Për shkak të zhvillimit të Kupës së Botës ku Gjermania po luan për kualifikimin në finale, eventi nuk do të zhvillohet në vendin e përhershëm në Brandenburg por në një stadium skate me akull.
Zgjedhja e këtij vendi ishte një improvizim i momentit megjithatë sipas drejtorit kreativ që organizon Fashion Weeks në të gjithë botë, Jarrad Clark, kjo i shton eventit veçori urbane më interesante. Ai shprehet se moda është një ndryshim i vazhdueshëm dhe ata duhet të përshtaten me çdo risi, ashtu siç janë dhe pritshmëritë për këtë organizim që mendohet se do të korrë mjaft sukses.
Java e Modës në Berlin nuk vjen me emra të mëdhenj stilistësh si në Paris dhe në New York por përgjithësisht me stilistë dhe dizenjues lokal dhe të rinj, që sjellin risitë e fashion për katër ditë, nga 8 deri më 11 korrik. Clark shprehet se Berlini kërkon të jetë pararojë e të resë si në fushën e modës, si në art, apo në muzikë dhe aktualisht në Berlin janë hapur tetë shkolla stilimi nga ku çdo vit nxirren talente të reja.
Ai shprehet gjithashtu se ndër 50 dizenjuesit më të kërkuar 28-të prej tyre bëjnë biznes në Berlin dhe kjo sipas tij është një e dhënë e rëndësishme për nivelin e zhvillimit të modës në vend. Një ndër stilistët me të njohur amerikan, Tommy Hilfiger, do të jetë përzgjedhësi i ‘dizenjuesit të së nesërmes’ ku konkurrojnë mjaft stilistë të rinj, dhe fituesi do të ketë vëmendjen e gjithë medias për të promovuar markën dhe dizenjot e realizuara prej tyre.
Redaksia Online
(Suada B. / Shqiptarja.com)
