30 vjet Shqipëri të dëshmuara përmes forcës së imazhit. Zvicerani Hans Peter Jost, dokumenton tranzicionin e një “Shqipërie në mes” endjen e shqiptarëve për sukses dhe dështimeve, ku dora e politikës nuk mund të fshihet. Nga radha e urisë e duar që zgjaten për një çapë bukë, tek bumi i ndërtimeve e një ëndërr melankolike, ndoshta për të ikur, fotografi e sjell Shqipërinë në një album fotografik të rrallë.
2 cikle për çdo dekadë, ku pas çdo fotografie ka një histori për të rrëfyer. Fotografi do të kish dëshiruar të ishin imazhe të gëzuara, si ato që kish dëgjuar në adoleshencën e tij... kur matanë kufijve të Shqipërisë së izoluar, një zë në radio Tirana rrëfente për një vend të begatë nën udhëheqjen komuniste. Nga Zvicra e tij, fotografi Jost rrëfen se ishte fare i ri, kur të gjitha lajmet që dëgjonte në gjermanisht nga ky vend i vogël, kishin ngjyra hareje e përparimi.
“Isha shumë i ri në atë kohë, ndoshta 15 apo 16 vjeç. Dëgjoja radio Tiranën në gjermanisht dhe në fakt i besoja asaj propagande. Pra, e mendoja Shqipërinë, si një vend ku jetohej mirë, ku çdo gjë shkonte mbarë. Pastaj kur doja të vija ta vizitoja kuptova se ishte e ndaluar të udhëtoje në Shqipëri individualisht. Pra mund të shkoje vetëm në grupe të organizuara dhe sigurisht, që kishte shumë kufizime në veshje, flokë, aksesorë etj. Dhe kur i mësova të gjitha këto, kuptova se Shqipëria nuk mund të ishte ashtu si përshkruhej, si një vend ku të gjithë jetonin të lumtur.”, rrëfen Jost.
Do të kalonin disa vite, derisa Jost do të mundte të vinte në këtë vend të vogël e të shihte, sistemin komunist në grahmat e tij. Në ’91-shin kur ai me njohjet në Kryqin e Kuq do të udhëtonte drejt Shqipërisë thuhej se diktaturës i kish ardhur fundi, por fotografi zviceran do ta ndjente pushtetin e saj të rrënjosur që në fluturim...
“Më kujtohet që erdha me kompaninë ajrore “Swiss”, një nga të vetmet që mund të udhëtonte drejt nga Zyrihu në Tiranë. Por kur mbërritëm, piloti na tha se nuk mund të ulej në Tiranë, me justifikime nga më të çuditshmet se në pistë kishte disa bagëti. Kështu që devijoi, dhe nisa të bindem se ky vend ishte shumë ndryshe nga sa e kisha imagjinuar”, tha Jost.
E megjithatë në këtë mori trazirash fati do t’i printe në takimin me mjeshtrin e dekorit dhe aktorin Pjerin Kodhelin. Ai do ta mirëpriste në familjen e tij, ku do të njihte aktoren Justina Aliaj e dy fëmijët e tyre, Flonjën dhe Rubinin.
“Ishte fat për mua që miku im, bashkëshorti i Justina Alisë më shoqëroi e më tregoi Shqipërinë nga veriu në jug e nga lindja në perëndim... Unë isha i ftuar në shtëpinë e tyre dhe më kjo më ka bërë të ndjehem komod. Jam shumë krenar dhe për faktin se fëmijët e tyre, sot kanë ecur. Rubini është një muzikant i famshëm dhe Flonja një aktore e njohur, jam shumë krenar për ta”, shtoi Jost
Imazhet e Tiranës do të ishin të parat që fotografonte. E ndërsa aparati fiksonte imazhe të kryeqytetit, Jost përpiqej të thellohej në këtë realitet ku çdo gjë që e rrethonte ish e përqendruar në dorën e shtetit komunist.
“Në vitet ’90 më bënte shumë përshtypje që nuk ekzistonin makinat private, nuk ekzistonte asgjë private. Çdo gjë ishte e shtetit. Madje më kujtohet se kur shkova tek Piramida, fotografova sheshin “Skënderbe”. Ajo çka vëreja prej aty, ishin vetëm disa makina të kuqe që shërbenin si taksi dhe një mjet të zi që ishte e zyrtarëve të shtetit. Pastaj gjithë të tjerët ishin me biçikletë”, tha Jost
Përballë përpjekjeve të shqiptarëve për ndryshim të sistemeve, Jost nuk do ti qëndronte larg as realitetit politik. Kujton se si në mars të 91-shit deputetët e vjetër të parlamentit të ri pluralist do të mundësonin ringritjen e përkohshme të Partisë së Punës, e rizgjedhjen e Ramiz Alisë si president.
“Siç e dini, në vitin 1991 Ramiz Alia u rizgjodh sërish, mirëpo unë si reporter për mediet zvicerane ndoqa edhe zgjedhjen e Sali Berishës një vit më vonë. Nga ajo kohë kujtoj dëshirën e madhe të shqiptarëve për të ndryshuar, dëshirën e madhe për liri. Por në fakt ata përballeshin me mungesën e strukturave të shtetit, kështu që kishte shumë rrëmujë. Madje mund të them se ishin përballë një anarkie të dukshme, ku çdokush bënte me kokën e vet”, tha ai.
Anarkia, mungesa e rregullit mundësoi që ndryshimet të ishin sa të vrullshme aq edhe të turbullta, siç thotë Jost.
“Më kujtohet që në rikthimin tim në vitin 1993 po ndodhnin shumë ndryshime. Shumë njerëz po zhvendoseshin nga zonat periferike në qytete. Aty gjenin ndonjë tokë të braktisur dhe e bënin të tyren. Pra vendosnin një copë shami në një trung druri dhe kështu kishin vendosur kufijtë. Pastaj nisnin dhe ndërtonin muret. E gjitha kjo në atë kohë mua më bënte shumë përshtypje”
Ndonëse në zanafillë të tranzicionit, Shqipëria në vitet ’90 kishte personazhet e saj me ndikim social, kulturor e politik. Gratë e angazhuara, kishin ngjallur kureshtjen e medies zvicerane, e i dërguari i tyre Hans Peter Jost do të përzgjidhte disa syresh për një set fotografik. Mes tyre ishte edhe aktorja Elvira Diamanti.
“Unë bëra një shërbim fotografik, pasi një revistë zvicerane do t’u dedikonte tre faqe me fotografi në bardhë e zi grave shqiptare në fillim të viteve ’90. Mes tyre janë edhe personazhe si Sevim Arbana, që po angazhoheshin në çështjen e të drejtave të grave. Mesa kujtoj në atë kohë aktorja Elvira Diamanti kishte kërkuar azil në Zvicër. Por nuk ka qenë ajo fotografia e vetme, më pas kam realizuar dhe një set fotografik me ngjyra të aktores”, tha Jost.
Pak vite më vonë Jost do të rikthehej në Shqipëri, për ta fotografuar këtë vend në një nga periudhat më të errëta të tranzicionit. Në vitet ’97-1998 ai kujton zhgënjimin në portretet e përvuajtura të shqiptarëve, të cilët dukej se iknin kuturu, pa mundur të gjenin zgjidhje a përgjigje në një sistem që sërish reflektonte anarkinë.
“Erdha sërish në vitin 1997 kur plasi konflikti civil prej firmave të famshme piramidale. Nuk ishte e lehtë, e normalisht që frika ishte sepse unë nuk isha një fotograf lufte. Kujtoj se natën duhet të qëndroje brenda, e unë dëgjoja vazhdimisht të shtëna”, tha ai.
Të fotografonte konfliktin, a çka ndodhte tej të shtënave nuk ishte aspak e lehtë për të.
“Ajo çka mund të konsideroj si momentin më të vështirë në këtë periudhë është kur u hapën magazinat e armëve. Ishin të shumtë ata që dilnin me armë... dhe unë mundohesha në njëfarë mënyre t’i jepja edhe vetes kurajë... Sepse druhesha që këta njerëz të thjeshtë të armatosur, mund të vrisnin njëri-tjetrin, qoftë edhe padashur. Dhe në fakt, unë kam njohur shumë njerëz që në atë periudhë humbën të afërmit e tyre, për shkak të këtyre të shtënave që ndodhnin përreth”, tha ai.
Vitet ’90 e ciklet fotografike që pasojnë në dy dekadat e mëvonshme kanë si emërues të përbashkët, njeriun e thjeshtë. Ndonëse qendror në ngjarjet e bujshme që shoqëronin tranzicionin, në albumin e Hans, politikanët janë vizualisht periferik.
“Nuk kam preferuar të fotografoj politikanët, jeta e tyre është përtej asaj që ndodh me njerëzit e zakonshëm. Arsyet janë të shumta... Për shembull në vitin 1991 në Shqipëri jetonin rreth 3 milionë e 300 mijë njerëz, ndërsa sot afro 2,8 milionë.... Pra janë afro 400 mijë më pak. Kjo ka një shkak, dhe ka ndodhur edhe prej politikanëve, të cilët nuk ia kanë dalë t’u ofrojnë një alternativë këtyre njerëzve. T’u japin një shpresë”, tha Jost.
Shumëçka ka ndryshuar, prej vitit ’91 kur nisi të dokumentojë Shqipërinë, e deri në ditët e sotme, por ndoshta disa fakte, si vështirësia e të fotografuarit një kryeministër mbeten po njësoj.
“Ah, Shqipëria ka ndryshuar shumë në këto 3 dekada. Kujtoj për shembull që në vitet ’90 njerëzit vinin, më kapnin prej krahu dhe më kërkonin t’i fotografoja pasi shumica prej tyre nuk kishin fotografi. Ishin të rralla, ndoshta në martesë... Madje edhe ata që kam ritakuar më kanë thënë që prej asaj kohe ato foto janë të vetmet që kanë... Ndërsa sot çdokush ka smartfonin e tij, edhe në sajë të digjitalizimit. Pra nga imazhet në film tani i kemi në formë digjitale në rrjete sociale. Pastaj figurat politike, si për shembull kryeministri juaj kujdesen ta mbajnë imazhin e tyre të pastër. Kërkova ta fotografoja dhe përfaqësuesit e tij më thanë jo, pra refuzuan. Dhe unë u thashë në rregull, kam lexuar në Zvicër se kryeministri juaj nuk mund të fotografohet”.
Janë të shumta ndryshimet që ai pikas mes Shqipërisë e vendeve të tjera që ka fotografuar, por rrëmuja e viteve të para ’90, ndihet ende.
“Në Shqipëri, zhvillimi është shumë i madh, gjithçka ndodh shumë shpejtë. Unë kam jetuar në Itali dhe atje çdo gjë ecën ngadalë. Ndërsa këtu ndihet një nevojë e madhe për t’u rritur... Pastaj është edhe trafiku, të udhëtosh me makinë në Shqipëri është e tmerrshme. Këtu më kanë thënë se autobuzat nuk funksionojnë aq mirë sa tek ne, por përpos kësaj është edhe paragjykimi absurd që kur dikush, një personazh përdor urbanin konsiderohet i varfër”, tha Jost.
Pas 3 dekadash që dëshmon Shqipërinë përmes imazheve, thotë se ka ende aspekte që do t’i fotografojë.
“Unë çdo dy muaj rikthehem dhe shikoj grataçelat që shtohen, zonat periferike që braktisen, shtëpitë e shkatërruara etj. Po! Ndryshimi po vijon, por nuk di të them nëse për mirë apo për keq, por mund të them që është një transformim i madh. Herës tjetër që do të vij mendoj t’u rikthehem filmimeve që kam bërë deri më tani”, tha Jost
Janë jo pak personazhet e fotografuar që Jost ka ritakuar, jo vetëm figura publike por edhe njerëz të thjeshtë. Disa edhe i ka kërkuar në rikthimet e tij a në rrjete sociale. Mes tyre janë edhe 5 fëmijë të fotografuar mes maleve të Shqipërisë.E gjithë historia do të dëshmohet në një film me metrazh të shkurtër...
“Po do të jetë ky film, që nis me naivitetin tim që i beson propagandës që vinte nga Shqipëria për Shqipërinë, përmes radio Tiranës. Pastaj mbërritja në vitin 1991 dhe fotografitë e këtyre fëmijëve në zonat malore, që unë i ri kërkoj përmes mediave sociale, televizioneve lokale në veri etj. Të tjerë që edhe kam gjetur, pasi kanë emigruar në vende si Belgjikë a Londër”
Si një nga autorët e teksteve që shoqërojnë albumin, Fatos Lubonja thotë se përshkrimi e imazhi që shohim janë një interpretim i realitetit 30-vjeçar shqiptar në post-diktaturë. Ndonëse miq, Jost thotë se shkrimtari nuk ka qëndruar përballë aparatit, por si ka shpëtuar fotografisë së tij.Portreti i një të moshuari, gëzimi i një fëmijë që rreket në një buzëqeshje përballë aparatit, rikthimi i të drejtës për të besuar janë të shumta momentet që e kanë emocionuar e që ka fotografuar. Mbresat më të mëdha prej shqiptarëve, siç thotë ndoshta nuk shihen as në imazhe.
“Ah, do ta kisha treguar atë fotografi, por nuk mund ta fotografosh mikpritjen!” tha Jost.
Sigurisht qe te jesh shok i idjotit Fatos Lubonja do te gjesh dicka per te share Edi Ramen...
PërgjigjuKomenti për kryeministrin që nuk donte të fotografohej është i tepërt. Secili ka të drejtën e tij për t'u mos u fotografuar. Dyndja në qytet dhe zaptimi i dhunshëm i tokës publike apo private janë diçka e paperceptueshme në perëndim. Është e kundërta e një parimi demokratik që cakton pronën private dhe publike si të pacënueshme. Kjo traumë do të jetë një nga ato këmbët e vdekura që shoqëria ka dhe do të heq zvarrë për vite me radhë ndërkohë që e mbajnë të mbërthyer në një dialog me absurden.
Përgjigju