KAPSHTICË-Një grup kriminal i cili merrej me kalimin e paligjshëm të qytetarëve drejt Greqisë është arrestuar nga Policia e Korçës. Pjesë e këtij rrjeti ka qënë edhe një oficer policie.

Ka qënë Shërbimi për çështjen e Brendshme dhe Ankesat i cili ka vënë në pranga oficerin e policisë Lefter Bardho me detyrë kontrollus në Pikën Kufitare të Kapshticës.

Bashkë me të është arrestuar edhe Marsel Miço dhe Ilia Çipi të dy banues në Korçë.

Burime nga policia bëjnë me dije se këta tre këta persona përdornin pasaportat serbe dhe shqiptare për të bërë të mundur lejimin e kalimit të kufirit nga persona të ndryshëm.

Fillimisht kanë qënë Marsel Miço dhe Ilia Çipi ata të cilët në bazë të ngjashmërisë fizike u jepnin pasaporta qytetarëve dhe i këshillonin që të shkonin drejt kontrollorit Lefter Bardho. Ky i fundi më pas lejonte kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Greqisë.

Policia e Korçës ka sekuestruar 9 pasaporta biometrike shqiptare dhe një pasaportë serbe. Të tre të arrestuarit, përfshirë punonjësin e Policisë do akuzohen për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërkohë që po punohet nëse ky grup ka pasur bashkëpuntorë të tjerë.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com