Justina Aliaj: Karrierën e fillova mbarë me mësuesin Tonin Daija

Justina Aliaj: Karrierën e fillova mbarë me mësuesin Tonin Daija

Justina Aliaj

Nuk e dija që Justina Alia kishte ardhur në Vendlindje të çmallej me të. Kur e mora vesh se Justi “jetonte” prej disa ditësh në Shkodër, lajmi më befasoj e nuk më befasoj, por shpejt u kthye në mall e u bë udhë për ta kërkuar...

Në “heshtjen” e arkivës së teatrit “Migjeni” të Shkodrës e kisha përsëritur shumë herë emrin e saj: Justina Alia, kur “takoja” personazhet që krijoi, veçanërisht në skenën e teatrit, ku la një botë të magjishme e të paharruar edhe me këngë, krahas aktrimit.

Ajo e kishte lexuar shkrimin tim për jetën e saj botuar në një gazetë, pak muaj më parë. Siç më tha më pas, menjëherë e kishte përkthyer në anglisht. Ndoshta për t’u thënë miqve të saj se, tani që jetonte në dhe të huaj, më parë kishte pasur një dhe që ajo kishte qenë dikushi... Se dikush edhe nga Vendlindja e kishte kujtuar... 

Pas shumë bisedave, më në fund i kërkova një intervistë me shpresë, se do t’ia plotësoja më tej portretin e saj prej artisteje. Ajo vetëm buzëqeshi. Mua m’u duk se buzëqeshi si dikur...

Intervista u realizua, me datën 01.12.2000, ora 12.00, dy dytë para se të largohej nga Shkodra.

Vërtetë, intervista ime ishte e fundit, por kishte një kredo, se fillonte nga Vendlindja. Me Vendlindjen kështu ndodh. Është e para, është në formë zemre, dhe të shoqëron kudo...

Gjatë bisedës me Justin ndjeva se zëri i saj kishte një mall të përvëluar për prindërit, të afërmit, miqtë, për çdo rrugicë të Shkodrës. Fjalët që artikulonte kishin ngjyrë nga poezia e Camajt. Kishte një nostalgji e një brishtësi që e krahasova me erën e papritur të marsit që puth ëmbël e me dëshirë lulet e sapoçelura të kumbullës.

Syve të saj çdo gjë i bënte përshtypje. Ndoshta largësia e viteve... e bënte që çdo gjë donte ta fiksonte jo vetëm me sy, por edhe me kujtesën e shpirtit... Se me Vendlindjen kështu ndodh... Është e para, është në formë zemre, dhe të shoqëron kudo...

Xh. B.: Ktheheni pas nëntë vjetësh në Shqipëri. Shkodrës i keni munguar shumë. Ç’emocione ju pushtuan kur hodhët hapin e parë në Vendlindje? Kë kujtuat? Po më pas?...

Justi: Të parën gjë që kujtova, sigurisht, Nënën time. Një shpresë e vogël më endej në shpirt se mos... se nuk më kishin thënë të vërtetën, pra, do ta gjeja të gjallë. Por, ah!.. (i shpëtojnë ca pika loti). Më pas kujtova Shkodrënloce! Mendja ime fluturoi në vogëlinë time, nëpër ato rrugicat e ngushta tuj lujt me gurë, tuj luj kamlikacik, tuj lujt me shkop, tuj lujt me litar, e kështu... U përhumba krejt si në një imazh, krejt si në një film, krejt si në një... Tamam diçka... larg... larg si në një legjendë,larg si një përrallë... Kjo ishte...

Xh. B.: Shumë kohë më parë në një intervistë, emrin e parë që keni përmendur është ai i zotni Toninit (Daisë). Ç’domethënie ka kjo për ju?

Justi: Po. Është sikur çohesh në mëngjes dhe fillon ditën mbarë. Unë kështu e kam filluar mbarë karrierën time me mësuesin tim të parë, Tonin Daija. Mbaj mend se si më mësonte, kur të këndoja se si ta hapja gojën. Bile e mbaj mend se si me gishtin e madh të palosur duhet të formoja një formë si veza (pozicioni i gojës për të kënduar). D.m.th. këtu ka filluar puna e mirë, rruga e mirë për të ecur në fushën e këngës.

Xh. B.: Ditën e parë që erdhët në Shkodër, a e kthyet fytyrën nga Teatri? Ç’kujtuat në ato momente?

Justi: Nuk i vjen keq kërkujt, që unë i kthehem gjithmonë nostalgjisë. Kujtova atë masë njerëzish që mbushte rrugën qysh prej monumentit të Heronjve të Vigut e ndoshta dhe më përpara hotel “Rozafës”, prej shfaqjeve të bukura, prej njerëzve që kërkonin me ankth bileta për të parë shfaqjen. Pastaj me të thanë të drejtën kur pashë të rrethuar me... me... hekura (qan), mbylla sytë dhe thashë me vete: “Bukuri që të vret”. E kujtova Migjenin, Migjenin e gjithëkohshëm...

Xh. B.: Të kthehemi shumë vite më parë. Po e nisim me figurën e Norës te drama me të njëjtin titull e Andrea Skanjetit. Ç’vlera i dha aktorja J. Alia?

Justi: Është krejt e thjeshtë. Nëse do të flasim pak me termin e teatrit, unë jam për artin e të jetuarit, pra, jam me teorinë e Stanislavskit. Personazhin mundohem ta mishëroj, ta bëj sa më real, të fut diçka nga vetvetja ime. Nora, në fakt nuk ishte një rol shumë i vështirë, sepse përkonte me disa të dhëna, me disa fakte, me disa karakteristika që pak a shumë i kisha: duke filluar që nga mosha. Luaja moshën time. Drama ishte me subjekt nga Veriu. Unë po gjithashtu zotënoj gegënishten. Pra, kishte mjaft gjëra, pa dashtë të nënvleftësoj ato çka Zoti më ka dhanë dhunti për ta interpretuar atë rol, që aq shumë e dua, e që e kam aq shumë në shpirtin tim.

Xh. B.: Po e vazhdojmë me personazhin e Danës te “Djem të mbarë” të dramaturgut Fadil Kraja. Besoj e kujtoni?

Justi: Ky personazh ka emocionet e veta, kujtimet e veta. Krahasoj me rolin që do të luaja, çuditërisht përkonte edhe me disa probleme që më rrethonin mua. E kam fjalën për gjendjen time sociale,  për kushtet me të cilat ndodhesha, për ato dënimet e famshme etj., etj. Por me të thanë të drejtën e kam si një mbarësi Danën te “Djem të mbarë” të F. Krajës. E kisha mbarësi në karrierën time për aq kohë sa jetova në Shkodër, sepse kjo më dha mundësinë të luaja më vonë te “Shpartallimi”.

Xh. B.: Ç’figura të tjera kujtoni nga skena e teatrit “Migjeni”?

Justi: Gjithçka të bukur që luhet në skenë. Aktorët e dinë mirëfilli se çfarë jam duke thënë... Gjithçka e bukur, në qoftë se unë e kam arritur, kurrsesi nuk e kam arritur pa aktorët, të cilët i kam pasur partnerët e mi në skenë. Shpesh herë një rol që e kam arritur mirë në shpirtin tim, mbasi mbaroja shfaqjen, shkoja e i thosha: “Lec (Bushatit) sa shumë më ndihmove që ta nxjerr këtë moment të bukur. Të faleminderit! E ai, po ashtu më thoshte mua. Kam kujtimet më të bukura për këtë aktor të shkëlqyer, që ishte një figurë potenciale e teatrit të Shkodrës. Njeri i jashtëzakonshëm ishte Lec Bushati! Ishte partneri im i denjë, shoku im i skenës që s’do ta harroj kurrë!”    

Xh. B.: E kujtoni rolin e Lirisë te “Yjet e netëve të gjata”, rolin e hallës së re te kinokomedia “Çifti i lumtur” dhe filmi “Thirrja”? Ç’menduat ju si aktore e si Justinë?

Justi: Kujtoj gjithmonë “Djem të mbarë”, “Norën”, “Shpartallimi”, e do të kisha dëshirë t’i kujtoja edhe të tjerat, por fatkeqësisht unë nuk arrita, sepse në atë kohë u martova dhe shkova pas burrit. Mund të kujtoj, ndoshta, anën tjetër të medaljes, anën muzikore timen. Sigurisht është një aktivitet i gjithanshëm, i vazhdueshëm, i dendur me koncerte të ndryshme qoftë në estradë, në bankete, përkujtimore, në festa të ndryshme, etj. Unë isha e gjithanashme dhe ... (qesh) isha me të vërtetë ngrohtësisht e rrethuar me muzikë, e ngrohtësisht e rrethuar me opinionin, me Shkodrën time, me njerëzit që gjithmonë me inkurajonin, më uronin..., edhe atëherë kur dikush këndonte ose fishkëllente ndonjë moment kënge që i kishte mbetur e dëgjuar në estradë një natë më parë, ose dikush tjetër kujtonte një tekst timin. Gjithashtu kujtoj edhe momente të tjera që kam interpretuar poezi, të cilat i dua aq shumë!

 I kujtoj dhe “Yjet...”. Është ndër momentet e para të pjesëmarrjes sime në kinematografi. Fiilimisht ka qenë një ndihmë e madhe për t’u angazhuar, për t’u ingranuar ose më tepër për të studiuar mënyrën, procesin si kryhet në kinematografi, edhe si aktori mundet të realizojë një rol kinematografik, i cili është krejt ndryshe nga teatri.

Roli i hallës! Kam uruar, kam lutur Zotin të mbarojë sa më shpejt ajo skenëz, se po më mbyste së rrahuri aktori Pistol Soja. E më gjuante taman. S’kisha ç’të bëja, duhej bërë ashtu...

Oh, po si jo?!.. (lëshon një psherëtimë të thellë e drithëruese). Filmi “Thirrja” më kujton..., bile e kisha harruar titullin. Më ka ardhë mirë që e kam harruar, sepse është mirë të fshish disa gjëra. Ma kujtuat... Tani po kujtohem edhe unë. Ai ka sjellë një kthesë të jashtëzakonshme negative, për sa i përket karrierës sime. Më bëri një barrikadë të fuqishme që më tha: “Stop! Ne jemi zot e jo ti!”

Xh. B.: Jeni dhe këngëtare. Si keni hyrë në këtë rrugë? A mund ta thërrisni fëmijërinë dhe kujtimet nëpër vite?

Justi: Po si jo. Shkodërlocja ime, është një qytet që lindi bashkë me muzikën. Çdo qenie, çdo njeri mbi këtë tokë të Shkodrës sime lind me muzikë, ai është bashkë me muzikën, shpreh e rrezaton muzikë. Kësisoj, unë nuk jam e veçantë, unë jam si tanë shkodranët. Zoti e ka dhanë që unë të hipi në skenë dhe me pas mundësinë me u shfaq më dukshëm. Mjafton të dalësh në rrugë e të fillosh një këngë shkodrane, jam e bindur që bëhet një kor duke e kënduar atë këngë të bukur, të pavdekshme, perlën tonë, muzikën magjepsëse popullore shkodrane.Kujtoj që kam kënduar, recituar kur kam qenë e vogël. Bile kam imituar edhe më shumë.

Kur kam qenë e vogël më thërritni edhe djalë. Ka qenë e mbushur, e pasur jeta e fëmijërisë sime. E kujtoj përherë me mall... E kështu kujtoj zotni Hilën (Shahinin). Bënim prova. Isha atëherë në korin e shkollës “Ndoc Mazi”. Dhe zotni Hila gjithmonë më thoshte: “Hajde, more dreq, se më duket se po ta ndigjoj zanin ma shumë!” (qesh) E kështu më mori, më nxori të këndoj një këngë tjetër. Pastaj soliste, pastaj kam shkuar në Shtëpinë e Pionierit, atje ku kisha ëndrrën time, atje ku u përkundën sa e sa talente. Është e pamundur të mos kalonin nëpër atë derë edhe “Pula e gjeli”, “Kukulla”... (nis të këndojë ëmbël): Për kukllën due me këndue / për kukllën e fmininë, / kur isha fmi, moj kukull / sa më gëzojshe mu...”, apo: Ko, ko, ko, ko ve, / kokoriste pula e re, / ki, ki, ki, ki / po këndonte gjel’i ri. Këngën ë kukullës e ka bërë kompozitori Pjerin Ashiku, ndërsa të dytën, “Pula e gjeli” e ka kompozuar Mark Kaftalli.

Xh. B.: Ku qëndron fajësia dhe pafajësia e Justit?

Justi: Fajësia ime” ishte, sepse këndoja “ala Justinçe”, pafajsia ime mendoj që ndoshta nuk duhej të demonstroja gjithë aftësitë e mia për një kohë të caktuar, siç ishte ajo kohë absurde. E kur këndova në Festivalin e këngës Magjike, t’ju them të drejtën, nuk pata mundësinë të përjetoja atë çka lashë para dhjetë vjetëve, sepse emocionet më kishin mbërthyer deri në atë pikë sa më zgjonin plot kujtime... Por fatmirësisht isha me Arditin (Gjebrenë) në skenë, tek i cili t’ju them të drejtën u mbajta, sepse dridhesha e gjitha. S’më kishte shkuar ndonjëherë në mendje se do të provoja të tilla emocione që s’tregohen dot... Sigurisht ndryshimi është i madh, sepse në vend të kongreseve, etj..., etj... Erdhi, pra, momenti fatlum t’i sfidoj me një këngë, të këndoj... siç këndon Justi.   

Xh. B.: Përse e quani moment fatlum?

Justi: Ajo këngë... nuk e di se si e solli Zoti që unë e këndova shumë vite para dhe kur kthehem pas nëntë vjetëve ajo është përsëri aktuale. Mendoj që kam bërë mirë që nuk e kam kënduar, sepse më mjaftonin dhimbjet dhe më mjaftonte trazimi im... Pastaj s’doja t’i krijoja keqardhje spektatorit, pra, atë që kisha unë, mos ta kishte ai për mua.

Xh. B.: Jeta bën të vetën. Të kthehemi te Justi nënë.

Justi: Çfarë mund të them. Jam një nënë si të gjitha nënat. Mundohem t’i rrethoj fëmijët me përkujdesjet e mia, me edukatën që kam marrë prej nanës sime, prej prindërve të mi, me gjithçka i takon dhe e meriton ky emër aq i çmuar: NANË!

Xh. B.: Fëmijët i keni futur në udhën e artit. Përse?

Justi: Kur i kam futur fëmijët e mi në udhën e artit, nuk i kam futur me mendimin që kjo punë është e fiksuar dhe do të vazhdojë kështu. Në udhën e artit i kam futur në radhë të parë, se diçka kam parandier, diçka kam paraparë, diçka kam shpresuar tek ato. U kam dhënë drejtimin muzikor. Kjo për mua ishte e vetmja “armë”. Në qoftë se një fëmijë do ta shkollosh, muzika “zbut” shpirtrat. Kjo është një rrugë e bukur, një rrugë që nuk të çon në gabim. Kjo ishte edhe një arsye, pse unë i futa fëmijët e mi dhe i drejtova në këtë rrugë. Mbas 8 vjetëve u binda vërtetë, që fëmijët e mi nuk duhet ta lënë më këtë rrugë. Kishin talent e aftësi...

Xh. B.: Fëmijët tuaj nuk e kanë humbur fëmijërinë?

Justi: Fëmijët e mi nuk kanë pasur fëmijëri. Ata gjithnjë kanë studiuar. Nga një herë më vjen keq në shpirt, por... Ata vazhdimisht më falënderojnë, për rrugën që u kam dhënë... Mendoj që fëmijët i kam shokë. Sidoqoftë kjo ka qenë rruga me ta: të punoj e ata të jenë të lirë të shprehin mendimet e tyre, edhe mundësisht t’u japë rrugën e një pavarësie në marrëdhënien me moshën. Nuk ka më keq se sa ta  fusësh në turjelë apo në morsetë një fëmijë. T’ia komandosh trurin, ta bësh robot. Ai nuk mund të jetë kurrë “UNË”. Asgjë interesante nuk do të kishte nëse unë do të thosha: “Justina e dytë”, për ndonjërin prej fëmijëve të mi, për djalin Rubin, apo për vajzën Flonja.

Xh. B.: Me mall këndoni një këngë për Vendlindjen. E kujtoni?

Justi: Sigurisht. Nuk di si të them, ka përkuar gjithçka me atë këngë, jeta, aftësitë, Shkodërlocja, kompozitori shkodran e, në fund që i ndërrova tekstin për të cilin doja që në atë kohë ta këndoja e të këndoja për Bik Ndojën, por nuk më lejuan. E tashti që erdha e pata për detyrë me vu atë tekst që dëshirova: “Sa herë kthehem në qytetin tim / Shkodërloce ky emër sa bukur t’rrin...”Tashti jam e lumtur, sepse teksti është ai që dëshiroja, ai që dua tashti... SHKODËRLOCE, KY EMËN SA BUKUR T’RRIN!..

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka