Intervista e plotë/ Kryebashkiakja e Durrësit, Sako për Report Tv: Problemi madhor i përmbytjeve, masterplan me investime konkrete

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjona Sako në intervistën e dhënë për Report Tv, foli edhe për problemin madhor të përmbytjeve. Ajo tha se këtë vit Bashkia do të bëjë një masterplan për t'iu përgjigjur me investime konkrete kësaj problematike.

Pyetjen time të parë do ta filloj nga fundi i vitit. Pamë një proces të gjatë të aplikimit për të përfituar bonusin e parave që do të shkojnë për riparimin e banesave të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti. Është aplikimi i tretë që ndodhi në Durrës. Pse u ndërmor një hap i tillë?

Ne kemi pasur aplikimin e fundit në muajin dhjetor duke u nisur nga kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve të Durrësit, të cilët për arsye të ndryshme. Kryesisht kanë qenë ata që për arsye të pandemisë kanë mbetur në shtetet fqinje dhe nuk kanë pasur mundësi të bëjnë aplikimin, por edhe persona të cilët kanë qenë të pamundur për arsye shëndetësore të jenë pjesë e aplikimeve në muajin janar dhe në muajin korrik. Me këto kërkesa të tyre, me kërkesat e vazhdueshme që ata kanë bërë me shkrim, bëmë të mundur me një kërkesë në Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin që të hapet aplikimi për këta qytetarë.

Sa është numri?

Sigurisht ne kemi pasur kërkesa me shkrim. Jo të gjithë qytetarët i kanë bërë kërkesat e tyre me shkrim. Numri i aplikimeve në muajin dhjetor ka arritur në 5 700. Ne për këto do të fillojmë menjëherë procesin e vlerësimit të dokumentacionit.

Si procedohet, cilët janë hapat që do të ndiqni deri në momentin kur paratë të bëhen të likuidueshme, pra të derdhen në llogaritë rrjedhëse të qytetarëve të Durrësit?

Sigurisht fluksi më i madh i aplikimeve ka qenë në muajin janar, atëherë kur procesi sapo ishte prezantuar se si do të funksiononte. Në këtë moment ne do të shqyrtojmë dokumentet duke marrë në konsideratë edhe pallatet që janë riparuar. Pra, objektet që tashmë kanë mbaruar nuk do t’i konsiderojmë si të dëmtuara nga tërmeti. Procesi do të bëhet i njëjtë, siç është bërë në muajt janar dhe korrik. Pra do të bëhet shqyrtimi i dosjeve një për një, në bazë të kontatimeve dhe dokumenteve që kanë bërë vetë qytetarët. Do të bëhet vlerësimi i hipotekës, nëse kanë apo s’kanë pronësi të tjera për të përfituar nga granti. Më tej kemi miratimin në këshillin bashkiak. Me miratimin e këshillit do të publikohen emrat e përfituesve. Sigurisht që do ta bëjmë hap pas hapi, pra do të miratojmë një listë të parë, një listë të dytë e të tjera me radhë, në mënyrë që t’i japim kohë edhe stafit për të bërë punën e tij. Më tej do të procedohet me lidhjen e kontratës dhe kalimi i grantit në llogarinë bankare që gjithsecili ka dorëzuar në momentin e aplikimit.

Problem kanë qenë nëse është ndërhyrë nga ana juaj në mënyrë energjike për riparimin e pallateve DS1, DS2, DS3, banesave të ulëta etj. Me DS4-n ka qenë një proces që nuk po ecte. Informacionet flasin që edhe këtu është menduar të ndërhyhet. Çfarë është bërë për DS4-n?

Unë e kam sqaruar shpesh sepse ky ka qenë shqetësimi kryesor i qytetarëve në këtë fazë. Pra tregon që ne, në etapat e tjera të procesit të rindërtimit kemi dhënë rezultate shumë të mira. DS4-t kanë një specifikë sepse janë objekte të cilat janë dëmtuar në mënyrë specifike dhe kanë një kategori dëmi, i cili nuk është i riparueshëm thjesht në dëme murature, siç mund të kenë pasur nga DS1-DS3, dëme të lehta, mesatare apo thjesht murature, por kanë specifika të veçanta. Ka objekte që janë të anuara, ka objekte të cilat kanë dëme në strukturë, që nuk mund të bëhen pa një projekt të detajuar. Kanë marrë një kohë më të gjatë sesa hapat e tjerë të procesit të rindërtimit, pasi të gjitha këto objekte kanë kaluar më parë në Institutin e Ndërtimit dhe u është bërë një ekspertizë e posaçme. Në bazë të rekomandimeve të këtyre ekspertizave, ne kërkuam një fond në Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin. Janë rreth 120 pallate në qytetin e Durrësit, të cilat do t’i nënshtrohen kësaj procedure. Kemi marrë fondin, kemi bërë përzgjedhjen e studios dhe ka filluar puna për hartimin e projekteve. Çdo objekt do të ketë projektin e detajuar, preventivin e detajuar në bazë të hartimit të këtyre projekteve dhe preventivave të detajuara. Do t’i drejtohemi sërish Institutit për të marrë oponencën e lejes specifike të objektit dhe për të autorizuar këto punime që kanë parashikuar ekspertët. Do t’i pajisim me leje ndërtimi. Do të kërkojmë fond në Ministrinë e Shtetit për Rindërtim dhe do të fillojmë projektet. Nuk do të presim që të bëhen 120 objekte të gjitha, por me përfundimin e 2-3 objekteve të para do t’i marrim në dorëzim, do të kërkojmë fond në mënyrë që puna të ecë ma hapa të njëpasnjëshëm, në mënyrë që edhe qytetarët të kenë mundësi që të kthehen në banesat e tyre pasi e dimë që kjo është gjëja më e rëndësishme dhe është detyra jonë kryesore që qytetarët të kthehen sa më parë në banesat e tyre.

Pra, për t’ua bërë më të qartë qytetarëve, do të shikohet edhe një herë se cili nga këta do të riparohet dhe se cili do të shembet?

Po. Ky proces do të nxjerrë edhe objekte të cilat mund të shemben. Pra, në qoftë se ne do të kemi një kosto për riparimin e objektit mbi 70% të vlerës së një ndërtimi të ri, atëherë objekti do të kalojë për shembje dhe ne patjetër do të kërkojmë që të rindërtohet mbi të njëjtin truall, ashtu siç kemi vepruar edhe me 30 objekte të tjera që ndodhen në qytetin e Durrësit, për të cilat është miratuar rindërtimi mbi të njëjtin truall. Është shumë e rëndësishme të theksoj që ne kemi marrë fonde për 6 objekte, të cilat kanë pasur ekspertizë të thelluar. Në bazë të hartimit të preventivave të detajuara kemi marrë fondin në dispozicion dhe tani po kryejmë procedurën për zgjedhjen e firmës në mënyrë që të fillojë puna në këto 6 objektet e para. Më tej, siç e sqarova edhe më lart, do të marrim në dorëzim objektet me të mbaruar projekti dhe do të fillojmë menjëherë kërkesën për financim dhe me punën. Projektet e para presim që t’i fillojmë, ndërhyrjet, brenda muajit janar.

Kalojmë te pjesa tjetër që është edhe pjesa më e madhe e objekteve që u dëmtuan, pallate, banesa të ulëta apo vila. Sa pallate janë riparuar gjatë vitit 2020, ku kuptohet që banorët janë kthyer në banesat e tyre. sa ka qenë ky numër dhe çfarë po bëhet me pjesën tjetër që ende është në proces?

Ne kemi bërë një punë të madhe për sa i takon kësaj kategorie.

Të flasim për pallatet DS1 dhe DS2.

Nuk kanë pasur pra, siç e sqaroni edhe ju, DS1, DS2 dhe DS3 nënkuptojnë dëme të riparueshme. Pra objektet janë të pabanueshme, por me dëme të lehta, jo strukturore dhe ndërhyrja nuk është e vështirë, nuk do një specifikë të veçantë. Kemi pasur në projekt 615 pallate. 157 objektet e fundit kanë filluar rishtaz. Javën e fundit të dhjetorit filloi puna me to. Kemi mbaruar rreth 450 objekte, pra ka mbaruar puna në ambientet e brendshme dhe po punohet në ambientet e jashtme tashmë. Duhet të kemi parasysh që edhe moti ka vështirësitë e veta. Janë punime me skela në pjesën e jashtme dhe që duan edhe kushte të posaçme teknike të punës, në mënyrë që të jenë sa më efikase dhe në përfundim të tyre të mos paraqesin defekte. Rreth 250 objekte janë dorëzuar, janë mbyllur tërësisht. Nga këto pallate kemi bërë zbritjen e bonusit. Gjithashtu në këto objekte kemi 10 000 familje që e kanë marrin grantin, pra paralel familjet kanë kryer punimet e brendshme. Po përfundojmë edhe punën në ambientet e përbashkëta, të cilat banorët nuk i kryenin dot vetë për arsye teknike. Ky proces do të mbyllet në fund të muajit janar apo në fillim të muajit shkurt. Kemi ambicien që ta dorëzojmë si objekt, por duke marrë në konsideratë edhe kushtet atmosferike mund të parashikojmë një shtyrje të posaçme.

Pra në fillim ndërhytë te dëmet e klasifikuara si grupi A, që ishte pjesa më e madhe. Tani ka mbetur grupi B.

Po, kjo ka qenë një arsye teknike që është bërë në një fazë më të dytë. Patëm një mospjesëmarrje në procedurë dhe u detyruam që ta ribënim nga e para. Pra është çështje teknike. E rëndësishme është që janë 615 objekte, në të cilat kemi rreth 6 800 familje që përfitojnë nga ky investim dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Fillimisht kanë qenë rreth 5 000, më saktë 4 800 familjet që u dëmtuan nga tërmeti, të cilave u është dhënë bonusi i qirasë. Si ka shkuar diagrama e këtij numri në raport me banesat që janë riparuar, pra apartamentet që janë riparuar.

Në pjesën më të madhe të vitit kemi dhënë bonusin e qirasë për 4 800 familje, siç e përmendët ju. Normalisht në muajin dhjetor ne zbritëm në 3 800 dhe brenda këtij muaji do të zbresim të gjitha familjet që kanë marrë grantet dhe që kanë bërë punimet, pasi edhe dëmet DS3 kanë pasur nevojë për një kohë më të konsiderueshme për të bërë punimet brenda. Parashikojmë që brenda këtij muaji do të bëjmë zbritjen e atyre që kanë marrë grante dhe të ambienteve të cilat kanë përfunduar riparimin e ambienteve të përbashkëta. Presim që brenda këtij muaji të kemi një numër shumë më të ulët. Në bonusin e qirasë deri në fundin e procesit do të mbeten DS4-t dhe banesat që janë duke u rindërtuar nga e para. Ato do të qëndrojnë deri sa t’u dorëzohen çelësat qytetarëve. Në momentin që pallati dorëzohet me të gjitha punimet e kryera si brenda ashtu edhe jashtë, atëherë do të bëhet zbritja nga bonusi i qirasë.

Kalojmë te vilat, në njësitë si Këneta, Sukthi, Manza, Rrashbulli, Xhafzotaj. Janë zona që i mbulon Bashkia e Durrësit. Sa vila janë parashikuar të ndërtohen dhe sa janë ndërtuar deri tani?

Në këshillin bashkiak ne kemi miratuar rreth 1 000 banesa, për saktësi 1 094 banesa. Nga këto puna ka filluar për 455 objekte. Në fund të muajit dhjetor ne arritëm të dorëzonim banesat e para. E gjithë pjesa e parë e vitit në këtë aspekt do të jetë në avantazhin tonë që të mbyllim sa më shumë objekte. Sigurisht që procesi nuk është i thjeshtë. Ka pasur edhe vështirësitë e veta pasi shtëpitë model në disa raste nuk mund të ndërtoheshin në të njëjtin truall. Pikërisht duke pasur këtë lloj problematike, ne i jemi drejtuar ministrit Ahmetaj. Ne edhe bashkitë e tjera, patjetër, sepse është e njëjtë problematika në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti. Pas këtyre kërkesave tona është miratuar një VKM e posaçme, me anën e së cilës ne mund t’u japim grant banorëve për ta rindërtuar banesën. P.sh. ato që kanë qenë me 2 ose me 3 kate dhe do të duan që ta kenë strukturën e objektit të tillë, do të marrin grante nga ne dhe do të monitorojmë procesin. Do të japim lejen e ndërtimit të parën, më tej 60% të fondit dhe në përfundimin e objektit do të merret 40% e fondit, që ka mbetur. Procei do të monitorohet 100% nga bashkia patjetër, do të jetë transparent dhe më tej do të ketë edhe auditim patjetër për të parë se ku shkuan këto fonde dhe a u ndërtuan shtëpitë për të cilat u mor granti.

Të flasim për shkollat. Kanë qenë 32 shkolla të dëmtuara nga tërmeti. Si po shkon ecuria? Sa janë riparuar, sa janë ndërtuar dhe sa janë në proces?

Ne kemi 32 shkolla që janë futur në procesin e rindërtimit, pra për të cilat është shprehur kërkesa nga ana e Bashkisë Durrës. Kemi mbyllur 10 objektet e para brenda vitit, sipas premtimit që u kemi bërë qytetarëve të Durrësit. Këto objekte janë bërë me fondet e qeverisë shqiptare. Ka objekte të tjera të cilat janë me donatorë të huaj, siç është Komuniteti Evropian dhe Fondi Gjerman KFV, të cilat kanë afate pak më të gjata për zbatimin e projekteve në terren. Gjithashtu aktualisht kemi 2 ose 3 objekte në qytetin e Durrësit të cilat janë ende në zbatim dhe presim që brenda pjesës së parë të këtij viti do të fillojë edhe pjesa tjetër që është në proces me fondet e huaja. Pra 10 janë dorëzuar dhe 22 i kemi në proces. Besoj se brenda vitit do të përfundojnë. Dua të theksoj që këtë vit ne do ta kemi proces rindërtimi, do të jetë po aq prioritar sa më 2020 për Bashkinë e Durrësit. Objektivi është që të mbyllim sa më parë banesat që të futen njerëzit brenda, pallatet të cilat do të duan një kohë pak më të gjatë normalisht se kanë kushte të tjera ndërtimi dhe sigurisht edhe shkollat që të shfrytëzohen hapësirat nga nxënësit.

Pra nuk do të mbetet asnjë familje pa u sistemuar nga procesi i rindërtimit.

Absolutisht, të gjitha familjet në vitin që vjen do të jenë të sistemuara.

Do të ishte me interes të bënim një panoramë të Lagjes së Re që do të ndërtohet në Durrës. Ku do të ndërtohet? Çfarë sipërfaqe do të zërë përafërsisht? Sa banorë do të jetojnë aty?

Lagjja e Re, të cilën ne e kemi miratuar, është një zonë përpara universitetit në qytetin e Durrësit. Aty kemi parashikuar që do të ndërtohen 990 banesa, të përkthyera kryesisht në 70 objekte. Shkalla do të jetë njerëzore, pra objektet do të jenë me 4-5 kate, të ulëta relativisht. Sigurisht që nuk është e konceptuar si një zonë vetëm me pallate, por atje do të kemi edhe shërbime, do të kemi infrastrukturë publike, do të kemi mbylljen e kanaleve në zonë që do të rivitalizohen më tej sepse aty kemi edhe kanale të para të cilat janë ende të hapura. Gjithashtu do të kemi shkolla, kopshte, të cilat do t’i shërbejnë këtij komuniteti. Do të jetë një lagje model. Do të futen edhe konceptet e efiçencës së energjisë atje, patjetër, në mënyrë që ky të jetë edhe një shembull i një ndryshimi në Shqipëri pas kësaj goditjeje që ne pësuam nga tërmeti. Do të strehohen në këtë zonë familje të cilave nuk mund t’u ndërtohet banesa në të njëjtin truall. Kryesisht ne Durrësin e kemi zgjidhur me rindërtimin e pallateve në të njëjtin vend, por ka në Rajonin nr. 4 familje të cilave nuk mund t’u rindërtohet banesa për çështje të pronësisë, për mospasjen e një dokumenti etj. Dhe këta njerëz, në momentin që janë përfitues në procesin e rindërtimit, do të strehohen në Spitallë, e cila do të jetë një lagje model. Pra do të kemi transferime nga njësi të ndryshme të banorëve, të cilët do të sistemohen me strehim atje.

Pyetjen e fundit e kam në lidhje me problemin e përmbytjeve në Durrës. Janë disa zona siç është ajo te rruga që të çon në Currila, kemi zonat para shkollave të mesme te stadiumi, rrethrrotullimin dhe ish-kënetën. Krahas gjithë kësaj pune për rindërtimin dhe që është sfida kryesore e bashkisë, a është menduar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave në mënyrë që të përmirësohet ambienti dhe të mos kemi më situata të tilla? Kjo është një çështje me mjaft interes për banorët e Durrësit, sidomos për ata të këtyre zonave.

Problemi i përmbytjeve është një problem i rëndësishëm i Bashkisë. Ne këtë vit kemi pasur edhe reshje të shumta, të cilat, siç e thashë edhe ju, kanë reflektuar në këto zonat e pikut. Investimet që kemi kryer janë në vazhdim, pra nuk është një proces i cili ndalet ose një proces i cili vjen me një investim të vetëm, por paralel me shtrimin e rrugëve dhe shtimin e infrastrukturave, ne parashikojmë edhe infrastrukturë për sa i takon çështjes së përmbytjeve. Jemi duke përfunduar punën me kanalin kryesor të ujërave të larta, i cili shkarkon në hidrovor dhe me mbylljen e kësaj pune kemi parashikuar që të kemi një lehtësim të përmbytjeve në zonë. Gjithashtu në zonat ku kemi bërë ndërhyrje si rotonda te stacioni i trenit p.sh., apo te rruga “Egnatia” ku kemi bërë investime gjatë viteve 2017-2018, paraqesin sot një situatë më të lehtësuar. Pra, koha e qëndrimit të ujit është me shkurtër. Duke marrë shkas nga këto ndërhyrje dhe nga kjo zgjidhje që kemi dhënë në këto fragmente, do t’i aplikojmë edhe në zonat e tjera që ju përmendët, siç është Zjarrfikësja që ka një problem shumë të madh me përmbytjen. Gjithashtu në këtë vit parashikojmë që të bëjmë një masterplan për përmbytjet, në mënyrë që të kemi një studim fizibiliteti dhe të evidentojmë se ku janë problemet realisht, nga vijnë dhe se si duhet të marrim masat për të bërë investime enkas për sa i takon çështjes së përmbytjeve.

Kam një informacion sikur ju keni marrë disa pompa portative për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe që i keni aplikuar me sukses në bashkëpunim edhe me repartin e Zjarrfikëses. Si qëndron e vërteta?

Ne bëjmë ndërhyrje mirëmbajtjeje të vazhdueshme. Pra kjo punë nuk ndalon në asnjë moment të vitit, por përmbytjet në Durrës vijnë për arsye të ndryshme, siç janë niveli zero, kuota zero me detin, ndërhyrja, zhvillimi i qytetit gjatë gjithë kësaj periudhe transicioni, si edhe zona e kënetës e cila ka qenë gjithmonë në kuotën zero dhe tashmë është një zonë formale, le të themi, pasi të gjithë banorët aty kanë dokumentacion pronësie, e të tjera me radhë dhe jemi para faktit që jemi në një zonë urbane. Ndërhyrjet që ne bëjmë janë të mirëmbajtjes, pra kemi detyrë kryesore pastrimin e kanaleve të para, të dyta dhe bashkëpunimin me bordin e kullimit, si edhe me ujësjellësin dhe me zjarrfikësit. Në rastet e reshjeve të shumta kemi ndërhyrë për evadimin e ujërave, mirëpo këto janë zgjidhje që vijnë nga nevoja, nga domosdoshmëria e momentit që kemi këto kushte. Ndërsa për afatgjatë kemi në plan që të realizojmë këtë studim dhe më tej do të fokusohemi me investime në bazë të konkluzioneve të këtij studimi, të këtij masterplani të përmbytjeve, le të themi.

               

 

 

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion