Gazeta “Shqiptarja.com” më 12 prill 2014 ka botuar një letër të kreut të gjykatës së Apelit Tiranë, Alaudin Malaj drejtuar Presidentit dhe anëtarëve të tjerë të KLD. Letra mban datën 3 mars 2014, ku përmenden disa veprime të kundraligjshme për anëtarin e gjykatës së Apelit Tiranë, njëherësh anëtar i KLD z.Gjin Gjoni. Do dëshironim mendimin tuaj për këtë përplasje, gjithnjë nëse jeni njohur me përmbajtjen e kësaj letre?
Po, u njoha me këtë letër. Nëse ajo i është dërguar vërtet KLD-së nga zoti Malaj, pa paragjykuar asgjë nga ato që përmenden, mendoj se është tepër shqetësuese. Organet përkatëse, në radhë të parë KLD, mendoj se duhet të ndalen në mënyrë serioze dhe me transparencë të bëjnë publike çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Publikimi i kësaj letre mendoj se e bën të domosdoshme këtë.
Si jurist çfarë j’u tërheq më tepër vëmendjen në atë letër...?
Kam mendimin se në letër ka më tepër akuza(megjithëse ende të pavërtetuara) sesa shkelje të thjeshta të ligjit të natyrës administrative. Kështu, në letër ngrihet çështja e bashkëpunimit midis kërkuesit Agim Selimi dhe gjyqtarit Gjin Gjoni, se në këtë drejtim gjyqtari ka ushtruar presion. Gjin Gjoni, siç thuhet në letër, në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore ka krijuar një dosje penale kundër shtetases Etleva Shijaku. Para një viti, sipas letrës, i ka faturuar bashkëshortes së tij aksidentin në të cilin humbi jetën një fëmijë 13 vjeçar e u plagosën tre të tjerë, ndërsa çështja penale u mbyll. (Pse ia faturoi bashkëshortes, kush u dënua me këtë rast?!) Në letër thuhet se Gjin Gjoni me qëllim fitimi të miliona eurove, lidhur me shqyrtimin e një çështjeje u ka bërë presion gjyqtarëve! (Janë shuma të mëdha, kujt i ka bërë presion, cilëve gjyqtarë?!) Z.Malaj shprehet se ka bërë përpjekje për ndërprerjen e gjobave që Gjin Gjoni u vinte palëve për fitimin e gjyqeve etj...(Pazare të shumta janë bërë. Në këtë gjendje të sëmurë, të gjërë e kriminale mund të konsiderohen sukses këto përpjekje?!). Nëse këto i përgjigjen së vërtetës në to ka të dhëna të ekzistencës së elementëve kriminalë. Po të jetë kështu, bëhet natyrshëm pyetja: Përse z.Alaudin Malaj, që i ka ditur ose është vënë në dijeni prej kohësh për çështjet e mësipërme, ka ngurruar të denoncojë në organin e ndjekjes? Verifikimi i KLD-së, siç dihet është i ndryshëm nga hetimi penal. Vonesa nuk i shërben zbulimit të së vërtetës.
Ju mendoni se është cenuar besimi tek gjyqësori...?
Pavarësisht nga rezultati i verifikimit apo hetimit dhe masave përkatëse që mund të merren, një gjë është e qartë, njëkohësisht e rëndë dhe shqetësuese: Kjo ndodh me ata që janë betuar të zbatojnë Kushtetutën e ligjin, të mbrojnë liritë dhe të drejtat e ligjshme të shtetasve. Synimi është të rritet dhe jo të lëkundet besimi i opinionit të gjërë publik ndaj gjyqësorit. Në këtë drejtim reformat sigurisht që ndihmojnë. Ligjet mund dhe duhen përmirësuar. Por suksesi i luftës kundër korrupsionit dhe konceptit të pandëshkueshmërisë në një masë të konsiderueshme mendoj se ka të bëjë me integritetin e gjyqtarëve. Mungesa e integritetit i hap rrugën korrupsionit dhe ndikimit politik.
Në mbledhjen e komisionit hetimor parlamentar për ligjshmërinë e emërimeve në policinë e shtetit, deputeti i PD-së, Flamur Noka lexoi një mesazh telefonik, që siç u shpreh ai, kryeministri ia kishte dërguar ministrit të Brendshëm Tahiri. Ky i fundit pranoi që mesazhi ishte dërguar prej tij e jo nga kryeministri. Në aspektin ligjor mund të konsiderohet përgjim apo...?
Nuk e kam ndjekur zhvillimin e këtij komisioni. Si rrjedhim nuk di çfarë është thënë, diskutuar apo pretenduar. Nuk di në ç’kushte dhe në ç’rrethana ky mesazh u disponua nga z.Noka, në ç’rrugë u sigurua nga ai. Ligji e ka të qartë cili është përgjim i ligjshëm dhe cili jo(nëse është përgjim). Po të ketë ankesa, problemi sqarohet dhe zgjidhet nga organet kompetente.
Në seancën plenare të Kuvendit të 10 prillit, deputeti i PD Arben Imami deklaroi se me mjetet e ushtrisë bëhet transportimi i lëndëve narkotike. Meqë kjo ishte një akuzë e rëndë, a nuk duhet që ai të thoshte dhe burimin e kësaj të dhëne ose të këtij fakti?
Për këtë duhet pyetur z.Imami. Kjo sigurisht është një akuzë e rëndë e bërë publike në sallën e Kuvendit. Në aspektin ligjor të problemit, pavarësisht se cili do të ishte qëndrimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe personalisht i zonjës Kodheli, materiali ose të dhënat që mund të ketë patur z.Imami duhet t’i dërgoheshin prokurorisë. Për mendimin tim, drejt veproi Ministria e Mbrojtjes që për sqarimin e çështjes iu drejtua prokurorisë, megjithëse prokurori mund të vepronte dhe me nismën e vet.
Çfarë përmban ligji, çfarë thuhet në ligj në raste të tilla?
Sipas nenit 283/a 18 të Kodit Penal, importim, eksportim dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin e substancave narkotike, dënohet me burgim deri në 20 vjet. Sipas nenit 283 të Kodit të Procedurës Penale çdo person që ka marrë dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, duhet ta kallzojë atë. Sipas nenit 300 të Kodit Penal, moskallzimi në organet e ndjekjes penale... i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet gjer në 5 vite burgim. Sipas nenit 280 të Kodit të Procedurës Penale prokurori e policia marrin dijeni për vepra penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët. Dispozitat e mësipërme ligjore duhet t’i dijë dhe t’i zbatojë çdo shtetas, aq më tepër deputetët që i kanë miratuar vetë. Para ligjit janë të gjithë të barabartë. Më mirë se kushdo tjetër prokurorët e njohin të drejtën e tyre ligjore, që me nismën e vet të marrin dijeni për veprat penale. E megjithëkëtë, qofsha i gabuar, por kam përshtypjen që këtë të drejtë(që në ndonjë rast është dhe detyrim) nuk e kanë ushtruar në të gjitha rastet që ka qenë e nevojshme.
Është e ligjshme që kompetencat që me ligj i janë njohur presidentit, t’i kalojnë po me ligj ndonjë organi tjetër, të themi Kuvendit?
Kam mendimin se “po”, është e ligjshme sepse nuk bie ndesh me ndonjë dispozitë kushtetuese.
Ka mendime se këtë nuk e lejon neni 94 i Kushtetutës. A mund të sqaroni përmbajtjen dhe kuptimin e këtij neni...?
E shikoj të nevojshme që fillimisht të citoj nenin 94 të Kushtetutës. Në të thuhet se “Presidenti i republikës, nuk mund të ushtrojë kompetenca përveç atyre që i njihen me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të..”. Nga përmbajtja e kësaj dispozite del se kushtetutbërësi ka bërë një përjashtim që do të thotë se Kuvendi me ligj(pa përmendur nëse ai duhet miratuar me votim të cilësuar ose jo), në raste të veçanta, kur e çmon të nevojshme, i jep Presidentit me ligj një kompetencë, me kusht që ligji të jetë në përputhje me Kushtetutën. Shtrohet pyetja: A ka ndonjë dispozitë ku të thuhet se ligjbërësi(Kuvendi) nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime në ligjin që i ka dhënë Presidentit të drejtën për të ushtruar këtë apo atë kompetencë? Jo, këtë nuk e ndalon as Kushtetuta(posaçërisht neni 94 i saj) e as ndonjë dispozitë tjetër ligjore. Në nenin 94 të Kushtetutës nuk specifikohet çfarë kompetence mund t’i jepet Presidentit me ligj. Eshtë e drejtë e Kuvendit që në kushte dhe rrethana të caktuara në mënyrë të motivuar të ndryshojë ligjin apo dispozitën ligjore në bazë të të cilit Presidentit i është dhënë e drejta e ushtrimit të kompetencës përkatëse. Kuvendi siç dihet nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime në kompetencat që Presidentit i janë dhënë shprehimisht me dispozita kushtetuese siç janë nenet: 67, 74, 79, 84, 85, 86, 87, 88, 89, 90, 91, 92, 96, 98, 99, 104, 105, 125, 134, 136, 147, 149, 151, 152, 161, 168, 169, 172, 176 të Kushtetutës. Nëse ligjbërësi, Kuvendi, ndryshon të themi ligjin (ose dispozitën përkatëse të tij) me të cilin Presidentit i është dhënë e drejta për të ushtruar një kompetencë të caktuar, nuk cenohet e as pëson ndonjë ndryshim dispozita kushtetuese e nenit 94. Ai mbetet me të njejtën përmbajtje. Nëse do të ndryshonte, do të duheshin votat pro të jo më pak se dy të tretave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit(neni 177, pika 3 e Kushtetutës).
Duhet që presidenti si organ kushtetues të ketë ligjin e vet organik, siç e Kushtetuesja, Gjykata e lartë, prokuroria etj...?
Për mendimin tim duhet ta ketë. E them këtë duke patur parasysh nenin 6 të Kushtetutës ku thuhet se: “organizimi dhe funksionimi i organeve të parashikuara në këtë Kushtetutë rregullohen me ligjet e tyre përkatëse, përveç rasteve kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe”. Për institucionin e Presidentit, për organizimin dhe funksionimin e tij, nuk parashikohet ndryshe. Kjo do thotë se në këtë rast duhet të zbatohet neni 6 i Kushtetutës që përmendëm më lart.
Edhe Kuvendi është organ Kushtetues, por për organizimin dhe funksionimin e tij ka rregulloren e vet. Si e shpjegoni këtë?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në nenin 75 pika 2 të Kushtetutës, ku thuhet se: “Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores miratuar nga shumica e gjithë anëtarëve”. Janë shprehur mendime se nëse në të ardhmen do të jetë e nevojshme të bëhen ndryshime në Kushtetutë, të rishikohet neni 75 pika 2 që përmendëm më lart. Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit të rregullohet me ligjin përkatës, të miratuar me votim të cilësuar.
Shkrimi u publikua sot (17.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)