'Dritan Goxhaj nuk ka qenë në frontet e luftës në Kosovë dhe iu bashkua UÇK-së vetëm disa javë para përfundimit të luftës'. Kështu është shprehur ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, në një deklaratë publike të bërë këtë të mërkurë, duke iu bashkuar kështu debatit që ka lindur në Shqipëri për përfshirjen e një figure të tillë pro-Iranit si lajmësi i kërkesave të protestuesve që prej 24 ditësh qëndrojnë para kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës
Sipas Sylës, angazhimi i Goxhajt ka qenë në Helshan të Shqipërisë dhe jo në territorin e Kosovës.
“Lidhur me Dritan Goxhajn, për të cilin në media të ndryshme janë plasuar pohime a pretendime të ndryshme, deklaroj se Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK-së disa javë para mbarimit të luftës, në Helshan të Shqipërisë, jo në Kosovë, jo në front”, thuhet në deklaratën e tij.
Kush është Dritan Goxhaj?
Dritan Goxhaj u vendos në qendër të vëmendjes publike pasi pak ditë më parë lexoi para Kryeministrisë pesë kërkesat e protestuesve që kundërshtojnë projektin e resortit në Zvërnec dhe kërkojnë largimin e qeverisë Rama.
Në Shqipëri Goxhaj njihet si ish-ushtarak dhe komentues i çështjeve të sigurisë. Në disa intervista televizive ai ka pretenduar se gjatë luftës së Kosovës ka pasur autorizim nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për të mbajtur kontakte me komandën e forcave amerikane të vendosura në Shqipëri, të cilat vepronin në kuadër të operacioneve të NATO-s në rajon.
Megjithatë, roli i tij gjatë luftës së Kosovës është hedhur poshtë edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka deklaruar se Goxhaj nuk rezulton në databazën e saj si veteran lufte. Vetë Goxhaj e ka kundërshtuar këtë pretendim dhe ka paraqitur një dokument të vitit 1999 që, sipas tij, provon statusin e veteranit.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi atë si “zëdhënës të interesave të Iranit”, duke publikuar postime nga një llogari në rrjetet sociale që mban emrin dhe fotografinë e tij. Në atë profil janë publikuar qëndrime kundër politikave të SHBA-së dhe Izraelit, si dhe postime me tone mbështetëse ndaj Iranit dhe Hezbollahut.
Në vitin 2023 ai u arrestua në Tiranë me urdhër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi Prokuroria Speciale e akuzoi për “frikësim gjatë procedurës penale” dhe “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Më vonë, gjykatat shqiptare refuzuan ekstradimin e tij në Hagë.
Goxhaj ka punuar për disa vite si specialist i sigurisë ajrore pranë Autoritetit të Aviacionit Civil. Në vitin 2017 u largua nga detyra pasi publikoi një shkrim kritik ndaj këtij institucioni.
Komente






