Ja si “liberali” Çili kushtëzon
lirinë në mediat e tjera...

Ja si “liberali” Çili kushtëzon<br />lirinë në mediat e tjera...
Në debatin mbi cilësinë dhe pavarësinë e mediave, javët e fundit është përfshirë edhe Henri Çili, pronar i grupit MAPO (dhe aksioner i universitetit UET), i akuzuar se ka pushuar nga puna drejtorin e tij në përfundim të afatit të kontratës, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi linjën editoriale. Akuza që i bëhet Çilit është se kërkon të imponojë linjën editoriale në median e tij: deri në vitin 2013, kur qeveriste PD, Çili ishte anti-Rama, ndërkohë që tani, pas qershorit 2013, zgjodhi të bëhej anti-Basha. Çili pretendon, në të kundërt, se është një liberal dhe rrjedhimisht një botues me ide të hapura, që nuk synon t’i imponojë idetë e tij kurrkujt.

Liberalizmi i një sipërmarrësi është gjithnjë i vështirë për t’u matur. Por, në rastin e Çilit, ekziston një dokument, që e zotëron Shqiptarja.com, i cili mund të ndihmojë të kuptohet se çfarë ka ai parasysh me këtë koncept. Është një draft standard për kontratat e reklamave, që Çili u imponon të gjitha mediave në të cilat bën reklamë, ku nuk kërkon vetëm – siç është normale – të promovojë aktivitetin e tij (në këtë rast, universitetin UET), por pretendon edhe të kontrollojë linjën editoriale të asaj media. Kjo është krejt e kundërta e të qenit liberal.

Kreu III i draft-kontratës, i titulluar “Bashkëpunimi në hapësirat e informacionit dhe programacionit”, përcakton në pikën 1 se “Departamenti i Informacionit të medias përkatëse angazhohet që të mos ketë politika diskriminuese në lidhje me përmendjen e UET apo subjekteve të lidhur me të gjatë lajmeve apo kur janë persona që kanë pozicione në UET”. Pika 2 kujton se “UET merr garanci nga ana e medias përkatëse që do të përmendet në të gjitha emisionet, kronikat e lajmeve, artikujve në gazetë apo artikujve në faqen e internetit, sa herë do të ketë aktivitete ku është i përfshirë apo i organizon vetë”.

Por më e forta nga të gjitha është pika 6 e kontratës, me të cilën liberali Çili urdhëron që “Media do të njoftojë Departamentin e Marrëdhënieve më Publikun në UET për temat që do të trajtohen në të gjitha emisionet e televizionit dhe në temat në gazetë dhe faqen e internetit paraprakisht që prekin audiencën e synuar të UET shpk”.
Kjo do të thotë që, duke u bërë klient reklame për një media, Henri Çili nuk kënaqet të reklamojë logon e tij, por pretendon edhe të informohet paraprakisht për temat që lidhen me sektorin e arsimit dhe që do të trajtohen nga gazetarët e asaj media. Për shembull, në periudhën e debatit mbi reformën e universiteteve, mediat që kishin si klient UET duhej ta njoftonin më parë Henri Çilin për kronikat që përgatisnin për reformën e universiteteve.

Ndodh shpesh që klientët publicitarë përpiqen të kushtëzojnë linjën editoriale të medias që sponsorizojnë, por, pikërisht, fjala është për një tentativë. Në të kundërt, askush dhe asnjëherë nuk ka pretenduar ta vendosë këtë si kusht brenda një kontrate të shkruar, siç bën “liberali” Çili, i cili kështu nxjerr në pah, jo vetëm mungesën e vet të liberalizmit, por edhe arrogancën dhe pandëshkueshmërinë e tij. Është e tepër të thuash që, në rast se një media nuk i pranon këto kushte, Henri Çili nuk i jep reklamën. Pra, shantazh.

Pyetja që del është e thjeshtë: në rast se liberalizmi e shtyn Henri Çilin të kontrollojë linjat editoriale të mediave, që nuk janë pronë e tij, çfarë është në gjendje të bëjë ky njeri brenda grupit të tij botues? Zëdhënës i kujt liberalizmi është bërë ai?     

faksimile uet


Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë