Jorgjia Truja “këngëtorja
gryk-argjendë”

Jorgjia Truja “këngëtorja<br />gryk-argjendë”
Teksa e lexon librin “Muza e parë” të duket sikur pranë veshit të vjen zëri i Jorgjia Trujës që  rrëfen e njëkohësisht sikur këndon...prandaj, në mënyrë figurative do ta quaja këtë libër në tepër një autobiografi muzikore. Me një stil mjaft të rrjedhshëm, të ngrohtë, aq komunikues dhe me një sinqeritet, ndonjëherë deri në një bukuri naive, libri të rrëmben që në faqet e para, e veçanërisht pjesët e shkruara në vetën e parë nga autorja.
Siç shprehet dhe vetë Jorgjia muzika është udhërrëfyesja e saj e çdo kohe që nga fëminija e deri në fund të jetës.
Muzika për të ka qenë angazhim. Kur kthehet pas studimeve në atdhe dhe shkon te kërkojë punë te ministri Hilë Mosi, ai i thotë: “Bo bo ç’të të bëjmë ty tani?! Ajo thjesht i kërkon të jetë mësuese.
Jorgjia luajti rolin e një artisteje të angazhuar në kohërat më të vështira të atdheut gjatë luftës, gjatë kohës së diktaturës dhe më pas...me ardhjen e demokracisë...kur ishte tepër e moshuar, ajo do të shprehet në epilogun e saj:
 
“Megjithatë këmbët, lëvizjet, shqisat kanë filluar të më lënë. Unë mundohem t’i kap informacionet e reja, t’i gëzohem lirisë së mendimit, lirisë së komunikimit, kënaqësisë së dyerve që hapen e do të hapen përpara krijuesve, këngëtarëve, instrumentistëve përpara kulturave dhe eksperiencave botërore. Kjo është kënaqësia e re që m’u dha mua tashti, pjesëmarrja e tyre në konkurse bëjnë që unë ta ndiej të renë. Unë jetoj me ta. Faleminderit Demokraci.”.
 
Por nga ana tjetër, jashtë angazhimit, Jorgjia si artiste besoi dhe u mbështet te muzika si forma më e lartë dhe më e pastër e shprehjes dhe e kënaqësisë njerëzore. Në këtë rast është arti që ngrihet mbi angazhimin.
 
Jorgjia e nisi jetën artistike në vitet më të begata të artit shqiptar që janë vitet ’30 kur shkruanin kolosët e letërsisë shqipe si Fishta, Faik Konica e Lasgush Poradeci dhe kur u hodhën bazat e artit modern shqiptar të ndikuar nga Perëndimi. Lasgushi e quan Jorgjinë këngëtore gryk-argjendë dhe zërin e saj me valë të florinjtë..dhe ajo këndoi këngë të frymëzuara mbi vargjet e tij.
 
Jorgjia nuk është vetëm një dashuruese e muzikës shqiptare, por dhe e gjuhës shqipe:
“Shqipja jonë e bukur tingëllon aq e bukur në të folur sa edhe në të kënduar”.  Këtë e dëshmojnë dhe faksimilet e dorëshkrimeve të saj të shkruara me një kaligrafi dhe gjuhë të përsosur.
 
Një libër autobiografik është jeta dhe vepra e një njeriu. Dhe një libër i tillë e ka brenda mesazhin mjaft të madh për lexuesin e çdo kohe... të mos harrojmë se jeta e një libri është shumë më e gjatë se jeta reale e një personi...
Duke u nisur nga kjo, do të doja të rikthehesha në faqet e para të rrëfimit kur Jorgjia shkruan se pas vdekjes së babait nëna e saj i lutej cdo mbrëmje zotit ta ndihmonte të rriste fëmijët e saj. Dhe papritmas një natë në muzgun e mbrëmjes dikush  troket në derë dhe i zgjat nënës së saj një zarf e zhduket. Zarfi kishte 5 stërlina...
“Për tërë jetën kjo enigmë mbeti pa përgjigje dhe mbeti në konkluzionin se ishte vetë Engjëlli i Zotit!”.
Por Jorgjia nuk do ta pranonte asnjëherë që fati vinte vetëm nga ndihma e Zotit.
 
“Natyra më kish dhuruar zërin – thotë ajo. Kënga për mua ish gëzimi i jetës!.... dhe në të vërtetë u kthye në burimin e jetës së saj.
 
Jorgjia Truja ishte dhe mbetet e para artiste lirike, e para regjisore e operës shqiptare, e para vajzë nga qyteti që shkoi për studime jashtë shtetit...e para... e para... në shumë gjëra...
Ne gratë e sotme e kemi shumë më kollaj dhe të hapur rrugën nga gratë si Jorgjia Truja. Jeta mjafton për të realizuar ëndrrën, nëse guxon dhe lufton për të.
 
Promovimi i librit
 
Vaso Tole: Jorgjie Truja, Tashko Kraja, janë zbatuese
në terren të ëndrrës së rilindësve shqiptarë
 
Autobiografia për sopranon lirike Jorgjia Truja, e cila ka qenë deputete në 6 legjislatura është promovuar të mërkurën në Kuvendin Popullor. Libri “Muza e parë” u mirëprit nga akademikë, muzikologë, figura të njohura të muzikës dhe të letërsisë, miq dhe të afërm të artistes së madhe Jorgjia Truja. Vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehu  kënaqësinë për zhvillimin e këtij aktiviteti në mjediset e Kuvendit. Meta tha: “Jeta e saj vjen përmes një libri të kuruar me kujdes dhe me dashuri  nga familjarë të saj dhe ekspertë të muzikës, vjen si një kujtim i një kohe së shkuar, që nisi në vigjiljen e shekullit të shkuar dhe që hyn në duet edhe me kohën tonë. Nga Korça e lindjes, në Tiranën e artit të saj, në Romën He studimeve e sërish në Tiranë dhe në shumë kryeqytete të Europës si stacione të ndërmjetëm. Jorgjia meritoi epitetin e një tjetër kolosi të lirikës shqiptare, Lasgush Poradeci.

Për poetin ajo ishte “këngëtarja grykargjendë”. Jetëshkrimi i Jorgjie Trujës në librin “Muza e parë” nis me udhëtimin jetik të një 20-vjeçareje nga Korça që nisej për studime në konservatorin e Romës, Santa Sesilia, vijon me letërkëmbimin e saj të jashtëzakonshëm me njeriun e saj të jetës, inxhinierin Tom Truja dhe vijon deri në ditët e fundit të aktivitetit të saj shoqëror e artistik në shërbim të vendit. Akademiku z.Vasil Tole që u përkujdes për botimin këtij libri tha se “atë ç’ka e bën të rëndësishme për të gjithë, është që përmes jetës së Jorgjie Trujës, ne mund të kuptojmë historinë e Shqipërisë të këtyre 80 viteve të fundit, pasi Jorgjie Truja, Tefta Tashko, Marie Kraja, janë zbatues në terren të ëndrrës së rilindësve shqiptarë. Ndërsa muzikologjia e njohur, znj. Suzana Shuteriqi e ka vlerësuar artisten znj.Jorgjia Truja si një mesazhere e emancipimit të gruas shqiptare. Për librin ka kontribuuar edhe e bija, znj. Takuina Truja Adami, e cila ruan me kujdes të gjitha kujtimet e nënës së saj. 

Shkrimi u publikua sot 4 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)