Jorgo Bulo: Ndryshimet e improvizuara
janë shkatërruese për gjuhën

Jorgo Bulo: Ndryshimet e improvizuara<br />janë shkatërruese për gjuhën
TIRANE- Shkaku i konfliktit mes gjuhëtarëve dhe grupeve akademike të ngritura për të ndryshuar Drejtshkrimin e ‘72-it e ka burimin brenda vetë karakterit shkencor të gjuhës. Nga dokumenti që paraqet tezat që do të diskutohen këto ditë nga grupi i punës vihet re se ndërhyrjet janë shumë të thella. “Me këto ndryshime i bie që në çdo dhjetë fjalë të shqipes një të shkruhet ndryshe”, thotë nënkryetari i akademisë, Jorgo Bulo dhe “për 20 rregulla të ndryshuara ndryshojnë 20 mijë fjalë”.

Siç dihet propozime për njësi të veçanta të gjuhës bëhen nga pozita të ndryshme të disa drejtuesve të akademisë dhe instituteve të gjuhës. Disa duan të bëjnë ndryshime nga pozitat e etimomologut, disa nga pozita e studiuesit të morfologjisë, të leksikografit ose të morfologut, por askush nuk mund të sigurojë, sipas nënkryetarit të Akademisë së Shkencave, përfundimisht një “kompetencë profesionale në studimet që i takojmë mirëfilli Drejtshkrimit”.

Nënkryetari i akademisë, Jorgo Bulo, thotë se këto ndryshime që propozohen nuk bëhen në bazë të studimeve, të cilat duan më shumë 20 vjet punë. Edhe për drejtshkrimin e ’72-shit thotë ai, u deshën 20 vjet punë shkencore. Për profesor Jorgo Bulon nuk është çështje dite ndryshimi, sepse Standardi funksion normalisht, por çështje dite është ruajtja e gjuhës që po deformohet, ruajtja më së pari e atij Drejtshkrimi që kemi aktualisht.

Profesor Bulo, mund të na thoni se në ç’fazë të projektit është komisioni i ndryshimeve në Drejtshkrim. Thuhet se do të bëhen ndryshime të thella?

 -Komisioni është në punë. Do të ringrenë debate, por tezat që sjellin, sidomos kur bëhet falë për ndryshime të mëdha të fjalëve, nuk do të pranohen. Nga anëtarët brenda grupit nuk duhet të pranohet që të

Por tezat e ndryshimeve janë konkrete. Është thënë se do të diskutohen tani në mars. Për cilën datë bëhet fjalë?


-Mbledhja do të bëhet, por këtë e ka në dorë grupi i punës. Ende nuk është lënë një datë e saktë. Mund të jetë në 16 mars, 20 mars, kur ta vendosin, sepse janë në procesin e përshtatjes. Megjithatë unë e kam shprehur edhe më parë. Diskutime do të ketë për gjuhën dhe është mirë të ketë. Por nuk janë vendime reale.

Si nuk janë mendime reale?! Në intervistat e mia gjuhëtarët më treguan tezat për ndryshimet?


-Nuk miratohen. Do të shtrohen tezat, por duhet pasur kujdes dhe duhet pritur se çfarë ndryshimesh duhen miratuar. Për këto është më mirë të pyesni ndonjë gjuhëtar tjetër.

Po kam pyetur. Profesor Emil Lafe thotë se “nuk di gjë për mbledhjen e marsit”. Profesor Rami Memushaj ka kundërshtuar disa ndryshime. Ka këtu një mënjanim të gjuhëtarëve të njohur nga diskutimi?

-Ndoshta. Nuk e di pse ka thënë Lafe që nuk di gjë. Por unë mendoj se para se të shtrohen këto teza duhet të merret mendimi i gjuhëtarëve me përvojë në këtë punë. Ndryshimet duhen bërë me kujdes të madh.

Pasi të jenë aprovuar tezat, sa kohë duhet të bëhen fakt këto ndryshime?


-Më parë dua t’u them se nuk duhet ngutur për ndryshimet. Ky është mendimi im. Sot ende nuk është koha për ndryshime gjuhësore. Është koha që të zbatojmë më parë normën që është në fuqi. Ju e dini sesi është shkatërruar kultura gjuhësore sot. Drejtshkrimi nuk po zbatohet fare, edhe ai që është. Ndaj të bëhet më parë zbatimi i këtyre normave, sepse standardi i ‘72-shit është ndërtuar në mënyrë të tillë dhe me përgjegjshmëri të lartë, saqë funksionon edhe sot më së miri. Të gjithë shkruesit, letrarët, studiuesit janë mbështetur në këtë standard dhe janë lënë hapësira të gjera edhe për shkrimin në letërsi dhe poezi. Ndaj, meqë unë nuk jam gjuhëtar i mirëfilltë dhe jam nga ana tjetër përdorues i Standardit mendoj se ende nuk ka ardhur koha për të dhënë alarmin për ndërhyrje dhe ndryshime. Alarmi se duhen bërë ndryshime është i rremë. Alarmi që duhet të ngremë sot është se duhet zbatuar norma.

Megjithatë lajmet vijnë për ndryshime të fjalëve.

-Po, sepse në këtë përpjekje për ndryshime, dhe sidomos ndryshime të mëdha ka spekulime që u mëshojnë më shumë bindjeve dhe ideve folklorike sesa argumenteve gjuhësore shkencore. Gjuha duhet të punohet me ndryshime të vogla, të rralla, të imëta, vetëm kur është nevoja. Ndërsa tezat për ndryshime të mëdha janë të pavlera. Rregullat gramatikore janë mbështetur mbi prejardhjen e fjalëve në të dyja dialektiket, në etimologjinë e tyre dhe nuk është e lehtë të zhvendosen pa një studim të thellë shkencor. Unë mendoj që grupi të shtrojë çështjen në diskutim shkencor.

Akademik Kolec Topalli thotë se nuk ka probleme me legjislacionin, ndërsa drejtori i Institutit të Gjuhësisë thotë se ka. Ka një ligj që lejon ndryshimin e Drejtshkrimit?

-Përderisa ndryshimet nuk marrin miratimin zyrtar, asnjë ndryshim në Drejtshkrim nuk lejohet. Idenë për të bërë ndonjë përmirësim vetë kongresi e la të hapur, por jo ndryshime rregullash apo fjalësh të ngulitura. Sepse, edhe nëse ndryshohen 20 rregulla, do të thotë që janë 20 mijë fjalë të ndryshuara. Diskutimet do të mbeten çështje të grupit. Asnjë vendim i detyrueshëm sipas procedurave.

Ky grup muaj me parë e la punën në mes në qershor. Pra, vetë gjuhëtarët u konfliktuan me çështjen ne fjalë?

-Unë mendoj se ndërsa tezat e propozuara muaj më parë kanë qenë të tepruara dhe të panevojshme. Nëse vazhdohet kështu, kjo nuk do të lejohet. Di që brenda grupit ka mendime te ndryshme. Nuk di se çdo të ndodh në mbledhjen ardhshme. Rëndësi ka që grupi të mblidhet dhe të lejojë vetëm ndryshime të matura, të qëndrueshme. Koncepti duhet të jetë i matur.


Nëse aprovohen 20 ndryshime, siç tha akademik Topalli, çfarë rrjedhoje ka?


-20 ndryshime? Nëse bëhet fjalë për 20 rregulla ato do të bëhen 20 mijë fjalë. Ndryshimet do të sjellin konfuzione, do të dalin nga qarkullimi fjalorët, të gjitha tekstet shkollore, etj. Por dua të theksojë edhe njëherë se ajo që duhet të na shqetësojë është si të ruajmë rregullat gramatikore që kemi. Sot po shkelet norma. Po deformohet kultura e gjuhës. Propaganda e ndryshimeve dhe studimeve të mëdha është një nxitje për nënvleftësimin e normës dhe shkujdesjen ndaj kulturës gjuhësore.


(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)


  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Anonimët në qeveri, sy shkelje ndaj teatër-opozitës', Basha: Rama u tha socialistëve, s'ka rëndësi kush ikën e vjen, këtu jam unë dhe Berisha

'Anonimët në qeveri, sy shkelje ndaj teatër-opozitës', Basha: Rama u tha socialistëve, s'ka rëndësi kush ikën e vjen, këtu jam unë dhe Berisha