Nga Alfons Grishaj
Ai ishte.... Në kohën e inkuzicionit primitiv komunist ka pasur shumë të dënuar “politik” (por pak politikanë të mirëfilltë të ndërgjegjes së kulluar politike). Një nga ata ishte Pjetër Arbnori. Mbase i vetmi i dënuar i ndërgjegjes që u përpoq për krijimin e një Partie politike në oponencë me Partinë në pushtet. Nëse Priftërinjtë e Hoxhallarët, qenë kundër komunistëve se ata ishin njerëz pa fe e Zot , Pjetri u mundua të krijonte një opozitë, të frymëzonte një ndryshim politik, “ Partia Social Demokrate.” Për këtë“mëkat” normal Perëndimor, ai vuajti 28 vjet e gjashtë muaj burg. Në vitin 1990, u aktivizua në demonstratat anti-komuniste në Shkodër. Me themelimin ePD-së, u mundua të krijonte lidhjet me “Opozitën e Re”, por pësoi zhgënjimin e parë, pasi në mitingun e 12 Dhjetorit në “Qyteti Studenti”, njëri nga “liderit” e rinj i tha se nuk merreshin me të burgosur politik.
Na u desh pak kohë që, sëbashku me zotërinjtë Kolec Ndoja, Eduard Grishaj dhe Mond Bushati, t’i mbushnim mendjen që ai t’i bashkohej PD-së, me besimin se ajo do të qartësohej shpejt si opozitë, lidhur me orientimin ndaj çështjes së angazhimit të ish të burgosurve politikë në rradhët e veta. Pas bashkimit me “Grupimin e Ri”, filluan ta luftonin kundërshtarët e tij të vjetër dhe të rinj. Të vjetrit, ishin sigurimi i shtetit dhe PP, por dhe ndonjë i burgosur i ndërgjegjes së pandërgjegjshme, i cili frymëzoi dhe ca injorantë (e kam shkruar dhe më parë) që…vonë u bashkuan me PD, dhe tani na hiqen si shpëtimtarë të PD-së, biles dhe si miq të Pjetrit. Kundërshtarët e rinj ishin laramanë me gjak të helmuar që nuk donin të udhëhiqeshin nga të dënuar politik. Këto të fundit zografisën dhe përrallat (që i dëgjoj dhe sot) që nuk munguan në muret e Shkodrës… shkarravina turpi!
Turpi nuk ka fytyrë tjetër veç fytyrës së njeriut me trup krimbi. Me kohë, këto krimba u shfaqën duke kaluar sa në një krah në tjetrin, biles nuk munguan të përvetësonin simbolin serb të tre gishtërinjve, për të frymëzuar dhe djegur Vlorën, oficerët e shtetit, më pas Shqipërinë. Pjetri… mbeti i njëjtë gjatë baticave dhe zbaticave. Politikanët perëndimorë, nuk vonuan t’i propozonin udhëheqjen e vendit, por ai i ktheu prapa. Kur ma tregoi këtë, e përqafova duke i thënë se kish bërë një akt burrëror.
Pjetri kandidoi dhe për kryetar partie në oponencë me Sali Berishën. Së bashku me disa shokë nuk mbajtëm krahun e tij, por të Berishës. Atij, jo vetëm nuk i mbeti hatri, përkundrazi më tha : “Alfons, ke folë drejtë. Berisha asht njeriu i duhun për të udhëheq vendin… unë nuk kam vitalitetin e tij. Sigurisht, ai ka gabime si të gjithë na, por askush nuk mundet sot për sot me pas karizmën e tij për me i ba ballë kundërshtarëve tanë”. Kryetar i OSCE, Daan Everts, do më thoshte një ditë(sipas origjinalit): “Zotni Grishaj, sikur Pjetër Arbnori të ish në krye të Shtetit, Shqipëria do lulëzonte. Europa dhe Bota do ta ndihmonin Shqipërinë shumë më tepër, biles dhe trazirat e sotme nuk do kishin shans të ndodhnin. Unë e thumbova: “Po Ai ishte Kryetar Parlamenti!” – Everts mu kthye, - “Nuk jam duke folur për pushtetin ligjvënës, por pushtetin ekzekutiv.”
Arbnori hyri në grevë të urisë për fjalën e lirë. Shpirti i tij ishte në kufirin e braktisjes së trupit. Falë fuqisë hyjnore ai u kthye tek ne dhe për një kohë të shkurtër. Gjatë ditëve të grevës së urisë, shkova disa herë për ta vizituar. Një ditë, Tritan Shehu do më thoshte: “ Pjetri na duhet i gjallë… Ai nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevojë për të!”.
Kazani po vlonte. Europa ishte shumë e shqetësuar për Pjetrin. Nuk jam i sigurtë për Genc Pollon, por Jozefina Topalli shkoi në Bruksel. Parlamenti Europian do të çohej në këmbë duke duartrokitur në nderim të Pjetër Arbnorit. Jozefina, momentin në fjalë tregon: “
Të gjithë deputetët e Parlamentit Europian , të majtë e të djathtë u çuan në këmbë duke duartrokitur në mënyrë frenetike , m’u duk vetja shumë e vogël në krahasim me të. Presioni i jashtëm i Amerikës dhe Europës detyroi Parlamentin e kallashnikovëve të aprovonte “Amendamentin Arbnori.
Jozefina Topalli
Arbnori ishte vigan, por jo të gjithë bashkëpunëtorët rreth tij ishin të tillë. Disa u përpoqën të bëheshin të mëdhenj, por kurrë nuk mundën të shkapërcenin vetveten. Eshtë shumë e vështirë të shkapërcesh unin, dhe ky uni pra, është armiku më i madh i mirëkuptimit dhe zhvillimit në shoqërinë moderne. Takoheshim shpesh. Kujtoj promovimin e librit të tij që zhvillohej në Hollin e Teatrit Migjeni. Ishin të ftuar Bardhyl Londo, Zija Çela dhe të tjerë që nuk i kujtoj. Kritikët e rinj, Arben Prendi, Eduard Grishaj, kritikuan ashpër letërsinë komuniste dhe tërthorazi sulmuan dhe miqtë e pranishëm, biles Eduardi shkoi më tutje (pak a shumë, ndër të tjera): “Zotni Pjetër, shumica e të pranishmëve sot nuk do ishin këtu sikur Ju të mos ishit Kryetar i Parlamentit Shqiptar”. Bardhyli, kërkoi një farë ndjese për neglizhimin e letërsisë së ndaluar dhe për teprimet e letërsisë socialiste. Prof. Hasan Leka nuk doli jashtë kontureve të takimit, por udhëhoqi takimin në mënyrë profesionale...
Si letrar, dhe sponsor i atij aktiviteti u ndjeva keq. Pas takimit i kërkova ndjesë Pjetrit, se më dukej sikur miqtë ishin prerë në “besë.”Ai duke vënë buze në gaz mu përgjigj:“Kena kalu 47 dimra të gjatë, na duhen po aq pranvera me i balancu .” Megjithëse Pjetri, thoshte se politika i kish zënë derën, asnjëherë nuk e shikova atë në këndvështrim letrar, shtojcë e papërfillshme për figurën e tij politike. Ai kish lindur për politikë. Burgimi i tij i gjatë nuk ndodhi se i shpëtoi një fjalë nga dëshpërimi, apo se shkroi një poezi hermetike, jo ! Arbnori u përpoq të krijonte një parti kundërshtare për ndryshim… e cila qe e ndaluar kriminalisht. Në atë kohë as nuk mendohej që dikush të krijonte parti sepse akuzohei për supertradhëti nga ligji komunist, pra ishte vetvrasje.
Ai erdhi në PD për të kontribuar në politikë, për t’i shërbyer atdheut. Me mençurinë që e karakterizonte përfaqësoi atdheun në një numër takimesh ndërkombëtare duke dalë faqebardhë. Pjetri në takimin me Presidentin Klinton, do t’i kërkonte të ndërhynte për të shpëtuar popullin shqiptar nën zgjedhen serbe. Arbnorin, bota e njohu dhe e respektoi si Politikan. Natyra e tij ishte sa e ndjeshme dhe e fortë. Në gëzimet e shokëve përmallohej.Në luftën për demokraci ishte i ftoftë dhe i kthjellët. Në ballafaqimet diplomatike, përpunonte mendimin për një përgjigje dinjitoze në staturën e një diplomati të prirur nga përgjegjësia e përfaqësimit të vendit.
Ai nuk urrente askënd! Virtyt ky, i disa të dënuarve me burgim të gjatë që fatkeqësinë e kthyen në filozofi. Ai dhe kur kritikonte socialistët apo të tjerë, zgjidhte fjalorin për të mos lënduar askënd.-“ Mundesh me folë tue rrahë tavolinën dhe mos me të dëgju askush, të njëjtën fjalë mundesh me e thanë me za të ulët e me të dëgju dhe armiku jot” - Kështu shprehei ai. Ngjarjet u rrokullisen siç i dimë të gjithë. Ka disa gjëra që shkruhen sot, të tjerat do i plotësojmë nesër. Por nuk mund të lë pa përmendur, zhgënjimin e tij të dytë dhe të fundit. Ai dhe pse nuk dinte kurrë të ankohej, mendimin e thoshte pa doreza. Para se të shkonte në jetën tjetër, erdhi ne Amerikë me Suzanën. Biseduam gjatë për ngjarjet në Shqipëri. Për çfarë nuk folëm…bëmë humor, kujtuam ditët e lirisë, shokët emër për emër, por për një moment u ndal tek njëri, pushoi pak dhe shtoi: “Nuk ka gja, po si ka mundësi që bashkëpunëtorët e mi me urue kundërshtarin tem, i cili përveç muskujve dhe bamave tij gjatë rregjimit nuk ka asnji cilsi politike?!”Zhgënjimin nuk mund t’ia kuptoje kurrë në tonin e zërit, por vetëm në sytë e tij dhe rrjedhën fjalës logjike.
Mëpas, Ai preku dhe momentin e Selisë së Shenjtë, ashtu siç shkruan dhe Visar Zhiti, por nuk qe ajo brenga etij. Meraku për atdheun ishte shumë më i madh se një karrige. Ai thoshte se duke shkuar në Vatikan, do t’i jepte shtysë njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Ai vuante për ndryshim, vuante për popullin shqiptar që nuk po gjente vetveten. Vuante që gënjeshtra nuk po futej në folenë e vet për ta zënë vendin e vërteta. Nuk i vinte mirë që bashkëpunëtorët e vet i sollën shpinën. Kur fliste për atë problem, ai më shikonte drejt në dritë të syrit, sikur përgjigjen e kërkonte nga unë. Herën e fundit, para se të ndaheshim më tha: “Kur të vij herën tjetër…kena me folë për gjana që u ka ardh koha me i vu në jetë mençurisht… po jo me za të naltë!”... Po nuk qe e thënë që të shiheshim më në këtë botë. Ai shkoi në paqe me Zotin, duke pasur ëndrra jetike për familjen dhe shtetin shqiptar. Sigurisht,pati kundërshtarë, por asnjë armik të mirëfilltë!
“Dasma Shkodrane”
Pas vdekjes, Suzi erdhi me fëmijët e saj dhe më takoi. – “Të kam pru nji dhuratë prej Pjetrit, qi e ka pshtjell me dorën e vet, se mendonte me ardh' me ta dhanë vetë, por…Pjerini (Pjetri) na iku para kohe… more vlla ”. E shikova dhuratën e Arbnorit, ishte “Dasma Shkodrane” e punuar mjeshtërisht. E mbaja në dorë dhe mendja më çoi tek dasma e tij, ku i ftuar qe dhe Dritëro Agolli. Kur erdhi Driteroi, u çuam në këmbë dhe duartrokitem . Respekt për burrin që ua perplasi në fytyrë Enveristëve të pandreqshëm që u përpoqen…dhe e konvertuan pallton, por psikologjinë dhe shpirtin nuk e ndryshuan kurr! Nuk e di pse, por me syrin e mendjes, në tabllonë e “Dasmës Shkodrane”vendosa miqtë e mi të asaj kohe. Ndjeva mall për ta dhe Shkodrën. Më vonë, mendova se kjo dhuratë duhej të qëndronte si amanet për Shqipërinë në dorën e një politikani Amerikan, mik i veçantë i çështjes shqiptare, një nga ata personalitete të shquara, i cili i qëndron gjithnjë besnik traditës së miqësisë shqiptaro-amerikane.Gjatë një darke në shtëpinë e patriotit Ekrem Bardha,“Dasma Shkodrane” iu dhurua pikërisht një personaliteti të tillë, Senatorit Amerikan, Gary Peters. Në emër të “Kishës së Shën Palit”, ia dorëzoi zv/Kryetari i Këshillit të Kishës, patrioti Petrit Doda. I shpjegova Senatorit Peters, historinë e “Dasmës Shkodrane”, dhe kush e kish sjellur në Amerikë. Senatori Peters tha: “Qenka dy herë me vlerë.” Ai falenderoi për këtë nderim dhe u zotua se do ta vendoste në zyrën e tij.
Statuja e tij!
U derdhën lot krokodili… dhe për turpin e një politike pa princip, nderimi i tij u bë kalimtar, pa protokoll shtetëror. U premtua shumë se statuja e tij do vendosej brenda Parlamentit shqiptar, biles u rrah dhe gjoksi, por fjalët i mori era! “Politikanët”shqiptar janë të vetmit njerëz në glob që karrigia e shtetit ua errëson arsyen, duke menduar se nuk do zbresin kurrë prej saj, prandaj sillen si padronë. Kur bien…, përçudi u vjen arsyeja dhe pendohen si një i sëmurë mendor pas terapisë elektroshok. U deshën vite statuja të bëhej realitet. Skulptori Sadik Spahia, realizoi skulpturën e sotme. Për mua, gjykimi për statujën nuk përbën habi. Habija ime do ishte sikur ta lëvdonin:“Post-modernizëm!”,“Fantazi Surealiste!”, “Portret Ekspresionist Politikani!” etj…Mjafton të shikosh Statujat e Shenjta tek Katedralja “La Sagrada Familia”, e Gaudi-t, statujën e Krishtit midis urës që lidh dy kullat e St. Bartolomeo dhe St.Toma, dhe “Kurorën me Gjemba” nga DonMcCullough. Aty ka përgjigjet e pyetjeve, pa lodhur veten me shkapërcime logjike.
Në zallamahinë e protektorëve diletantë, një bravo, për skulptorin dhe organizatorët, kushdo qofshin ata! Gjithashtu, dhe për pjesëmarrësit e këtij evenimenti, të cilët treguan klas. Jehona e statujës së Arbnorit , historikisht përbën një datë që skalitet si memorje, matematikisht bashkohet me statujat e tjera që fshehin lotët në “heshtje”. Po kaluam qëllimisht pranë tyre , na sjellin një epokë, dhe nëse nuk i kemi kundruall , “harresa” , kjo humbëtirë e ndërgjegjes … çdo ditë zbret nga një shkallë në amfitatrin bosh . Moment reflektimi, apo … ?
Figura e Arbnorit mblodhi pozitë –opozitë, shtrëngim duarsh, biseda të ngrohta.Moment reflektimi? Një gjë është e sigurtë. Nuk është një rast për t’u paragjykuar. Edi Rama, aprovoi vendin ku do vendosej statuja. Gramoz Ruçi, ftoi personalitete të pozitës dhe opozitës. Ai vendosi dhe një buqetë me lule duke u përulur përpara bustit Arbnori. Berisha dhe Suzana hoqën vellon që zbulonte në përjetësi dhëndrrin Arbnori. Lulëzim Basha, do çonte lart figurën e Pjetrit. O Zot ! Sa do kisha dëshirë që ky akt civilizimi të ishte në infinit, larg subjektivizmave primitive. Thellë në koshiencën time thashë, përjetova një ëndërr të bukur, por… subkoshienca ime që nuk më ka tradhëtuar asnjëherë, më solli të nesërmen, e cila përftoi pasqyrën reale, ngjyrën e shëmtuar të viteve që përjetuam.....