Pavarësisht dorës së hekurt të qeverisë për zbatimin e masave kufizuese të aplikuara prej pandemisë së koronaviruesit, duket se ka ende disa të “shkathët” që po manovrojnë për të përfituar sa më shumë në këtë situatë.

Gjatë një investigimi nga ana e Report TV kemi konstatuar se një prej picerive të pakta që aktualisht po punojnë ne Tiranë ka rritur çmimet  si dhe shet produktin e saj pas orës 13:00 në dyqan dhe jo vetëm me 'deliveri', një shkelje tjetër kjo e masave kufizuese. Punonjësi i picerisë pohon rritjen e çmimit 100-200 lekë për picë, duke e justifikuar atë me blerjen e maskave e dezifektimin e ambientit.

"Kemi një ndryshim në çmimet e picave, ka gati pesë ditë që janë rritur për shkak të masave që duhet të marrim si pjesë e dezinfektimit të shpeshtë dhe pjesën e stafit në bazë të maskave dhe dorezave, prandaj na ka ndodhur kjo pjesë e ndryshimit të çmimeve të gjitha picave. Porosinë e keni gati për 10-15 minuta mund të vini ta merrni te Proper's te stadiumi Dinamo" tha punonjësi i picerisë.

Veç çmimit të rritur kjo piceri kryen edhe një shkelje tjetër të rregullave duke mbajtur dyqanin hapur për publikun edhe pas orës 13:00. Akti-normativ i qeverisë i lejon bizneset e ushqimit që të vazhdojnë punën për përgatitjen e tyre apo edhe për shitje me 'deliveri' por jo të shesin produktet e tyre direkt e në dyqane për qytetarët.

Report Tv sjell pamjet kur qytetari hyn në ambientet e dyqanit ku i ofrohet pica dhe kryen pagesën në orën 13:58 çka vërtetohet nga kuponi tatimore që i jepet nga personeli. Qeveria ka vendosur gjoba të larta për shkelësit e masave kundër pandemisë së koronavirusit, por duket se ka ende disa nga ata që e konsiderojnë veten mbi ligjin duke tentuar të përfitojnë në dëm të bashkëqytetarëve në këtë situatë të vështirë që ata po kalojnë.