Jaho: Jemi të vonuar për
ndryshimet në Kodin Zgjedho

Jaho: Jemi të vonuar për<br />ndryshimet në Kodin Zgjedho
TIRANE- Konstitucionalisti i njohur Niazi Jaho, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” kërkon që të fillojë sa më shpejt puna për shqyrtimin dhe implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR të lëna pas zgjedhjeve të fundit paralamëtare, por dhe të mbartura nga zgjedhjet paraardhëse.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të fillohet se paku me ato rekomandime që nuk kanë të bëjmë me reformën administrativo-territoriale, për të avancuar më shpejt, sepse është shumë vonë dhe ligji kërkon një reformë zgjedhore dhe një Kod Zgjedhor sipas standardeve ndërkombëtare.

Për Jahon është shumë e rëndësishme që të formatohet KQZ, që duhet të jetë apolitike dhe të varet vetem nga ligji dhe zbatimi i tij. Ndërsa për Kolegjin Zgjedhor konstituionalisti i njohur shpreh mendimin se duhet të ketë vendime afatshkurtëra të tij, madje këto vendime dhe mund të ankimohen ku duhet të përcaktohet me ligj se ku duhet të ankohesh dhe për Kolegjin Zgjedhor, nëse nuk je dakord me vendimin e tij. Pra të shohësh instancën më të lartë.

Njëherësh Jaho nuk ka munguar të shprehet se reforma duhet të fillojë nga KQZ, e cila ka qënë nën kritika për zgjedhjet e fundit, ndërsa nuk ka munguar të thotë se duhet t’i kushtohet vëmendje sqarimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor të cilat përkufizojnë aktet normative dhe akte të tjera që duhet të miratohen vetëm me një shumicë të cilësuar.
 
Raporti i OSBE/ODIHR-it lidhur me zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, është publikuar që më 10 tetor të atij viti. Ai përmban disa rekomandime. Deri më sot nuk është dhënë ndonjë informacion se kur do të fillohet me shqyrtimin e tyre. Mendoni se jemi disi të vonuar...?
Konstatimi juaj është i drejtë, por mendoj se nuk mund të arrihet në përfundime kategorike se jemi të vonuar. Pavarësisht nga kjo, sipas mendimit tim, hapi i parë që duhej hedhur do të ishte analiza e përmbajtjes së këtij raporti, gjë që nuk di të jetë bërë. E them këtë sepse në media nuk ka patur ndonjë informacion për publikun. Rekomandimet e paraqitura në këtë Raport të OSBE/ODIHR, janë të rëndësishme. Ato janë rrjedhojë e monitorimit, të mbështetura në të dhëna të verifikuara, gjë që ka bërë të mundur edhe në arritjen e disa konkluzioneve, me synim përmirësimin e zgjedhjeve në të ardhmen.
 
Kuvendi, për të filluar nga shqyrtimi i rekomandimeve mos vallë është në pritje të raportit që do t’i dërgohet nga KQZ-ja?
Raporti që KQZ i dërgon Kuvendit është vjetor dhe në bazë të nenit 21 pika 13 të Kodit Zgjedhor, është një detyrim ligjor. Ky raport i paraqitet Kuvendit çdo vit, brenda muajit shkurt. E shikoj të nevojshme të përmend se vetë KQZ-ja ka qënë nën monitorimin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Vetë ai do të duhej të analizonte me objektivitet dhe në mënyrë kritike raportin dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Kjo, është për faktin se në adresë të tij(për funksionimin dhe vendimmarrjen) ka vërejtje serioze.
 
Zgjedhjet e 23 qershorit, në raportin e OSBE/ODIHR janë vlerësuar me nota pozitive, përsa i përket pajtueshmërisë së tyre me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare. Mos analizimi i Raportit dhe mos marrja ende në shqyrtim të rekomandimeve mos është pasojë e krijimit të një farë euforie?
Nuk besoj të jetë ky shkaku, por nuk përjashtohet dhe kjo mundësi, megjithëse vend për eufori nuk duhet të ketë as për fituesin. E them këtë duke patur parasysh momentet e mëposhtme: Së pari, në disa pjesë të raportit janë evidentuar kritika serioze, shkelje të ligjit, mosrespektim të parimeve(siç është prsh barazia e votës).

Së dyti, në hyrje të rekomandimeve thuhet: “këto rekomandime...jepen me qëllim që të përmirësojmë zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri për t’i sjellë ato plotësisht në përputhje me angazhimet e OSBE dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”(fq.28 e raportit). Në një masë të konsiderueshme në Raport, është vlerësuar dita e votimit në përgjithësi e qetë, zhvillimi në mënyrë të rregullt i procesit zgjedhor. Në 94% të rasteve-thuhet në raport, votimi ishte i rregullt dhe i mirëorganizuar si dhe pjesmarrja në votime ishte e kënaqshme(faqe 22 dhe 23 e Raportit).
 
Ndoshta përgatitja për realizimin e reformës së re administrativo-territoriale përbën një pengesë për të filluar nga puna e shqyrtimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it...?
Pjesërisht mendoj se mund të jetë dhe kjo një element pengesë apo vonese, sepse angazhimi për miratimin në kohë të kësaj reforme duket se është i madh. Por dhe kjo mbetet në kuadrin e një supozimi, sepse deri më sot në këtë drejtim, siç përmenda dhe më lart, nuk ka ndonjë informacion.
 
Reforma administrativo-territoriale do të reflektojë edhe në ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. Mund të jetë ky shkaku që ende nuk shqyrtohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it?
Kam mendimin se reforma e re(që siç thuhet do të miratohet në muajin shtator të këtij), nuk ka dyshim se do të gjejë pasqyrim edhe në Kodin Zgjedhor, në ato pjesë ose dispozita ligjore ku bëhet fjalë për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore. Por kuptohet, kjo mund të bëhet pas miratimit të reformës dhe jo në bazë të diskutimeve apo draft/projekteve. Ndërsa përsa i përket rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it ku trajtohen probleme të veçanta që nuk kanë lidhje të drejtëpërdrejta me dispozitat që kanë të bëjnë me organet e qeverisjes vendore, për mendimin tim, shqyrtimi i tyre mund të fillojë që tani.

Eshtë e qartë që kjo do të ishte një ngarkesë e madhe, sepse në të njëjtën kohë do të punohej me intensitet(reforma administrativo-territoriale dhe përmirësimet në Kodin Zgjedhor, mbështetur në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it). Madje në raport thuhet se veç këtyre 29 rekomandimeve, duhet të shqyrtohen edhe disa të tjera, që përmenden në raportet e mëparshme, por që nuk janë trajtuar ende as sot dhe kësaj dite.
 
Sipas jush, në kushtet e një ngarkesë të tillë, cila do të ishte forma apo mënyra më e mirë për të vepruar...?
Komisioni për reformën administrativo-territoriale është ngritur. Kërkohet bashkëpunimi maxhorancë-opozitë. Dialogu konstruktiv, mund të çojë në konsensus. Përsa i përket shqyrtimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, këtë e vendos Kuvendi. Nuk e di nëse do të veprohet sipas traditës ngritja e komisionit të posaçëm parlamentar apo do të përdoret ndonjë formë tjetër e përcaktuar përsëri nga Kuvendi i Shqipërisë.
 
Meqënëse ju e keni studiuar Raportin si dhe rekomandimet që ai përmban, cilat mund të ishin çështjet, shqyrtimi i të cilave mund të fillonte menjëherë, që tani?
Siç përmenda edhe më lart, hapi i parë do të duhej të ishte studimi i Raportit dhe fill pas kësaj të shqyeroheshin rekomandimet.
 
A mund të përmendni disa nga këto çështje, të cilat ju i konsideroni si më të rëndësishme për të filluar që tani....?
Të gjitha rekomandimet janë të rëndësishme, por në kuadrin e kësaj interviste do të kufizohesha vetëm në çështjet e mëposhtme: a) Problemi i KQZ-së. Si duhej vepruar? Cilat mund të ishin variantet që do të realizonin në praktikë rekomandimin e përsëritur në disa raporte të OSBE/ODIHR-it. Duhet të sigurohet pavarësia institucionale e KQZ-së(shih rekomandimin 12, fq 29). Çfarë u bë për zgjidhjen e problemit të KQZ-së sipas ndryshimeve që ju bënë Kodit Zgjedhor në korrik 2012, kur dihej se OSBE/ODIHR-i më parë kishte rekomanduar riformatimin e këtij institucioni? Kam mendimin se nuk u bë ndonjë riformatim.

Politizimi i tij nuk pati ndonjë zbutje, ndërsa ndikimi partiak nuk pushoi. Kritikat që bëhen në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it, janë të atilla që imponojne shqyrtimin me seriozitetin e duhur të këtij problemi. E them këtë sepse në të gjitha zgjedhjet ndikimi partiak ka qënë evident. Me të drejtë është thënë se i rëndësishëm është vullneti politik, por ky vullnet, nuk mund t’i kundërvihet zbatimit rigoroz të ligjit. Kush shkel ligjin, duhet të përgjigjet. Toleranca shoqërohet me pasoja të dhimbshme.

b)Për Kolegjin Zgjedhor, në raport ka gjithashtu kritika. Nuk e shikoj të nevojshme të ndalem në to. Por sipas raportit të OSBE/ODIHR-it trajtohet një çështje kushtetuese. Në të thuhet se edhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor duhet të jenë afatshkurtëra. Dhe për këtë pikë Raporti i referohet nenit 43 të Kushtetutës ku thuhet se: “Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor një një gjykatë më të lartë përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe...”. Mund të jetë objekt diskutimi: ku(në cilin organ) duhet të paraqitet ankimi, dhe çdo vendim i Kolegjit Zgjedhor mund të atakohet.

Në këtë drejtim vlen të shprehim mendimet e tyre juristë(gjyqtarë, prokurorë, avokatë), konstitucionalistë etj). c) Në rekomandimin numër 1 të Raportit të OSBE-ODIHR-it thuhet: “vëmendje duhet t’i kushtohet sqarimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor të cilat përkufizojnë aktet normative dhe akte të tjera që duhet të miratohen vetëm me një shumicë të cilësuar”. Lidhur me këto çështje, raporti evidenton fakte të moszbatimit të drejtë të ligjit si nga KQZ-ja edhe nga Kolegji Zgjedhor. Në këtë drejtim drejtim mund të kihen parasysh edhe përkufizimet që jepen në Kodin e Procedurave Administrative, megjithëse edhe në këtë Kod mund të jetë e nevojshme të bëhen disa ndryshime edhe saktësime.
 
Shkrimi u publikua sot (25.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Mbi 100 mijë çekë po vijnë për turizëm në Shqipëri', Spiropali takim me homologen Adamova

'Mbi 100 mijë çekë po vijnë për turizëm në Shqipëri', Spiropali takim me homologen Adamova