Komisioneri publik rrëzon vettingun e kryer për gjyqtarin e lartë Edmond Islamaj dhe kërkon nga kolegji i posaçëm i apelimit të rihap procesin ndaj këtij gjyqtari.

Sipas komisionerit publik ankimi i të cilit është depozituar këtë të enjte për kalimin me sukses të vettingut nga gjyqtari Islamaj, verifikimet ndaj këtij subjekti janë bërë të paplota.

Në listën e verifikimeve të paplota komisioneri publik përmend transferta parash brenda e jashtë vendit si dhe dyshimet për një apartament e një dyqan në Vlorë, të cilat nuk janë hetuar plotësisht nëse lidhen apo jo me gjyqtarin Islamaj dhe bashkjetuesen e tij S.T.

Një tjetër gjetje e komisionerit publik në lidhje me pretendimet se gjyqtari Islamaj s’duhet të kalonte vettingun pa një hetim të plotë, është dhe një kontratë huamarrje e vjerrit të tij me një person tjetër në vlerën e 3 milion lekëve, ku personi i pyetur nga komisioneri publik e mohon dhënien e këtij borxhi.