INVESTIGIMI II/ Aferat serbe të Berishës: Miliona euro në studion e familjes nga Lazareviç, të lidhur me trafiqe e parajsa fiskale, dhe tendera 120 milionë euro për serbin

Në tetor të vitit 2008 kryeministri Sali Berisha zbret në fushë beteje bashkë me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme për të bllokuar hetimet që Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë sapo ka nisur ndaj Damir Fazlliçit, mikut të tij personal, por mbi të gjitha, klientit të studios së konsulencës së vajzës së tij, Argita Berisha. Fazlliç dyshohet se ka pastruar në Shqipëri disa miliona euro me origjinë nga parajsat fiskale, por në vend që të ndihmojë hetuesit për të zbuluar të vërtetën, Sali Berisha përdor gjithë pushtetin e tij për ta fshehur atë. Berisha për të ndalur verifikimet e prokurorëve shqiptarë, propozon një hetim ndërkombëtar, natyrisht, duke e pasur të qartë se nuk do të ishte e mundur të bëhej.   

Historia e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç përfaqëson një nga skandalet e para politiko-afariste që përfshijnë familjen e Sali Berishës pas kthimit në pushtet. Edhe pse ishte një nga pak skandalet e denoncuara nga mediat dhe të hetuara nga prokuroria, vazhdon të përfaqësojë edhe sot modelin e një pushteti të sëmurë dhe të pandëshkuar që Sali Berisha krijoi rreth klanit të tij familjar.   

Lideri i Partisë Demokratike që kishte fituar zgjedhjet e 26 qershorit 2005 me sloganin “Koha për ndryshim”, jo vetëm që nuk e ndryshoi Shqipërinë, por e zhyti vendin në një kënetë korrupsioni dhe nepotizmi në të gjitha nivelet e Shtetit. Zgjedhësit votuan Partinë Demokratike, por bashkë me Sali Berishën, në pushtet erdhi dhe familja e tij. Pak muaj pasi u zgjodh kryeministër, vajza e tij Argita Malltezi u kthye në Shqipëri nga Prishtina duke lënë pas një punë 6 vjeçare të mirëpaguar në Misionin e OKB-së, UNMIK, për të hapur një kompani ligjore në Tiranë. Bashkë me të kthehet edhe bashkëshorti, Jamarbër Malltezi. Edhe vëllai i saj, Shkëlzen Berisha zbulon talentin e ekspertit dhe hap si e motra një studio ligjore, që çuditërisht e mbyll të njëjtën ditë që babi i tij lë qeverinë, në shtator të 2013. Të gjithë së bashku krijojnë në pak muaj një klan pushteti nepotik, në të cilin ftohet të bëhet pjesë edhe Lulzim Basha (edhe ai i kthyer prej pak kohësh nga Kosova dhe miku i ngushtë i Argita Berishes) që merr me vete dhe kunatin Erion Isufi. Një grup politiko-afarist me mijëra tentakula që falë mbështetjes së Sali Berishës do të dominojë i qetë dhe i pandëshkuar deri në humbjet zgjedhore të 2013-s, dhe që sot, me të njëjtën formë dhe me të njëjtët njerëz, ëndërron të kthehet në pushtet.   

Redaksia investigative e Report TV, për herë të parë, rindërton një pjesë të aferave të familjes Berisha dhe të skemës klienteliste të ndërtuar përreth Argita Berishës dhe studios së shoqes së saj Flutura Kola, që funksiononte si ombrellë për të fshehur favoret që Sali Berisha u garantonte klientëve miliarderë të vajzës së tij.

INVESTIGIM 1/ DAMIR FAZLIÇ PER AFERAT E TIJ KONTRAKTON ARGITA BERISHEN DHE KUNATIN E LULZIM BASHËS

Vetëm një vit pas kthimit të tij në qeverisje, nis të piqet një nga skandalet më të mëdha që përfshin qeverinë e udhëhequr nga Partia Demokratike dhe që prek drejtpërdrejtë Argitën dhe bashkëshortin e saj, Jamarbër Malltezi, pra familjen e kryeministrit. Në vitin 2006 një afarist misterioz boshnjak, Damir Fazlliç, mik dhe këshilltar i Sali Berishës në fushatën zgjedhore 2005, kërkon konsulencën e Argita Berishës për një aferë në dukje të thjeshtë: Kërkon të blejë toka në zonën e Porto Romanos, pranë fshatit Rinia, ku synon të ndërtojë një depozitë karburantesh. 

Mes tetorit dhe nëntorit 2006, siç ka treguar vete Flutura Kola në prokurori, Argita i prezanton Damir Fazlliçin, për t’i besuar formalisht detyrën studios legale “Kola & Associati” pas së cilës fshihet Argita Berisha

Studio “Malltezi & Associati”, që Argita Berisha as nuk e ka regjistruar ndonjëherë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe studio “Kola & Associati”, kanë në fakt të njëjtën adresë dhe deri të njëjtin numër telefoni.  

Në pjesën e parë të këtij investigimi treguam se si dhjetëra klientë që kalonin nga studio e konsulencës  së vajzës së kryeministrit dhe të shoqes së saj, derdhnin në bankë qindra mijëra euro nën formën e konsulencës, duke marrë si këmbim favoret e Sali Berishës. Por aferat miliardere të Damir Fazlliçit bëhen të gjitha në para në dorë që vijnë nga parajsat fiskale, një skemë e përdorur prej kohësh në të gjithë botën si metodë korrupsioni dhe pastrimi parash, pasi ka avantazhin e madh që nuk lë gjurmë.    

Siç tregojnë këto dokumente, Flutura Kola, edhe pa e njohur kurrë Damir Fazlliçin para se t’ia prezantonte Argita Berisha, merr prej tij menjëherë aksesin total në llogarinë e tij bankare personale nga e cila, nga shkurti deri në dhjetor 2007 tërheq shumën 2.195.000 euro: janë të gjitha euro të prejardhura nga shoqëri off-shore që ajo i përdor si para cash. "Ato para’ përdoren për të paguar pronarët e tokave në Porto Romano” i tregon ajo prokurorit  i cili në tetori 2008 heton Damir Fazlliçin për pastrim parash para se të detyrohej më pas, nga presionet e forta të qeverisë së Sali Berishës, t’i mbyllte hetimet. Prokuroria dyshon se paratë që Damir Fazlliç merr në llogarinë e tij personale dhe jo në llogarinë e një shoqërie, janë para të pista të ricikluara përmes shoqërive të regjistruara në parajsa fiskale. Një shqetësim që nuk alarmon aspak kryeministrin e vendit dhe as Argita Berishën që bashkë me bashkëshortin Jamarbër Malltezi, siç do të shohim madje, arkëton një pjesë të atyre parave.      

Për transfertat me origjinë të dyshimtë, është i informuar edhe Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës, administrator i 3 nga 4 shoqëritë e hapura nga Damir Fazlliç në Shqipëri mes 2005 dhe 2006, përfshi edhe Croën Acquisition, që bëhet pronare e pjesës më të madhe të pronave të blera nga Damir Fazlliç në Porto Romano. Edhe Erion Isufi përdor dhjetëra mijëra euro në cash duke i tërhequr nga llogaria e shoqërive të Fazlliçit ose duke i arkëtuar në llogarinë e tij personale. Një procedurë e ndjekur rregullisht edhe nga Flutura Kola.     

Në atë kohë Lulzim Basha ka detyrën e Ministrit të Transportit Telekomunikacionit dhe Punëve Publike nga e cila kalon shumica e parave të dedikuara për tenderat e qeverisë. Edhe Lulzim Basha deri në 2005 ka punuar në Kosovë bashkë me Argita Berishën, edhe ai vendos, siç bëri dhe ajo që la pagën e pasur të Gjykatës Ndërkombëtare, të rikthehet në atdhe e të udhëheqë fushatën zgjedhore në krah të Sali Berishës duke u bërë krahu i tij i djathtë. Pikërisht në këtë kohë Lulzim Basha njihet me Damir Fazlliç. Afaristi boshnjak  e konsideron si një mik të dashur deri në atë pikë që punëson kunatin e tij Erion Isufi si administrator të shoqërive të tij.  

Damir Falliç në Tetor 2008

"Po gjatë qëndrimit tim këtu në kohën e fushatës së Partisë Demokratike miku im Sali më prezantoi me shumë të rinj të mrekullueshëm që ishin kthyer nga çdo pjesë e botës, nga shkolla shumë të mira për tu bërë pjesë e kësaj. Kam kaluar shumë kohë me thuajse të gjithë anëtarët e KOP-it. Si për shembull me Lulin apo me z. Basha.

Çfarë marrëdhënie keni me z. Basha?

Do të thosha që është ministër shumë i Zoti. Padyshim është mik i mirë. Kur e njoha ishte kryetar i KOP-it.

Nuk besoj që Basha të ketë qenë kryetar i KOP-it, mbase binte më shumë se të tjerët në sy?

Ndoshta më është fiksuar gabim por është një djalë i mrekullueshëm me një familje të mrekullueshme. Bashkë me të shoqen kishin punë shumë të mirë jashtë Tirane por i braktisën të gjithë dhe u kthyen këtu sepse ai pa, ashtu si edhe unë, te Berisha dëshirën për t'i trazuar gjërat, për ta ndryshuar këtë vend.

Thatë se z. Basha e keni mik. Atëherë si ka mundësi që kunati i tij, z. Erion Isufi është administrator i 3 prej 4 kompanive që ju keni në Shqipëri? A është ky një konflikt interesi?

Unë e bazoj biznesin mbi besimin. Erionin e njoha në vitin 2005 dhe i kërkova...

Në tryezën e z. Basha?

Nuk më kujtohet por kuptohet që nëpërmjet tij.

 

INVESTIGIM/ MILIONA EURO TE ARDHURA NE SHQIPERI NGA KOMPANIA SERBE OFF-SHORE DHE TERHEQUR NGA SHOQJA E ARGITES

Fondet që kalojnë në llogarinë personale të Damir Fazlliçit, nga e cila Flutura Kola tërheq 2.195.000 euro, siç tregojnë këto dokumente bankare, vijnë të gjitha nga 2 shoqëri off shore me seli në Qipro: transferta e parë bëhet me 2 shkurt 2007 nga shoqëria Pluto International, që derdh 1.099.975 euro. Në korrik 2007 e njëjta shoqëri derdh 99.925 euro dhe në dhjetor derdh 299.925 euro. Në total 1.500.000 euro që Flutura Kola i tërheq menjëherë cash sapo banka sinjalizon mbërritjen e atyre parave në llogarinë e Fazlliçit.    

Mes 28 dhe 31 gushtit 2007 mbërrijnë dy transferta të tjera për një total prej 950.000 euro, këtë herë të derdhura nga shoqëria Irongold services Limited edhe kjo rezidente në një parajsë fiskale, dhe edhe këto euro tërhiqen menjëherë nga Flutura Kola.  

Kompania Pluto International dhe Irongold services janë pjesë e një serie kompanish guacka mbrapa të cilave fshihet afaristi serbo-malazez Vojin Lazareviç emri i të cilit është i lidhur me shumë afera të errëta të vendit ballkanas. Pozicioni i Lazareviç si ortak i Pluto International zbulohet nga ky dokument rus ku listohen aksionistët e bankës Euroaksi që Sllobodan Milloshevic hapi në 1994 në Moskë për të ruajtur sasitë e mëdha të parave me qëllimin për t’i shpëtuar nga embargo ndërkombëtare.

Ndërsa ortake e Irongold services rezulton kompania qipriote Altaria research që ka zyrtarisht si pronare dy kompani të tjera guacka qipriote, Avomar Limited dhe Amerito Limited, të dyja të përmendura në dokumentet e Panama Papers si kompani të dyshimta.

 Është pikërisht Altaria research një tjetër kompania pas së cilës fshihet Vojin Lazareviç që manovron shumë afera në Shqipëri duke përdorur Damir Fazliç, Argita Berishën dhe ortaken e saj Flutura Kola.

Në intervistën e vetme dhënë një televizioni shqiptar në tetor 2008, Fazliç deklaroi se shoqëria Altaria është e tija.   

"Në fakt një prej kompanive të mia dhe në lidhje me të dëgjova se ka pasur shumë keqkuptime në media, është Croën Acquisition. Është ende pronë e imja. Ajo kompani është shitur në rrugë ligjore për 1.7 milionë euro një kompanie qipriote që quajtur Altaria research Limited që është po prona ime", thoshte ai.

Fazlliçi në atë intervistë gënjen pse siç e pranon vete ai në një intervistë të mëpasshme bërë gazetarëve të BIRN, do të saktësojë se ai dhe Lazareviçi janë ortakë me 50%, po ndoshta gënjen prapë sepse, me shumë gjasa, pronari i vetëm i Altaria është Vojin Lazareviç. Është pikërisht Altaria Reserch që më 9 korrik 2007 blen për 1.750.000 euro Croën Acquisition, administrator i së cilës është kunati i Lulzim Bashës dhe që ndërkohë është bërë pronare e disa hektarëve truall të blerë në Porto Romano. Përse Vojin Lazareviç në fillim derdh nëpërmjet kompanisë se tij Pluto  1.245.000 euro Damir Fazlliçit për të blerë tokat në Porto Romano dhe pastaj i paguan sërish Fazlliçit 1.750.000 euro të tjera për të blerë shoqërinë, që ndërkohë është bërë pronare e atyre tokave të blera me paratë e tij? Pra, përse i paguan tokat dy herë? Çfarë fshihet pas kësaj xhiroje të dyshimtë kapitalesh të ardhura nga parajsat fiskale që, pasi tërhiqen nga banka, shndërrohen në një mal me para’ cash? Kush i arkëton në të vërtetë 1.750.000 eurot, të cilave i zhduken gjurmët?  

Shpjegimi mund të jetë në duart e Argita Berishës dhe të Lulzim Bashës: në fakt, përfaqësuese e Altaria Reserch në Shqipëri është përsëri Flutura Kola, ortakja e Argita Berishës e cila delegohet nga shoqëria Altaria për të firmosur aktin e blerjes së shoqërisë Croën Acquisition. Ndërsa administrator i Croën Acquisition është Erion Isufi, kunati i liderit aktual të Partisë Demokratike. Çuditërisht Isufi ka dhënë dorëheqjen duke u larguar nga pozicioni i administratorit te Croën Acquisitions pikërisht pak dite para operacionit te blerjes se dyshimte me 1.7 milion euro. Ai me sa duket e njeh prapavijën e ndotur të operacionit dhe nuk dëshiron të bëhet pis. Po pse nuk e denoncon atëherë?

Altaria Research nëpërmjet Irongold services blen edhe një tjetër kompani të Damir Fazliç, Alpha shpk, e financuar nga vetë Irongold me 950.000 euro, shumë e përdorur cash për të blerë toka nga Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola, ndërkohë që kompania iu rible pastaj bashkë me pronat e patundshme për 1.250.000 euro, pra duke derdhur një vlerë shtesë prej 300.000 euro. Kujt i shkon ky shpërblim tjetër?

Një lumë parash cash prej 4.500.000 euro me origjinë të paqartë, i financuar nga serbi Vojin Lazareviç dhe administruar nga i njëjti grup njerëzish i lidhur me të njëjtin klan mbrapa të cilit qëndron gjithmonë Sali Berisha, kryeministri i vendit.   

INVESTIGIM / SI JAMARBRI DHE ARGITA MANIPULOJNË FSHATARËT E PORTO ROMANOS DUKE UA BLERË TOKAT ME GJYSMËN E VLERËS

Report TV vëzhgoi dhjetëra kontrata për blerjen e tokave në Porto Romano të kthyera në pronë të Damir Fazlliçit dhe të paguara gjithnjë me para në dorë. Nga kontratat e vëzhguara nga redaksia jonë investigative, Fazlliç, përmes Croën Acquisition, del se ka blerë direkt nga fshatarët e zonës rreth 60.000 metra katrorë tokë arë, duke e paguar 18 euro për metër katror. Sipërfaqja që i duhet është shumë më e madhe ama, por siç Flutura Kola i shpjegon prokurorit që e merr në pyetje me 18 dhjetor 2008, pjesa më e madhe e tokave që ndodhen në Parkun Energjetik dhe ku është e mundur të ndërtohet depozita e gazit dhe nafte që Fazlliçi ka ndërmend të realizojë, janë tashmë të shitura. Afaristi boshnjak në këtë pikë vendos të blejë toka edhe jashtë perimetrit të parkut energjetik të Porto Romanos. Në këtë moment hyjnë në skenë bashkëshortët e Argita Berishës dhe Flutura Kolës, Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola. Ata blejnë tokat duke gënjyer fshatarët e zonës, të cilëve ua blejnë tokën vetëm 1200 lekë për metër katror (në atë kohë rreth 9 euro) duke e ditur se mund t’ja shisnin Fazlliçit me dyfishin e çmimit.     

Siç shihet në këtë kontratë për shembull, Jamarbër Malltezi me 23.07.2007 blen nga familja Matmuja 6512 metra katrorë tokë arë tek fshati Rinia që e paguan 7.814.000 lekë të reja, që janë baras me 58.500 euro. Janë njerëz të thjeshtë, një prej tyre nuk di as të shkruajë dhe në fakt e firmos kontratën e shitjes për dhëndrin e kryeministrit me gjurmën e gishtit. Është një mashtrim autentik, sepse Jamarbër Malltezi e ka gati blerësin, të gatshëm të paguajë dyfishin. Në fakt më 11 shtator 2007 ia rishet të njëjtën tokë prej 6512 metra katrorë Damir Fazlliçit, duke arkëtuar 117.2016 euro, pra dyfishin e shumës që i ka paguar familjes Matmuja. Në kontratën e shitjes është dhe firma e Argita Berishës, totalisht bashkëpunëtore e mashtrimit. Në më pak se 48 ditë e bija dhe dhëndri i kryeministrit fitojnë në kurriz të një familje analfabetësh 60.000 euro. Dhe sigurisht që ky nuk është i vetmi rast.    

Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola e përsërisin të njëjtin mashtrim shumë herë të tjera atë verë të artë të 2007, duke blerë toka nga fshatarët dhe nga pensionistët me 9 euro për metër katror dhe duke ja shitur menjëherë Damir Fazlliçit me 18 euro. Në total janë 50.000 mijë metra katrorë. Të gjitha transaksionet me kompaninë e Fazlliçit u përfunduan me 11 shtator 2007 në studion e të njëjtës notere të Durrësit, Merita Isufaj. Një spekulim pa asnjë rrezik dhe i organizuar mirë, i luajtur në kurriz të njerëzve të varfër, falë të cilëve familjet Berisha-Malltezi-Kola fitojnë në dy muaj 445.000 euro në para cash. Ku ka përfunduar ky fitim që as Argita Berisha dhe as Jamarbër Malltezi nuk kanë deklaruar ndonjëherë?   

Nga kontratat e blerjes së tokave të nënshkruar me fshatarë të fshatit Rinia në verën e 2007 është dokumentuar fakti që Jarmarbër Malltezi dhe Argita Berisha kanë paguar cash një shumë të paktën prej 115.363 euro për të blerë një total prej 12.800 metra katrorë tokë arë. Por ku e kanë gjetur këtë shumë parash nëse vetëm 9 muaj përpara, pra në tetor 2006, Argita Berisha gjatë një interviste me Tv Klan, deklaroi që ajo dhe bashkëshorti i saj kishin gjendje në bankë vetëm 39.500 dollar dhe 2.000 euro?   

INVESTIGIM / SI BERISHA FAVORIZON FAZLIÇIN ME VKM PËR PORTO ROMANON DHE BLLOKOI PROKURORINË QË PO E HETONTE PER PASTRIM PARASH

Përse Damir Fazlliç pranoi të paguante tokën me 18 euro metri katror, duke dhuruar në këtë mënyrë Argita Berisha dhe Flutura Kola më shumë se 400.000 euro, duke pasur mundësinë të blinte tokat direkt me 9 euro nga familjet që ishin të gatshme ta pranonin atë çmim?  

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet të bëjmë një hap pas. Në vitin 2001 qeveria socialiste, vendosi te ngrihej në zonën e Porto Romanos, pikërisht pranë fshatit Rinia, një park energjetik mbi një sipërfaqe 54 hektarë, dhe kërkesa e parë e Fazlliçit ishte për të blerë disa hektarë tokë pikërisht brenda perimetrit të parkut energjetik. Por tokat e lira ishin mbaruar dhe kështu Fazlliç nis të blejë edhe jashtë perimetrit të parkut duke i kërkuar ndihmë Argita Berishës që dërgon të shoqin në fushën e gjuetisë për pensionistë që ishin të gatshëm të shesin.

Familja Berisha blen toka jashtë parkut Energjetik, duke e ditur se mund të mbështeteshin edhe këtë herë në ndihmën dhe ndërhyrjen e baba Sali Berishës. Nga dita që Fazlliç blen tokat nga Jamarbër Malltezi kalojnë vetëm shtatë muaj. Më 23 prill 2008 Sali Berisha firmos VKM me numrin 703 me të cilën aprovon studimin “Zhvillim i integruar (në sinergji) i zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos, Durrës, infrastruktura dhe konturet e saj”. Praktikisht Sali Berisha ndryshon perimetrin e Parkut Energjetik që nga 54 hektarët e aprovuar në 2001 e shtrihet në një sipërfaqe prej 801 hektarësh, duke përfshirë natyrisht edhe tokat e blera nga Fazlliç. Siç shihet nga kjo planimetri, Berisha fut në plan pikërisht në tokat e blera nga miku boshnjak parashikimin e ndërtimit të një depozite karburanti dhe të një termocentrali, duke ia shtuar vlerën. Janë mesa duket të njëjtat toka që Argita Berisha u përpoq t’ja shiste biznesmenit pakistanez Ansar Alzar, i cili po projektonte të ndërtonte në Porto Romano një termocentral e nga i cili ajo kishte pretenduar një pagesë si konsulencë nga 1.5 në 3 milionë euro, duke e detyruar të dorëzohet.

Me 2 tetor 2008 Damir Fazlliç ndalohet nga forcat speciale të Sarajevos, në Bosnjë, pasi u kap në shoqërinë e Naser Oriç, një ish komandant i ushtrisë boshnjake i dënuar për krime lufte nga gjykata e Hagës. Fotoja e tij me pranga del dhe në mediat shqiptare duke ndezur një rrebesh politik. Opozita socialiste denoncon publikisht aferat e Damir Fazlliçit me familjen Berisha dhe Prokuroria e Përgjithshme e drejtuar nga Ina Rama vendos të nisë hetimet për pastrim parash.    

Reagimi i Berishës është një shpërthim i menjëhershëm: kërkon të ndalojë me çdo kusht hetimet që mund të kërcënojnë edhe familjen e tij dhe urdhëron Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme të ndërhyjnë me çdo mjet. Aldo Bumçi dhe Bujar Nishani, që janë krerët e dy dikastereve, ndërhyjnë.       

Prokurorët që hetojnë Damir Fazlliçin kërkojnë ta marrin në pyetje, por ai ka dalë me kohë jashtë vendit. Ata u kapen ne befasi kur me 9 tetor 2008 me urdhër të Sali Berishës, Fazlliç mbërrin në Tiranë me një avion privat për pak orë, me të vetmin qëllim për të dhënë një intervistë televizive që ta shfajësojë dhe që në të njëjtën kohë të mbrojë qeverinë. Prokurorët e zbulojnë kur Fazlliç ishte tashmë në rrugën e kthimit drejt aeroportit të Rinasit, gati për t’u larguar nga Shqipëria me nxitim. Urdhërojnë policinë kufitare me telefon që ta ndalojnë, por policia e shoqëron Fazlliçin deri tek pista dhe nuk e zbaton urdhrin e prokuroreve, duke e lënë Fazlliçin të fluturojë i lirë. 

Një skenar identik me atë që do të përsëritej 3 vite më pas, kur të nesërmen e vrasjeve të 21 janarit 2011, policia do të refuzojë të zbatojë urdhrat e arrestit të prokurorisë së përgjithshme për oficerët e gardës të akuzuar për vrasjen e 4 protestuesve të opozitës.    

Ministria e Brendshme, në vend që të kërkojë ndjesë, hidhet në sulm duke akuzuar Prokurorinë se po vepronte në mënyrë të jashtëligjshme duke kërkuar përmes telefonit shoqërimin e Fazlliçit. I gjithë Shteti u vu në mbrojtje të tij.

"Policia e Shtetit në çdo rast dhe në çdo rrethanë do të zbatojë vetëm urdhrat me shkrim që nuk bien ndesh me Kushtetutën e këtij vendi. Në rastin konkret nga ana e prokurorëve përkatës është synuar përdorimi i policisë për krijimin e një skandali të madh ndërkombëtar me këtë shtetas të huaj. Gjithashtu sqarojmë këtu se Ministria e Brendshëm ka nisur një hetim të plotë për të vendosur para përgjegjësisë ata që mendojnë se mund të ndalojnë me telefon qytetarët e huaj në këtë vend. Kjo ministri do të kërkojë ndjekjen penale të 2 prokurorëve që i kanë lejuar vetes një akt të tillë në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, shkelje të hapur të Kodit të Procedurës Penale që përcakton qartë se kur një person shoqërohet dhe në shkelje të hapur të ligjit për të huajt", thoshte zëdhënësi i ministrisë në atë periudhë.

Ja kabllogrami i dërguar nga ambasadori amerikan në Tiranë:   

“Duke filluar nga 10 Tetori 2008 dhe duke vazhduar gjatë fundjavës, Kryeministri Berisha dhe Ministria e Drejtësisë filluan një fushatë të re për të frikësuar dhe penguar punën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.  Më 13 tetor Berisha mbajti një konferencë shtypi të zemëruar, të rrëmbyeshëm, në të cilën ai mbrojti Fazlliçin dhe akuzoi Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për punën kundër Fazliçit me urdhër të 'mafies'. WITHERS” 

Sa herë Sali Berisha është në vështirësi, etiketon kundërshtarin e tij si mafioz, një taktikë që përdor prej vitit 1992 dhe që e vazhdon ta bëjë edhe sot. Ambasadori amerikan Ëithers tashmë e njeh dhe nuk informon vetëm Departamentin e Drejtësisë mbi atë që po ndodh, por proteston edhe publikisht kundër presioneve të qeverisë ndaj prokurorisë. Reagon dhe Bashkimi Europian, por Sali Berisha nuk ndalet pasi nuk toleron që dikush të pengojë aferat e familjes së tij dhe miqve të tij. Dhe në fund fiton ai. Në maj 2009 hetimi i prokurorisë kundër Damir Fazlliçit arkivohet, dhe Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi as nuk merren në pyetje. Për familjen Berisha dhe për Fazlliçin rruga është e shtruar për të vazhduar aferat e tyre, tashmë të sigurt të imunitetit total.   

Pas zgjerimit të kufijve të parkut në favor të Damir Fazllicit, Sali Berisha rikthehet të merret me bizneset e familjes dhe firmos në favor të Crown Acquisitions edhe lejen e ndërtimit për depozitën e karburantit në Porto Romano. Përfitimet tashmë nuk janë vetëm të Damir Fazllicit, por kryesisht të ortakut të tij okult Vojin Lazarevic, që ndërkohë është bërë pronar i tokat duke blere Crown Acquisitions dhe Alpha shpk dhe duke paguar ne total mbi 4.5 milionë euro, pjesa e të cilës shumë askush nuk i ka gjetur, dhe askush nuk ka kuptuar se në cilat xhepa realisht kanë përfunduar.   

INVESTIGIM / DAMIR FAZLLIÇ ËSHTË VETËM FASADA MBRAPA TË CILIT FSHIHET BIZNESMENI I DYSHIMTË SERB VOJIN LAZAREVIÇ

Për hir të vërtetës edhe të gjithë paratë e tjera të arkëtuara nga Argita dhe Jamarbër Malltezi, të ortakes së saj Flutura Kola bashkë me të shoqin Florenc dhe para të manaxhuar nga Damir Fazlliç, vijnë nga i njëjti burim: Vojin Lazareviç. Serbo-malazezi deri tani ka paguar për të gjithë, duke transferuar në Shqipëri të paktën 4.5 milionë euro përmes shoqërive të tij off-shore Pluto International, Irongold dhe Altaria ndërsa Damir Fazlliçi thjesht i shpërndau. Por, në këmbim të ç’ gjëje Lazareviçi pagoi? Këtu hapet një tjetër kapitull i kësaj afere gjigante në të cilën mbeten në qendër gjithnjë Sali Berisha, klani i tij familjar dhe qeveria e tij.

Në 2010 Altaria Reserch themelon në Shqipëri një shoqëri tjetër: quhet Rudnap Energy Albania dhe është e lidhur me grupin serb Rudnap në pronësi të vetë Vojin Lazareviç. Në intervistën e tij të 9 tetorit 2008 Fazlliç mohon kategorikisht çdo lidhje me shoqërinë Rudnap: 

Pjesë nga intervista e Fazlliç në vitin 2008:

Po ju bëj një pyetje, ju thatë që nuk mund të gjendet asnjë copë letre që ju keni marrë pjesë në tendera publikë. Por në media shkruhet se jeni partner për Rudnap, një kompani që i shet energji KESH, madje ka pasur një kontratë prej 34 milionë euro. Një kompani serbe.

E përsëris nuk ka asnjë shkresë, asgjë që të vërtetojë se...,

A e njihni ju këtë kompani?

Po është shoqëri shumë e madhe

A jeni ju ortak me këtë kompani?

Jo.

A keni ju ndonjë bashkëpunim me të?

Jo.

A jeni i sigurt?

Vdes për këtë pyetje. Jam shumë i sigurt, padiskutim.

Pra, Damir Fazllicç në intervistën e tij gënjen përsëri sepse qëllimi e tij është t'i mohojë lidhjet e tij direkte me Lazareviçin, një marrëdhënie që në fakt është e dokumentuar. Ky është akti i themelimit të shoqërisë Poligraf Invest Limited, e regjistruar në Qipro në qershor 2007, pra në të njëjtët muaj kur Fazlliç punon në Shqipëri me vajzën e Sali Berishës. Edhe pse janë përpjekur të fshehin identitetin e tyre duke përdorur shoqërive guacka, ky dokument tregon se në Poligraf Invest, Fazlliç dhe Lazareviç janë ortakë me 50%. Drejtoreshë e Poligraf është Janula Markantoni e pranishme edhe në Altaria Reserch si përfaqësuese e firmës “Skysec Secretarial Limited”, gjithnjë me seli në Qipro, e përmendur në disa raporte ndërkombëtare si e lidhur me trafikun e armëve nga Europa  Lindore drejt Afrikës. Dhe kjo lidh mikun dhe familja e kryeministrit edhe me botën okulte të tregtisë së armëve.  

Pikërisht përmes Poligraf Invest, Fazlliç dhe Lazareviç janë ortakë edhe të 45% të PETROL SLOVENIA TIRANA ËHOLESALE, një tjetër shoqëri e ngritur në Shqipëri me 6 korrik 2007 me një kapital 2 milionë euro. Edhe në këtë rast ka një rol ortakja e Argita Berishës, Flutura Kola, që merr nga Poligraf një prokurë me fuqi të plota për të regjistruar shoqërinë.  

 Studio ligjore e Argita Berishës dhe Flutura Kolës bëhet në këtë mënyrë mjeti për të kontrolluar faktikisht të gjitha aktivitetet që Fazlliç dhe Lazaraviç zhvillojnë në Shqipëri. Kjo marrëdhënie kaq e ngushtë nga një anë shpjegon mburojën mbrojtëse që Sali Berisha ka ngritur përreth gjithë aferave të Damir Fazlliçit dhe Vojin Lazareviçit dhe nga ana tjetër shpjegon lumin e miliona eurove të parave publike që siç do të shikojmë, të dy arrijnë të arkëtojnë në Shqipëri.    

Damir Fazlliç dhe ortaku i tij Vojin Lazareviç, në fakt, përmes familjes së Sali Berishës duan të realizojnë në Shqipëri të njëjtin plan të zbatuar në pjesën tjetër të Ballkanit. Hapi i parë ishte Porto Romano, ku blejnë toka të përfshira më pas nga Berisha në parkun energjetik mbi të cilat do të ndërtohet depozita e karburanteve. Hapi i dytë është kafshata akoma më e madhe: tregu shqiptar i energjisë elektrike që vlen mbi 100 milionë euro në vit.       

Po kush është në të vërtetë Vojin Lazareviç, të cilit Berisha përgatitet t’i hapë arkat e Shtetit?   

E përjavshmja investigative kroate “Nacional” e përshkruan si “një shembull klasik të një kontrabandieri të madh ballkanas të viteve ’90 , që fillon të pasurohet falë kontrabandës së naftës dhe të cigareve në Serbi dhe Mal të Zi, duke mbrojtur operacionet e tij me financime të mëdha ndaj kriminelëve të luftës si Zeljko Raznjatoviç i njohur si Arkan, Vojislav Sheshel dhe Radovan Karaxhiç. Janë të njëjtat vite kur edhe Sali Berisha bashkë me shoqërinë “Shqiponja” të themeluar nga Partia Demokratike, do të thyejë embargon ndërkombëtare të vendosur kundër ish Jugosllavisë, duke bërë kontrabandë drejt Malit të Zi me naftën e destinuar për armatën e Millosheviçit që sulmonte shqiptarët e Kosovës. Kushedi nëse blerësit e asaj nafte te Berishës përtej kufirit, nuk ishin pikërisht firmat e Lazareviçit.   

Gjatë viteve ’90 CIA amerikane dhe BND gjermane, shkruan po Nacional, kanë hetuar mbi rolin e Lazareviçit dhe të shoqërisë së tij Rudnap në marrëdhëniet e Millosheviçit me Libinë dhe Iranin.   

Siç dëshmon ky dokument, mes aksionistëve të bankës Euroaksi shfaqet dhe shoqëria Pluto International që në 2007 transferoi në Shqipëri qindra mijëra euro, të tërhequra cash nga ortakja e Argita Berishës për të blerë toka në Porto Romano për llogari të Damir Fazlliçit. Kur Vojin Lazareviç lëshohet në “pushtimin” e Shqipërisë, RUDNAP dominon tregun e energjisë elektrike në Ballkan, siç e tregon ai vetë në këtë intervistë të rrallë: 

“Rudnap është kompani të cilën e kemi blerë para ca vitesh në të cilën ka mbi 1 mijë e 300 të punësuar, në sektorin e inxhinierisë mekanike , minierave si dhe tregtinë me energjinë elektrike. Planet tona në nivel rajonal gjithsesi janë në drejtim të zmadhimit  rritjes së portofolit të tregtisë si në Bosnjë e Hercegovinë ashtu dhe në vendet e tjera të rajonit. Po, në një darkë ku Damir Fazliç dhe Tom Ridge ishin gjithashtu të pranishëm ne folëm për industrinë e armëve. Nuk kam pranuar se kam bashkëpunuar  me Arkanin, po e di se disa kompani se ishin të afërta me të kanë blerë derivate nga firmat e mia”   

INVESTIGIM / JA SI BERISHA I HAP SERBIT LAZAREVIÇ, KLIENTIT TË ARGITËS, TREGUN E ENERGJISË ELEKTRIKE: FITON MBI 120 MILIONË EURO VETËM NË 2 VITE

Akuzat dhe dyshimet që rëndojnë mbi Vojin Lazareviçin ama nuk skandalizojnë Sali Berishën dhe as vajzën e tij. E përjavshmja kroate “Nacional” thotë edhe se është bërë një takim sekret në Moskë në 2007 mes Sali Berishës dhe Vojin Lazareviçit, me të ngjarë i negociuar nga Damir Fazlliç, pikërisht për të bërë një marrëveshje mbi furnizimin me energji elektrike nga ana e Rudnapit serb. Janë të njëjtët muaj kur paratë e Lazareviçit fillojnë të vijnë në Shqipëri përmes shoqërive të tij off-shore për të ushqyer investimet në të cilat merr pjesë dhe përfiton drejtpërdrejtë ose indirekt Argita Berisha dhe bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi. Nuk ka provë që takimi me Berishën të jetë bërë me të vërtetë, por është e provuar se pikërisht në 2007 Rudnap Serbia e Vojin Lazareviçit fillon të fitojë tendera në Shqipëri me KESH për furnizimin me energji elektrike.    

Sipas një raporti të dorëzuar në parlamentin shqiptar nga ish-drejtori i KESH Gjergj Bojaxhiu, Rudnap Serbia, papritur zëvendëson në tregun shqiptar shumë furnizues ndërkombëtarë  dhe lokalë që kishin punuar me qeverinë deri në vitin 2006 dhe fiton pjesët më të mëdha të tenderave. Sipas portalit Energja.al që ka publikuar të dhënat, mes shkurtit dhe dhjetorit 2007 Rudnap Serbia fiton tendera me KESH për një vlerë 33 milionë dhe 800.000 euro dhe deri në fund të 2008 vlera e shitjeve rritet deri në 106 milionë euro. Nga 2012 fillon ti shesë drejtpërdrejtë KESH-it edhe Rudnap Albania dhe sipas bilanceve të saj vetëm në atë vit ka arkëtuar 12 milionë euro të tjera, që i shtohen garave të fituara nga RUDNAP Serbia drejtpërdrejtë. Falë Berishës, nga 2007 deri në 2013, tregu i energjisë elektrike shqiptare përfundon gati i gjithi në duart e shoqërisë serbe.    

Damir Fazlliçi, klient i privilegjuar i Argita Berishës dhe mik i ngushtë i babait të saj kryeministër, është sekseri i padiskutueshëm mes qeverisë shqiptare dhe afaristëve të ndryshëm që falë këtyre marrëdhënieve arkëtojnë nga Shqipëria një lumë parash publike, në një konflikt të dukshëm e shumë të rëndë interesi mbi të cilin Sali Berisha nuk ka dhënë kurrë llogari.    

Edhe ky investigim po tregon me prova dhe dokumente që Sali Berisha, ndërsa predikon moral për të gjithë, mbetet simboli i një pushteti të sëmurë dhe të pandëshkuar, i bazuar në korrupsion dhe nepotizëm. Bashkë me Lulzim Bashën që me gjithë vitet që ikin ka mbetur krahu i tij i djathtë,  sot pretendon të kthehet në qeveri me çdo kusht, me të njëjtët klani e djeshëm dhe me qëllimin për të vazhduar në pikën në të cilën pat lënë aferat miliardere, që për vite me radhe kanë pasuruar klanin e tij familjar dhe varfëruar pjesën tjetër të vendit.   

Investigimi 1Gjithë vendimet e firmosura nga Saliu për klientët e Argitës

Lexo këtu edhe investigimet për privatizimin e 'Kompleksit Partizani' nga 'klani Berisha'
INVESTIGIMI I

INVESTIGIMI II
INVESTIGIMI III

/a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • GOLI: 30/03/2021 15:46

    SIMBAS SHENINIT BEHET FJALE PER VEPRA ARMIQESORE....!!!....Ç'PRET SIGURIMI I SHTETIT?.....OSE I ÇIK JANE GJERA: FLIT ASHTU SIÇ TE THEM QE MOS TE FLASIN QE TE KAM THENE.

    Përgjigju
  • Labi: 30/03/2021 15:35

    Tmerr. Monstra

    Përgjigju
  • TemO: 28/03/2021 23:09

    SB është agjent i Sërbisë,Greqisë,Rusisë,Frances,(Hollandës me Lulin)FBI..në 4 kontinente.Ndaj nuk ikën nga politika...edhe nuk e lënë ata që u shërben. Vetëm zoti e ndal Sb.

    Përgjigju
    • Arbëri: 31/03/2021 03:09

      As ky i sotit nuk është më i mirë përpos edhe më i keq se plaku ! Mjer Shqipëria që e dirigjon Serbia o mjera !

  • O tej: 28/03/2021 22:38

    Familja Berisha familje gjarperinjsh

    Përgjigju
    • Ben: 28/03/2021 23:22

      Vreses gjakpires jane Berishajt

  • vlora: 28/03/2021 20:36

    Cdo prokuror ne bote do e enderonte nje investigim te tille ta studionte,ta thellonte dhe te ngrinte akuze.Kjo do ishte kulmi i karjeres,po sic duket ketu prokuroret i ka tredhur Saliu dhe i zene te dridhurat ti qasen familjes se tij

    Përgjigju
    • vlora 2: 28/03/2021 23:12

      po o vlora po ky i ka tredh prokuroret kush guxon te merret me te. ca lodheni kot aman lerini te merren me ndonje ndertim pa leje apo ti bien ne qafe ndonje pa krahe se vetem atyre dine ti hakerrohen se ketyre aha.....

    • Pjeter: 28/03/2021 21:50

      Per zotin ç'do prokuror ne bote,edhe nga ata me frikacaket ne bote,do ta enderronte ti binin ne dore gjithe keto fakte.

  • Arbëri: 28/03/2021 20:21

    Shtet pa pushtet, shtet privat si para 30 viteve si sot e njejta gjë!

    Përgjigju
  • Endri: 28/03/2021 19:30

    Çirrjani masken qelbesirave se po mundohen te na hedhin hi syve se Lyli na qenka njeriu i duhur per KM!!! Ushtari i bindur i SB perveçse nje hajdut dhe mashtrues i paskrupullt. Mbi te gjitha, mjafton qe SPAK te ndjeke me vemendje te gjithe elementet e dhena ne keto investigime qe ka bere Shqiptarja per te hapur nje çeshtje te forte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tabaku takohet me kryeparlamentaren e Çekisë: Mbështetje Shqipërisë për Integrimin Europian, luftë kundër ndikimeve të huaja, përfshi ato ruse

Tabaku takohet me kryeparlamentaren e Çekisë: Mbështetje Shqipërisë për Integrimin Europian, luftë kundër ndikimeve të huaja, përfshi ato ruse