Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas paraqitjes së listës së kërkesave në protestën para Kryeministrisë, nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se Goxhaj është ‘zëdhënësi’ i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri.
Sipas Ballës, Goxhaj prej kohësh del në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmar SHBA-të, Izraelin, por edhe Shqipërinë.
Balla shkruan se sot skenari i protestës u zbardh plotësisht dhe sipas tij, edhe ‘flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të Shqiptarisë së rreme.’
Reagimi i Ballës:
Sot skenari u zbardh plotësisht! Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti “zëdhënësi” i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë. E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë.
Tani “patriotët” edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit! Avash avash, të gjitha po dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme.










