Mund të dukemi kategorikë në këtë konstatim të trishtë, por sikurse po rrjedhin ngjarjet, për hir të së vërtetës kanë ngecur në vend dhe pa asnjë ‘rrjedhje’ përpara, të gjitha analizat të çojnë tek ky konkluzion aspak i mirë: Që dosja e vrasjeve të 21 janarit 2011 dyshohet se rrezikon të zbardhet kurrë!
Me gjithë optimizmin e jashtëzakonshëm që kemi për ecurinë e drejtësisë së re para, me gjithë besimin pa limit që kemi tek drejtësia e re se pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë në këtë vend do të marrë fund njëherë e përgjithmonë, teksa nuk kemi rreshtur së mbështeturi gjatë gjithë këtyre viteve, dhe do të vijohet me mbështetjen pa ndërprerje, sërish ‘mjegulla’ e mosbesimit na ka mbuluar, teksa shohim se si po ecën procesi i hetimit të ngjarjes më të rëndë në këto 35 vite!
Themi më të rëndë, pasi vrasja e 4 demonstruesve të opozitës me duar në xhepa para selisë së kryeministrisë në mes të bulevardit qëndror të kryeqytetit, nga plumbat e Gardës së Republikës, pra nga shteti, është dhe më e rëndë se sa vrasja e ish liderit të Lëvizjes studentore Azem Hajdari më 12 shtator 1998, para selisë së PD! Sepse Azem Hajdari nuk u vra nga shteti!
Ka mbi një vit që Gjykata e Strasburgut e dha verdiktin e saj, duke kërkuar zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit, e mbi të gjitha duke u ngjitur më lart në ‘herarkinë’ shtetërore të asaj dite, për të gjetur kush ka dhënë urdhër për të qëlluar mbi turmën e demonstruesve pa dallim, pra për të qëlluar në ‘mish’, teksa kjo turmë ishte shpërndarë thuajse plotësisht!
SPAK kishte hezituar më parë të merrte në dorë hetimin e kësaj çështjeje, ishte ‘patate e nxehtë’, ndërsa pas vendimit të Strasburgut, ishte Gjykata e Lartë ajo që ia kaloi Prokurorisë së Posaçme çështjen, prokurorët e të cilës kanë gati në vit që po rreken si e si të hetojnë, por ama, pa prekur Sali Berishën, njeriun që asokohe ishte kryeministër dhe që akuzohet se ka dhënë urdhërin ndaj Gardës, sipas zinxhirit komanduaes, për të qëlluar dhe vrarë demonstruesit e pafajshëm! Nuk ka akuzë zyrtare për këtë! Të paktën deri më tani!
Në funksion të hetimit, deri më tani, është thirrur në SPAK ish ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha, i cili kishte mbi ‘kokë’ eprorin e tij, janë thirrur gardistë, drejtues të lartë policie, por dhe vetë kryeministri i asaj kohe, vetë ai, Sali Berisha!
Kreu i PD është thirrur si person në dijeni, ndërkohë që nuk ka dhënë ndonjë detaj në lidhje me atë çka është pyetur, vetëm ka nxituar të deklarojë se Garda nuk ka marrë urdhër prej tij, ndërkohë që ky institucion sipas tij, vepron sipas rregullores së vet! Madje ka deklaruar se dhe kamerat e sigurisë në kryeministri, për të cilat akuzohet se janë fshirë pamjet e asaj dite, kanë qënë në posedim të Gardës dhe nuk ka asnjë lidhje kryeministria! Anipse kohë më parë ka deklaruar se kishte urdhëruar sekretarin e përgjithshëm të asaj kohe në kryeministri, që t’ua jepte prokurorëve kasetat, ndonëse i vonoi, i ‘përpunoi’, i ‘pastroi’ dhe ua dha bosh! Anipse thuhet se një nga ata që e kanë instaluar këtë sistem kamerash i ka kopjuar të gjitha të dhënat dhe i mban fort, si garanci për veten! Kanë frikë me sa duket njerëzit, prova ëhstë garanci!
Nuk jemi plotësisht në dijeni se si ka qënë ecuria e hetimit të dosjes së rëndë të 21 janarit 2011, ku nga plumbat e Gardës u vranë 4 demonstrues të opozitës, as se çfarë ka deklaruar Berisha para prokurorëve të SPAK për këtë ngjarje të rëndë krimi shtetëror, i pyetur si person që ka dijeni, as se çfarë ka deklaruar Basha në SPAK, deri ku është zbërthyer dhe a e ka ruajtur atë ‘paktin e heshtjes’ me Berishën apo është bërë një ‘i penduar’ i drejtësisë. Nuk dimë me saktësi as se çfarë kanë deklaruar zyrtarët e policisë e të Gardës, pjesë të ‘zinxhirit komandues’ të cilët Berisha nuk i dorëzoi sipas kërkesës së prokurorisë, për t’i futur nën arrest në qeli!
Për hir të së vërtetës kur vjen puna për dosjet e Berishës, edhe këta ‘investiguesit’ e mediave që ‘furnizohen’ me lajme nga SPAK, duke publikuar deri dhe elementët më ordinerë të një përgjimi ambiental apo zbërthim celulari, në këtë rast nuk publikojnë asnjë informacion se çfarë ka ndodhur sëpaku për hetimin e vrasjeve të 21 janarit! Jo vetëm që nuk ‘rrjedhin’ por as ‘pikojnë’ dosjet e Berishës nga SPAK tek mediat dhe tek publiku! E shtrëngojnë fort, dosjen në këtë rast!
Por deri më tani, kur kanë kaluar shumë kohë, kemi parë se po ecet shumë ngadalë! Mbetet mister pse prokurorët e posaçëm ende nuk kanë arritur të sfidojnë veten, që në funksion të kopsitjes së dosjes së ’21 janarit’ të shkojnë dhe nëpër mediat tona kombëtare ose jo, për të marrë atë kasetën origjinale të emisioneve televizive, në të cilat me zë e figurë Berisha mburrej se kishte vendosur në tarracën e kryeministrisë 5 snajperë me urdhërin e prerë për të qëlluar direkt me plumb ballit kreun e atëhershëm të opozitës Edi Rama, nëse ai bënte një hap para dhe kalonte gardhin e kryeministrisë! Gardh i cili që nga viti 2013 nuk ekziston më! Apo deklaratën tjetër të Berishës, sipas të cilës, jo 3 por 300 protestues do të vriteshin, nëse më 21 janar kalohej gardhi i godinës së kryeministrisë! Nuk e dinë nëse është marrë nga SPAK dhe kjo kasetë.
Megjithatë, të gjithë shqiptarët i kanë dëgjuar live deklarimet e Berishës në këto media dhe për këto urdhëra që kishte dhënë më 21 janar, janë dhe në google të gjitha videot me këto deklarata, me të cilat janë njohur dhe ata shqiptarë që s’kanë ndjekur emisionet televizive live kur ka folur Berisha për urdhërat që ka dhënë për snajperët dhe për moskalimin e gardhit të kryeministrisë! Pra, se kush i ka dhënë urdhër Gardës për të qëlluar mbi demonstruesit e opozitës më 21 janar 2011, shqiptarët e dinë fare mirë! E di dhe Strasburgu, i cili vetëm emrin nuk i ka vënë Berishës si urdhërdhënës, në vendimin e marrë mbi një vit më parë ku kërkon hetim me themel për këtë dosje të rëndë! Pra për t’u ‘ngjitur’ tek ‘maja’ e piramidës së komandimit të asaj kohe! Urojmë që ta dijë edhe SPAK këtë fakt!
Megjithëse i pashpjegueshëm mbetet fakti i zvarritjes së hetimit të asaj kasetës me incizimin audio që përmbante urdhërat e dhëna për të qëlluar mbi demonstruesit! Pse nuk është bërë ende ekspertiza! Të thuhej se ishte ndërhyrë dhe kaq! Për më tepër, vonesa në dorëzimin e kasetës me regjistrimin origjinal, garancia që u tha se u kërkua, dhe qëndrimet e veprimet deri në këtë moment, nga shumë aktorë që me apo pa dëshirën e tyre janë të përfshirë në këtë proces! Pasi vërtetë kemi dyshime, sepse ku më pak e ku më shumë, të gjithë e kanë ‘ngrënë’ presionin e Berishës, dhe kjo duket dhe me sy të lirë!
Me pak fjalë, sa garanci ka që kjo kasetë të cilësohet si origjinale nga SPAK për t’u marrë si provë në hetimin e dosjes së ’21 janarit’. Sepse duhet të kuptohemi, Berisha nuk lëshon ‘pe’ asnjëherë falas! Diçka përfiton, ndaj ka ngritur, sikurse thonë ‘gojët e liga’, dhe një media të familjes, përmes të cilës ‘dorovit’ sa andej këndej kundërshtarët e vet! Apo ku flasin dhe të ‘penduarit’. Nuk i shpëton gjë Berishës, është ‘skile’ e vjetër ai! Të shtrydh mirë e mirë, nuk të lejon në ‘pronën’ e vet që të luash me dy porta dhe të dyzuarin! Prandaj kemi dyshime dhe frikë se mund të rrëzohet si provë nga prokurorët incizimi audio, për të mos u përdorur në hetimin e gjykimin e masakrës së 21 janarit, me pasojë 4 viktima. Të vrarë nga shteti! Sepse Berisha nuk pranon asgjë, s’toleron asnjë, e për pasojë shkon dëm dhe një mundësi për një provë shtesë për 21 janarin! Jo se s’ka prova! Dhe ato që janë deri më tani, mjaftojnë për të bërë një hetim të plotë!
Jemi me të vërtetë dyshues nëse ndonjëherë mund të zbardhet dosja e 21 janarit 2011, kush ka dhënë urdhër që Garda e Republikës të qëllojë mbi turmën, dhe a do të hetohen e gjykohen urdhërdhënësit e hierarkisë më të lartë të shtetit të asaj kohe, sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut që kërkon me detyrim përcaktim vënien para akuzës të kupolës së asaj kohe! Të shpresojmë! Megjithëse ia vlen të përsëritet fakti se zbardhja e vrasjeve të 21 janarit janë ‘testi’ numër një për drejtësinë e re shqiptare! Kjo pritet nga shqiptarët, kjo pritet nga ndërkombëtarët. Ndryshe dhe sikur tërë qeverinë e kësaj kohe dhe të asaj kohe të fusësh në burg dhe të lësh 21 janarin jashtë, nuk quhet drejtësi e bërë në këtë vend! Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë! ‘21 janari’ ka qënë dhe është test për SPAK e GJKKO që në krye të herës dhe në vijim! Sado që ta zvarrisin me ‘artifica’ dhe lojë ‘ping pongu’!
Komente












