta dhe me grupe pune të përbashkëta për të maksimalizuar votën tuaj? Si e keni menduar vijimin e fushatës?

Patjetër. Ne jemi një parti që merremi me një çështje të caktuar. Për sa i përket programit tonë, ne e kemi bërë tashmë programin tonë dhe gjithmonë jemi konsultuar me specialistë për pjesën e bujqësisë, të blegtorisë dhe të mjedisit. Brenda këtij koloriti të cilët janë të majtë apo të djathtë, mund të ketë edhe programe që nuk janë mot à mot, njëlloj, por e rëndësishme është që programi i PD-së, e cila do të udhëheqë, pretendoj të udhëheqë nesër Shqipërinë, duhet të jetë i dakordësuar në ato pika që mbulojnë çështje që kanë parti të ndryshme brenda llojit. Dhe ne po e bëjmë. Por nuk jemi në optimum. Edhe këtu jemi paksa prapa, sepse nuk mund të gjykojmë që ne i kemi unifikuar programet ndërkohë që ne akoma nuk dimë, nuk kemi unifikuar njerëzit që do të dalin atje. Në fund të fundit, fillimisht ne duhet të mbyllim marrëveshjet me njëri-tjetrin, pra, PD-ja duhet të mbyllë marrëveshjet me aleatët. Nëse kënaqen të dyja palët, pra kënaqen pretendimet e të dyja palëve apo jo dhe nëse jo, mund të ketë shizma të tjera prapë. Ajo na kthen pas. Kështu që nëse do ta vonojmë në kohë, kjo veç na jep defekte. Prandaj ju thashë që, një orë e më parë, sa më shpejt që të jetë e mundur, së pari duhen caktuar 12 koordinatorët e qarqeve apo siç mund të thuhet, kryetarët e listave që do të udhëheqin fushatën elektorale. Dhe në të njëjtën kohë, duhet patjetër të mbyllë negociatat me aleatët dhe me individët. Sepse nuk është problemi këtu që ta mbyllë me PAA-në, por këtu ka edhe individë nga shoqëria civile, me sa di unë, të cilëve pikërisht PD-ja u ka lënë një hapësirë kryesisë dhe kryetarit që këta individë të mund të garojnë në të ardhmen në listën e përbashkët të opozitës.

Ndërkohë nga ana tjetër, duket se në atmosferën politike mes akuzave dhe kundërakuzave, është përfshirë edhe vetë presidenti Meta. A ka një dalje nga roli i tij si president i vendit, për të marrë në njëfarë mënyre atë që kryedemokrati Basha nuk po e bën dot, rolin e opozitarit të fortë?

Jo, nuk ka. Unë e kam thënë edhe diku tjetër që presidenti është në të drejtën e tij në mbrojtje të Kushtetutës. Është i vetmi institucion që nuk është kapur nga mazhoranca dhe nga Rama. Duke qenë kështu bën më tepër lajm konflikti ndërmjet mazhorancës e Ramës dhe Presidencës. Dhe presidenti me stoicizëm ka mbrojtur Kushtetutën. Ndoshta nga kjo dhe tonet e përdorura nga ai, duket sikur po merr rolin e kryeopozitarit. Nuk është kështu, sepse siç ju thashë, të gjithë ne aleatët dhe ata të shoqërisë civile i kanë që të gjithë kontratat me Lulzim Bashën dhe me PD-në. Ju e dini që LSI-ja ka dalë në fushatë dhe do të shkojë në zgjedhje me listën e vet. atëherë si mund të thuash që ky do të dalë me listat e veta me LSI-në, PD-ja që do të ketë rreth 10 aleatë të vetët dhe kryetar ka Bashën, ky që është kryetar i LSI-së, Monika në rastin konkret ose aludimi që bëni ju për Metën, do të jetë kryetari i të gjithë opozitës së bashkuar? Kjo nuk shkon. Meta ka rolin e vet, Basha ka rolin e vet. pyetja që mund të bëni ju është që, mënyra se si komportohet Basha si kryeopozitar është ajo e duhura apo jo? Sapo ju thashë që ndoshta duhet të jetë pak më aktiv, por kurrë nuk më shkon mendja, e them me shumë sinqeritet, që Basha si kryeopozitar në asnjë moment të mund të konkurohet nga zoti Meta.

Nëse zoti Basha nuk plotëson pritshmërinë tuaj, do të tentonit që të bënit ose të përfshiheshit në koalicionin e të ashtuquajturit front i ri opozitar që përfshin partitë e reja, partinë e zotit Patozi, partinë e zonjës Topalli?

Po, mund të jetë një nga opsionet, patjetër. Kjo nuk varet vetëm nga unë. Ato janë negociata sepse negociata do të thotë që duhet të bien të dyja palët dakord. Por nga ana ime natyrisht, nëse nuk plotësohen ato pritshmëritë që ka PAA-ja dhe jo unë personalisht, mund të jetë një nga opsionet. Dhe mua më duket opsion shumë interesant, p.sh.

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja