Diferenca mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berisha është tepër e qartë, në të gjitha planet! Këtë nuk e ka vënë askush në diskutim, është evidentuar në të gjitha rastet, edhe nga ata të cilët nuk e durojnë kryeministrin socialist!

Por këto dy ditët e fundit e kanë thelluar shumë këtë diferencë mes tyre! Shqiptarët, por dhe aleatët tanë të mëdhenj, nuk kanë pasur nevojë të bëjnë bilance të gjata apo të konsultohen me askënd, për të arritur në këtë konkluzion. Këto dy ditë kanë qënë ‘lakmuesi’ ideal për të dalluar qartë dhe saktë këtë diferencë mes tyre, rëndësinë që ka secili për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe pse jo për të treguar se pse Edi Rama do të vijojë të qëndrojë shumë gjatë në pushtet, përtej 4 mandateve qeverisëse që ka fituar në ballafaqimin e drejtëpërdrejtë elektoral me PD e Berishën!

Në të njejtën ditë, kryeministri që Edi Rama u nis drejt Uashingtonit, me ftesë të presidentit amerikan Donald Trump, për të firmosur dhe marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Bordit të Paqes, në Tiranë erdhi realizoi vizitën delegacioni i Parlamentit Europian i kryesuar nga i djathti David McAllister, takoi tërë politikën shqiptare, që nga Edi Rama e deri te Tabaku e Gaz Bardhi!

Zyrtari i lartë i PE, i takoi të gjithë, të majtë e të djathtë, mazhorancë e opozitë, teksa realizoi misionin e tij për të cilin kishte zbarkuar në kryeqytetin shqiptar, ndërkohë që nuk i doli koha për të takuar kreun e opozitës shqiptare, Sali Berisha! E deklaroi qartë këtë fakt, kur tha se i kishte takuar përfaqësuesit e opozitës, teksa shmangu takimin me kreun e PD, Berisha, për ‘mungesë kohe’! Duke vijuar në këtë mënyrë traditën e krijuar gjatë tërë këtyre viteve, atë të mos shkeljes në selinë së PD për takim me Berishën, nga asnjë zyrtar i lartë europian. Amerikan jo e jo!

Praktikisht ditën e mërkurë, zyrtari i lartë i të djathtës gjermane në pushtet, njëherësh dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian, ia ka ‘rifeskuar’ Berishës non gratën. Pavarësisht se kreu i PD është shpallur non grata vetëm nga SHBA e Britania e Madhe, me motivacionin tepër domethënës, për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, edhe vendet e BE, e kanë trajtuar e vijojnë ta trajtojnë Sali Berishën si person ‘non grata’!

Nuk e qasin në Bruksel as Strasburg, pavarësisht se si udhëton Berisha, herë me ftesën e Albana Vokshit e herë në mënyrë private, në përpjekjet e tij për të nxirë Shqipërinë nëpër botë deri në Brazilin e largët, pavarësisht se çfarë deklaron se takoi ‘x’ apo ‘y’ zyrtar të lartë të BE apo PE! ‘Kallaji’ i del kësaj pune kur zyrtarët evropianë vijnë në Shqipëri dhe bojkotojnë Berishën sy më sy, duke treguar se lideri i PD vetëm ka bërë rrugë boshe nëpër Evropë, pa asnjë takim, pa asnjë mbështetje! Shqiptarët këtë e dinë fort mirë, me kohë dhe vakt se koha politike e Berishës ka përfunduar, e bashkë me të, sa të jetë në krye të PD, për këtë parti, është mbyllur pretendimi për të qënë alternativë qeverisëse, ndërsa po zbret poshtë e më poshtë, drejt mosekzistencës!

Ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, këtë të enjte jo vetëjm që mori pjesë në mbledhjen themeluese të Bordit të Paqes, i ftuar personalisht nga presidenti amerikan Donald Trump, jo vetëm që shtrëgoi duart me numrin një të SHBA, por dhe mbajti dhe fjalën e rastit në prani të tij teksa u dëgjua me shumë kujdes, por dhe zhvilloi një takim kokë më kokë me Trump, në prezencë dhe të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të mbledhjes!

Kryeministri Edi Rama, edhe njëherë në Uashington, sikurse ka qënë gjithherë i gatshëm të flasë, ngriti çështjen e Kosovës në sytë e presidentit Trump dhe të të gjithë botës, duke kërkuar në emër të shqiptarëve e të Zotit ndihmë për mbrojtjen e UÇK dhe ish komandantëve të saj, të cilët janë burgosur që prej gati 6 vitesh dhe po gjykohen padrejtësisht në Hagë! Rama nuk është hallakatur nëpër tubime apo rrjete sociale duke bërë patriotin siç po e bëjnë këta ‘partriotët e mëdhenj’, por e ngriti këtë çështje para njeriut më të fuqishëm në tokë, presidentit amerikan Donald Trump, ku i kërkoi t’i japë fund lincimit të Kosovës e çlirimtarëve të saj, të sjellë Thaçin e të tjerët në shtëpi.

Rama i ka kujtuar Trump se i njëjti prokuror, Smith, që përndoqi vetë presidentin amerikan, po përndjek dhe Thaçin, të cilin e arrestoi rrugës për në Uashington, ku do të nënshkruante marrëveshjen me Vuçiç, në prani të Trump! Një diplomaci dhe lidership e paparë deri më tani nga asnjë udhëheqës shqiptar, teksa mundësinë e vetme që iu dha para njeriut më të fuqishëm të botës, nuk e shfrytëzoi si politikanët e tjerë politikë shqiptarë për axhendat personale politike, por për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në tërësi. Apeli i tij ‘Për hir të Zotit President, le të bëjmë diçka përpara se, siç thoni ju, gjëra të këqia të mund të ndodhin sërish”, besojmë se do të mbetet gjatë në memorien e shqiptarëve! Dhe si një paralajmërim për ndonjë rrezik, por dhe se shqiptarët janë të gjithë bashkë përballë çdo rreziku, në aleancë me SHBA-të!

Askush nuk e imagjinon Berishën në këtë stad, as kur ka qënë në pushtet dhe as tashmë që është në opozitë! Përkundër Ramës, që asnjëherë nuk ka folur në gjuhë të huaj kundër opozitës jashtë vendit, Berisha, në të gjitha herët, si në pushtet ashtu dhe në opozitë, nuk e ka ndarë sulmin ndaj kundërshtarëve politikë! Tashmë që është rënduar dhe nga mosha, hallet me drejtësinë dhe ‘non gratën’ në SHBA e Britani, trajtimin si non grata nga vendet e BE dhe ato të rajonit, rënia e PD me nga 250 mijë vota çdo palë zgjedhje dhe rrënimi total i opozitës, Berisha e ka trashur gjuhën kundër Shqipërisë e shqiptarëve! Herë del e bën thirrje në drejtim të BE për të rishikuar negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe vendosur kushte të rënda, pasi sipas tij, është narkoshtet, herë bën thirrje për konflikt mes shqiptarëve të Shqipërisë e Kosovës, që të mos pranojë Edi Ramën në Prishtinë sepse është armik i Kosovës. Berisha në fund të herës ua merr erzin shqiptarëve, me perceptime sipas realitetit të tij paralel! Shyqyr që nuk e dëgjon njeri!

Dhe në fund të herës, Rama jo vetëm që shkoi në Uashington, jo vetëm që shtrëngoi duart me Trump, por dhe bisedoi me të në fund të takimit! Do ta zbardhë vetë bisedën, por jemi të bindur që ka folur për të mirën e Shqipërisë dhe Kosovës! Njëherësh u ka dhënë fund dhe ‘dilemave’ të lidershipit të opozitës të kryesuar nga Berisha, por dhe ‘investigativëve’ afër e rrotull tij, që flasin me ‘100 përqind siguri’, se Rama nuk ka shkuar të takojë FBI-në apo organet e tjera ligjzbatuese amerikane për të ‘dhënë llogari’ për një çështje të mbyllur me kohë dhe vakt si ajo e McGonigal, por ka marrë pjesë në Bordin e Paqes si i ftuar i presidenti Trump, ka folur për Shqipërinë, Kosovën dhe lirimin e të burgosurve të UÇK në Hagë, për t’u kthyer në Shqipëri sipas axhendës së mirëpërcaktuar dhe për të realizuar dhe detyrat që dalin nga pjesëmarrja në Bordin e  Paqes të kryesuar nga presidenti amerikan! Nga ana tjetër na ‘vjen’ dhe pak keq që ëndrra e opozitës dhe  mbështetësve të saj, me helikopterë luftarakë dhe delta-forcë, mori fund njëherë e mirë! Themi na vjen keq, pasi ishte i vetmi ngushëllim për ta në këto kohë të vështira!