Jamarbër Malltezi dhe Taulant Balla u përballën në gjyqin për aferën e Partizanit. Kreu i grupit të PS dëshmoi për gati 3 orë, në cilësinë e kallëzuesit, ndërsa dhëndri i Sali Berishës vuri në dyshim provat dhe burimet e informacionit të përdorura në kallëzim nga Balla. Deputeti socialist deklaroi në sallën e gjyqit se kallëzimin e firmosi në cilësinë e dëshmitarit, jo me indicien e partisë, duke theksuar se si deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk mund të heshte përballë një afere privatizimi që u krye brenda 6 muajve me qëllim që të përfitonte dhëndri i kryeministrit të kohës, Sali Berisha.

Malltezi i drejtoi disa herë pyetje Ballës se ku i ka marrë informacionet dhe ky është bazuar për të depozituar kallëzimin në vitin 2020. Deputeti deklaroi se në kallëzim ka dorëzuar fakte e prova, një pjesë e të cilave janë marrë nga institucionet, në të cilat ka kërkuar informacion në cilësinë e deputetit.

Jamarbër Malltezi: A janë dorëzuar të gjitha provat bashkëngjitur kallëzimit apo jo?

Taulant Balla: Kjo ka qenë punë hetimore shumëvjeçare. Duke shfrytëzuar ligjin për statusin e deputetit kam marrë informacion nga institucione të tjera dhe ia kam bashkëngjitur kallëzimit.

Jamarbër Malltezi: Si jua kanë dhënë juve të dhënat tona personale?

Taulant Balla: Jam drejtuar institucioneve dhe ato që më janë vënë në dispozicion ia kam dorëzuar prokurorisë. Një pjesë janë marrë zyrtarisht, një pjesë nga denoncime nga qytetarë.

Ligjvënësi i PS tha më tej se shtysën për të bërë kallëzimin e mori edhe nga denoncimet e qytetarëve, por edhe të mediave, duke përmendur këtu edhe tre investigime të Shqiptarja.com .

Malltezi: Kujt publiku i referoheni?

Balla: Një ndër mediat që ka patur kontribut të të çmuar në këtë çështje është “Shqiptarja.com”

Në përfundim të dëshmisë së Ballës, Report Tv e pyeti avokatin e Berishës dhe Malltezit, Genc Gjokutajn, se ku qëndron problemi që Balla shtysën për kallëzimin e ka marrë edhe nga investigimet e Shqiptarja.com.

Gjokutaj tha se “media është një burimet më të fuqishme, problemi është se Balla ua hodhi mediave topin në gjykatë. Në kallëzimin që ka bërë në SPAK, nuk përmendet fare media si burim informacioni. Këtu është i gjithë problemi. Këta çfarë thonë sot nuk thonë nesër. Pse? Sepse çështja nuk ka fakt penal, mund të flitet për gjithçka, por për thelbin jo.”

Tre investigime të Shqiptarja.com zbuluan aferën e Privatizimit të klubit Partizani dhe se si Berisha e vuri shtetin dhe pushtetin në funksion të pasurimit të familjes së tij dhe ndërtimit të 17 kullave nga të cilat Malltezi dyshohet se përfitoi 5.4 mln euro.

Lexo këtu investigimet e plota të Report Tv dhe Shqiptarja.com për privatizimin e 'Kompleksit Partizani' nga 'klani Berisha'
INVESTIGIMI I

INVESTIGIMI II
INVESTIGIMI III