Intervista e plotë/ Fushata elektorale, programi i PD, përplasjet me Ramën dhe ç'ndodh më 25 prill... Lulzim Basha përgjigjet në '5 pyetjet'

Intervista e plotë/ Fushata elektorale, programi i PD, përplasjet me Ramën dhe ç'ndodh më 25 prill... Lulzim Basha përgjigjet në '5 pyetjet'

Lulzim Basha në emisionin '5 pyetjet nga Babaramo'

Për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, vendi ka nevojë për ndryshim pas 8 viteve keqqeverisje sipas tij dhe ndryshimi vjen vetëm duke votuar Partinë Demokratike. Në intervistën e dhënë për emisionin "5 pyetjet nga Babaramo"  në Report Tv, Basha ka folur për ecurinë e fushatës, përplasjet politike, objektivat për 25 prillin dhe programin e PD-së nëse vjen në qeverisje.

Ilir Babaramo: Përshëndetje zoti Basha! Ndonëse na ndajnë gati 2 javë nga data e zgjedhjeve, të dyja kampet po shpallni fitoren. Madje të shtunën pasdite nga Kuçi i Vlorës, kryetari i Partisë Socialiste shpalli një memorandum, të cilin dhe e nënshkroi dhe tha se partia e tij do të fitojë nga 74 deri në 78 mandate. Ju si Parti Demokratike, sa mandate pretendoni?

Lulzim Basha: Ky është ndryshimi themelor, zoti Babaramo. Ne po zhvillojmë një fushatë normale. Unë po zhvilloj një fushatë e cila synon të sjell në vëmendje dhe në qendër të vëmendjes atë që duhet të jetë në qendër të vëmendjes: Shqipërinë, shqiptarët, familjet shqiptare, qytetarët shqiptarë. Problemet e këtyre 8 viteve, të cilat janë bërë kapicë dhe që kërkojnë zgjidhje. Zgjidhjet të cilat duhen të jenë realiste dhe të zbatueshme, sepse shqiptarët janë ngopur 8 vite me premtime boshe. Në fund të fundit 25 prilli do të jetë një ditë ku shqiptarët do të vendosin për veten e tyre dhe për familjet e tyre. Do të vendosin për hallet e mëdha që kanë pllakosur dhe që janë rënduar në këto 8 vite. Papunësinë, emigracionin rinor, cilësinë e arsimit, cilësinë e universiteteve, shëndetësinë që pandemia ja hoqi petët lakrorit dhe tregoi që është në kolaps, e jo më falas siç u premtua. Fermerët shqiptarë do të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Pyetja e vetme që shtrohet para shqiptarëve në këto zgjedhje është: a vazhdohet më edhe 4 vite të tjera kështu si këto 8 vite? Me premtime dhe tullumbace elektorale para zgjedhjeve dhe braktisje dhe shkohet në drejtim të kundër, siç ka shkuar ky kryeministër këto 8 vite apo ka ardhur momenti të ndryshojmë. Ajo që unë prek, është një etje për ndryshim që i ka bashkuar shqiptarët si rrallë herë edhe përtej bindjeve politike. Dhe kur e them këtë, nuk është diversion apo propagandë. Jo vetëm dy zotërinjtë nga Durrësi që janë hierark të Partisë Socialiste të degës së Durrësit, por ditë për ditë takoj votues socialist, anëtarë të Partisë Socialiste të cilët thonë se do të votojnë për ndryshimin më datë 25 prill. Pa pikë diskutimi ndryshimi nuk mund të vij pa u larguar ky kryeministër. Ndryshimi vjen duke votuar Partinë Demokratike, Aleancën për Ndryshim, numrin 9 dhe programin tonë që në fakt është i vetmi program në këtë fushatë. Këtu vij tek fjalia e fundit ndaj pyetjes tuaj të parë, mungesa e programit, mungesa e bilancit e shtynë dhe do ta shtyjë kryeministrin në ikje drejt marrëzive, si kjo që më përmendët të cilën unë nuk e kam parë, por që më duket marrëzi totale. 

 

Ilir Babaramo: Ndërkohë, kryeministri ende në detyrë shtyllën kryesore të fushatës, çka e tregojnë edhe spotet e tij elektorale, e ka vendosur duke diabolizuar kundërshtarët e tij. Ai ju konsideron ju një kukull në duart e dy njerëzve, të Sali Berishës dhe të Ilir Metës dhe lë qartë të kuptohet që Shqipëria kthehet pas nëse ju voton ju. Pyetja ime është: sa autonom, sa i pavarur jeni ju në vendimet tuaja.

Lulzim Basha: Kjo është një pyetje që përgjigjen e ka marrë jo vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes veprave. Kryetari i Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar është një dhe vetëm një: jam unë dhe kam mbajtur dhe mbaj përgjegjësi për çdo vendim timin. Por kjo nuk është pyetja. Pyetja është: si ka mundësi, pasi ke qeverisur për 8 vite me radhë, pasi ke patur të gjitha pushtetet më shumë se çdokush tjetër që nga koha e Enver Hoxhës, siç i ka patur Edi Rama përqendrim të tillë pushteti, që nuk merr kohë një minutë të vetme t’i përgjigjesh pyetjes normale që duhet t’i përgjigjet një kryeministër; çfarë bëre këto 8 vite? Cilat premtime realizove këto 8 vite? Dhe është mungesa e bilancit, është bilanci zero, është fakti që përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve është asgjë! Pothuajse asgjë që e ka shtyrë Edi Ramën drejt një fushate negative dhe negativiste, të karakterizuar nga sulmet personale, të karakterizuar nga balta. Natyrisht, ekziston dhe mundësia që unë t’i përgjigjem me të njëjtën monedhë. Nuk më mungojnë as faktet, as argumentet për t’ja rrëzuar poshtë propagandën e tij. Por kam zgjedhur mos t’i përgjigjem sepse konsideroj një nga detyrat e mija kryesore pas 25 prillit, vendosjen e një modeli të ri politik. 25 prilli është për shqiptarët. Zgjedhjet janë për shqiptarët, nuk janë për Edi Ramën, nuk janë as për mua. E gjithë zhurmnaja politike, gjithë invazioni, pushtimi i hapësirës publike dhe private të shqiptarëve nga politike, në veçanti këto 8 vite ajo prania e gjithanshme e kryeministrit nё ikje nё këto 8 vite pa pushuar nё çdo rast pёr çdo gj, fsheh apo mundohet tё fsheh sepse nuk e fsheh dot mё dështimin nё atё qё ёshtё misioni elementar i politikës t’iu shërbej njerëzve. Nuk i ka shërbyer pёr punësimin, nuk i ka shërbyer pёr uljen e çmimeve qё u ka premtuar, nuk i ka shërbyer pёr uljen e taksave, përkundrazi taksat janë rritur, nafta ёshtё e treta mё e shtrenjta nё botё, energjia po kёshtu, mbi 500 mijë tё emigruar dhe nё kuadër tё këtij bilanci negativist ka zgjedhur fushatë negativiste. Unё besoj se shqiptarët do tё dinё qё me 25 prill jo thjesht tё vendosin me votë pёr ndryshimin sepse nuk durohet dot as 4 ditё mё shumë e jo mё 4 vite njësoj si këto 8 vite por do tё dinё po kёshtu tё vlerësojnë, dhe e kanё vlerësuar, e ndjej e shoh, e dëgjoj nё bisedat qё kam me ta edhe kёtё përqasje tё re, kёtё kulturë tё re politike pёr Shqipërinë, qё nё fakt nuk ёshtё e re, ёshtё kultura europiane, ku nё fushatë shkohet me program, me ofertë, shkohet me debat, debat thelbësore, debat qё e kam ftuar dhe nё tё cilit i ikën. Aq sa bën trimin e madh me regji qendrore, aq ka frik nga përballja me kundërshtarin. Dhe nuk e ka detyrim ndaj meje dhe unё nuk e kërkoj si detyrim ndaj tij. Bashkërisht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve. Ai tё përballet me shqiptarët.

Ilir Babaramo: Ai thotë le ta zgjidhin vet, kush ёshtё shefi i opozitës.

Lulzim Basha: Ka qeverisur 8 vite me radhё dhe ka zero bilanc dhe unё sepse kërkoj besimin e shqiptarëve pёr tё qeverisur 4 vitet e ardhshme. Ky ёshtё detyrimi qё ka çdo lider demokratik nё fushatë. Ai nuk përballet pёr njё arsye fare tё thjesht. Tё gjitha këto janë broçkulla sepse nuk ka me çfarë tё përballet. Çfarë do tu thotë? Zgjidh fushën dhe premtimin qё ka bёrё dhe mё thuaj çfarë ka bёrё këto 8 vite. Dhe kjo ёshtё arsyeja pse ikën debatit, nuk vjen nё debatin nё tё cilin e kam ftuar, tregon frikёn qё ka nga debati dhe kjo ёshtё arsyeja pse kemi kёtё kontrast. Njё fushatë normale qytetare, siç i takon njё vendi qё aspiron tё bёhet pjesё e BE, nga njё kandidat pёr kryeministёr normal e europian, me plane konkrete dhe jo program elektoral qё bёhet 1 muaj para fushate dhe njё kryeministri nё ikje qё pas 8 vitesh si ka mbetur gjё tjetër veç sulmeve tё vjetra qё i ka ricikluar dhe i riciklon derisa ti vij dita tё largohet me votë.

Ilir Babaramo: Ju keni zgjedhur qё nё krye tё fushatës dhe këmbëngulni tё zhvilloni njё fushatë pozitiviste por ndërkohë tonet e ashpra qё përdorin si zoti Meta ashtu dhe zoti Berisha, tejet tё ashpra ndaj qeverisё edhe partisё Socialiste, a pёrbёjnё njё gjyle nё këmbët e fushatës tuaj elektorale?

Lulzim Basha: Fushata ime dhe ekipi im ka njё program, i cili vjen si rezultat i kësaj etje pёr ndryshim. Çfarë do tё thotë kjo mё konkretisht? Kemi mё shumë se 4-5 vite qё i prekim problemet aty ku ndodhin, qё nga brenda shpive tё shqiptarëve, tek biznesi i vogël. Nga biznesi fason tek biznesi prodhues. Nga naftëtarët tek minatorët, tek fermerët, tek studentët, tek pedagogët, tek elita intelektuale, tek arti dhe kultura. Dhe nё bazë tё prekjes reale tё problemeve kemi formuluar zgjidhje reale tё këtyre problemeve. Ky ёshtё fakti. Prandaj dialogu ynë me ta sot, ёshtё shumë mё i natyrshëm. Dhe ajo qё media arrin tё mbuloj realisht ёshtё njё përqindje shumë e vogël asaj qё po ndodh nё fushatë. Midis nesh, meje personalisht, anëtarëve tё ekipit tim dhe grupeve tё interesit qё janë qytetarët, ёshtё sipërmarrja, janë mjekët, infermierёt, arsimtarët, fermerët, tё rinjtë, gratë – gjysma e shoqërish, qё po e vuan dyfish ekonominë nё rёnie, emigrimin dhe diskriminimin. Këtu jemi ne, kjo ёshtё fushata qё po zhvillojmë, këto janë mesazhet qё po përcjellim dhe mё e rëndësishmja kjo ёshtё garancia qё pas ndryshimit tё 25 prillit do tё jemi prapë ballё pёr ballё me njё zotim. Njё zotim fare tё qartë dhe pёr tё cilin unё e përsëris ku tё mundem qё do ta përsëris edhe nё programin tuaj. Nёse angazhimet e marra nё kёtё plan, nuk janë premtime por janë angazhime, nёse kёto angazhime nuk do tё përmbushen, unё nuk do tё kërkoj njё mandat tjetër. Dhe kjo ёshtё pjesë e vendimit tim, dhe mendësisë time europiane, pёr njё raport europian tё qytetarit me politikën sepse nuk ka shqiptar qё nuk e kupton qё pas 30 vitesh, 2021, 30 vitesh tranzicion, nuk ka garanci tjetër pёr ekonominë, pёr arsimin, pёr tё drejtat themelore tё qytetarëve, pёr demokracinë, se sa anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Ilir Babaramo: Thatë që nuk do kërkoni një mandat tjetër, në qoftë se nuk arrini të plotësoni programin, në qoftë se hyni në qeveri por ka një hap para atij. Nëse nuk arrini të nxirrni Ramën nga zyra, do kërkoni një mandat tjetër në krye të Partisë Demokratike?

Lulzim Basha: Qëllimi ynë është t’ju ofrojmë shqiptarëve një qeverisje që sjell ndryshimin. Vendimin për ndryshim, shqiptarët e kanë marrë. Jo tani! Ka kohë! Tani vetëm po thellohet ajo që thashë më parë, tani po depërton edhe në familjen politike të Partisë Socialiste, edhe ata e kuptojnë që kështu nuk shtyhet më, për veten e tyre, për familjet e tyre. Besoj, kam bindjen, edhe për familjen e tyre politike, e kuptojnë që kështu nuk mund të vazhdohet më. Një parti, e cila duhet të përfaqësojë interesa publike, interesa kombëtare, nuk mund të mbetet peng i një grushti njerëzish, i një përqendrimi kaq ekstrem pushteti prandaj ajo që vërejmë në javët e fundit, është që bashkimit të madh të shqiptarëve, po i shtohen edhe socialistë, në kuptimin jo thjesht votues por edhe aktivistë të Partisë Socialiste. Ndryshimi sot është imperativ, i domosdoshëm dhe pastaj vijmë te një konstatim fare i thjeshtë. Kush do ta sjellë ndryshimin? Ky që kishte tetë vite dhe e la Shqipërinë në vendnumëro apo një forcë politike, një koalicion, një aleancë e cila po vjen me një qasje serioze, me zotime dhe angazhime konkrete dhe ku spikat angazhimi më i madh, që të hapim negociatat dhe të rinisim e të përshpejtojmë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian?

Ilir Babaramo: Ju këmbëngulni në tone pozitiviste në fushatë por arrini ta sillni këtë mesazh dhe ky mesazh, a prisni që të jetë efektiv, domethënë të jetë produktiv, në pikëpamjen elektorale? Nëse, e them këtë sepse kam parasysh një deklaratë të para pak kohëve, të Presidentit Meta, ku ndodhi ai incidenti tek një parti që u bë opozitare dhe u dëbua nga selia e saj, kur tha që domethënë, opozita nuk duhet të flejë gjumë. Ç ‘përgjigje i ktheni Metës për këtë?

Lulzim Basha: Unë e vlerësoj çdo përpjekje të Presidentit, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore që garanton Kushtetuta. Është detyra e tij, kurrë nuk ka qenë detyra e Presidentit më e vështirë sepse praktikisht, institucionet kanë rënë dhe këtu vendimet merren në kundërshtim me ligjin. Ai vendim ishte pa firmë, pa vulë dhe kjo tregon se ku është degdisur shteti i shqiptarëve, por padiskutim që halli dhe problemi ynë kryesor, nuk janë as selitë tona, as kolltukët tona. Është fati i familjeve shqiptare. Është fati i një vendi, i cili rrezikon të boshatiset nëse vazhdohet më tej kështu. Shqiptarët e ndjejnë që këto tetë vite i kanë çuar në buzë greminës dhe ajo që unë prek dhe ndjej është që e kanë marrë tanimë vendimin. Në njëfarë mënyre, ndryshimi në mendjet e tyre ka ardhur por 25 prilli është dita kur duhet ta vulosin me votë, ndaj dhe këtë javë të fundit të fushatës dhe dy javët e ardhshme, vëmendja dhe mesazhi im kryesor ka qenë që këtë pasion, etje për ndryshim ta kthejnë në një votë masive sepse vetëm me anë të votës, do të arrijmë të largojmë një njeri dhe një klan të vogël, që ka uzurpuar gjithçka dhe të kthejmë shanset për demokraci normale, për ekonomi në rritje, për mirëqenie dhe mbi të gjitha, për avancim drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, si garancia e vetme, e përsëris, që këto të jenë të parikthyeshme.

Ilir Babaramo: A ka tension mes dy partive më kryesore opozitare, mes jush si Parti Demokratike dhe LSI-së, dhe a rrezikon të përsëritet ajo që ndodhi në 2017, kur Rama arriti të ishte efektiv në diversionin që krijoi mes opozitës dhe mori një mandat?

Lulzim Basha: Jo vetëm që s’ka tension, po ka një bashkëpunim të hershëm opozitar, që është konkretizuar me një marrëveshje koalicioni para-elektorale.

Ilir Babaramo: Ky koalicion para-elektoral, si do t’i ndajë rolet në rast të një fitoreje? A ekziston mundësia që të mos merreni vesh dhe si do bëhet ndarja e dikastereve?

Lulzim Basha: Shiko, ne nuk jemi bashkë sepse na bashkojnë ideologjitë. Qartësisht LSI është një parti e majtë dhe në shumë fusha ka disa pikëpamje që nuk janë të ngjashme me pikëpamjet tona. Bashkë na ka bërë nevoja për ndryshim! Bashkë na ka bërë vetëdijesimi se ndryshimi nuk vjen pa larguar Edi Ramën! Bashkë na ka bërë po kështu, vetëdijesimi se ndryshimi është për shqiptarët, jo thjesht për partitë politike! Detyra jonë është t’i prijmë ndryshimit dhe këtë po e bëjmë me programet tona, me ofertën tonë, ndërsa ndryshimi është për shqiptarët, për familjet shqiptare. Kjo e bën bashkë atë që, pa frikë mund të quhet, besoj, koalicioni më i madh politik ndonjëherë në 30 vjet pluralizëm. Kemi shumicën dërmuese të shqiptarëve nga njëra anë dhe Edi Ramën, praktikisht fillikat, apo në krye të një grushti njerëzish, të vetmit që janë të interesuar për status-quon, për shkak se ata janë për momentin dhe për dy javë padronët e vendit dhe shqiptarët vuajnë pasojat duke u varfëruar përditë dhe ata pasurohen përditë. Kjo është thyerja që do të ndodhë më 25 Prill. Ky është fillimi i ri. Shqipëria do të fillojë të funksionojë e të punojë për gjithë familjet shqiptare.

Ilir Babaramo: Unë do të doja t’ju pyesja për atë që ndoshta ju kanë pyetur rrallë dhe ju jeni përgjigjur rrallë në këtë fushatë elektorale, për rolin që mund të luajnë dhe që po luajnë ndërkombëtarët në zgjedhjet e 25 Prillit. Të paktën është kristalizuar një ide domethënë që të gjithë janë neutralë me përjashtim të njërit, të presidentit të Turqisë, Erdogan. Si e shikoni ndërhyrjen e këtij në fushatën elektorale në Shqipëri, dukshëm në favor të Ramës?

Lulzim Basha: Së pari, faktori ndërkombëtar gjithmonë ka pasur një rol të rëndësishëm në vëzhgimin dhe garantimin e standardeve minimale zgjedhore në Shqipëri. Dhe këtë e bën përmes institucioneve dhe mekanizmave siç është OSBE ODHIR-ri, po kështu Bashkimi Europian, Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, partneri ynë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjykoj se mesazhet kanë qenë të qarta, në veçanti mesazhet e SHBA dhe BE kanë qenë jashtëzakonisht të qarta se sa vendimtare janë këto zgjedhje për Shqipërinë. Do të thosha janë zgjedhjet më vendimtare që nga ndryshimi i sistemit. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë parakusht për hapjen e negociatave. Dhe në dorë të Shqipërisë dhe shqiptarëve është të hapim rrugën europiane, që është thelbi i ndryshimit dhe që në vetvete ndihmon edhe prioritetin numër një që është ekonomia, që është punësimi, që është mirëqenia, që janë pagat e larta, apo rrezikojmë një izolim të dytë siç tha kolegu juaj Elez Biberaj ne raport me marrëdhëniet Shqiptaro- Amerikane, por që është po kaq e vlefshme në raport me marrëdhëniet Shqipëri-BE. Shqiptarët janë të vëmendshëm, janë të qartë, jam i bindur janë të vendosur dhe këtë vendosmëri do ta shohim edhe në kutitë e votimit më datë 25 Prill. Turqia është një vend aleat në NATO. Na ka ndihmuar në anëtarësimin në NATO, na ka ndihmuar në momente të tjera të rëndësishme dhe jam i bindur që edhe me Turqinë qeveria pas 25 Prillit do të ndërtojë një marrëdhënie e cila do ti shërbejë prioriteteve bilaterale, në veçanti në fushën ekonomike dhe në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, pa personalizim, tej personalizimit dhe duke kontribuar kështu në një klimë normale të mirëbesimit reciprok dhe të zhvillimit ekonomik dhe të gjithanshëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo në Ballkan.

Ilir Babaramo: A shikoni në marrëdhëniet preferenciale, tejet preferenciale që ka krijuar Rama me Erdoganin, një prishje të ekuilibrit të boshtit tonë strategjik të marrëdhënieve ndërkombëtare?

Lulzim Basha: Pa diskutim që Turqia është një vend i rëndësishëm për Turqinë, një aleat që ka dhënë ndihmë të madhe për anëtarësimin tonë në NATO. Por është po kaq e padiskutueshme dhe aspak në kontradiktë me marrëdhëniet miqësore me Turqinë, që Shqipëria ka një dhe vetëm një orientim, për të cilin unë dhe ekipi im jemi 100% të vendosur ta realizojmë, anëtarësimi në Bashkimin Europian. Anëtarësimi në NATO ishe një hap historik për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar, edhe për Kosovën, padiskutim edhe anëtarësimi i mëvonshëm i Maqedonisë së Veriut ku kemi një pjesë të kombit tonë po kështu është një hap historik. Heqja e vizave ishte një hap që preku çdo familje shqiptare. Janë dy vendime të mëdha të cilat vërtetojnë se Partia Demokratike ka besueshmërinë, potencialet, që atë që thotë e bën realitet dhe se përballë kemi një kundërshtar politik i cili ka dështuar në çdo fushë, ka dështuar edhe në raport me Bashkimin Europian. Premtoi hapjen e negociatave vitin e parë të qeverisjes, po e mbyll dhe do të largohet me 15 kushte të shtuara. Prandaj vota më  25 Prill është votë për një qeveri që angazhohet 100 ditët e para të hapë negociatat dhe në këtë mënyrë të rihapë rrugën europiane të Shqipërisë. Ashtu siç bëmë me heqjen e vizave, ne do të plotësojmë të gjitha kushtet, kushtet e paplotësuara dhe të shtuara madje për shkak të keqqeverisjes dhe dështimit 8 vjeçar të Edi Ramës. Dhe në vend që të hapim shampanjë duke gënjyer shqiptarët dhe negociatat mbeten të mbyllura, do të hapim negociatat. Në këtë mënyrë do të sjellim më shumë mundësi financiare dhe të gjithanshme për të stimuluar ekonominë, bujqësinë, rininë dhe çdo aspekt të bashkëjetesës dhe rinisë shqiptare me ndihmën e Bashkimit Europian.

Ilir Babaramo: Ndërkohë në qoftë se fitoni zgjedhjet në 25 prill, një nga dosjet më të nxehta rajonale, ndoshta më e nxehta pritet të jetë ajo e mbetjes pezull të kufirit detarë me Greqinë. Si do ta zgjidhni?

Lulzim Basha: Propozimi ynë nëse do ishte bërë realitet  do ta kishte tejkaluar këtë problem. Pas vendimit të gjykatës kushtetuese mbetej vetëm një rrugë, ajo e drejtimit tek gjykatat ndërkombëtare.

Ilir Babaramo: Aty po shkojnë të dyja palët.

Lulzim Basha: Demilitimi i zonës ekskluzive ekonomike do të kishte ndodhur tashmë. Pati një zvarritje të negociatave, pati prapë ndërhyrje dhe personalizim. Ky është një nga dështimet e politikës së jashtme që  i shtohen dështimet e politikës së brendshme të këtyre 8 viteve. Pa diskutim që dërgimi drejt gjykatës ndërkombëtare duhet të kishte ndodhur dhe do të kishte ndodhur tashme, e demilitimi i zonës ekonomike ekskluzive. Dhe ne do të synojmë ta përmbyllim këtë proces në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtarë. Por duke patur parasysh edhe mos ndryshimin e rregullave në mënyrë, në mes të lojës.

Ilir Babaramo: Me interes ka për të qenë një detaj shumë interesant, një kolonë shumë e rëndësishme ka për të qenë ajo çka do të ndodhi me qeverinë e re në Kosovë. Me ardhjen e Albin Kurtit në Prishtinë çfarë ka ndryshuar në raportet Tiranë... Shqipëri-Kosovë?

Lulzim Basha: Unë mund të flas për raportet e Partisë Demokratike dhe të mijat dhe mund t’ju them që ne marrëdhëniet me Kosovën i konsiderojmë dhe kemi provuar që për ne janë prioritare. Qeveritë dhe parlamentin në Kosovë i zgjedh qytetari i Kosovës, i zgjedh populli i Kosovës. Pavarësish kush është në krye të vendit detyra e Shqipërisë është të jetë në mbështetje totale të republikës së Kosovës, të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të objektivave të saj, që janë vazhdimi i njohjes ndërkombëtare nga ato vende që  se kanë njohur akoma, anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare dhe lehtësimi i të gjitha pengesave që bëjnë të pamundur njëjtësimin midis Shqipërisë e Kosovës, në çdo fushë që ka të bëjë më ekonominë, ka të bëjë me kulturën, ka të bëjë me artin, me arsimin. Në çdo fushë të jetës. Dhe për këtë ne kemi qëndrime, objektiva dhe plane shumë të qarta. Besoj, jam i bindur që me qeverinë e zotit Kurti ne do të punojmë ngushtësisht në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Të rritjes ekonomike dhe të mirëqenies së tyre që është sfida e parë dhe kryesore. Por sigurisht do të jemi në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës edhe për prioritetet që shpreha më parë. Dhe këtu do të ketë një kontrast po kaq të qartë, një ndryshim po kaq të qartë në atë që ka ndodhur 8 vite me rrallë ku politika kaotike dhe e dëmshme e kryeministrit në ikje vendosi një precedent të shëmtuar që nuk e kishim parë më parë. Se rreth disa pikave politika shqiptare është bashkuar gjithmonë dhe këtu patëm për herë të parë një dëmtim të interesit kombëtarë, një dëmtim të interesave të Kosovës për shkak të personalizimit dhe protagonizmit pa asnjë strategji, pa asnjë  plan deri në nivel të një sjellje vasale të kryeministrit në ikje. Me kryeministrin e ri të 25 prillit qeverinë time, Kosova e ka të garantuar shtetin shqiptarë ashtu siç i takon, në krah të saj dhe sfidave të saj të cilat do t’i kapërcejmë së bashku.

Ilir Babaramo: Një nga temat më të debatueshme mes Prishtinës dhe Tiranës gjatë viteve të fundit, 2-3 viteve të fundit ka qenë i ashtuquajturi minishengen. Ju ca qasje keni?

Lulzim Basha: Minishengeni është një projekt i cili në mënyrën si u prezantua dukej si një tekë e kryeministrit në ikje dhe e disa shokëve të tij për të mbuluar dështimet apo deficitet që kanë krijuar në raport me demokracinë, me të drejtat dhe liritë themelore, me lirinë e medias. Me dështimin për t’ju sjellë qytetarëve zhvillimin ekonomik që ai premtoi kur erdhi në pushtet në vitin 2013. Lëvizja e lirë është në themel të bashkëpunimit midis vendeve. Dhe lëvizja  e lirë në rajon është diçka të cilën unë personalisht e kam mbështetur edhe si pjesë e qeverisë së mëparshme. Mbaj mend në muajin e parë të shërbimit si ministër i brendshëm, kemi diskutuar që qytetarët e vendeve të Europës Juglindore të lëvizin vetëm me karta identiteti edhe të shkojmë drejt një reduktimi të barrierave. Por ndërkohë nuk duhet të harrojmë 3 gjëra në raport me të ashtuquajturin Minishengen. E para nuk mund të ketë proces të tillë duke përjashtuar Kosovën. Kjo është kategorike. Dhe nuk mund të fshihesh pas gishtit. Çfarë dua të them me këtë? Është imperative që dialogu Kosovë- Serbi të prodhojë rezultatin final që është njohja e ndërsjellët. Pa diskutim duhet ecur edhe në fushat e tjera dhe nuk duhet penguar asnjë fushë por ky duhet të jetë objektivi final dhe nuk mund as të riparohet, as të zëvendësohet, as të zbutet efekti jonormal që sjell kjo përzgjatje e procesit të njohjes së ndërsjellët që në fakt nuk bën gjë tjetër veçse e mban në radhë të parë Serbinë peng në raport me integrimin Europian dhe krijon tensione të pa nevojshme në rajon. Së dyti, duhet zbatim i plotë i proceseve të tjera siç është procesi i Berlinit, siç është EFTA. Dhe së treti dhe më madhorja, ne duhet të përgatisim vendet tona për anëtarësimin në Bashkimin Europian, për Shengen-in e vërtetë. Dhe kjo kërkon punë dhe reforma në vendet tona. Nuk i hedh dot hi syve as shqiptarëve, as qytetarëve të Kosovës, as qytetarëve të Shqipërisë, as qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, as qytetarëve të Serbisë me lojëra gjoja bashkëpunimi rajonal që përfundojnë me dreka, darka, e samite pa produkt. Qytetarët e Ballkanit meritojnë anëtarësim në Bashkimin Europian. Bashkimi Europian natyrisht e ka shtruar rrugën, e ka marrë vendimmarrjen politike por sigurisht ka kushte për tu përmbushur. Tani duhet vullneti për ti përmbushur këto kushte në raport me demokracinë, në raport me ekonominë, në raport me gjithçka tjetër. Sepse një vend që nuk i funksionojnë institucionet demokratike, që nuk bën zgjedhje të lira, që nuk ka drejtësi të pavarur, që nuk ka institucione që i takojnë qytetarëve por i takojnë oligarkëve apo një grushti pushtetarësh nuk shkon dot në Europë. Një vend me rrogë 200 euro nuk shkon dot në Europë. Dhe janë dështimet në kryerjen e këtyre reformave që pastaj i shtyjnë liderët e dështuar siç është ky dështim 8 vjeçar këtu në Shqipëri të hidhen në aventura, të krijojnë fabula që siç thuhen ashtu harrohen. Sepse realisht asgjë s’ka ndodhur. 8 vjet asgjë s’ka ndodhur. Pra për ta prerë shkurt dhe qartë prioritet për ne do të jetë ecja përpara me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, një politikë rajonale e fqinjësisë së mirë dhe  e lehtësimit të çdo barriere por pa diskutim në qendër të kësaj politike do të jetë zgjidhja përfundimtare e  problemit të njohjes së ndërsjellët midis Kosovës dhe Serbisë e cila do të sjellë të mirat e saj në çdo rrafsh, përfshirë rrafshin ekonomik të integrimit europian për shqiptarët por edhe për serbët.

Ilir Babaramo: Pikërisht për këtë doja t’ju pyesja sepse gjatë viteve të fundit kemi parë një garë, herë të shpallur dhe herë të pa shpallur mes Ramës dhe Thaçit kush do ishte interlekutori shqiptar i preferuar në Beograd nga Vuçiç. Ju çfarë raportesh do keni me kryeqytetet, me Beogradin dhe me kryeqytetet e tjera Ballkanike? Do ketë një balancim le të themi me Shkupin, me Zagrebin?

Lulzim Basha: Pa diskutim që po. Pa diskutim që personalizimi i politikës së jashtme fsheh në thelb amatorizëm apo dështim, apo të dyja siç ka ndodhur këto 8 vite. Është Prishtina ajo që dialogun me Beogradin dhe është Tirana ajo që ka për detyrë ta mbështesë Prishtinën 100% në këtë dialog. Natyrisht Tirana ka politikën e saj rajonale ku ka synimet  e veta, objektivat e veta në mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare nga Maqedonia e Veriut në Serbi, Luginën e Preshevës, nga Mali i Zi në Greqi dhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Do ta ndjek këtë politikë në funksion të përmbushjes së interesave shtetërore dhe kombëtare pa personalizim, pa protagonizëm të tepruar.

Ilir Babaramo: E qartë! Do të doja t’ju pyesja për një gjë specifike, konkrete. Një gjë që rivali juaj, kundërshtari juaj, Rama e përmend shpesh madje edhe me doza ironie kur thotë që do ndërtoje Tramin kur ishe kryetar Bashkie, Tramin e Tiranës e të tjera, e të tjera. Cila është e vërteta e projektit të tramvajit të Tiranës?

Lulzim Basha: Shiko unë nuk dua t’i rikthehem diçkaje që është sqaruar disa herë për publikun por meqë e përmende këtë shembull tregon dhe njëherë që negativizmi i tij nuk njeh kufij. Është një gënjeshtër e pastër.

Ilir Babaramo: Cila është e vërteta?

Lulzim Basha: Fakti është që projekti i tramit u bë gati, qeveria e Francës u bë gati ta financojë, presidenti Holande në takimin e parë zyrtarë me kryeministrin në ikje sot por atëherë nuk ishte në ikje, sapo kishte ardhur, i kërkoi që të financojë projekti i tramit dhe siç e dinë fare mirë të pranishmit në atë takim, përfshirë ambasadorin e atëhershëm të Francës në Tiranë dhe diplomatë të tjerë të lartë, ishte Edi Rama që refuzoi financimin e tramit të Tiranës. Dhe unë e kuptoj, sot çdo shqiptar e kupton që duke qenë i kompleksuar nga mos arritjet e tij, vendosi interesat e tij personale të mos dukej keq në raport me pasardhësin në krye të bashkisë së Tiranës që isha unë por edhe kryetari i opozitës dhe sabotoi një projekt në interes të qytetarëve të Tiranës gjoja për ta faturuar atë kundërshtarit të vet politik. Ajo që nuk ka rëndësi nuk është se çfarë ka ndodhur se këtë e dinë të gjithë palët e interesuara dhe është e dokumentuar, ajo që ka rëndësi është se çfarë do të ndodhë

Ilir Babaramo: Pikërisht për këtë dojë t’ju pyesja sepse ju nëse fitoni do të duhet të bashkëjetoni me kryetarë bashkie që janë socialistë, a mund të kemi sërish vendosje shkopinjsh në rrota?

Lulzim Basha: Unë dua t’ju them që qeveria e ardhshme do të ketë një qëndrim dhe një kulturë tjetër sjelljeje me opozitën e ardhshme që do të fillojë që nga konsideromi i opozitës siç është në një vend normal evropian, një institucion kontrolli ndaj qeverisjes. Mirëqeverisja garantohet nga disa aspekte dhe një aspekt shumë i rëndësishëm është ti japësh opozitës mundësitë që të kontrollojë qeverisjen sepse pushteti është problemi, opozita nuk është problemi . Opozita ka për detyrë ta kryejë këtë kontroll dhe do ti jepen të gjitha instrumentet dhe di ti jepet një shkallë e lartë kontrolli mbi qeverisjen, jo thjesht duke i dhënë kontrollin e disa institucioneve siç mund të jenë KLSH-ja  apo avokati i popullit por duke institucionalizuar kontrolli opozitar dhe këtë nuk e bëjmë për asnjë arsye tjetër përveç se për të përmbushur angazhimin dhe vizioni tonë, vizioni tim për një Shqipëri Evropiane. Duhet të kemi një qeverisje që merr përgjegjësitë në mënyrë Evropiane, një opozitë që ka të gjitha mekanizmat e kontrollit për të garantuar që qeverisja me të vërtetë ti shërbejë qytetarëve dhe jo siç ka ndodhur kë këto tetë vite ku qytetarët janë konsideruar shërbëtorë të qeverisë, apo janë trajtuar me arrogancë, me shpërfillje, çfarë ka sjellë edhe këtë krizë të gjithanshme ku spikat sigurisht kriza ekonomike

Ilir Babaramo: Të qëndrojmë tek investimet e huaja. Si mendoni se do ti nxisni ato. Domethënë si mundet që Shqipëria të bëhet vend vetëm 2.8 milion banorë rezidentë, një treg ende i pa saturuar me infrastrukturë ende të prapambetur, si mund të bëhet atraktive?

Lulzim Basha: Duke ndjekur të njëjtën formulë që ka funksionuar më parë për ne që solli gazsjellësin TAP dhe hapi dhjetëra e mijëra vende pune, kur ne ishim në qeverisje që solli investime në kaskadën e Devollit. Pra Shqipëria e ka ndjerë shijen e mirë të investimeve të mëdha të huaj që sjellin vende pune, shumë vende pune dhe me paga të larta. Pse? Sepse kishte një klimë për biznesin dhe rikrijimi i kësaj klime për biznesin është prioritet i programit tonë ekonomik, transparenca, trajtimi i barabartë para ligjit, konkurrueshmëria sepse në qoftë se këtu e ke taksën, tatim fitimin në 15% dhe në Maqedoni i ke 9% sigurisht që investimi i një vendi si Gjermani fjala bie do të zgjedhë Maqedoninë dhe ka ndodhur kjo zoti Babaramo. E kam thënë dhe dua ta përsëris. Zyrtarisht më është komunikuar në një nga vizitat e mija zyrtare në Berlin se në Maqedoni ka dhjetë herë më shumë investime Gjermane se sa në Shqipëri dhe konteksti në të cilin më është thënë është fare i thjeshtë. Është e qartë që situata në Shqipëri nuk është e mirë nuk ka nevojë fare të ma shpjegosh se pse se në shohim shifra. Si ka mundësi 3 miliardë euro investime Gjermane në Maqedoni dhe as një e dhjeta në Shqipëri. Pra dështimi me investimet e huaja është një nga dështimet e shumta të këtyre tetë viteve dhe pyetja për shqiptarët me 25 prill që do të marri përgjigjen me votë kësaj radhe. Jo thjesht me shprehje të mendimit por me votë, është, a do të vazhdojmë edhe katër vite të tjera me një qeveri që tetë vite nuk solli asnjë investim të huaj, një, për be, strategjik. Madje largoi disa edhe me dajak siç ishte ai rasti i investimit turistik në Durrës që ai investitorë sot po investon në Malin e Zi dhe po hap vende pune në Malin e Zi, vende pune që duhet ë ishin hapur në Shqipëri. A do të vazhdojmë pra edhe katër vite të tjera me një kryeministër që jo vetme nuk solli investime të huaja por përzuri dhe ato ekzistuese apo do ti besojmë një alternative, një programi, një force politike, një koalicioni që ka dhënë provat dhe sot është edhe më i përgatitur që pjesë të ndryshimit do të jetë dhe një klimë miqësore dhe thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Ilir Babaramo: Një nga argumentet kryesore që ju keni shqiptuar gjatë fushatës është lufta kundër oligarkëve për të çliruar ekonominë. Si do ta realizoni këtë dhe nëse do anuloni këto kontrata në mënyrë të njëanshme, a mendoni se do të përsëritet precedenti i qeverisë aktuale me një biznesmen italian Beketi, për shembull që Shqipëria detyrohet të paguajë tani 110 milion euro për shkak të prishjes në mënyrë të njëanshme të kontratës?

Lulzim Basha: Ne besojmë tek rregullat e barabarta të lojës për të gjithë, ne besojmë te konkurrenca e lirë, ne besojmë se shumica dërrmuese absolute e të ashtuquajturave kontrata koncensionare apo PPP, kanë thyer, kanë dhunuar pikërisht këto rregulla. Prandaj, do ti nënshtrohen një rishikimi të hollësishëm në përputhje me legjislacionin shqiptar. Dhe duke besuar që janë në thyerje të këtyre rregullave, do të ndjekim pastaj zinxhirin e vendimmarrjes së drejtë gjyqësore për zgjidhjen e këtyre kontratave dhe dëmin e shkaktuar pa diskutim do ta paguajnë edhe pushtetarët e korruptuar që janë autorët e këtyre kontratave dhe shpeshherë përfituesit kryesor, në kuptimin financiar, kanë mbushur xhepat e tyre, kontot e tyre bankare, kanë vënë pasuri, janë ortakë të fshehtë apo të hapur me oligarkët apo me firmosësit e këtyre kontratave. Pra, është një proces transparent. Ligjin për këtë, ne e kemi bërë gati prej dy vjetësh dhe e kemi shpallur. Nuk ka asgjë të përbashkët me

Ilir Babaramo: Cilët janë parimet e këtij ligji?

Lulzim Basha: Është parimi ndiq paranë i cili e bën të pamundur që të mos kuptosh se ku kanë shkuar paratë? Si është zhvilluar gara? A ka pasur garë? Nëse ka kompani të regjistruara ofshore, nëse e shikon që procesi është fiktiv, nëse e shikon që çmimi është shumëfish apo shumë larg tregut rajonal, në disa raste edhe më lart se tregu Europian, e kupton që ke të bësh me një kontratë korruptive e cila i nënshtrohet pastaj një procesi, në radhë të parë administrativ, që është vullneti i qeverisë dhe pastaj një procesi gjyqësor. Por, dua të theksoj se kjo nuk ka të bëjë asgjë me çështjen “Beketi”. Çështja “Beketi”, është çështja ku kryeministri, kryetari i Bashkisë dhe sekretari i përgjithshëm që sot duhet të ishin të tre të pandehur, të marrë të pandehur, mbyllën një media për shkak të qëndrimeve kritike ndaj qeverisë. Kjo është e dokumentuar. Arbitrazhi e ka të dokumentuar qartë përmes komunikimit të pronarit të media nga njëra anë dhe këtyre tre personazheve nga ana tjetër që këtu kemi të bëjmë me vepër penale nga këta tre zyrtarë. Angazhimi im është jo vetëm për këtë por, për çdo dëm që i shkaktohet potencialisht taksave të shqiptarëve, buxhetit të shtetit. Nuk do të jetë familja varfër e Elbasanit apo e Gjirokastrës apo e Shkodrës apo e Tiranës apo e Durrësit apo e Korçës apo kudo tjetër në Shqipëri që do të ndajë prapë para nga xhepi për të paguar gjobën, por do të jetë konfiskimi i pasurive të hapura dhe të fshehura të pushtetarëve, që do të shkojë për të paguar gjoba që kanë ardhur si rezultat i veprave penale që ata kanë kryer. Ka një praktikë ligjore që e kanë zhvilluar vende që kanë pasur drama të ngjashme si ky i yni. Ka një praktikë në zbatimin e ligjeve të tilla, sigurisht, me ndihmën e agjencive të specializuara si Europol-i, Interpoli por edhe agjencive të partnerëve strategjikë, me të cilët prej më shumë se dy vitesh unë dhe ekipi im jemi në kontakt edhe për të hartuar ligjin dhe për të mundësuar që këto gjoba të padrejta ndaj shqiptarëve ti paguajnë ata që kanë kryer veprën penale për interesat e tyre dhe për pasurimin e tyre dhe për pushtetin e tyre.

Ilir Babaramo: Pra, në qoftë se një zyrtar shqiptar ka hedhur një firmë që në gjykatë konsiderohet e padrejtë, atij i konfiskohet pasuria?  Që ta kuptoj saktë këtë parim.

Lulzim Basha: Parimi është në thelb që zyrtarët do të mbajnë përgjegjësi edhe në pasurinë e tyre për vendimet e paligjshme të cilat i kushtojnë buxhetit të shtetit. Po ky është parimi.

Ilir Babaramo: Nëse kjo do funksionojë, do të duhet të funksionojë me një instrument shumë të rëndësishëm, një nga kolonat e shtetit i cili është pushteti gjyqësor. Është folur shumë dhe kjo qeveri e konsideron si arritjen e saj më të madhe, reformën në drejtësi. Çfarë qasjesh keni ju ndaj kësaj?

Lulzim Basha: Është e qartë që drejtësia e pavarur mbetet një iluzion, është e qartë që reforma në drejtësi siç u konceptua dhe u mbështet nga partnerët perëndimorë, mbetet në hapat e parë. Ndaj, angazhimi ynë është ecja përpara me reformën në drejtësi sipas kritereve perëndimore që u miratuan në kushtetutë  në korrikun e 2016-tës dhe angazhimi ynë kryesor është që politika e në veçanti qeverisja e ardhshme t’i mbajë duart larg drejtësisë. Ky është kontributi më I mirë që mund të japi politika për një drejtësi të pavarur që nuk I mbron por i ndëshkon. Si pushtetarët e korruptuar ashtu  edhe kriminelët dhe që jep drejtësi për qytetarët.

Ilir Babaramo: Vetingu është boshti i kësaj reforme. Do të ndryshojë modalitetet  e funksionimit të tij apo do jetë njësoj, të njëjtat institucione, të njëjtat ?!

Lulzim Basha: Shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë për funksionimin objektiv të procesit të vetingut nuk kanë rënë në vesh të shurdhër, vetëm disa ditë më parë përfaqësuesit e, përfaqësuesi më  i  lartë i partnerit tonë strategjik ka folur për presione ekstreme për procesin e vetingut. Ne i njohim këto shqetësime dhe do të bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjikë për ti dhënë atyre zgjidhjen e merituar.

Ilir Babaramo: Nuk jam i informuar për këtë   të dhënë. Cili  partner strategjik?

Lulzim Basha: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ilir Babaramo: Janë shprehur që për mënyrën sesi funksionon? Kur është bërë publikë kjo?

Lulzim Basha: Para dy ditësh.

Ilir Babaramo: Jam i sigurt që po ta shfletoni duket që edhe media  e huaj e ka modalitetet e kanë të paqarta, do ketë  komisione  të reja?

Lulzim Basha: Rëndësi ka vullneti politik që së bashku me partnerët tanë të mundësojmë që vetingu të bëjë detyrën për të cilën u krijua si instrument dhe unë po ju përsëris që ky vullnet ekziston që unë jam  në komunikim me partnerët tanë strategjik dhe ne do të mundësojmë që vetingu të eci ashtu siç ishte parashikuar dhe të japë atë efekt që për të cilin ishte ndërtuar për një drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë që nuk mbrojnë por ndëshkojnë krimin dhe korrupsionin.

Ilir Babaramo: Fushatat elektorale përgjithësisht karakterizohen nga inflacioni dhe ka një inflacion të pamasë premtimesh. Kundërshtari juaj domethënë gati në çdo qytet premton aeroporte, po gati dhe në çdo qytet dhe juve  premtoni universitete, hapje ose rihapje të universiteteve. Kjo rihapje universitetesh edhe në qytete domethënë pa ndonjë gravitacion të madh, a mendoni se sjell një  zhvleftësim të arsimit të lartë?

Lulzim Basha: Më vjen mirë që ma bëre këtë pyetje sepse kur folëm sesi do të vijnë investimet   e huaja nuk pata mundësinë të shtjelloj dy aspekte të rëndësishme që mundësojnë investimet  e huaja. Folëm pak për klimën fiskale, folëm për barazinë para ligjit dhe për shembujt  e mëparshëm sikundër për Maqedoninë, pak më përpara. Por, dy aspekte të tjera që janë shumë të rëndësishme që të vijnë investimet e huaja, e para e punës duhet të kesh njerëz të kualifikuar që të marrin përsipër atë punë që investitori i huaj do të kryejë këtu.

Ilir Babaramo: Deri tani vetëm universitetet shqiptare me shumicë kanë prodhuar juristë.

Lulzim Basha: Pra, duhet të kesh universitetet të cilat të jenë në gjendje të sjellin në  tregun e punës të rinj të mirëpërgatitur dhe është në kuadër  të kësaj nevoje dhe domosdoshmërie për të pasur investime të huaja që ne jemi të angazhuar jo  vetëm për reformën e arsimit të lartë por edhe për rihapjen e filialeve që përmendet, sepse filiali i Peshkopisë, i Kukësit, Universiteti I Gjirokastrës në vend që të shkojnë drejt mbylljes mund të kthehen në qendrat të trajnimit profesionistëve në fusha të ndryshme nga teknologjia e informacionit  tek industria, tek administrimi, tek turizmi, tek inxhinieritë. Ka një  uri në tregun e punës në Europë për këto profesione sikundër ka një  zhvendosje tektonike  të zinxhirit të furnizimit të tregut Europian që është  tregu më I madh në botë. Këtë  zhvendosje e ka nxitur dhe pandemia  e cila bashkë me sfidën ka sjellë dhe mundësi dhe nga kjo zhvendosje zinxhiri  të prodhimit, kryesisht nga Azia e largët drejt vendeve më të afërta dhe mundësisht Europës Juglindore që është  në zemër të Europës politike dhe  gjeografike, po me shfrytëzojnë. Po e shfrytëzon Maqedonia e Veriut, po e shfrytëzon Kosova, po e  shfrytëzon Serbia, po e shfrytëzon Mali I Zi. Të vetmit që nuk e shfrytëzojnë jemi ne, për shkak të një qeverie që nuk I hyn në  sy ajo që nuk  ju hyn  në xhep dhe nuk i hyn në sy që me këtë investim, me profesionalizimin e arsimit të lartë, me hapjen apo rihapjen e filialeleve, me trajnimin  e mijëra të rinjve, fjala bie në fushën e teknologjisë së informacionit mund të sjellë investime në Shqipërri që garantojnë vende pune me paga të larta. Një programues e fillon punën  800 euro,1 mijë euro, shkon 2 mijë euro mund të shkojë 3 mijë euro.

Ilir Babaramo: Ka kapacitete mësimdhënëse Shqipëri?

Lulzim Basha: Më lejoni, më lejoni. Më lejoni ta mbaroj. Pra kjo është mundësia, kjo është potenciali I Shqipërisë. Pyetja që bëtë tani është shumë interesante. Para tre javësh unë u akuzova, më falni Komisioni Europian u akuzua nga kryeministri në ikje se po ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë. Nuk e di në ju kujtohet se pse u akuzua? Nëse jo po jua kujtojmë. 

Ilir Babaramo: Kishit marrë pjesë ju dhe ata në një konferencë me Universitetin e Vjenës mos gaboj?

Lulzim Basha: Jo është një konferencë shumë e rëndësishme. Aleanca e Universiteteve Europiane dhe komisionerja për digjitalizimin shpalosën programin e tyre dhe dha mbështetje për vizionin tonë. Ka 26 miliardë euro në dispozicion Bashkimi Europian zoti Babaramo. 26 miliardë euro I bie buxheti, më fal. I bie prodhimi i brendshëm i Shqipërisë 2 vjeçar po të marrim dhe ekonominë informale brenda. Aq para ka në dispozicion që të trajnojë rininë e Ballkanit në fusha të ndryshme, në veçanti në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Dhe ne duhet të përfitojmë nga kjo mundësi e artë. Kjo do të thotë që ne mund të sjellim trajnues të korporatave Europiane, të universiteteve Europiane. Kjo do të thotë që ne mund të hapim inkubator  për inovacionin dhe teknologjinë. Dhe kjo do të thotë fare konkretisht që duke nisur nga 1 shtatori përmes këtij bashkëpunimi me Aleancën e Universiteteve Europiane qeveria ime do të ofrojë 5 gjuhë të huaja, pa pagesë për shqiptarët nën moshën 35 vjeç, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht dhe spanjisht dhe 20 trajnime profesionale po kështu online. Ndërkohë po avancojmë me plane që të kemi një kampus të kombinuar të  5 apo 6 Universiteteve Europiane, jo vetëm Gjermane dhe Austriake po Universiteteve Europiane që të kemi trajnim edhe në, domethënë trajnim jo virtual. Dhe trajnimi dual pra kombinimi I teorisë me praktikën, stazhi i punës, do të bëjë të mundur që shumë shpejtë rinia shqiptare të ketë ato mundësi që ka rinia e Serbisë dhe rinia e Maqedonisë së Veriut. Prandaj për çdo të ri Serb që largohet largohen 12 të rinj shqiptarë sepse atje vetëm në fushën e Teknologjisë së Informacionit janë hapur 40 mijë vende pune. E kuptoni ju çdo të thotë 40 mijë vende pune me pagesa 1000,1500, 2000 euro? Është një shtresë e tërë e mesme njerëzish që janë përgatitur profesionalisht. Janë të iluminuar nga pikëpamja intelektuale, janë të pavarur nga pikëpamja financiare, është një investim në ekonominë e vendit, është një investim në kulturën e vendit, është një investim stabiliteti dhe demokracinë e vendit. Dhe kjo është ajo që do të bëjmë së bashku me Bashkimin Europian.

 

Ilir Babaramo: Përpara se të shkojmë të universitetet….

Lulzim Basha: Këtu e shikoni se si konvergojnë dy prioritetet kryesore dhe jam pozitivisht i mahnitur që atë e kupton edhe fermeri në fushë. Zhvillimi ekonomik, investimet e huaja tek Teknologjia e Informacionit, subvencionet për fermerët, profesionet e lira, liria e medias dhe procesi I anëtarësimit në Bashkimin Europian konvergojnë, bashkohen sepse nuk shkohet dot drejtë Bashkimit Europian pa rritur standardet në këtë fushë dhe vetë procesi I anëtarësimit në Bashkimin Europian parasheh dhe sjellë ndihmë të madhe financiare, ekspertizë të çdo lloj, për të ndihmuar në këto drejtime. Prandaj për investimet e huaja është shumë e rëndësishme trajnojmë rinin shqiptare dhe për vendin është shumë e rëndësishme të sjellim investime të huaja, në një ambient miqësor për biznesin, në një ambient më një rini të mirë trajnuar, të standardeve Europiane duke ndalur kështu plagën më të madhe që është largimi i rinis nga vendi.

Ilir Babaramo: Por ndërkohë, para se të shkojmë në universitet janë edhe 12 vite të tjera shkollore. Për arsimin bazë, për arsimin para universitar çfarë ndërhyrjesh do ketë? Dhe sipas jush çfarë nuk shkon? Çfarë diagnoze keni para se të shkoni te terapia?

Lulzim Basha: Po, diagnoza është e qartë. E ke pasur të qartë prej kohësh. Politizimi ekstrem, militantizmi i rekrutimit të mësuesve, presioni, shantazhimi ndaj arsimtarëve shqiptarë, dobësimi i infrastrukturës, qindra shkolla janë mbyllur, mos digjitalizimi i shkollave 9 vjeçare dhe të mesme, na ka lënë në bisht të Ballkanit. Shikoni Pizën, shikoni Shangain do shikoni që sistemi universitarë dhe sistemi para universitarë kanë qenë si çdo fushë tjetër dështim gjatë këtyre 8 viteve. A ka moment, se janë shumë, më të mirë për ta ilustruar se sa pagat e mësuesve? Ne I dyfishuam në 8 vite, ndërsa ky priti të vijnë zgjedhjet për gjoja t’ju bëjë një rritje në janar që është e papërfillshme, sepse prapë është më e ulët se sa inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës gjatë këtyre 8 viteve. Ndaj angazhimet tona janë të qarta. Nuk do të ketë arsimtarë me paga nën 700 euro. Rritja do të fillojë nga viti I parë me 15% çdo vit për arsimtarët e sistemit parashkollorë, sepse e para dhe më e rëndësishmja është të garantojmë cilësinë e mësimdhënies dhe nuk mund të garantosh cilësinë, pa garantuar bukën e gojës së mësuesve dhe fëmijëve të tyre, familjeve të tyre. Së dyti investimi në infrastrukturën arsimore, digjitalizimi I shkollave të mesme dhe I shkollave 9-vjecare, investimi në një sistem arsimorë që do të mundësojë që fëmijët e shqiptarëve të kenë opsione të qëndrojnë deri në orën 4 në shkollë që është ora kur dalin prindërit nga puna dhe në këtë orar të zgjatur t’ju shërbehet dreka me shpenzimet e shtetit shqiptarë dhe të kenë mundësinë ose të bëjnë detyrat, ose të mësojnë një gjuhë të huaj, ose të përdorin kompjuterin apo të aftësohen në teknologjinë e informacionit, të mësojnë një gjuhë të huaj, të merren me sport apo të merren me art, që do të thotë që jo vetëm na duhet ky korpus I arsimtarëve me dinjitet i mirëpaguar, por na duhen dhe më shumë arsimtarë. Investimi tek arsimi sot do ta ketë 10 fish në mirëqenie Brenda një periudhë shumë të shkurtër kur këta nxënës dhe këta student të kthehen në profesionistë. Kjo është rruga e vetme për të garantuar që  Shqipëria të ketë një ekonomi me mirëqenie për të gjithë dhe fillon siç e thatë ju me të drejtë tek sistemi parauniversitarë, edhe Harvardin po të sjellësh në Tiranë, nëse nuk funksionon sistemi parauniversitarë e ke të pamundur, sepse arsimi ndryshe nga shumë fusha të tjera është një zinxhirë i pandarë, i pashkëputshëm, në qoftë se arsimi parauniversitar, pra, 9-vjeçari dhe i mesmi është jo cilësorë, çfarëdo të bësh, pedagogët më të mirë të botës po të sjellësh, prapë se prapë nuk do të arrish dot objektivat në arsimin universitarë, prandaj plani ynë tek arsimi është i qartë, është një investim konkretë dhe do të thoja goxha I madh financiarë nga buxheti i shtetit, por është i domosdoshëm sepse është pjesë e ngritjes ekonomike, e rritjes së mirëqenies dhe e mundësisë për të thithur investime dhe për të krijuar mundësinë

Ilir Babaramo: Në sistemin shëndetësor zoti Basha, cilat mund të jenë 2-3 ndërhyrjet kryesore.

Lulzim Basha: Ndërhyrja e parë stabilizuese është të ndalim largimin e mjekëve dhe të infermierëve edhe për këtë paga të nivelit të Kosovës janë zotimi ynë I parë.1200 euro pagë Për mjekët, 700 euro paga për infermierët, 950euro paga për mjekët specializantë. Kështu do të ndalim atë që po na ndodh me shpejtësi të tmerrshme është. Po arrijmë në nivelet e Afrikës ekuatoriale sa I bie fjala për numrin e mjekëve për frymë në Shqipëri dhe të infermierëve. Së dyti hapja e një fakulteti tjetër për aftësimin e të rinjve shqiptarë në këto fusha, në fushën e mjekësisë dhe të infermierisë. Këto janë hapat stabilizues, ndërsa reforma e vërtetë shëndetësore do të ketë në qendër parimin paraja ndjek pacientin dhe jo paraja ndjek oligarkun. Paraja ndjek pacientin do të thotë që afër 900 milion euro që harxhojnë sot shqiptarët me taksë, taksën universale, me taksën e sigurimeve shëndetësore, me pagesa nën dorë të sistemi publik, me pagesa mbi e nën dorë në sistemin privat, me bileta, hoteleri e pagesa në sistemin shëndetësor Italian, grek, apo turk, mjaftojnë dalin e teprojnë për të krijuar në Shqipëri institucione të shërbimit shëndetësor që mund të garantojnë si fillim të njëjtën cilësi shëndetësore, të njëjtën cilësi të shëndetit publik që garantojnë vendet e rajonit dhe për të ecur përpara pastaj drejt niveleve europiane në shëndetësi. Është një reformë e detajuar e cila ka mundësuar vendeve të ngjashme me ne, madje që kanë qenë në të njëjtën gjendje ekonomike që është sot pas tetë vite dështimi të ashtë quajturit shëndetësi falas. Jua ka mundësuar të kthehen jo thjesht në vende që ofrojë shëndetësi cilësore por dhe turizëm cilësor por kjo është një reformë e cila do të kërkojë kohën e saj. Hapi i parë është stabilizimi, të mundësojmë që të kemi mjaftueshëm mjekë dhe infermierë, të mundësojmë që të bëhet rimbursimin i barnave sipas diagnozës sepse një nga gjërat  që po gërryen më shumë janë xhepat e shqiptarëve në veçanti xhepat e pensionistëve shqiptar janë fatura e ilaçeve dhe kjo është plotësisht e mundur dhe  të ndodhë duke devijuar paratë e shqiptarëve nga xhepat e oligarkëve tek financimi i këtyre prioriteteve. Të pagave  të personelit shëndetësorë, të mirëpajisjes së infrastrukturës publike shëndetësore dhe rimbursimin sipas diagnozës së barnave.

 

Ilir Babaramo: Si e parashikoni natën e 25 prillit? Gjithnjë ka patur tensione, ka patur akuza, kundër akuza. Humbësi asnjëherë nuk e ka njohur rezultatin. Si e shikoni?

Lulzim Basha: Ajo që shikoj përditë është ajo që më shtyn të mendoj se 25 prilli do jetë një ditë shumë e veçantë në historinë e vendit, do jetë dita kur shqiptarët do të zhveshin barrën, ankthin, makthin e këtyre tetë viteve. Dhe do të vendosin për një pyetje fare të thjeshtë, durohet më dhe katër vjet kështu apo do të ndryshojmë? Dhe unë besoj se masivisht shqiptarët këtë përgjigje e kanë në mendjet e tyre, në zemra e tyre dhe me 25 prill do ta konkretizojnë me votat e tyre.

Ilir Babaramo: Ndërkohë prisni tension, së apo bëjmë zgjedhje as në Suedi dhe as në Zvicër?

Lulzim Basha: Shikoni Padiskutim siç e kam thënë dhe më përpara kam ndarë në kolegët tuaj edhe miqtë e huaj thonë që një regjim si ky, i cili bazohet tek përqendrimi i pushtetit tek personalizimi i pushtetit, e ka të vështirë ta lerë pushtetin me votë. Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që nuk kemi të bëjmë me një përballje kampesh. Kemi të bëjmë me një përballje mes qytetarëve që duan ndryshim, edhe socialistët e ndershëm ju ka ardhur në majë të hundës, përfshirë punonjësit e Policisë, ushtarakët, nëpunësit e shtetit. Iu ka ardhur në majë të hundës, nuk durojnë dot më. Ndihen të skllavëruar nga një grusht njerëzish që kanë shtrydhur e vazhdojnë të shtrydhin pasuritë e këtij vendi vetëm për veten e tyre. Ndërkohë që ata, të gjithë shqiptarët varfërohen. Pra kjo do të jetë përballja e 25 prillit, një grusht njerëzish që do të mbajë edhe katër vjet të tjera peng Shqipërinë apo të gjithë bashkë në një bashkim për ndryshim në të cilën në fund të fundit do fitojë çdo shqiptar dhe çdo familje shqiptare.

Ilir Babaramo: Shpesh qeveritë edhe të majta, edhe të djathta në Shqipëri kanë tentuar ta mbajnë pushtetin dhe e kanë mbajtur me mjete jo fort legale dhe jo sipas vullnetit të qytetarëve. Arbitrat ndërkombëtare në emër të stabilitetit kanë thënë se zgjedhjet ishin një hap para dhe prisni dhe katër vjet të tjera. Në një rrethane të tillë si do vepronit?

Lulzim Basha: Unë mendoj se partnerët kanë folur qartë, tashmë e ke të zezë mbi të bardhë nga Këshilli Europian mbi zgjedhjet e lira. Shqipëria do të vazhdojë të mbetet në vend numëro, siç ka mbetur këto tetë vite me Edi Ramën, nuk do të ketë hapje negociatash. I referohem dhe njëherë kolegut tuaj, drejtuesit në detyrë të një prej mediave më të rëndësishme të botës, një institucioni Amerikan i cili ka paralajmëruar sigurisht nga pozitat e një njeriu që e njeh mirë politikën amerikane, se rrezikojmë një izolim edhe me Amerikën nëse nuk sigurojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu që shqiptarët e kanë të qartë do të votojnë për të qenë siç kemi qenë para 30 vjetësh, apo do të votojnë që të hapim rrugën me Europën, ku tashmë çdo shqiptarë e kupton që është garancia e vetme për një ekonomi më të mirë, për një mirëqenie, për shëndetësi, për arsim, për ndryshim. Dhe jam i bindur që alternativë këtu tjetër nuk ka përveçse votës për ndryshim e cila do të bëjë të mundur po kështu edhe ecjen përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian edhe ecjen përpara të ekonomisë dhe çlirimin mbi të gjitha nga ky makth, nga ky ankth tetë vjeçar i një politike që ka pushtuar gjithçka, jetën private, jetën publike. Normalizim, rritje ekonomike, integrim në Bashkimin Europian, këto janë ato që shqiptarët dëshirojnë dhe kjo është domethënia e ndryshimit për ne, për mua që më bie barra të tregojmë rrugën dhe të drejtojmë njerëzit, shoqërinë, ekonominë dhe vendin drejt Bashkimit Europian, drejt rritjes ekonomike dhe drejt mirëqenies së çdo shqiptari.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Media: Armëpushimi në  Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00

Media: Armëpushimi në Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00