Irakli Koçollari: Ali Pasha ishte bërë
gati për krijimin e një shteti shqipta

Irakli Koçollari: Ali Pasha ishte bërë <br />gati për krijimin e një shteti shqipta
TIRANE- Në shkrimin   Dosjet e Sigurimit nuk zhdukenJanë në katër kopje! dje në Shqiptarja.com botuam pjesën e parë apo ekstraktet bazë nga intervista me ish-kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe njëkohësisht, ekspertin e studiuesin e njohur, Dr. Irakli Koçollari. Ai u ndal kryesisht tek çështja e dosjeve të ish-Sigurimit, legjenda “Kim Filbi”, si dhe fillimet e pasionit të tij për historinë, ndërsa punonte për përfaqësinë shqiptare në Athinë, në vitet ’80-’90. Në numrin e sotëm, po botojmë vijimin e intervistës së tij, ku z. Koçollari përqendrohet thellësisht në çështjet e historisë e më konkretisht tek Ali Pashë Tepelena, duke na zbuluar detaje mjaft interesante rreth politikave të Pashait të Madh, në lidhje me krijimin e shtetit shqiptar dhe marrëdhëniet e tij me rusët, francezët dhe anglezët, por edhe me thashethemet rreth homoseksualitetit të Pashait të Madh, duke e përjashtuar atë kategorikisht si një fakt të vërtetuar. Rrëfen më pas edhe se ç’kishte ndodhur me kokën e famshme të Ali Pashës pas ekspozimit në Stamboll dhe se çfarë mendon se duhet bërë sot me të. Duke u zhvendosur më pas disi nga roli i tij prej studiuesi, z. Koçollari kalon në aktualitet dhe shpreh edhe mendimin e tij në lidhje me deklaratat e krerëve të “Agimit të Artë”, duke tërhequr vëmendjen edhe të opinionit publik e atij mediatik, që atyre të mos u jepet më kurrfarë rëndësie.
* * *
Ju keni botuar një sërë librash, për ajo që mendoj se mbetet një botim i veçantë, është ky i fundit mbi Ali Pashë Tepelenën. Çfarë është kjo dosje me 4 mijë dokumente?

Ky është një libër që del tani, dhe kam afërsisht 3 vjet që punoj. Ne nuk kemi pasur shumë dokumentacione të vjetra, sepse dokumentacioni ynë filloi atëherë kur filloi edhe shqipja të shkruhej. Ç’lidhet para kësaj, është ajo që u përket dokumentacioneve të huaja dhe arkivave të tyre. Për herë të parë pas 200 vjetësh, grekët publikuan dokumente personale të Ali Pashës dhe të stafit të tij. Këto dokumente janë greqisht.

Pra të dhënat e mëparshme se Ali Pasha nuk dinte të shkruante rezultojnë të pavërteta?

Këto janë naivitete, sepse ai dinte shkrim dhe këndim: osmanishten, greqishten dhe dinte të lexonte edhe italishten. Sigurisht që të parën kishte gjuhën e nënës, shqipen, e cila në atë kohë nuk shkruhej. Ai shkroi në greqisht edhe pse vendet nën Perandorinë e Otomane shkruanin në osmanishte. Kjo ka një domethënie shumë të madhe, sepse ai ka një komunikim me Carin e Rusisë dhe mes tyre ka një marrëveshje shumë interesante.

Për cilin vit bëhet fjalë?


Qershor 1791, dhe unë e kam këtë dokument. Ky dokument është bërë i njohur nga një akademik rus, Grigori As, nga arkivat ruse.

Çfarë ishte kjo platformë nga Ali Pasha për krijimin e një shteti shqiptar?


Kjo është një projektmarrëveshje dypalëshe mes Rusisë dhe Ali Pashës. Rusia këtu kishte interesat e saj dhe në rrethanat kur Aliu shikon se ishte e interesuar, dhe Rusia mendoi ta shfrytëzonte atë për një interes madhor: shkëputjen nga Perandoria Osmane. Është një platformë me nëntë pika.

A do të quhej shteti Shqipëri?

Nuk bëhet fjalë për këtë, por ai thotë se interesi i tij ishte të shkëputej, por nuk mund ta bënte këtë fare lehtë, pasi vetëm tre vjet kishte në krye të pashallëkut dhe e dinte cila ishte fuqia e tij para asaj superfuqie. Ai kërkon nga Rusia reparte ushtarake të zgjedhura për t’i pasur në mbështetje, deri sa të bënte spastrimin e ushtarakëve osmanë me ushtarakët e tij shqiptarë. Në këtë platformë flet edhe për shkrimin ku thotë se do të hiqte osmanishten dhe do të vendoste shqipen, pasi ajo gjuhë flitej. E në fakt, që nga ajo kohë, administrata e tij shkruan në greqisht. Ka të dhëna të plota se Ali Pasha, shumë çështje të besuara, i shkruante në shqip me gërma greke. Ishte koha kur Bonaporti kishte nisur invazionin e tij drejt Europës, ndaj po shkonin edhe drejt Ballkanit. Por ata e dinin se në Ballkan ishte dhe Aliu, ndaj e ndjenin rrezikun e goditjes nga ushtria e tij. Pikërisht në këtë moment vjen edhe interesi i britanikëve për Ali Pashë. Gjatë kësaj periudhe shihen edhe dokumentet e para të britanikëve për Shqipërinë dhe Ali Pashën, të cilat më parë nuk njiheshin. Anglezët dërgojnë për herë parë një misionar, Xhon Morier, i cili flet për Shqipërinë dhe Çamërinë. Dokumenti për Çamërinë flet për popullsinë, territorin, kulturën dhe dokumentet datojnë në vitin 1801.. dhe është dokumenti i parë dhe i plotë për këtë vend. Pas kësaj, Morier ka informacione të tjera mbi territorin, sepse ishin të interesuar se ku mund të zbarkonin francezët dhe si do t’i priste ushtria vendase. Anglezët në të këtë kohë tregojnë interes për Ali Pashën, edhe vetë mbreti anglez së bashku me kryeministrin dërgon një agjent fare të ri, Uilliam Martin Lik, i cili dërgon raporte të rëndësishme për Ali Pashën. Mes tyre gjejmë edhe se si ndryshon mendimi i Ali Pashës për shtetin shqiptar. Ministri anglez dërgon Lik për të kuptuar se cili ishte mendimi i Ali Pashës në lidhje me invazionin francez dhe a ishte i gatshëm ai të ndalonte francezët, duke u mbështetur me armatime edhe nga anglezët dhe çdo të bënte ai nëse për një moment Turqia do të dobësonte pozitat e saj, për shkak të krizës që po kalonte. Pas takimit me Lik, i cili është i pasqyruar me detaje, Ali Pasha thotë: “Unë jam përgatitur dhe i kam marrë të gjitha masat që në një moment të caktuar, unë të shkëputem dhe të shpall pavarësinë e atdheut tim”. Këto kanë qenë fjalë për fjalë ato që ka thënë Aliu të pasqyruara në faksimilet e Lik, të shkruara në anglisht.

Ku do të shtrihej ky shtet?

Në periudhën në të cilën flasim, pra rreth viteve 1806-1807, Aliu ka qenë në kulmin e pushtetit dhe shtrirjes së tij. Në këtë shtrirje territoresh përfshiheshin, nga Elbasani, pra si veri kishte Shkumbinin dhe më pas në Ohër, deri në afërsi të Manastirit, gjithë territoret e Maqedonisë së sotme, deri në afërsi të Selanikut më pas në Thesali, Magnezi e Peloponez, pa përfshirë këtu Athinën, edhe pse në atë kohë nuk ishte ende një qytet, por një fshat i banuar nga arvanitasit.

Pra, të gjitha këto ishin territoret në qeverisjen e Ali Pashës, por si do të funksiononte ky shtet?


Në dokumentat britanike thuhet se ai do të krijonte shtetin e tij të pavarur, pra “indipendet Albania” shkruhet në to. Por Lik e pyet sërish: “Ju kërkoni të krijoni një shtet të pavarur, por a e dini se kufizoheni nga dy pashallëqet e tjera shqiptare? Ata si do të reagonin?”. Ali Pasha jep një përgjigje shumë të mençur, duke thënë: “Unë kam biseduar edhe me ata të dy dhe ne kemi rënë dakord që të krijojmë një shtet të përbashkët me të gjitha pashallëqet, madje bashkë edhe me ne të tre, pra Shkodrës, Beratit dhe Janinës, do të bashkohet edhe Selim Pasha i Seresit”. Seresi është një qytet në Greqi dhe unë nuk e e kam ditur që edhe ai ishte shqiptar.

E si do të bashkoheshin këta, pasi kjo nuk është diçka e lehtë?

Më lejoni t’ju them ato që Lik ka raportuar për Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm britanik. Pas kësaj përgjigje të Ali Pashës, Lik  hap një pjesë të veçantë në dokument dhe thotë: “Zoti Kaning, kjo më kujton të njëjtin qëndrim që ka mbajtur Pashai i Beratit një vit e gjysmë më parë, informacion të cilin e keni”. Kjo më hap derën mua dhe të tjerëve që merren me këto çështje, që të kërkojnë më shumë në arkivat britanikë.

Përse nuk u formua ky shtet, çfarë e pengoi?

Ka shumë faktorë, por do të them një më të rëndësishmin që e thotë një analist britanik, që për mua është racional. Xhon Begëlli është një studiues, i cili ka bërë një analizë për Pashallëkun e Janinës. Në 1818, Ali Pasha “de facto” e kishte krijuar shkëputjen nga Perandoria Osmane, sepse ai nuk i paguante më taksa apo t’i dërgonte trupa ushtarake, dhe pikërisht në këtë kohë, ai i kërkon ndihmë konkrete Britanisë për të thyer trupat osmane. Ndaj Begëlli thotë këtë: “Ai do të kishte krijuar “de facto” shtetin shqiptar, nëse Anglia, qoftë edhe pak do ta kishte ndihmuar. Por Anglia, e nisur nga interesa edhe më të mëdha, sepse në Turqi erdhi një sulltan i fuqishëm, i cili krizën që kishte shpërthyer e rimëkëmbi dhe kjo ishte në interesin e Anglisë, pasi e shihte më mirë që të mbështetej tek kjo fuqi më e madhe, sesa tek Ali Pasha”. Pra unë po citoj ato çka thotë ky studiues anglez dhe në fakt, kjo është e vërtetë. Ali Pashës iu ofrua më pas mbrojtje e tij dhe pasurisë që ai kishte nga britanikët, por nuk pranoi dhe luftoi me forcat turke edhe për gati 1 vit e nëntë muaj, deri sa vdiq dhe i prenë kokën.

Ka një element aktual në lidhje me këtë çështje, sepse kryeministri Sali Berisha, ka  kërkuar kthimin e kokës nga Stambolli dhe rivarrimin në Janinë?


Personalisht jam që të merret koka. Kam qenë në atë varr dhe e di ku është ekzaktësisht, ku ndodhet ai varr së bashku me dy djemtë e Ali Pashës dhe nipin e tij. Koka e tij është transportuar nga Janina për në Stamboll, e mbajtur nën dëborë dhe ajo u ekspozua për sulltanin dhe diplomatët e huaj. Si zakon ishte që koka e atyre që kishin prerë në besë Perandorinë u lihej qenve ta shqyenin, por në kohën kur mbaruan ditët e ekspozimit të kokës, një dervish, mik i familjes së Ali Pashës, ka shkuar dhe ia ka kërkuar për ta varrosur.

Cili është roli i shkrimtarit të njohur francez, Pukëvil në përshkrimin e figurës së Ali Pashës?


Pukëvili ishte konsull dhe agjent i Perandorit Bonapart, madje ai ishte edhe një ndër organizatorët deri në përmbysjen dhe vrasjen e Ali Pashës dhe këto i kam të vërtetuara në dokumente të ndryshme për Pukëvilin.

Përse thonin që Ali Pasha qëndronte me Bonapartin si tigri me luanin?

Këtë e thotë Hygo, i cili ka parë vlerat dhe antivlerat e të dy figurave dhe nëse citoj me saktë, ai thotë: “Ali Pasha rri përballë Bonapartit, si pantera me luanin, ata ngjajnë me njëri-tjetrin si dy pika uji, sepse të dy e filluan karrierën nga hiçi dhe u ngjitën deri në majat e perandorëve. Të dy ngritën në hierarkinë e perandorisë, fisin e tyre. Gjithashtu, edhe Bonaparti, edhe Ali Pasha ngritën perandori, por ky i dyti ngriti perandori brenda perandorisë”.
Si ishte raporti i Ali Pashës me gruan e tij, Vasiliqinë, sa vjeç ishte Pashai kur u martua me këtë vajzë të re?
Ali Pasha ishte rreth të 60-ve, ndërsa ajo ishte 16 vjeç, pra diferenca e tyre ishte rreth 40 vite.

Ç’ishte kjo dashuri, pasi të tilla diferenca përbëjnë lajm edhe sot?

Në atë kohë, Ali Pashës i kishte vdekur gruaja e tij e parë. Ndërkohë që ishte duke shkuar në një fshat të Çamërisë për një aksion policor në  kohën që bëhen arrestime, shkëputet një vajzë, e cila kishte lidhje të afërta me të arrestuarit. Kjo ishte Vasiliqia, një vajzë shqiptare ortodokse, e cila mbiemrin e vajzërisë e ka Kondakçi. Vasiliqia i shkon Pashait dhe i kërkon që ai të falë një nga të arrestuarit. Një autor francez dhe një tregtar venedikas e përshkruajnë këtë moment më mirë. Kur Aliu e pyet se çfarë lidhje kishte me personin që kërkonte të falej, Vasiliqia ndërron temë dhe si e magjepsur i thotë: “Qenke shumë i bukur, Pasha!”.

A ishte Vasiliqia pika më e dobët e Ali Pashait?

Është e vërtetë që ajo ka qenë një pikë e dobët për Pashain, por ai nuk ka gabuar duke iu përkushtuar asaj pa fund, sepse vetë Vasiliqia ka qenë shumë e përkushtuar ndaj Pashait dhe e tregoi atë deri pas vdekjes së tij, duke mos u martuar kurrë më.

A është e vërtetë që Ali Pasha, në kuadër të formimit të shtetit të ri shqiptar, dërgoi të rinj shqiptarë të studionin jashtë, dhe një ndër ta ishte edhe krijuesi i alfabetit, Naum Veqilharxhi?

Po, është e vërtetë që Ali Pasha ka qenë i pari shqiptar që ka dërguar me fondet e thesarit të tij të rinj jashtë me studime. Unë nuk kam një listë të tyre, ndaj dhe nuk mund të them nëse ka qenë Veqilharxhi, por e di që kanë qenë rreth 30 veta.

Ç’është për ju Kristo Papas, pas asaj që tha?

Unë nuk dua të merrem fare më të, sepse i japim vlerë kot. Di të them që atij iu bë një publicitet nja një muaj, që unë nuk di t’i jetë bërë edhe politikanëve më me vlera në Shqipëri.

Pse ju thoni që nuk duhet të publikojmë asnjë deklaratë të tij dhe ato ç’ka ai thotë për Shqipërinë?

Përse ne duhet t’i bëjmë reklamë për ato që thotë kundra nesh?... Ai është një ultranacionalist, një shovinist dhe antishqiptar. Ne nuk mund të merremi me persona, të cilët edhe Europa po kërkon t’i nxjerrë jashtë. Ai mund të ketë ëndrra të mëdha, madje kërkojnë edhe gjysmën e Italisë, por kjo nuk do të thotë se kanë të drejtë.

Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar ligjin e luftës që ka ende Greqia me ne...?!

Edhe nëse është “ligj i luftës”, ai është një absurditet historik dhe politik në të njëjtën kohë. E di çdo të thotë që dy vende të jenë në gjendje lufte, do të thotë që përballë njëri-tjetrit ato të mbajnë armata lufte. Është bërë një debat i madh në lidhje me këtë çështje dhe shumë thonë që duhet të ratifikohet në Parlament. Ligjin e luftës e vuri monarku, por në momentin që ata thanë se do ta heqim ligjin e luftës, Greqia nuk ishte më monarki, por republikë parlamentare, dhe funksionet e legjislativit i kryente kryeministri. Meqë mbreti nuk ishte më dhe nuk mund ta hiqte, ajo bëhet e mundur nëpërmjet kryeministrit. Por ju thoni ta heqë parlamenti...mirëpo konsitucionalistët e tyre menduan kështu, nëse doni t’i bëni oponencën edhe atyre, është punë tjetër.

Aleksandër Duma në romanin e tij thotë se Ali Pasha ishte homoseksual, a është e vërtetë kjo?

Jo aspak, romani i tij është një punë krijuese dhe ai ka të drejtë të thotë ç’të dojë.

Si e vërtetoni ju këtë?

Nuk ka asnjë autor bashkëkohës i tij, apo edhe kundërshtar i tij që të thotë këtë. Edhe Pukëvili që ishte kundërshtari më i madh i shqiptarëve, dhe i bën ata të gjithë perversë, nuk arrin ta thotë këtë, edhe pse ai vetë ishte homoseksual.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit