Presidenti i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se ka besim se kryeministri Edi Rama do ta zgjidhë çështjen e kësaj shtrese të persekutuar gjatë komunizmit. Njëherësh ai vlerëson se të djathtët i tradhëtuan ndër vite të përndjekurit, që i dhanë votën, ndërsa nënvizon se kërkojnë nga qeveria dëmshpërblimin sipas ligjit për 25 mijë anëtarët. Ndregjoni thotë se do takohen me Ramën ndërsa fatura financiare për të është 250 milionë euro.
Çfarë prisni nga qeveria e re majtë, tashmë që ajo ka ardhur në pushtet pas tetë viteve në opozitë dhe që ka premtuar zgjidhjen njëherë e mirë të dëmshpërbimit të përndjekurve politikë?
Ka 23 vjet që të burgosurit dhe të përndjekurit politikë përdoren politikisht, aspak në nderin misionit të tyre e të mbiekzistencës së tyre, përpara një diktature nga më të egrat në Evropën Juglindore. Në të gjithë vendet e Evropës Juglinore është dënuar stalinizmi që në vitin 1956 dhe vetëm në Shqipëri sistemi i stalinizmit nuk u dënua asnjëherë, por nga ai sistem kaluam në sistemin pluralist. Kështu shoqëria shqiptare u përball me një dikaturë staliniste 45 vjeçare dhe kaloi në një pluralizëm tipik komunist 23 vjeçar. Sigurisht që ndërgjegjësimi i klasës politike pluraliste nuk ka qënë aspak dashamirës dhe aspak i ndërgjegjshëm për t’i shërbyer një klase që i mbijetoi diktaturës 45 vjeçare komuniste. Të burgosurit dhe të përndjekurit politikë ishin luftëtarët e fjalës së lirë, ishin luftëtarët e mendimit ndryshe, por mbi të gjitha ata përballuan dramat dhe torturat e diktaturës që nuk i kishte provuar asnjë sistem komunist në Evropën Juglinore.
Ju po thoni se PD, që ka marrë gjithnjë votat tuaja nuk është kujdesur për zgjidhjen e çështjes së ish-të përndjekurve...?
Ndaj të përndjekurve politikë këto 23 vjet u përdor një skemë tipike komuniste duke i përçarë, duke i ndarë në grupe të veçanta dhe duke i përbuzur. Në vitet e para të ’92-shit u trumbetua me të madhe një mbështetje e fuqishme për të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, por kjo ishte demagogjia më shkatërrimtare që bëri forca politike që kishte marrë emrin e djathtë, ndaj të përndjekurve politikë. Ata politikanë të djathtë bërtisnin çdo ditë ‘poshtë komunizmi’, ‘poshtë diktatori Enver Hoxha’ dhe në asnjë kohë, në asnjë vit dhe në asnjë ditë të pushtetit të tyre nuk i dënuan krimet e Enver Hoxhës dhe të diktaturës staliniste shqiptare. Pra dhe në vitet e fundit të pushtetit të tyre ata përdoren skemën tjetër diskriminuese ndaj të përndjekurve politikë, duke përdorur fenomenin e harresës, sikur në Shqipëri nuk kishte ndodhur asnjë krim gjatë diktaturës, sikur në Shqipëri kishte pasur një sistem liberal komunist, siç e patën vendet e Evropës juglindore.
Pra politika nuk ju ka ndihmuar, si i fituat disa të drejta...?
Ajo që mund të them është se çdo të drejtë të burgosurit dhe të përndjekurit politikë e kanë fituar me protestë dhe aspak përmes ndjeshmërisë së shtetit shqiptar, për t’u dhënë të përndjekurve atë që u takonte me ligj. Dhe po të jap disa data ekzakte. Në vitin 1991 ishte greva e urisë e të përndjekurve politikë që detyroi Parlamentin e Partisë së Punës së Shqipërisë e të Partisë Demokratike Shqiptare që të japë pafajësinë që u takonte këtyre qëndrestarëve të komunizmit.
Në vitin ‘94 të përndjekurit politikë kuptuan lojën e ndyrë që po bënte klasa politike ndaj të drejtave dhe lirive themelore të tyre dhe organizuan një grevë urie kombëtare që e detyruan qeverinë e asaj kohë që të paguante punën e papaguar që kishin bërë të burgosurit politikë, pagesë të cilën e dhanë me letra me vlerë. Sigurisht që të përndjekurit politikë dhe në atë kohë ishin shumë koshientë që shteti ishte i varfër, por kërkohej të bëhej paketa ligjore ndaj të drejtave të tyre. Në këtë rast qeveritarët e asaj kohe e diskriminuan këtë grevë, duke i fyer në mënyrë të atillë, sa vetëm po të ishte regjimi komunist mund t’i fyente të burgosurit politikë kështu në vitin 1994.
Kjo vijoi dhe për vite më vonë....?
Nga viti 1994 dhe më pas, elementë të vënë në dizpozicion të pushtetit e përçanë shtresën e të përndjekurve politikë dhe krijuan një shoqatë të ashtuquajtur Antikomuniste Demokrate në shërbim të pushtetit. Pjesa tjetër u quajt pjesë e socialistëve. Dhe kështu deri kur erdhi viti i zi 1997 kur çdo gjë mori fund në Shqipërinë tonë të dashur. Por të përndjekurit politikë që kishin përballuar regjimin më të egër të Evropës Juglindore i mbijetuan këtyre skemave përçarëse e përçunduese dhe u organizuan në një shoqatë mbarëkombëtare, duke filluar protestat e tyre të fuqishme 4-vjeçare 2001-2005 dhe i detyruan të dy pushtetët, si të majtët ashtu dhe të djathtët të njihnin të drejtën e dëmshpërblimit të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë. Më në fund ky dëmshpërblim filloi të jepet me pikatore siç e kanë ata që nuk njohin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në Shqipëri.
Ju u shprehët se e djathta e tradhëtoi kauzën tuaj. Mbështetët të majtën? Çfarë prisni nga qeverisja e majtë...?
Sigurisht që partinë e djathtë të përndjekurit politikë e dënuan me dy palë zgjedhje. E dënuan dhe në vitin 2009 dhe në vitin 2013 duke e nxjerrë përfundimisht në opozitë. Tani në pushtet kanë ardhur në majtët. Unini Mbarëkombëtar i Integrimit të burgosurve dhe të përndjekurve politikë në Shqipëri që përfaqëson shumicën e ish-të burgosurve e të përndjekurve politikë në të gjithë qarqet e vendit, në bashkëpunim me shoqërinë civile, Qendrën shqiptare të Rehabilitimit të Traumës e të Torturës që kanë një eksperiencë 20 vjeçare në trajtimin e traumave të ish-të përndjekurve politikë, bazuar nbë Kushtetutën e Shqipërisë, si dhe në Rezolutën e KE në dënimin e krimeve të komunizmit dhe të trajtimit të përndjekurve politikë, i ka paraqitur një projekt ide kryeministrit aktual Edi Rama. Në këtë prokjekt-ide ne i kërkojmë Kryeministrit Edi Rama që pas 22 viteve postkomunizëm që të përndjekurit politikë të mos të përdoren më politikisht por t’u përgjigjen ligjërisht për të drejtat e liritë e tyre, që i ka Kushtetuta dhe Konventa Ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
I keni paraqitur plan konkret kryeministri Rama...?
Ne i kemi paraqitur kryeministrit Rama strategjinë kombëtare për përballimin e pasojave gjysmë shekullore nga totalitarizmi i sistemit komunist. Gjithashtu kemi kërkuar që në këtë strategji Ministria e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me këtë agjenci që do të jetë përfaqësuesja jonë, të gjendet e vendndodhja e eshtrave të të vrarëve pa gjyq nga komunizmi. Nga statistikat shtetërore janë 4500 të vrarë, me dhe pa gjyq. Gjithashtu i kemi kërkuar që Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financës të vazhdojnë pa ndërprerje shpërndarjen e dëmshpërblimit pa u bërë pjesë e burokratizimit apo politizimit për të plotësuar këtë detyrim ligjor ndaj nesh. Kemi paraqitur dhe memorjen historike, në të cilën janë shumë pika.
Keni pasur përgjigje nga kryeministri...?
Nga komunikimet që kemi pasur me kryeministrin, shumë shpejt ne do të takohemi me të dhe do të disuktojmë për të gjitha pikat me të cilat janë përfshirë kërkesat tona të realizueshme dhe aspak të parealizueshme. Dakortësia mes qeverisë që drejton Edi Rama dhe pjesës tonë antikomuniste vjen për shkak se i kemi kërkuar që çdo e drejtë ligjore që është në Kushtetutën e vendit, që është në Konventat ndërkombëtare, ajo si qeveri t’i zbatojë në shërbimin tonë pa përdorur pjesën politike. Të përndjekurit politikë nuk kërkojnë asgjë nëse nuk është në ligj, apo është e drejta që u takon. Jemi të pritje të datës së takimit që do të urdhërojë kryeministri.
Sa është fatura financiare e dëmshpërblimit....?
Ka qënë 350 milionë euro, ka rënë tek 250 milionë eurot dhe nuk është e papërballueshme nga shteti. Besoj se fatura e të përndjekurve politikë paguhet sikur të merret taksa të gjitha makinave moderne të deputetëve dhe zytarëve pa prekur fare taksat e shqiptarëve. Janë 21 mijë ish-të përndjekur që kanë marrë këstin e parë dhe të dytë. Duhet të shikohen dhe të pushkatuarit pa gjyq, që mund të jenë 3-4 mijë vetë dhe që shkon te 25 mijë vetë numri në total. Pasi afër 6 mijë të tillë nuk kanë lënë trashëgimtarë dhe për pasojë nuk futen në listat e përfituesve.
Keni besim se qeveria Rama do ta zgjidhë çështjen tuaj...?
Kemi besim te kryeministri Rama, pasi të pëndjekurit politikë besën e kanë kodin e tyre, pavarësisht se gjatë gjithë këtyre viteve janë zhgënjyer, janë prerë mnë besë. Besojmë së Rama nuk do të jetë pjesë e atyre që presin në besë qytetarët e vet.
Tradhëtia
“Në vitet e para të ‘92 u trumbetua me të madhe një mbështetje e fuqishme për të burgosurit dhe të përndjekurit politik, por kjo ishte demagogjia më shkatërrimtare që bëri forca politike që kishte marrë emrin e djathtë, ndaj të përndjekurve politikë”.
Shkrimi u publikua sot (09.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)