Intervista/ Lefter Çipa: Grekë!
Kujdes nga luani i shqipes

Intervista/ Lefter Çipa: Grekë!<br />Kujdes nga luani i shqipes
TIRANE- “Ju përshëndes, që më kujtuat që qenkam i gjallë!? Thonë se poetët kanë ëngjëllin e kombit dhe atdheut të tyre. Unë në të vërtetë kam shenjtin tim për ta, edhe për kombin edhe për atdheun. Shenjti im është Naim Frashëri. Poeti e ka shëndetin jo në kile, po në shpirt. Eshtë kjo arsyeja që nuk ka asnjë ngjashmëri mes shëndetit të poetëve dhe atij të politikanëve.

Çuditërisht, unë herë pas here bëj gjumë të rëndë. Sipër maleve të Shqipërisë bie një fyell dhe më zgjuan nga gjumi. Atje, më shfaqet Naim Frashëri dhe më flet: “Mirëmëngjes Lefter ! Më ka dërguar Zeusi të të them mirëmëngjes…!”. Sot në mëngjes më qëlloi me pëllëmbë shtiza e flamurit tim. U zgjova, i thashë faleminderit pëllëmbës që më qëlloi. Më fal moj pëllëmbë, po jam trim që nuk e pranoj pëllëmbën e dikujt tjetër. Unë jam shqiponja që fluturon nëpër qelqet e qiellit. Po jam dhe Zeusi që mos mendoni se kam fjetur gjumë! Unë zgjohem prapë dhe i shkrep vetëtimat Ballkanit dhe shemb Akropolin e Greqisë së lashtë”! L.Ç

 
-Lefter! Të urojmë në rradhë të parë shëndet! A jua kanë prishur ndopak qejfin këto ngjarjet me Greqinë?
-Jo, asnjëherë! Ato ngjarjet me Greqinë, nuk janë ngjarje, po turbullira që nuk rrojnë e nuk e mposhtin dot ngjyrën e kaltër të detit. Këtu në Himarë, është një përrua që quhet që nga kohët arbërore Korami. Nganjëherë në aq e aq dekada vërshon Korami dhe sjell nga gërxhet e brigjet e Maleve të Vetëtimës, ose siç quheshin që në kohët e Zeusit, Malet e Akrokerauneve, ose siç u themi ne bregasit, malet e Akroqeranës zhavorr e baltë malesh. Turbullira  ngjollos detin. Sa më e madhe të jetë tramundana dhe rrebeshi, aq më e madhe bëhet njolla e turbullirës në Gjirin e Spilesë. Ndodh të shtrihet thellë, po sapo bie furtuna, humbet edhe turbullira dhe vendoset mbretëria e kaltërsisë.
Kështu është edhe qejfprishja ime me turbullirat që bëjnë në Himarë ca të paguar e të blerë. Ky sua i vogël njerëzish, në kaq jetë brezash, nuk po e arrijnë dot kohën në dy shekuj, për t’u bërë grekë. Fukarallëku të çon te i ndershmi dhe i ndershmi e ndan copën e bukës më dysh për fqinjin e tij...

-Nga historia kemi mësuar se himariotët janë nga shtyllat e shqiptarizmës. Mos e kemi mësuar gabimisht historinë?
-I referohem “Baba Tomorrit”, malit më të shenjtë në Europë. Në qoftë se ka bërë gabim Baba Tomorri për Perënditë që ka lindur, do të bëj dhe unë Lefter Çipa gabim në përgjigjen time. Greqia duhet të lavdërohet për heronjtë shqiptarë. Sepse 100 vjet më përpara i kanë dhënë pavarësinë Greqisë. Patën durimin të duronin 100 vjet më mbrapa pavarësinë e vetë Shqipërisë.  Greqia duhet të na falenderojë.
Fqinjësia ka një ligj që miku të merr hakun e djalit të vetëm. E ne, shqiptarët gjithmonë kemi qenë dashamirës për fqinjësinë me Greqinë. Por Greqia të ketë kujdes të mos na pagëzojë për së dyti, se ne shqiptarët na ka pagëzuar shqipja… gjuha e përjetshme e Perëndisë sonë.

-Ju i njihni mirë ato treva. Si është e mundur që ekstremistët grekë sillen në tokën shqiptare sikur të jenë në mbledhje andartësh të kolonel Zervës?
-Pyesni ata zotërinj që shëtisin në Himarë. Kanë gra apo s’kanë? Kanë fëmijë apo s’kanë? Mos janë ata të “Agimit të artë”, që dot agim s’kanë për të parë?! Janë një turp i sotëm përballë mendjediturve të Greqisë që nga Homeri e deri te Janis Ricosi, apo Seferisi. Le të gërmojnë në gjuhën dhe këndimet e tyre mos gjejnë ëndrrat e rreme të andartëve pa zarar që bërtasin rrugëve si këlyshë nazistësh. Lehjet nëpër rrugë nuk kanë të bëjnë me qenin e zot, po me ata që dimë të gjithë.
 
-Ka shumë ndryshime emrash, nga shqiptarë në grekë. Bëhen nga halli, nga padija, apo nga qejfi?
-Zakonisht shqiptarët kanë qenë natyra  vetë. E kanë çmuar e arritur të lartën veç e veç. A nuk ishte i tillë veziri më i madh i Ballkanit, Ali PashëTepelena?!  Ai dashuroi vajzën me emrin Vasiliqi, janinjoten, e cila u duk se mori shëmbëllesën e më të bukurës në Europë. Megjithatë edhe pse ishte sadist e i pamëshirshëm për kundërshtarët dhe dinakët e tjerë kundër tij, u soll gjithë delikatesë  me Vasiliqinë, ndryshe  nga Parisi i Trojës me Helenën e Menelaut. Sepse shqiptarizmi ka një bekim nga Zoti. Kjo puna e emrave është thjesht një sjellje e njohur ballkanasish që përsëritet në mote të ndryshme, po nuk e ndryshon peshën e rëndesës si guri. Guri edhe në diell edhe në shi, edhe në lumë nuk e ndërron rëndesën dhe gurtësinë e tij.

-Nëse keni ëndërruar ndonjë herë të kishit në dorë një përgjigje ndaj “sulmeve” greke, cila do të ishte ajo?
-Po t’i gjeja eshtrat gjeneralit filogrek Spiro Milo të Himarës, do t’i digjja. La bela (probleme) për gjithë të gjallët e gënjyeshëm të visit.
-Cili është faji ynë si shqiptarë ndaj sjelljes së grekëve?

-Unë me bukë dhe ti me gurë. Gjithë gurët e tua, do t’i duroj, sepse jemi gjitonë, por nepërka ka një zakon: Mbarset me gjarprin dhe kur lind gjarpërushët e saj nuk i lind dot si mëmë po “këlyshët i ha barku”. Këta këlyshër të mos harrojnë se në majat e maleve të shqipes qëndron një luan i madh. Ky luan me putrën e tij të këmbës i varros në fund të detit që nuk u gjendet varr. Kujdes nga luani i shqipes! Në Himarë është i trashëguar miti i Kimerës me trup luani. Ta lexojmë e këndojmë drejt mitin  tonë arbëror. Grekët na e dinë këtë të shkuar, madje na e dinë mirë, aq sa e kanë brenda vetes.

-Nuk dua të besoj se kjo urrejtje që shfaqet herë pas here e ka burimin tek vetë populli grek. Ju çfarë besoni? A e mbani mend Lefter fitoren e Shqipërisë në Tiranë në futboll ndaj Greqisë 2-1? Dukej sikur shpërthyen në brohorima 10 milionë shqiptarë. Si e shpjegoni?

-Unë besoj luftën e Spartës dhe të spartanit që, edhe pse humbi, në historinë botërore fitoi. Unë i besoj pa qenë popullit. Le të përpiqemi për paqen e popujve jo për politikën e politikanëve, se luftën botës ia bien politikanët e jo popujt.

Kryqi është për të gjithë. Unë dua t’u them këtë fabul biblike. Krishtin kur e priti Moisiu në malin e tij, Moisiu i doli me bastun në dorë dhe bastunin  e ktheu në gjarpër. E ja lëshoi Krishtit nëpër këmbë dhe ia ktheu në gjarpër. Krishti ishte zbathur dhe mbronte të drejtat e fukarait. Krishti u hodh përpjetë dhe i thotë Moisiu:-“Ç’pate o biri i Zotit, pse u trembe??

-“Më hëngri gjarpri… “!-iu përgjigj i biri i Zotit.

-“Djalë, do mbërthehesh, po Vorioepirin nuk e merr dot…Se s’merret ajo që s’të përket dhe s’është e jotja “ !
Ato ndeshjet e futbollit nuk i kam ndjekur, por gëzimin e kam marrë nga brohoritjet e shumta që janë shpërndarë kudo.
 
-Jeni gjeni i vargjeve. Si do t’i këndonit Shqipërisë dhe Greqisë?
 
“Sikur të dijnë perënditë, ku ka lindur Perëndesha
Do bashkoheshin miqësitë, atje ku bashkohet jeta… !”
Këtë ka Lefter Çipa për këto dy fqinjësi që nuk ia ndërrojnë dot fatin njëra-tjetrës.

(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit