Një efektiv i policisë së Tiranës është shpallur në kërkim si i përfshirë në trafik droge. Ai dyshohet se transportoi drogë përmes makinës së tij. Bëhet fjalë për inspektorin e Komisariatit nr.2 në Tiranë me inicialet S.O.

Në fshatin Thumanë të Fushë Krujës Policia ka gjetur mëngjesin e së premtes dy makina me rreth 421 kg kanabis. Njëra prej makinave ishte në pronësi të efektivit të Policisë, ndërsa automjetin tjetër e drejtonte një 40-vjeçar i identifikuar si Benardo Hamzaj, i cili është arrestuar. Shqiptarja.com ka mësuar se 40-vjeçari ka qenë për disa vite doganier në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, ndërsa ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) në Gjirokastër. 

Ndërkohë, uniformat blu nuk kanë mundur dot të arrestojnë kolegun e tyre, S.O, kërkimet për të cilin vijojnë. 


(Ish-doganieri i Kakavijës, Benardo Hamzaj, i arrestuar)

Dyshohet se sasia prej 421 kg kanabis do të shitej tek disa persona të tjerë në Fushë-Krujë. Drejtoria e Standardeve në Policinë e Stetit, ka pezulluar nga puna inspektorin e komisariatit nr.2.

Më datë 20.04.2018 u arrestua në flagrancë shtetasi B.H. 40 vjeç, banues në Gjirokastër. 

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit me iniciale S.O. banues në Tiranë, punonjës policie, pasi më datë 19.04.2018, në fshatin Thumanë, nga kontrolli i ushtruar në dy automjete u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 421 kg e 450 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit Marijuanë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi S.O. është i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Nga ana jonë është njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra dhe nisjen e ecurisë disiplinore për shkelje të rëndë.

Po punohet për gjetjen e tij dhe vënien në dispozicion në kryerje të hetimeve.

Neni 283/2 i Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës