TIRANE-Yoram Frig shtetasi izraelit që u kap në aeroportin e Rinasit me një pajisje që zbulon çimkat e përgjimit pranon se ka punuar për një biznesmen shqiptar.

Në dëshminë për Policinë, Frig tha se me pajisjen e detektimit,  që shërben për zbulimin e çimkave, pranon se i ka kontrolluar biznesmenit zyrat dhe makinat.

Izraeliti bëri me dije se biznesmeni dyshonte për vendosjen e çimkave dhe përgjuesve të tjerë nga prokuroria pasi kjo e fundit e kishte nën hetim. ''Unë jam një investigator privat, kam ardhur në Tiranë gjithsej 4 herë. Dy herë kam ardhur për të vizituar Shqipërinë dhe 2 herë për arsye pune. Këtë herë erdha vetëm për 1 ditë e gjysëm për të ushtruar kontrolle në një kompani private nëse ka ose jo përgjues'' tha Yoam Frig.

Tani Prokuroria po punon për të verifikuar deklaratën e izraelitit. Pasi e ka marrë në pyetje nën shoqërinë e një përkthyesi, Policia e Tiranës ka lënë të lirë izraelitin Frig, por i ka mbajtur pasaportën. Sipas të dhënave që siguron Report Tv, pasaporta do i rikthehet pas përfundimit të hetimeve.
 
Yoram Frig nuk është rasti i parë që shtetasit Izraelitë bëhen objekt hetimi nga prokuroria dhe policia Shqiptare. Dy vite më parë, dy biznesmenë izraelitë të quajtur Amiran Dzanazhvili dhe Ofer Nimrodi, kanë vizituar Shqipërinë me shpresën se do bënin biznes të suksesshëm në këtë vend. Ashtu si Yoram Frig, edhe ata kanë takuar të njëjtin biznesmen të njohur në Shqipëri, dhe më pas kanë filluar të kryejnë një seri të konsiderueshme transaksionesh bankare, duke blerë kompani nafte, baste sportive etj.

(d.b/Shqiptarja.com)