Investimet, BSH: Flukset e investimeve direkte, 21.1% më pak në fund të shtatorit

Investimet, BSH: Flukset e investimeve direkte, 21.1% më pak në fund të shtatorit

Flukset neto të Investimeve Direkte janë pakësuar me rreth 21.1% në terma vjetorë. Ndikimi kryesor në këtë drejtim buron nga flukset e sektorit energjetik, ku mbizotërojnë projektet e mëdha. Këto projekte janë tashmë në fazat përfundimtare të ndërtimit dhe pakësimi i flukseve prej tyre është i pritshëm. Në këtë konkluzion arrin një analizë e publikuar nga Banka e Shqipërisë, mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018. Sipas studimit, pakësimi i flukseve të Investimeve Direkte ka ndikuar edhe raportin e këtyre të fundit ndaj deficitit korrent. Për tremujorin në analizë, flukset neto të investimeve direkte financuan rreth 183.4% të deficitit të regjistruar korrent. Por ky raport ishte 54.9 pikë përqindje më i ulët se në të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Investimet

Çështja e investimeve të huaja ka qenë një “patate e nxehtë” gjatë viteve të fundit, pikërisht për shkak se disa nga investimet shumëvjeçare, si gazsjellësi TAP dhe HEC-et mbi Devoll janë drejt përfundimit dhe nuk duket në horizont ndonjë vepër tjetër me përmasa të tilla. Këto ditë u mësua edhe për një projekligj, që ende nuk është miratuar në qeveri, por që është hedhur për diskutim me grupet e interesit, i cili ka të bëjë me synimin për të krijuar një institucion të ri, detyra e të cilit është të menaxhojë pronat e shtetit nëpërmjet projekteve me interes kombëtar. Korporata e Investimeve Shqiptare parashikohet që të krijohet si shoqëri tregtare, me pronar shtetin, por ku edhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit mund të zotërojnë aksione. Objekti i veprimtarisë së Korporatës është, sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve.

Sipas këtij drafti, kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata. Me transferim kuptohet kalimi i të drejtës së përdorimit dhe/ose i të drejtës së pronësisë të pronave shtetërore nga pushteti qendror ose vendor tek Korporata.

Nisma e qeverisë për të krijuar një korporatë shtetërore investimesh është pritur me skepticizëm nga ekspertët. Pika më e debatueshme e draftit është se, edhe pse do të jetë shtetërore, korporata e investimeve nuk do t’i bindet ligjit të prokurimeve publike, por do të qeveriset si një kompani private.

Llogaritë

Lidhur me pakësimin e investimeve po vërehet edhe një fenomen tjetër, konstaton BSH. Pozicioni neto i llogarisë korrente regjistroi një deficit prej 146.4 milionë eurosh në tremujorin e tretë të vitit 2018, duke u zgjeruar me rreth 2.6% në terma vjetorë. Sipas BSH, ndikimi kryesor në zgjerimin e deficitit korrent ka buruar nga rritja e të ardhurave që dalin nga vendi të lidhura me investimet direkte. Megjithatë, deficiti korrent u vlerësua në nivelin 4.5% ndaj PBB-së nominale, ose 0.4 pikë përqindjeje më i ulët se i njëjti tremujor i një viti më parë. Kjo, pasi, nga ana tjetër, eksportet e mallrave dhe të shërbimeve shënuan rritje prej rreth 11.6% në terma vjetorë, ndikuar në masë të madhe nga zgjerimi vjetor i eksportit të shërbimeve me 8.4%. Rritja e eksporteve të kësaj kategorie është përcaktuar në masë të gjerë nga zgjerimi i shërbimeve të udhëtimit (ardhja e turistëve) me rreth 16.2%. Në të njëjtën kohë, një rritje e lartë është konstatuar edhe në rastin e mallrave. Zgjerimi në terma vjetorë shënoi 27.9%.

Gjithsesi, shqiptarët duket se nuk heqin dorë nga udhëtimet jashtë vendit, çka e tregon rritja e importit të shërbimeve me rreth 14.3%. Sikurse në rastin e eksportit, edhe në rastin e importit të shërbimeve, rritja është përcaktuar nga zgjerimi i shpejtë i shërbimeve dalëse të udhëtimit (rritja vjetore shënoi 19.4%). Paralelisht, rritja e importit të mallrave shënoi vlerën 4%.

Bilanci i përgjithshëm i pagesave rezultoi me një shtim të mjeteve të rezervës me rreth 154.8 milionë euro. Stoku i rezervës valutore është në gjendje të mbulojë 6.5 muaj import mallrash dhe shërbimesh, ose 160% të borxhit të jashtëm afatshkurtër bruto, në fund të tremujorit të tretë të vitit 2018. Në fund të muajit shtator 2018, stoku i rezervës valutore ishte rreth 3.1 miliardë euro. Ndërkohë, rritja vjetore e remitancave (prurjeve valutore të emigrantëve) neto shënoi vetëm 2.6%, një shifër tejet minimale.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen