Në fund të kësaj historie të trishtuar, siç thoshte Vasco Rossi, ndoshta dikush do të gjejë guximin të shpjegojë se si ka qenë e mundur, në çfarë universi paralel mund të ketë ndodhur që princi i gazetarisë investigative, Sigfrido Ranucci, të përfundonte në një marrëdhënie të ngushtë me princin e intrigave: Valter Lavitola. Të uleshin në të njëjtën tavolinë, të ndanin biseda konfidenciale, projekte, miqësi, familje e kush e di se çfarë tjetër.
Richelieu i maskarenjve, personazhi njëherazi më komik dhe më tragjik i fundit të epokës së Kraxit e më pas të Berluskonit, simboli vetë — ndoshta edhe më shumë sesa e justifikonte pesha e tij reale — i asaj nëntokës politike të baltosur në Romë, që mjafton të gërmosh pak, dhe del menjëherë në sipërfaqe.
Është pikërisht çifti i pazakontë Ranucci-Lavitola ai që bie më shumë në sy në këtë histori, përtej aspekteve penale, personazheve që të kujtojnë një western “alla italiana”, si banda e Avelinos, bombave të vërteta dhe rizotos me peshk në Monteverde Vecchio, si edhe akuzës së jashtëzakonshme për masakër mafioze që prokurorët kanë ngritur ndaj tij. Një akuzë që rrezikon ta dërgojë “Valterinon” pas hekurave, dhe jo vetëm për katër vjet si herën e fundit.
Versioni zyrtar, të cilin e ka rrëfyer edhe vetë Ranuccipër ata që e kanë kontaktuar, është se gjithçka nisi nga kontaktet e para në vitin 2019, pas disa investigimeve të Report ku përmendej edhe Lavitola. Sipas këtij versioni, ishte Lavitola ai që iu afrua gazetarit. Ranucci nuk e refuzoi, përkundrazi. Lavitola ishte njeri simpatik – diçka që, sipas artikullit, ia pranojnë të gjithë – dhe krijoi një marrëdhënie me Ranucci-n.
Më pas, një gjë solli tjetrën. Lavitola dinte shumë gjëra për shumë njerëz, ose të paktën dinte t’i shiste mirë si informacione. Restoranti i tij, “Cefalù Bistrot”, thuhet se ishte një pikëtakim për spiunë, gazetarë, politikanë dhe klerikë. Dhe kush di të dëgjojë, si Lavitola, sipas artikullit, mëson shumë, takon shumë njerëz dhe më pas ua përcjell të tjerëve.
Ranuçi e konfirmon sot se Lavitola ishte bërë një nga burimet e tij të informacionit. Sipas tij, ai e ndihmonte në disa investigime, ndoshta duke kërkuar në vende ku një gazetar zyrtar i Report nuk do të kishte mundësi të hynte.
Me kalimin e kohës, miqësia u zgjerua edhe te familjet dhe fëmijët. Lavitola punonte te kasa e restorantit, ku kishte krijuar një profesion të ri dhe kishte marrë, si personazhi Zelig, një tjetër rol në jetën e tij. “Sa të freskëta janë, vetëm te unë i gjen këta karkaleca, i sjell vetë”, mburrej ai para klientëve. Por, ndërkohë, vazhdonte të ëndërronte, përtej pllakave dekorative që imitonin stilin sicilian dhe përtej sporteleve me ton të kuq e peshk shpatë.
“Që fëmijë kam pasur ëndërr të bëhesha deputet”, rrëfente Lavitola në një intervistë për Repubblica rreth dy vjet më parë, ku rikthehej te karriera e tij si një “bandit i vërtetë”, siç e përkufizonte vetë veten.
Pra, përtej gatimeve me peshk dhe rizotos, që thoshte se i kishte mësuar në burg nga Cicirinella, njeriu që e konsideronte si mentorin dhe njëherazi mallkimin e tij, pasioni i vërtetë ishte politika, ose më saktë pushteti.
Ishte kjo ëndërr që e bëri fillimisht mbështetës të Kraxit dhe më pas e çoi pranë Berluskonit, si njeri që zgjidhte punët e pista dhe organizonte projektet më të errëta: nga diskreditimi i Xhanfranko Finit me dokumentet e krijuara në Shën Luçia për pronësinë e banesës në Montekarlo, te korruptimi i deputetëve për të rrëzuar qeverinë e Prodit, organizimi i eskortave me Tarantinin për Berluskonin dhe deri te shantazhet ndaj vetë “Kavalierit”, duke i kujtuar premtimin për një post në qeveri, në Parlamentin Europian ose të paktën në bordin drejtues të RAI-t. Sipas intervistës, më vonë ai tha se nuk ishte krenar për këto veprime.
Ideja e fundit, iluzioni i madh për t’u rikthyer në skenë nga dera kryesore, ishte diçka që Lavitola – ish-i dënuari dhe njeriu i lënë mënjanë – e kishte menduar prej kohësh dhe e kishte përpunuar deri në detaje. Në qendër të këtij plani ishte pikërisht Sigfrido Ranuçi.
Teksa përgatiste rizoto me fruta deti në kuzhinën e restorantit të tij në Monteverde, Lavitola e imagjinonte drejtuesin e Report si njeriun që mund ta shpëtonte qendrën e majtë nga përplasja mes Shlajnit dhe Kontes. Sipas artikullit, ai besonte se Ranuçi kishte karizmën për të fituar zgjedhjet dhe për të shkuar në Palazzo Chigi si kryeministër. Madje, thuhet se kishte porositur edhe sondazhe dhe konsultohej me ekspertë. “Kur të bëhesh kryeministër, unë do të jem Xhani Leta yt”, i thoshte Lavitola Ranuçit gjatë darkave.
Sot, përpara marrjes në pyetje, Lavitola u ka thënë miqve të tij se është i pafajshëm. Ai mohon se ka tradhtuar “mikun e tij vëllazëror”, Sigfrido Ranucci, dhe thotë se është viktimë e një gabimi të madh.
Lavitola shfajëson edhe Klesio Tavarez Gomes, ish-truprojën kamerunase, i cili, sipas artikullit, nuk ka punuar kurrë realisht në restorantin e tij, edhe pse figuron në listën e punonjësve. Për Lavitolën, Klesio është si djalë. Ai thotë se nuk është e vërtetë që është arratisur në Afrikë dhe se do të kthehet, ashtu siç është kthyer gjithmonë.
Sipas Lavitolës, i vetmi projekt që kishin së bashku kishte të bënte me fitimin e parave përmes kredive të karbonit, asgjë më shumë. Jo me shpërthimin e makinave, që sipas artikullit mund të kishte shkaktuar vërtet një masakër, pasi bëhej fjalë për automjete me impiant GPL. Vetëm mendimi për këtë, pretendon ai, i shkakton dhimbje në zemër.
Në fund, Lavitola këmbëngul se nuk është organizatori i atentatit. Ai betohet për gjënë më të shtrenjtë që ka dhe shprehet i bindur se prokurorët kanë gabuar, duke lënë pas dore pista të tjera.
Por nëse gjithçka do të ishte e vërtetë? Atëherë do të duhej të shqyrtoheshin motivet e mundshme, duke u kthyer pikërisht te projekti që Lavitola, sipas artikullit, e ndiqte me këmbëngulje: ta shndërronte Ranuçin në lider të koalicionit të gjerë të qendrës së majtë.
Sipas autorit, një plan i tillë mund të rrezikohej nga mbyllja e mundshme e emisionit, për shkak të vullnetit të së djathtës. Prej këtej, shtrohet hipoteza e një atentati të inskenuar, me qëllim që Ranuçi të paraqitej si viktimë e mafias. Kush do të guxonte ta prekte më pas?, Një krim, po, por një krim miqësie, i bërë nga dashuria, por të vërtetën ndoshta do ta tregojë vetë Lavitola pas disa vitesh./LaRepubblica











Komente
Komento