Veshja e fasadës së pallatit të kompleksit ‘Arlis’ te Farmacia 10 në kryeqytet që u dogj pasditen e së martës, është me material plastik e të ndaluar. Inxhinieri Gëzim Beqja, i cili në studion e “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv mori në duar një copë të djegur të fasadës, tha se fasadës i është vendosur ky material që nuk lejohet në ndërtimin e pallateve.
“Ky produkt ndahet në 2 kategori, ato që janë 100% metalike, me alumin dhe janë të pranueshme për t’i futur në fasadë dhe ato që kanë përbërje plastike. Kjo është absolutisht e ndaluar. Kjo e thith më shumë sesa duhet zjarrin”, tha inxhinieri.
Drejtori i Zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, tha se materiali i fasadës bëri të mundur përhapjen e flakëve teksa theksoi se këto materiale nuk duhet të përdoren.
“Zjarri është nga faktorë të jashtëm. Shpërndarja e zjarrit është bërë nga fasada. Këto materiale s’duhet të përdoren në objektet e ndërtimit, sidomos në objektet shumëkatëshe sepse kemi parë që janë me pasoja katastrofike”, tha Goxhaj.
Ai nënvizoi se ligji ka përcaktuar qartazi standardet dhe në këtë pikë, “shteti ka larë duart në kuptimin e mirë.” Problemi është se që në themel, nuk janë plotësuar kushtet e sigurisë.
Arkitekti Artan Kacani, i cili ndodhej në lidhje direkte, e shpjegoi fasadën si një ambalazh që shet me çmim të lartë metrin katror të një ndërtese. Ai shtoi se në rastin konkret, materialet e ndërtimit s’kanë bërë të mundur vetëfrenimin e zjarrit.
“Në momentin e parë që zjarri ndodh, duhet që parametrat e ndërtimit të bëjnë të mundur që zjarri të fragmentohet. Për sa kohë zjarri nuk është fragmentuar, materialet e ndërtimit s’kanë pasur mënyra, një sistem që të vetëfrenojë zjarrin, kemi mungesë të standardeve”, tha Kacani.
Teksa bëri thirrje për ngritjen e një Urdhri të Inxhinierëve dhe heqjen e sistemit të licencimit, Beqja tha se mund të bëhet fjalë për të paktën 70% të godinave që ndërtohen me materiale jo cilësore që mund të përbëjnë rrezik sigurie. Ai shpjegoi se materialet e ndërtimit duhet të përmbushin 3 kritere.
“Elementin e vetëshuarjes. Çdo produkt duhet të bëhet pjesë e sistemit dhe të vetëshuhet. Duhet që tymi që nxjerr çdo produkt i vendosur në fasadë të mos jetë toksik. Ka norma për këtë. Pika e materialit kur digjet, sot shkenca ka bërë që edhe po shkriu pika, nuk ka zjarr”, u shpreh inxhinieri.
Arkitekti Kacani tha se ndërtimi vertikalisht po dëmton urbanistikën dhe po i kthen lagjet e qyteteve në oxhaqe zjarri.
“Ne jemi duke maksimizuar shitjet, jemi duke përdorur parcelat me intensitet 10 që do të thotë se 10 herë sipërfaqja e tokës po ndërtohet në vertikalitet. Kjo është e papranueshme në urbanistikën standarde dhe kodet urbane. Zakonisht intensiteti varion në 3, 4 apo 5 maksimumi, por jo 10. Kjo gjë ka tjetërsuar ventilimin e qytetit duke i kthyer lagjet në oxhak zjarri”, përfundoi Kacani.
Në një lidhje direkte me “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, drejtori i Zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, tha se materiali i fasadës bëri të mundur përhapjen e flakëve që përfshinë pallatin e ‘Arlis’ në Tiranë. Ai theksoi se këto materiale nuk duhet të përdoren.
“Zjarri është nga faktorë të jashtëm. Shpërndarja e zjarrit është bërë nga fasada. Këto materiale s’duhet të përdoren në objektet e ndërtimit, sidomos në objektet shumëkatëshe sepse kemi parë që janë me pasoja katastrofike”, tha Goxhaj.
Materiali i fasadës, shpjegoi Goxhaj, kishte poshtë saj lesh guri. Pikërisht me një material të tillë duhet të ishte veshur edhe fasada për të shmangur zjarrin.
“Poshtë kësaj fasade të karbontë që transmeton zjarrin, kishte lesh guri. Leshi i gurit në çdo lloj temperature, nuk digjet. Po të shikoni ato pjesë që rrëzohen nga tarraca, ishin pikërisht këto pjesë dhe të padëmtuara fare nga zjarri. Ashtu siç ka vënë leshin e gurit ndërtuesi, duhet të vinte edhe fasadën finalizuese që mos të ishte përçuese e vatrës së zjarrit”, shpjegoi Goxhaj.
Por ndërsa pallati i ‘Arlis’ u përfshi nga katet e para deri në ato të sipërme, arkitekti Artan Kacani tha se garazhet e mbyllura e të nëndhenshme janë ‘bombë me sahat.”
“Në Shqipëri ka shumë garazhe që në katet përdhe janë projektuar të hapur dhe vetë banorët i kanë mbyllur. Kjo është një bombë me sahat”, tha Kacani.
Komente








