PRISHTINË, 12 Mars/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë në Austri, jorezident në Kosovë, Makoto Taketoshi.
Sipas KosovaPress, gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe ambasadori Taketoshi, diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Kryeministri theksoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke informuar mbi axhendën e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, që është e orientuar në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, integrimet evropiane si dhe reformat të cilat do të ndërmerren në shumë fusha të jetës, si pjesë e zhvillimit të vendit.
Kryeministri Mustafa çmoi lart përkrahjen e madhe që Japonia po jep për Kosovën, duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për këtë mbështetje.
Ambasadori i Japonisë, Makoto Taketoshi, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur vullnetin e Japonisë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Kosovën./m.m/












