TIRANË- Për rreth 30 minuta, Sali Berisha u pyet për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme si kallëzues në çështjen ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila ka qenë nën sulmet e kreut të PD-së si gjyqtare e hetimeve paraprake në dosjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”. Thirrja e tij nga prokurori Bledar Maksuti është pjesë e veprimeve hetimore që Gjykata e Posaçme i kërkoi SPAK-ut pasi e ktheu çështjen për plotësim hetimesh, mes tyre edhe marrja në pyetje e kallëzuesve, Sali Berisha dhe dhëndrri Jamarbër Malltezi.
Në dalje nga SPAK, Berisha sulmoi sërish gjyqtaren. Fillimisht tha se Gjoka kishte përdorur katër mbiemra, ndërsa më pas foli për pesë. Ai përsëriti pretendimin se ajo ka shkelur ligjin e dekriminalizimit duke mos deklaruar dëbimet që, sipas ti, ishin vendosur nga autoritetet greke. Kreu i PD-së e akuzoi gjithashtu për falsifikim dokumentesh dhe për mosdeklarimin e një dënimi penal në Greqi.
“Sepse Irena me katër mbiemra është person i cili ka të vërtetuara dy dëbime nga vendi fqinj. Ka të vërtetuara dy falsifikime. Ka të vërtetuar një dënim penal. Ka të vërtetuar falsifikimet e të gjitha formularëve në të cilët kjo nuk i ka pasqyruar këto dënime. Formularit të dekriminalizimit, formularit të vetingut dhe formularit të emërimit si kryetare e gjykatës”, tha Berisha.
SPAK kishte kërkuar pushimin e procedimit penal, me argumentin se procesi në Greqi ishte zhvilluar në mungesë dhe se hetimet nuk kishin provuar që Gjoka kishte dijeni për dënimin. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ndjekja penale për këtë fakt ishte shuar për shkak të parashkrimit. Vetë Gjoka ka deklaruar në SPAK se nuk kishte pasur dijeni për procesin penal në Greqi apo për vendimin, i cili nuk ishte ekzekutuar nga autoritetet greke.
Më 19 maj, gjyqtarja Marinela Osmani ia ktheu çështjen SPAK-ut për plotësim hetimesh dhe i caktoi gjashtë muaj afat për të kryer veprimet e kërkuara. Berisha pretendoi se prokuroria e thirri qëllimisht në javën e fundit të afatit, me shpresën se ai mund të ishte jashtë vendit dhe çështja të mbyllej me arsyetimin se kallëzuesi nuk u gjet.
“Thirrem tani, historia është kjo, ky vendim është marrë nga gjykatësja pothuajse gjashtë muaj më parë dhe unë thirrem në limitet e afatit gjashtëmujor, javën e fundit të gjashtë muajve që ka caktuar gjykatësja.
Pse kështu?
Me shpresën se nuk do gjendet në Shqipëri. E kuptoni ju se çfarë mendje djallëzore kanë...”, tha Berisha.
Berisha paralajmëroi se do të bëjë kallëzime edhe ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë. Ai pretendoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kanë bërë "ping-pong" me avokatët e tij kanë kërkuar dosjen e KLGJ për Gjokën.
“Pas Irenës, çështje penale do të ngrihen ndaj Ilir Rusit ose Llagamit, kush ka qenë kryetar KLGJ-je. Ndaj kreut të ILD-së, të cilët shiko se çfarë bëjnë, bëjnë ping-pong njëri me tjetrin, por ku kërkohet dosja e KLGJ nga avoketërit tanë, KLGJ thotë nuk e kemi, ILD thotë ia kam dërguar KLGJ-së. Pra, do të ngrihet padi penale ndaj tyre. Natyrisht Dumani e ka të garantuar”, vijoi Berisha.
Vetë Gjoka në dëshminë e saj të dhënë në Prokurorinë e Posaçme, pas kallëzimit të PD për falsifikim të vulave dhe formularëve, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të vendimit, që nuk u ekzekutua kurrë nga autoritetet greke dhe se nuk ka pasur kurrë dijeni për asnjë proces hetimor penal të zhvilluar ndaj saj në Greqi.
Irena Gjoka ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura nga ana e kryetarit demokrat Sali Berisha, duke qenë se ajo ka qenë gjyqtarja e hetimeve paraprake në dosjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”, për të cilën ai është vënë nën akuzë për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento