Intervista e plotë/ Reforma në drejtësi, përplasja me Berishën, puna në 3 vite në Shqipëri dhe liberalizimi i vizave për shqiptarët nga SHBA...gjithçka tha ambasadorja Yuri Kim në Report Tv

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ishte e ftuar në një intervistë ekskluzive me gazetarin Sokol Balla në ‘Real Story’ në Report Tv. Kim foli për ngjarjet më të rëndësishme politike, ku ajo dhe ambasada amerikane kanë investuar vëmendjen maksimale por edhe ka mbajtur qëndrime të forta.  

Ambasadorja foli për ecurinë e reformës në drejtësi duke përfshirë edhe punën që po bën deri tani SPAK, përplasjen me Berishën dhe fatin e Partisë Demokratike, mundësin e një vendimi pozitiv për liberalizimin e vizave për shqiptarët nga SHBA dhe pikat kryesore të punës së saj në këto 3 vite deri tani në Tiranë. Një vëmendje të veccantë ajo i kushtoi investimeve amerikane në vendin tonë.

Intervista e plotë:

Sokol Balla: Mirë se vini në Real Story! I uroj mirëseardhjen në emision ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë zonjës Yuri Kim, që është një e ftuar e përhershme e emisionit tim. Faleminderit që jeni sonte në programin tim dhe gëzuar vitin e ri.

Ambasadorja Yuri Kim: Shumë faleminderit dhe gëzuar edhe juve.

Sokol Balla: Viti 2022 ka qenë vit i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara, sidomos meqenëse ishte njëqind-vjetori i marrëdhënieve tona. Mendoj se për një ambasadore, është edhe diçka me fat.

Ambasadorja Yuri Kim: Shumë me fat. Isha me fat që erdha në Shqipëri dhe shumë me fat që patëm mundësinë të festojmë 100 vjet marrëdhënie SHBA-Shqipëri – fillimin e atyre marrëdhënieve në vitin 1922 dhe më pas, vitin e mëparshëm, festuam 30-vjetorin nga ri-vendosja e marrëdhënieve. Ndaj, ndihem shumë mirë për këtë. Dhe ke plotësisht të drejtë, 2022 ishte një vit i madh në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri në fushat e demokracisë, mbrojtjes, dhe biznesit. Arritje të jashtëzakonshme, historike do të thosha. Dhe jam e lumtur që do të kemi mundësinë të flasim për disa nga këto sot.

Sokol Balla: Dhe le ta fillojmë nga fakti që 2022 ishte vit i rëndësishëm edhe për shkak të ngjarjeve dramatike të konfliktit në Ukrainë dhe faktin që për herë të parë ndoshta nga ardhja në pushtet e Vladimir Putin, ka një përballje të vërtetë mes tij, Rusisë dhe perëndimit. Dhe Shqipëria në të njëjtën kohë u bë anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe, në bashkëpunim me ju, luajti një rol të rëndësishëm për këtë, apo jo?

Ambasadorja Yuri Kim: Po. Një nga gjërat që vërej gjatë kohës time këtu – dhe në fakt, javën që vjen, saktësisht më 22 janar, do të kem fiks tre vite që kur erdha në Shqipëri. Një nga gjërat që vërej është, e para: që ky është një vend i madh me njerëz jashtëzakonisht të ngrohtë, punëtorë dhe të zgjuar. E dyta që vërej është që harxhojmë shumë kohë në këtë vend duke folur për gjërat që janë gabim. Nuk harxhojmë shumë kohë duke folur mbi gjërat që janë drejt. Dhe ajo që dua të them sot është se kur e sheh Shqipërinë, se nga ka ardhur, ku është sot dhe ku mund të arrijë në të ardhmen, ka shumë arsye për optimizëm. Në vetëm pak vitet e fundit: Shqipëria është zgjedhur anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ulet përkrah Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, si vend që flet për çështje globale, përfshi Ukrainën dhe në fakt, Shtetet e Bashkuara janë shumë krenare që janë bashkëpenëmbajtëse me Shqipërinë për të gjitha çështjet e lidhura me Ukrainën.

Po drejtojmë agjendën globale për këtë çështje dhe nuk mendojmë se ndokush tjetër mund të ishte partner më i mirë. Kur Shqipëria flet për mizorinë e diktaturës, kur Shqipëria flet për rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit, integritetit territorial, kur Shqipëria flet për të drejtën, të drejtën e popullit ukrainas dhe kombit ukrainas për të ekzistuar, bota dëgjon, sidomos ngaqë Shqipëria flet nga këndvështrimi i saj historik, ndaj është shumë e vyer. Siç e dini, kemi rritur marrëdhënien midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë edhe në frontin e mbrojtjes. Ndaj, jemi shumë krenarë që jemi partnerë, partnerë realë me Shqipërinë. Marrëdhënia midis qeverive tona është më e fortë se kurrë.  Marrëdhënia midis popullit shqiptar dhe popullit të Shteteve të Bashkuara është më e fortë se kurrë.

Dhe një nga gjërat e mëdha që bëmë në 2022 ishtee rritja e vlefshmërisë së vizave nga tre vjet në dhjetë vjet, çka do të thotë se shqiptarët po i ndjekin rregullat gjithnjë e më shumë kur vjen fjala te vizat. Dhe synimi ynë , si Shtetet e Bashkuara, është të arrijmë në një pikë ku mjaftueshëm njerëz ndjekin rregullat, ka mjaftueshëm begati dhe mjaftueshëm shkëmbime midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë sa të mund të mos kemi viza. Pra, ky është synimi i madh dhe mendoj se do arrijmë atje.

Sokol Balla: Do të arrijmë. E dini, kjo është një nga gjërat që kam biseduar me njerëz në fillim kur SHBA aplikuan vizat tre-vjeçare. Një nga paraardhësit tuaj e shpalli atë në programin tim, 2014 në mos gaboj. Ishte diçka e madhe, mendoj 2013, por ishte lajm i madh. Dhe ju shpallët lajmin e mirë, faktin që SHBA jep tani viza dhjetëvjeçare për ku aplikohet. Dhe sigurisht, po flisja me miqtë, drejt kësaj po ecim – pa viza, si quhet, një regjim ku shumë vende në hemisferën veriore marrin pjesë …vende demokratike dhe të zhvilluara. Dhe thashë kjo është diçka e mirë për Shqipërinë e shqiptarët sigurisht, por për Shqipërinë sepse e klasifikon vendin tonë në një pozicion shumë më të mirë se sa ka qenë.

Ambassador Kim: E saktë

Sokol Balla: Shumë kohë përpara, po?

Ambasadorja Yuri Kim: Po. Ka shumë më tepër shkëmbime, qofshin turistë apo njerëz të biznesit, familje dhe miq midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Dhe shohim të rriten shifrat. Kam sjellë ca statistika. Nuk e di nëse i keni ju?

Sokol Balla: Po, i morëm.

Ambasadorja Yuri Kim: E dini, doja të flisja pak për tregtinë.

Sokol Balla: Por më lejoni një pyetje të vogël. Kur thatë që do të arrijmë atje, tek heqja e vizave. Kur mendoni se do ndodhë?

Ambasadorja Yuri Kim: Varet nga çfarë ndodh në Shqipëri. Por mund të them këtë. Kur japim, kur vendosim të japim viza dhjetë-vjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikim se kur saktësisht do të mund të udhëtojmë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një nga këta tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Sokol Balla: Po, i kemi grafikët.

Ambasadorja Yuri Kim: Shihini shifrat.

Sokol Balla: Mrekulli. I pashë më herët.

Ambasadorja Yuri Kim: Deri në shtator 2022, investimet e huaja direkte nga SHBA janë 213 milionë dollarë – thuajse dy herë më shumë se sa ishte në 2019-ën, pikërisht para pandemisë. Investimet e SHBA në shëndetësi, shërbime financiare, energji dhe teknologji të informacionit e turizëm po rriten; kemi kompani si kurrë më parë këtu, sidomos në sektorin TI dhe po marrin gjithnjë e më shumë njerëz në punë e po trajnojnë gjithnjë e më shumë.

Kemi edhe një njëbrirësh këtu – IntelyCare. Tregtia u dyfishua, dyfish midis 2019 nga 139 milionë në 235 milionë dollarë. Eksportet shqiptare për në SHBA thuajse u trefishuan nga viti 2019, nga 53 milionë në 137 milionë. Ka erëza, bimë mjekësore, në fakt mendoj se 70% e sherebelës që importohet në SHBA vjen nga Shqipëria. Por sot importojmë nga Shqipëria edhe produkte alumini, përfshi pjesë makinash. Dhe ky është lajm i madh.

Sokol Balla: Shqipëria prodhon pjesë makinash për industrinë amerikane të makinave?

Ambasadorja Yuri Kim: E saktë.

Sokol Balla: Tingëllon pak, si të them, e pabesueshem. Industria amerikane e makinave është ajo që nxit vetë ekonominë amerikane.

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se Shqipëria, një nga gjërat që njerëzit e kanë të lehtë t’i besojnë janë lajmet e këqija, por shumë të vështirë të besojnë lajmet e mira. Ndaj, erdha e armatosur me disa fakte, për t’ju treguar që s’po i sajoj. Këto janë faktet. Ekonomia, tregtia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, biznesi me Shtetet e Bashkuara, po arrin më lart se kurrë në majë.

Dhe këtë e shihni tek atop ikat e grafikut. Është një kërcim gjatë 2014-16, është për shkak të një eksporti të madh të naftës bruto nga Shqipëria në SHBA në atë kohë. Por në tërësi, mund ta shohësh që prirja është e drejtuar lart fare, në qiell. Dhe duam ta ruajmë këtë.  Një nga çelësat do të jetë reforma në drejtësi sepse vendimet që marrin bizneset bazohen në një numër faktorësh.

Kyçe ndër këto do të jetë nëse rregullat janë racionale dhe të qarta; nëse proceset janë transparente dhe të shpejta; dhe nëse ka gjykata të pastra sepse bizneset nuk janë gjithnjë të lumtura. Ndonjëherë kanë mosmarrëveshje kontratash dhe biznesmenët amerikanë duan të kenë besimin se nëse ka një mosmarrëveshje kontratash, të mund ta çojnë çështjen në gjykatë, të ketë një seancë në kohë dhe të ketë një gjykim të dhënë mbi bazën e ligjit, jo mbi bazën frikës a ndonjë favori.

Sokol Balla: Ajo që quhet siguri juridike. Pra, në fakt, shkon në gjykatë dhe beson tek vendimi nëse është i drejtë, pavarësisht cili është vendimi.

Ambasadorja Yuri Kim: E saktë. Kemi parë disa incidente tani që tregojnë se ende ka probleme kur vjen fjala tek mosmarrëveshjet për kontratat këtu në Shqipëri. E ndjejmë nga bizneset amerikane dhe di me siguri që edhe shqiptarët, njerëz të zakonshëm, e ndjejnë. Edhe ata e përjetojnë. Ndaj ne përqendrohemi kaq shumë tek reforma e gjyqësorit.

Sokol Balla: Prandaj edhee ne gazetarët, me vullnet, përqendrohemi tek problemet sepse duam që ato të zgjidhen. Ju përmendët me të drejtë reformën në drejtësi, e cila përveç ekonomisë, çështjeve ekonomike, është investimi juaj kryesor në vend në gjashtë a shtatë vitet e fundit. E di që ka pasur përparim dhe e di që keni shifra. Nuk do doja t’i mohoja, kështu që po jua lë juve fjalën në fillim të më thoni: A ka qenë SPAK një sukses?

Ambasadorja Yuri Kim: Dakord. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur, por patjetër po shohim rezultate dhe po ndërtohet, mendoj ka një shprehje shqiptare – gur gur…

Sokol Balla: …bëhet mur…

Ambasadorja Yuri Kim: Por po ndodh, dakord? Po ndodh. Po lëvizim përpara. Reforma në drejtësi ka mbështetjen e fortë, absolute të Shteteve të Bashkuara, si dhe të BE-së. Dhe më shumë se kaq, ka mbështetjen e popullit shqiptar.

Më lejoni të ndaj me ju disa statistika. Nga krijimi i SPAK janë konfiskuar mbi 70 milionë dollarë asete, ato që dimë deri tani. Shifrat e vitit 2022 po finalizohen. Por nëse sheh periudhën përpara SPAK-ut, nga 2011 në 2019, në atë periudhë prej nëntë vitesh, konfiskuan, gjykatat konfiskuan rreth 20 milionë dollarë.

Nga 2020 në 2021, u konfiskuan 70 milionë dollarë. Në vitin 2022 besojmë se shifra përfundimtare do të jetë mbi 100 milionë. Ky është përparim real. Këto janë rezultate reale, shifra realle. Nëse sheh grafikun tjetër, për token e sekuestruar, gjatë 2019-2020, asgjë. Në vitin 2021, 22,300 metra katrorë, vlerësuar afro 2.2 milionë dollarë. Në vitin 2022, u morën 305,175 metra katrorë.

Këto janë prona të mbajtura nga ata që u dënuan për korrupsion ose përfshirje në krim të organizuar. Tani keni një drejtues të ri në SPAK. Besojmë se ka aftësitë për të pasur sukses dhe për ta çuar SPAK-un në nivelin tjetër. Por dua të theksoj këtë: reforma në drejtësi nuk ka të bëjë vetëm me SPAK. Është një sistem i tërë që përfshin gjyqtarë, prokurorë e të tjerë, inspektorë, hetues, policia.

Të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre. Kam folur me njerëz anekënd vendit. Po bënim një studim në fakt se ku kam qenë në Shqipëri. Dhe nga 61 bashkitë, kam qenë në rreth 70% të tyre; do doja të arrija 100% të tyre. Gjithsesi.

Sokol Balla: Do t’ju pyes nëse keni më kohë, por më vonë.

Ambasadorja Yuri Kim: Dakord, kur udhëtoj nëpër Shqipëri, përpiqem të krijoj mundësinë që të takoj njerëz të zakonshëm. Flas me zyrtarë, sigurisht, është pjesë e punës sime, por mendoj se ka vërtet rëndësi të flas me njerëz të zakonshëm dhe të gjej se ç’kanë në mend, si ndihen. Dhe të gjithë më thonë se sa padurim kanë që reforma në drejtësi të zbatohet plotësisht.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë. Jemi plotësisht në krah të popullit shqiptar. Jo vetëm sepse reforma në drejtësi është kërkesë që Shqipëria të hyjë në BE. Jo vetëm sepse është me vend për Shqipërinë si anëtare e NATO-s dhe aspirante për në BE, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që të ketë një sistem drejtësie që i shkon për shtat atij statusi. Por edhe sepse kjo është kërkesa e fortë e popullit shqiptar. Dhe mund t’ju them që Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë në krah të popullit shqiptar.

Sokol Balla: Dakord, kështu që e kuptoni pyetjen time, si pjesë e popullit shqiptar, që mbështetja jonë për reformën do të jetë gjithnjë aty, pas më shumë se katër vjet nga fillimi i funksionimit të institucioneve të reja si Gjykata, SPAK e të tjerat. Do donim vërtet të shihnim rezultate.

Ambasadorja Yuri Kim: Dhe po i shihni. Sapo jua tregova rezultatet.

Sokol Balla: Po, e di. Unë si gazetar, dhe kjo është një nga gjërat që përpiqem të shpjegoj, them që gjithmonë ka të bëjë me ndjekjen e parasë. Nuk më pëlqen të flas për njerëzit në burg, nuk më pëlqen, edhe njerëzit që mendoj se e meritojnë të jenë atje. Nuk është se më pëlqen t’i shoh pas hekurave, por kjo është me shumë rëndësi – ndjekja e parasë, marrja e parave atyre, paratë që mund të përdoren për aktivitete kriminale apo para që mund të përdoren për të pastruar imazhin e vetes, si ndërtimi i mediave e portaleve e faqeve të internetit dhe televizioneve e radiove për të pastruar imazhin e tyre të pisët. Por në fund të ditës, Zonja Ambasadore, siç e dini, dhe siç keni folur me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, ata duan të shohin pas hekurave ata që janë përgjegjës. Dhe për të qenë i sinqertë, kjo nuk ka ndodhur ende.

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk bie dakord me ty.

Sokol Balla: Dakord? E di që nuk bini dakord, por bini dakord me mua në parim, jo thjesht si gazetar, por edhe si qytetar shqiptar që mbështet reformën, që duam të shohim peshqit e mëdhenj pas hekurave, jo peshqit e vegjël – gjithnjë e kujtoj këtë sarkazmën me Rovena Vodën, ish-zëvendës ministre e brendshme. Për atë zot, dakord që e bën, por a është mënyra e duhur për t’i filluar gjërat? A duhet të nisim nga peshqit e mëdhenj?

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se ka rëndësi që të mbajmë në mend dhe të jemi realistë dhe të kuptojmë që diçka kaq radikale sa reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Është si të thuash që një vrapues duhet ta nisë nga maratona. Nuk fillohet aty. Po e bëre, do dështosh. Duhet të ndërtosh forcën. Dhe ajo që shohim në statistika, në rezultatet reale që shihni nga SPAK dhe vende të tjera, është se ata që përfshihen në korrupsion dhe krim të organizuar, ata që vjedhin nga qeveria, nga populli, nga Shtetet e Bashkuara, po fillojnë të përballen me drejtësinë. Po shohim ish-ministra, njerëz të fuqishëm, anëtarë të parlamentit, oficerë policie, politikanë, drejtues të krimit të organizuar, disa njerëz të biznesit, të dalin në gjyq dhe të shkojnë në burg. Dhe kur thua se asgjë s’ka ndodhur…

Sokol Balla: Nuk e thashë këtë.

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk është e vërtetë.

Sokol Balla: Jo mjaftueshëm.

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk ka ndodhur mjaftueshëm. Jam dakord me ty. Dakord 100% për këtë. Prandaj Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin fort reformën në drejtësi. nuk do të heqim dorë sepse e dimë që populli shqiptar nuk do të heqë dorë.

Sokol Balla: Zonja ambasadore, ju më njihni edhe personalisht në këto dy – tre vjet. Dhe e dini që unë përpiqem të jem sa më objektiv që mundem. Por në këtë vend, kur vjen fjala tek reforma në drejtësi dhe tek opinionet, duket sikur ka rëndësi vetëm opinion i së djathtës, dhe i të majtës jo, jo i politikanëve, dua të them i njerëzve.

Ka njerëz nga e djathta që thonë, e dini, shumë mirë, ka ministra, deputetë, zyrtarë të lartë, ish-zëvendës ministra në burg për korrupsion. Por pastaj, kur sheh nga e djathta dhe sheh se çfarë akuzash ka pasur për këta njerëz nga e djathta në këtë dhjetëvjeçar të fundit, atyre nuk u ndodh asgjë.

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk jam dakord me ty. Mendoj se nëse sheh gamën e përgjithshme të njerëzve që janë detyruar të përballen me drejtësinë, nuk është e vërtetë. Por reealiteti është ky, që këto çështje marrin kohë për t’u ndërtuar sepse disa prej tyre janë injoruar në ndër vite dhe duhet kohë për të rindërutar çështjet, për të grumbulluar faktet.

Dhe ajo që theksojmë me të gjitha institucionet e drejtësisë është se duhet të ndjekin faktet; duhet të ndjekin ligjin; dhe duhet të japin drejtësi. Nuk i themi ndonjërit nga këto institucione se cilat çështje të ndjekin. Nuk kemi këtë detyrë. Dhe nuk kemi punë me këtë. Puna dhe detyra jonë është të themi se duhet të ketë sundim të ligjit në këtë vend; që është koha që pandëshkueshmëria të marrë fund. Dhe besojmë se reforma në drejtësi po fillon të japë rezultate. Edhe një herë, shikoni faktet. Mos u shpërqendroni nga propaganda nga të gjitha anët. Ka disa njerëz që duan që ju të beson ise reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur. Ndaj injorojnë faktet dhe thonë se asgjë s’ka ndodhur kështu që është okay të thuash se s’do ndodhë gjë.

Por faktet tregojnë një histori tjetër. Tregojnë historinë se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Tregojnë historinë e zyrtarëve të lartë të shqetësuar. Kam dëgjuar plot histori për njerëz që nuk i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër non-grata apo për ndjekje penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar. Dhe do t’iu thoja përsëri të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve: bëni punën tuaj!

Sokol Balla: Jam dakord me ju. Dhe këto po kërkojmë se, le të themi që një nga gjërat që njerëzit këtu pëlqejnë është edhe strategjia e re që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë kundër korrupsionit dy vitet e fundit. Patëm udhrat ekzekutivë nga Presidenti Biden që në fakt prekin korrupsionin ku i dhemb më shumë, tek paratë. Patëm edhe rastet e shqiptarëve që u futën në listën e zezë për këto çështje. Por, kur sheh që Shtetet e Bashkuara e kanë trajtuar çështjen e korrupsionit dhe veprimtaritë kriminale, minimin e demokracisë, veprimet tuaja kanë qenë të shpejta dhe të verbra, në kuptimin që nuk keni parë nëse është dikush nga e djathta apo nga e majta. Ka pasur zyrtarë të lartë nga e djathta dhe nga e majta të shpallur me këto akuza. Dhe, duam që kjo të ndodhë edhe me sistemin tonë të drejtësisë. Të jenë të verbër, thjesht të kapin peshqit, nëse janë në ujrat e gabuara.

Ambasadorja Yuri Kim: Kur Zv. Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar ishte këtu, pati një intervistë me ju, dhe bëri shumë të qartë në atë kohë që pritshmëria jonë është që gjyqtarët dhe prokurorët dhe hetuesit do të ndjekin faktet.

Sokol Balla: Epo, do duhet të presim faktet.

Ambasadorja Yuri Kim: Le të shohim ç’do të ndodhë.

Sokol Balla: Të shohim ç’do të ndodhë. Do presim me interes për këtë sepse gjëja tjetër është që një pjesë e mirë e opinionit publik në këtë vend është se pavarësisht se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta për shpalljen non-grata të cilitdo që ka bërë faje në këtë vend, që të çohen ku e kanë vendin, sheh që këta faktorë, jo vetëm në Shqipëri, por e sheh edhe në Bosnje, dukeet sikur fitojnë forcë politike. Duket sikur energjia negative ndaj Shteteve të Bashkuara merr terren. Gjithnjë them se nuk e besoj këtë, se duket sikur, por e dini, në politikë, perceptimi është i rëndësishëm. Nuk dua të përmend emra se e di që as juve nuk ju pëlqen, por duket sikur dikush forcohet edhe pse është vendosur në anën e errët të historisë, s’po përmend emra.

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se në Shqipëri, një nga gjërat që është më mbresëlënëse dhe ka e vyer këtu është që thuajse cilido në të gjithë vendin e kupton rëndësinë që ka marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Dhe ende nuk kam takuar një person normal këtu që të mos ia ketë idenë kësaj, apo që edhe t’i afrohet sadopak të qenit anti-amerikan. Ndonjëherë njerëzve iu pëlqen të fajësojnë të tjerët për problemet e veta. Iu pëlqen të krijojnë shpërqendrime. Mendoj se shqiptarët janë mendjeftohtë. Mendoj se kanë një ndjenjë të historisë dhe mendoj se nuk iu njihet sa duhet merita për faktin se e kuptojnë çfarë është në lojë. Kur sheh përtej Shqipërisë, kur sheh ç’po ndodh me Rusinë dhe Ukrainën, ka luftë të madhe në skenën botërore. Nuk është vetëm tek Shqipëria. Janë sfida ndaj demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe duhet të kemi guximin dhe realizimin për t’u përballur me to. E them këtë jo sepse Shtetet e Bashkuara nuk i kanë përjetuar ndonjëherë. E them pikërisht sepse e kemi përjetuar. Në vetë historinë tonë jo të largët, jemi përballur me sfida ndaj demokracisë dhe institucioneve tona demokratike.

Sokol Balla: …ende …

Ambassador Kim: Ende i hasim, por do të përballemi me to. Dhe shpresa dhe pritshmëria jonë është që një mike e aleate si Shqipëria, miq dhe aleatë si shqiptarët, do të bëjnë të njëjtën gjë. Nuk është koha për të qenë sipërfaqësorë. Nuk është koha për t’i kthyer këto marrëdhënie dhe luftën për demokraci, demokraci të vërtetë, në njëfarë shfaqjeje politike anësore. Kjo është diçka reale. Nuk ka të bëjë me individët. Ka të bëjë me historinë. Ka të bëjë me të ardhmen jo vetëm të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por të ardhmen e botës. Dhe duhet të jemi seriozë për këtë. Nuk është ndonjë episod i Big Brother, e dini, nuk është diçka ku nxjerr kokoshkat, bën komente dhe sheh kush po i bën çfarë kujt a thua se flitet për individë. Po bëhet histori në fakt dhe shqiptarët kanë një rol në këtë. Dhe shpresa e pritshmëria jonë është që populli shqiptar do të shohë faktet, do të shohë historinë e vet, do të shohin të shkuarën e tyre të dhimbshme. Do të shohin mundësitë përpara tyre sot dhe do të zgjedhin një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre. Kjo është ajo që shpresojmë dhe presim.

Sokol Balla: Po, dhe kam frikë jo vetëm këtë, por edhe do t’ju duhet të veproni më shumë sepse, ju pashë ditën kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë po zgjidhte kreun e ri të SPAK, gjërat lëvizën vetëm kur shkuat ju.

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk jam dakord për këtë.

Sokol Balla: E para, është pyetja. Dhe, nëse mund të shpjegoni diçka, çfarë ndodhi atë ditë:

Ambasadorja Yuri Kim: E shpjegova ditën kur shkova aty, sepse e di që njerëzit po tirrnin lloj-lloj teorish dhe kishte shumë keqkuptime. Përsëris, pati një përpjekje për ta paraqitur këtë si një person që ishte kundër një tjetri. Është thjesht çmenduri. Arsyeja pse ishim atje ishte arsyeja pse kemi qenë në takime të tjera si ky dhe aktivitete të tjera të ngjashme. Për të përforcuar dhe demonstruar mbështetjen e fortë të SHBA për zbatimin e reformës në drejtësi. Për t’u siguruar që secili e kupton që ne presim nga lojtarët, aktorët këtu që të ndjekin shtetin ligjor, që kur marrin vendime, duhet të marrin vendime të bazuara në ligj dhe rregulla dhe kritere, jo bazuar në frikë apo favore. Është shumë e rëndësishme që kushdo që të zgjidhej kreu i SPAK ose kushdo që zgjidhet gjyqtar apo inspektor, të gjithë këta individë në sistemin e drejtësisë, është e rëndësishme të kuptojnë, të besojnë dhe, në fakt, të vendosen në ato poste bazuar në kualifikimet e tyre, jo si rezultat i kërcënimeve a favoreve. Këtë duam të bëjmë. E di që ka shumë teori sikur Shtetet e Bashkuara favorizojnë një kandidat të caktuar apo kundër këtij apo atij personi. Të gjitha janë të rreme. Janë vërtet lajme të rreme. Synimi ynë i vetëm në çdo gjë që kemi bërë për sa i përket reformës në drejtësi është të sigurojmë zbatimin e saj në përputhje me ligjin dhe për të përforcuar kurajon e atyre që janë në pozita me përgjegjësi për të bërë punën e tyre.

Sokol Balla: Pati ndonjë frikë a shqetësim se procesi atë ditë po ndikohej politikisht apo nga kërcënime a favore?

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se për cilindo nga këto procese…

Sokol Balla: Sepse Z. Dumani, më lejoni t’ju kujtoj, ishte favorit edhe herën e parë, publiku favorizonte Z. Dumani në përgjithësi dhe pastaj, papritur, u fshi nga procesi. U botua një foto e tij me nja dy politikanë në kafe diku publike, në fakt. Dhe pastaj, u bë prapë kandidat dhe prapë kishte një frikë. Më lejoni t’ju them diçka nga burimet e mia. Nga qeveria, Z. Dumani nuk ishte i preferuari.

Ambasadorja Yuri Kim: Shiko, secili ka të drejtë të ketë opinionin e vet.

Sokol Balla: Prandaj po ju pyes juve, sepse di nga burimet e mia që Z. Dumani ishte dhe nuk ishte i favorizuari kryesor, le të themi.

Ambasadorja Yuri Kim: Epo, ke burimet e tua.

Sokol Balla: Ndaj pyes.

Ambasadorja Yuri Kim: S’mund të komentoj për këtë. Ajo që mund të them është se për Shtetet e Bashkuara, ishte shumë e rëndësishme që vendimi të merrej në përputhje me ligjin, bazuar në kritere transparente, në përputhje me një proces transparent, dhe se kushdo zgjidhej e kupton se prandaj është në atë pozicion. Dhe kjo është e gjithë historia këtu. Kjo është “real story.”

Sokol Balla: Kjo është “real story.”

Ambasadorja Yuri Kim: Kjo është “real story,” Sokol.

Sokol Balla: Okay. Të shohim nëse do të bëhet në fakt historia reale. Por, jam dakord, besoj që Z. Dumani do ta përmbushë rolin e tij. E besoj këtë. Jo thjesht e di, por e besoj se do ta përmbushë rolin e tij.

Ambasadorja Yuri Kim: Por, ishim shumë me fat në këtë zgjedhje të fundit sepse kishte tre kandidatë, të gjithë shumë të kualifikuar. Duhet të bëhej një zgjedhje dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kreu intervistate. Panë historikun e secilit, panë kualifikimet. Morën vendimin. Dujmam ta mbështesim fort Z. Dumani që nga zgjedhja e tij dhe do të vazhdojmë…

Sokol Balla: Siç bëtë me paraardhësin e tij…

Ambasadorja Yuri Kim: Siç bëmë me paraardhësin e tij dhe do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë ata prokurorë, gjyqtarë dhe inspektorë që janë në ato poste për të zbatuar reformën në drejtësi.

Sokol Balla: Zonja ambasadore, nuk po këmbëngul më tej. Doja të bëja një pyetje tjetër, nëse kishte shqetësim për ndërhyrje nga qeveria, sepse e dini, opozita pretendon se qeveria në fakt po i fut duart kudo në sistemin e ri të drejtësisë. Por ju thatë më parë që marrëdhëniet mes dy qeverive janë në nivelin më të lartë se ndonjëherë. Si është marrëdhënia juaj personale me kryeministrin?

Ambasadorja Yuri Kim: Marrëdhënia midis dy qeverive është shumë e fortë dhe pjesë e asaj marrëdhënieje është një marrëdhënie midis kreut të qeverisë dhe ambasadores amerikane. Dhe, përsëris, dua t’iu kërkoj njerëzve t’i largohen të vështruartit të këtyre marrëdhënieve si personale. Nuk janë marrëdhënie personale. Janë marrëdhënie zyrtare. Dhe ajo që mund t’ju them është se kur kryeministri dhe unë diskutojmë një çështje që është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë, i realizojmë gjërat.

Nuk mund të kërkonim partner më të mirë, qoftë në Këshillin e Sigurimit, në NATO, për çështje kritike. Për shembull, vendimi i Shqipërisë për të qenë vendi i parë që doli vullnetar për të marrë afganët që po iu iknin talibanëve, për t’iu dhënë një strehë të sigurt për pak muaj rrugës për në Shtetet e Bashkuara për një jetë të re. Është diçka shumë e respektueshme që bëri ky vend.

Ajo që është mbresëlënëse është që kryeministri e mori atë vendim si përfaqësim i plotë dhe i vërtetë i vullnetit të popullit shqiptar. Ende nuk kam takuar ndonjë shqiptar që nuk ndihet krenar, madje që nuk e sheh këtë si plotësisht normale nga ana e Shqipërisë. Ky vend nuk merr aq merita sa duhet për faktin që është i mirë, i nderuar, që është një mik që të ndihmon në moment nevoje. Dhe shpresoj që populli shqiptar e kupton se sa shumë bota i admiron dhe se sa mirënjohëse Shtetet e Bashkuara janë për atë ndihmë.

Sokol Balla: Ambasadore, e bëj këtë pyetje sepse marrëdhëniet zyrtare janë më të rëndësishmet. Por nëse edhe marrëdhëniet personale janë të mira, është si bonus. Kjo ndihmon. Ju ndihmon ju. Ndihmon edhe atë në punën e tij. Por për çudi, pati një reagim pak kohë më parë pati një reagim nga Ministria e Jashtme, një informacion, një përgjigje pa një pyetje, që fliste për ju dhe kohën e largimit tuaj nga vendi. Dhe të gjithë komentuesit, analistët, të gjithë, majtas a djathtas, bien dakord që ishte të paktën gabim. Pastaj ishte Ministrja e Jashtme. Doli dhe tha se e bëmë për t’i dhënë fund thashethemeve që qarkullonin. Ma merr mendja s’ju ka pyetur njeri në publik për këtë kështu që më vjen mirë që jam unë i pari. Si ju duk juve ajo? Keni një interpretim a shpjegim? Pati edhe fjalë se shkuat në ministri dhe folët me ministren për këtë.

Ambasadorja Yuri Kim: Shiko, Ministrja e Jashtme ka qenë në atë post për ca kohë. E njohim mirë, përfshi nga koha e saj si Ministre e Mbrojtjes. Dhe kur Qeveria e Shqipërisë nxjerr një shpjegim, marrim fjalën e tyre.

Sokol Balla: Që do të thotë?

Ambasadorja Yuri Kim: Dhanë shpjegim. Pranojmë fjalën e tyre.

Sokol Balla: Pra shpjegimin pse e thonë…

Ambasadorja Yuri Kim: Pranojmë fjalën e tyre.

Sokol Balla: Pra, i besoni?

Ambasadorja Yuri Kim: Pranojmë fjalën e tyre.

Sokol Balla: Pra i besoni?

Ambasadorja Yuri Kim: Pranojmë fjalën e tyre.

Sokol Balla: Okay. Nuk po ju pyes prapë nëse i besoni, por nëse mund t’ju pyes, kur largoheni realisht sepse thatë që keni parë 70% të vendit dhe se do donit të shihnit pjesën tjetër? Sigurisht mund ta shihni edhe më vonë. Jam i sigurt që do të ktheheni në Shqipëri si vizitore. Por a do keni kohë të shihni edhe 30% të vendit përpara se të largoheni?

Ambasadorja Yuri Kim: Nuk e di.

Sokol Balla: Po i vij rrotull pyetjes. Kur largoheni?

Ambasadorja Yuri Kim: Do doja ta dija. Shiko, normalisht nëse sheh mandatin e ambasadorëve të ndryshëm amerikanë që kanë qenë këtu, zakonisht jemi këtu për rreth tri vjet.  Por në fund varet nga vendimi i Presidentit sepse një ambasador është përfaqësues personal i Presidentit Amerikan. Dhe, varet edhe nga Senati ynë që duhet të konfirmojë atë që emërohet. Kështu që s’kam mënyrë për ta parashikuar. Gjithçka mund të them është se jam këtu për të bërë një detyrë në emër të vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj deri ditën e fundit. Dhe nuk e di se kur është ajo ditë e fundit.

Sokol Balla: Okay. Si e shihni punën që po bën vetë qeveria për të luftuar korrupsionin?

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se qeveria ka bërë kontribute shumë të rëndësishme. Reforma në drejtësi nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen dhe pjesëmarrjen e qeverisë, opozitës, drejtuesve të opinionit, medias si ju, shoqërisë civile dhe publikut në përgjithësi. Për aq sa reforma në drejtësi është zbatuar dhe ka bërë përparim, qeveria dhe kushdo tjetër që është përfshirë kanë merita. Meritojnë t’u njihet merita. Nuk mund të pretendojmë se kemi bërë përparim pavarësisht kujtdo tjetër. Nuk është e vërtetë. Nuk mjafton që Shtetet e Bashkuara apo BE apo ndonjë i huaj tjetër të mbështesë reformën në drejtësi. Ajo që ka rëndësi në fund fare është mbështetja e popullit shqiptar, institucioneve shqiptare dhe udhëheqësve shqiptarë.

Viti 2022 pati dy konferenca të rëndësishme mbi luftën kundër korrupsionit. Pati një konferencë të madhe që mirëpritën Shtetet e Bashkuara në dhjetor ku mori pjesë Ministri i Drejtësisë dhe riafirmoi përkushtimin e qeverisë së Shqipërisë ndaj luftës kundër korrupsionit. Dhe, mendoj në qershor të po atij viti, qeveria organizoi një konferencë të madhe anti-korrupsion. Unë fola aty.

Dhe ajo që thashë ishte, më duhet të supozoj, bazuar në rëndësinë dhe përmasat e asaj conference, ku mori pjesë edhe kryeministri, se qeveria vazhdon ta shohë luftën kundër korrupsionit si përparësi kyçe. Tani, nuk do të thotë se çdo gjë është e përsosur. Diçka si reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Nuk do të thotë se s’kemi për se shqetësohemi sepse u bënë nja dy konferenca. Do të thotë që iu ripërkushtuam publikisht luftës kundër korrupsionit, edhe Shtetet e Bashkuara edhe Shqipëria, dhe se duhet të vazhdojmë punën e madhe për të ecur përpara. Këtë do të thotë.

Sokol Balla: Zonja ambasadore, në 6-7 muajt e fundit, kam parë se keni mbajtur një rol më të larguar ndaj çështjeve politike të brendshme. Le të themi se 2022 filloi me vizitën e Z. Escobar dhe intervistën që më dha në Ambasadën e SHBAsi dhe paralajmërimet e drejtpërdrejta, nuk do t’i quaja kërcënime, por paralajmërime që dha ndaj zhvillimeve brenda Partisë Demokratike. Shoh që ju dhe ambasada keni pasur një rol më të larguar ndaj këtyre zhvillimeve. Është perceptim i saktë apo?

Ambasadorja Yuri Kim: Jo, e shoh ndryshe. Pozicioni i SHBA për luftën kundër korrupsionit është shumë i qartë. Siç e vutë ju në dukje më herët, Presidenti Biden nxori në qershor 2021 një vendim ku lufta kundër korrupsionit deklarohet si interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur Presidenti Amerikan thotë diçka të tillë, është serioze. Dhe pasohet nga veprime. Pjesë e kësaj janë shpalljet (non-grata) që kanë bërë Shtetet e Bashkuara. Pasi i nxjerrim ato, ne nuk vazhdojmë t’i diskutojmë dhe diskutojmë më. Elementi tjetër i gjithë kësaj është që fokusi ynë dhe besojmë edhe fokusi i popullit shqiptar duhet të jetë tek e ardhmja. Tek e ardhmja. Ku po shkoni? E dimë të gjithë se ku keni qenë. Nuk mendoj se ndokush dëshiron të kthehet pas dhe mendoj se populli shqiptar nuk duhet të lejojë askënd dhe asgjë që ta zvarrisë këtë vend pas në të shkuarën.

Duhet të lëvizim përpara. Ka një të ardhme të ndritur përpara, por duhet të lëvizim përpara për ta arritur atë. Ju kam treguar statistikat për reformën në drejtësi. Ju tregova statistikat për tregtinë. Mund t’ju tregoj statistikat edhe për marrëdhënien tonë për fushën e mbrojtjes. Së bashku, po bëjmë histori, apo jo?

Por për të lëvizur përpara, duhet t’i lëvizim të dyja këmbët përpara. Nuk mund ta lëmë njërën këmbë të ngecur tek e shkuara. Nuk mund të lëmë askënd dhe asgjë që të na zvarrisë në të shkuarën. Nuk kthehemi pas. Nuk mund të kthehemi pas. Duhet të ecim përpara. Prandaj them gjithnjë se duhet të ecim përpara. Gjithmonë bashkë, gjithmonë përpara.

Sokol Balla: Po kur ken jë nga dy partitë kryesore politike në trazim dhe të qenit në duart e së shkuarës…

Ambasadorja Yuri Kim: Ky është një vendim që partia dhe mbështetësit e saj, dhe në fund votuesit shqiptarë, duhet të marrin. Nuk mund t’i marrim ne vendimet për ta. Ne e kemi bërë shpalljen (non-grata) në përputhje me interesin tonë kombëtar. Populli shqiptar, udhëheqësit shqiptarë duhet të marrin vendimin e tyre bazuar në atë që është në interesin kombëtar të Shqipërisë. Kemi opinionin tonë dhe e kemi ofruar atë, i cili është që duhet të ecni përpara. Një nga gjërat për të cilat mendoj se të gjithë biem në një mendje është që në një demokraci, roli i opozitës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duhet të keni opozitë të v[rtetë që jo vetëm ka ide dhe udhëheqësi, por që në fakt është e aftë të fitojë zgjedhje. Kështu që, anëtarët e Partisë Demokratike duhet të mendojnë për këtë pyetje dhe do duhet të marrin vendimin e tyre.

Ne besojmë, si Shtetet e Bashkuara, që kemi një marrëdhënie shumë të veçantë me Partinë Demokratike. Kemi qenë aty që nga lindja e saj. E vetmja kohë kur ambasadori amerikan ka “ndërhyrë” në punët e brendshme, në politikën e brendshme ishte në 1990-91, ndjesë, 1992, kur paraardhësi im, Ambasadori Rajerson, në fakt bëri fushatë me Partinë Demokratike, me udhëheqësit e saj.

Sokol Balla: I keni dhënë emrin e tij rezidencës tuaj.

Ambasadorja Yuri Kim: … dhe që iu thoshte njerëzve të vototnin për Partinë Demokratike sepse ata përfaqësojnë të ardhmen. Shpresa jonë është që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen, do të jetë përsëri forca që do të jetë e aftë ta tërheqë Shqipërinë përpara, ta drejtojë përpara, jo pas.

Sokol Balla: Kjo është diçka e bukur, në fakt, dhe unë e besoj plotësisht. Por ka disa njerëz që nuk e besojnë. Dhe ironikisht, janë njerëz brenda Partisë Demokratike. Ju përmendët që ndërhyrja e vetme, në kuptimin e parë të fjalës, në politikën e brendshme nga ambasadori amerikan ka qenë në 1991-91 me Z. Rajerson. Sigurisht të gjithë ambasadorët e SHBA kanë luajtur një rol të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm, parësor, në Shqipëri. Dhe kjo ju përfshin edhe ju dhe praninë tuaj këtu. Disa thonë se në fakt ju keni ndërhyrë më shumë se duhet në politikën këtu. Personalisht, më ka pëlqyer. Disa të tjerë, jo. A e pranoni se ndoshta keni thënë ose bërë diçka që kapërceu detyrat tuaja si ambasadore amerikane këtu? Diçka që do ta korrigjoni në fazën tjetër të karrierës tuaj?

Ambasadorja Yuri Kim: Shiko, puna ime është të shërbej si përfaqësuesja personale e Presidentit Amerikan dhe, në këtë cilësi, të zbatoj dhe çoj përpara politikën e jashtme të SHBA kur vjen fjala te Shqipëria. Dhe, kur vjen fjala te Shqipëria, fokusi ynë është tek forcimi i institucioneve demokratike, tek krijimi i një situate ku më shumë biznese amerikane të mund të  investojnë në Shqipëri sepse është diçka e mirë për ne dhe është e mirë për ju. Dhe të zhvillojmë një marrëdhënie që na lejon si partnerë të jemi kontribues neto në sigurinë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe për rajonin, dhe tani, si anëtarë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për botën. Këtu është fokusi ynë. Tani, ndonjëherë njerëzit bëjnë akuza bazuar në faktin nëse iku pëlqen ajo që Shtetet e Bashkuara bëjnë apo nuk iu pëlqen ajo që Shtetet e Bashkuara bëjnë. Nëse iu pëlqn, është kontribut, nëse nuk iu pëlqen, është ndërhyrje. Por në fund të ditës, për ne, nuk është asnjëra nga këto. Jemi thjesht duke bërë punën. Unë po bëj punën time.

Sokol Balla: Dhe unë duhet vërtet t’ju falenderoj për këtë. Edhe pse subjektiv, mendoj se jeni një ambasadore e fortë, një grua e fortë, një mike e fortë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj, shumë faleminderit që ishit me mua sonte. Faleminderit.

Ambasadorja Yuri Kim: Faleminderit juve.

Sokol Balla: Kënaqësi. Dhe shpresoj të shihemi përsëri.

Ambasadorja Yuri Kim: Faleminderit.

Sokol Balla: Okay. Shkojmë në publicitet dhe kthehemi pas pak, pas kësaj interviste me Ambasadoren Yuri Kim.

K.T./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale