RIAD, Arabia Saudite - Simone Inzaghi nuk pendohet që u largua nga Interi për të vijuar karrierën në Arabinë Saudite. Trajneri i lindur në Piacenza po shijon jetën e tij të re në drejtimin e Al Hilal, duke e quajtur atë "parajsë". Por kjo javë ka një aromë të veçantë për të.
Kalendari ka diktuar që ish-ekipi i tij, Interi, do të jetë në Riad (për Superkupën e Italisë), vetëm pak kilometra larg selisë së klubit arab, duke e bërë të mundur dhe madje të mundshme një takim në nder të kohërave të kaluara.
Inzaghi, i cili u largua nga Milano pas humbjes së dhimbshme 5-0 në finalen e Champions League kundër PSG-së, ka bërë hapin e parë, sipas La Gazzetta dello Sport.
Trajneri kontaktoi personalisht drejtuesit e zikaltërve me qëllimin për të vendosur 'një paqe', për të përshëndetur miqtë e vjetër dhe për të sqaruar hesapet me të kaluarën pas muajsh heshtjeje. Interi do të qëndrojë në 'Four Seasons' brenda Kingdom Center, rreth njëzet kilometra larg Inzaghit. Nga ajo që është zbuluar, kushtet për një takim ballë për ballë janë të gjitha aty (Al Hilal nuk luan deri më 22 dhjetor), megjithëse takimi pritet të zhvillohet në një vend neutral dhe jo në hotelin e ekipit milanez.
Ndërsa pret të përqafojë të kaluarën e tij, Inzaghi po shijon një të tashme luksoze. Me një pagë neto vjetore prej 25 milionë eurosh, trajneri jeton në një kompleks luksoz të pajisur me çdo komoditet, së bashku me familjen dhe stafin e tij. Në fushë, këto janë rezultatet, nga njëra anë, 13 fitore radhazi dhe vendi i parë në grupin e Ligës së Kampionëve të Azisë, nga ana tjetër, ndjekja e Al Nassr të Cristiano Ronaldos, liderëve të kampionatit vendas.
"Është parajsë këtu, unë jam në parajsë. Askush nuk dëshiron të largohet. Kam fituar 13 ndeshje radhazi, nuk po relaksohem", rrëfen trajneri ndërsa largohet nga qendra stërvitore, ku ndiqet nga tifozët për një 'selfie', së bashku me yjet e ekipit (nga Milinkovic-Savic te Cancelo).
Komente







