HIMARE, 5 Qershor/ATSH/- "Jam shumë i emocionuar, por dhe me një peshë të madhe përgjegjësie" . Kështu u shpreh Jorgo Goro, kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Himarës, gjatë prezantimit të programit të tij elektoral në lagjen e tij të lindjes, "Himarë fshat". Në takim ishin prezent edhe deputetët e Partisë Socialiste Koco Kokëdhima dhe Mira Shehu.
"Në vjeshtën e sivjetme do të nisim rindërtimin e bregdetin të Himarës, por do zgjidhim përfundimisht dhe problemin e ujit, do ndërtojmë bypass-in e Himarës e do fillojmë ndërtimin e Lungomares së qytetit"- u shpreh Goro para bashkëqytetarëve të tij.
"Kemi dy vjet që punojmë me urbanistët për një Plan Urbanistik të qytetit i cili do sistemojë trafikun, duke ndërtuar unazën e re. Ju premtoj se viti tjetër do e gjejë Himarën destinacionin me atraktiv të Shqipërisë".
Goro përsëriti premtimin e Kryetarit të qeverisë Edi Rama kur tha se problemi i ujit në Himarën e re do të zgjidhet përfundimisht, me projektin tashmë gati për të sjellë ujin nga Kuci, gjë që do të bëjë të ketë ujë 24 orë nga Vunoi në Qeparo".
"Kemi përfunduar projektin e bregut të Himarës, ndërsa projekti për unazën e Himarës ka nisur", - tha Goro gjatë prezantimit të programit të tij elektoral.
"Investimet që do të vazhdojnë të kryhen në vazhdimësi, në Himarë veçanërisht ato në rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të furnizimit me energji elektrike, në sistemin e ujit të pijshëm me nderhyrjet në ujësjellesat aktual apo ndërtimin e atyre të rinjve, janë garancia e një Himare të zhvilluar dhe të përparuar. Një Himarë të klikuar më së shumti nga vizitorët e huaj, si destinacioni më atraktiv turistik ne Shqipëri".
Ndërkohë Goro foli për investimet në infrastukturë: "Ne kemi filluar punën dhe besoj të gjithë e kanë parë atë që po bëhet në bregun e Qeparoit. Dhe them me kënaqësi që sapo ka përfunduar projekti për bregun e Himarës, i cili do ta transformojë të gjithë këtë pjesë të bregdetit në një pjesë turistike të mrekullueshme duke vazhduar me rradhë me Dhërmiun e më të gjithë fshatrat e bregut".










