Në 16 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, përmes një komunikate për media ka falënderuar shtetet pjesëtare të kësaj aleance, të cilat para 16 viteve morën vendimin për të bombarduar forcat ushtarake dhe policore serbe për të parandaluar gjenocidin që bënë këto forca.
Sipas KosovaPress, në komunikatën e Jahjagës thuhet se, sulmet ajrore të NATO-s u bënë në mbrojtje të paqes, të parandalimit të gjenocidit, të shpërnguljes me dhunë të popullsisë, të shkatërrimit të jetës dhe pasurisë së qytetarëve të Kosovës.
Ajo i quan sulmet më humanitare në historinë e Aleancës Veri-Atlantike, si një përcaktim i fuqishëm i botës demokratike kundër politikave agresive dhe në mbrojtje të popullsisë civile.
Presidentja në komunikatën e saj shpreh mirënjohje të përhershme për SHBA-në, vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, që me përkushtim u angazhuan në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe mundësuan që Kosova sot të jetë vend i qytetarëve të lirë dhe të barabartë.
"Solidariteti ndërkombëtar, i dëshmuar përmes veprimit të NATO-s përpara 16 vjetësh, tregon humanizmin e botës së përparuar dhe përkushtimin e saj për respektimin e vlerave të demokracisë, duke u bërë një shpresë për paqe dhe siguri, për një jetë të qetë e të sigurt, për përparim dhe zhvillim për të gjithë popujt dhe shtetet", thuhet në komunikatë.
Në këtë 16 vjetor, presidentja thotë se Kosova po dëshmon se është shembulli më i mirë i ndërtimit të një shoqërie të të barabartëve, pa dallim, i respektimit të diversitetit edhe kulturor e fetar dhe i ndërtimit mbi bazat e demokracisë.
Sipas saj, Kosova është një shtet që dëshmon suksesin e përbashkët të qytetarëve e institucioneve të vendit dhe të bashkësisë ndërkombëtare, faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit dhe i fqinjësisë së mirë, shtet i pranuar ndërkombëtarisht me synime të qarta të anëtarësimit në BE, OKB dhe në NATO./atsh/