'Kam frikë nga plakja… rrudhat', rrëfimi i Fatos Baxhakut në vitin 2014

'Kam frikë nga plakja… rrudhat', rrëfimi i Fatos Baxhakut në vitin 2014

Kështu mbyllet artikulli profil në vitin 2014, botuar në gazetën e asaj kohe, “Mapo”, me Fatos Baxhakun. Është një rrëfim që të çon në reflektim për jetën dhe për shenjat e sinjalet e saj. Duke lexuar do ta njihni më nga afër e do kuptoni se sot medias i tha lamtumirë një njeri i mirë, një gazetar i një race në zhdukje, një burrë me zemër të butë. Kur dëgjon përgjigjet e Tos Baxhakut sikur të ishte ende gjallë, kupton sa jemi egërsuar…

***
Sot në Tiranë bie një shi i ftohtë bore. Ndërsa parkoj makinën mes disa pallatesh, mendimet nuk arrij t’i organizoj si zakonisht. Jam gati e lumtur që Tosi më tha një ‘Po’ me lehtësinë e frymës që merr njeriu.

Baxhakun e gjej në një tavolinë mes miqsh. Më shumë sesa i qetë më duket i ngadaltë. Afrohet për 2 minuta në tavolinën ku ulem unë ta pres. E kam takuar dy a tri herë në jetën time dhe kurrë nuk kam bërë asnjë bisedë me të. E pyes se ç’po bën këto kohë dhe më tregon se është në fazën e fundit për botimin e një libri, bashkë me gazetaren Klodi Kapo. Një libër për prostitucionin në kohën e Zogut. Dhe mua që s’më mbyllet goja në mbylljen e helmit të javës i them: edhe një libër për kurvat kemi mangut!

-Jo, është për prostitutat, Mira. Dhe kanë dallim me kurvat.

-Në fakt, janë shkrirë shumë dallime dhe diferenca, por gjithsesi, Tosi, jam kurioze që tani ta lexoj këtë libër.

-Është interesant, sepse Ahmet Zogu, kur ishte ministër i Brendshëm, në vitin 1922, vendimin e parë që propozoi ishte një rregullore për ‘rregullimin e Kurvnisë’.

Pse ishte ky shqetësimi i parë? Sot kemi problem me tritolin dhe sigurinë, në fakt. Kaq e qetë ishte jeta atëherë?

-Nuk e di pse. Por Zogu vinte nga një kulturë vjeneze. Ai mendonte se shoqëria i ka bazat e rregullimit tek seksi.

Po le të hapim një shtëpi publike atëherë, se mbase nuk vriten kaq shumë njerëzit dhe e harrojmë për disa çaste tritolin. Ndoshta i gjithë faji është i seksit dhe ne bëjmë libra për armët kimike dhe për shkrimtarët, – i them unë me humor.

Ju, kujt ia dedikoni librin?

-Librin ia kam dedikuar të gjithë atyre që as nuk janë shumë krenarë dhe as nuk iu vjen turp për atë që janë. Shpresoj që të hapim një debat për legalizimin e prostitucionit. Shqipëria nuk e ka bërë ende revolucionin seksual. Unë njoh çifte që jetojnë bashkë, vetëm për të mos ndarë pasurinë dhe nuk e ndajnë më seksin. Kjo të çon në dramë, por edhe në një ndrydhje të shoqërisë.

-Burrat apo gratë janë më rëndë në këtë drejtim?

-Mendoj që burrat. Gratë janë zhvilluar më shumë pas viteve ‘90. Ndërsa burrat ende bëjnë seks për t’iu treguar shokëve. Gratë janë më të sinqerta në këtë drejtim. E bëjnë se duan dhe jo se duan ta tregojnë.

-Pa problem, i them unë, se flasin ata. Por më pëlqen që një burrë flet me kaq objektivitet për racën e tij.

Meqë jemi tek seksi (për habinë time më të madhe, sepse nuk e di pse prisja që me Tosin do niste biseda me çdo gjë, veç Shqipërisë në krevat), e pyes për familjen. Çfarë po ndodh me familjen?

-Po flas për familjen e brezit tim. Unë sot jam 50 vjeç dhe jam martuar para ‘90-ës. Atëherë familja ishte një apartament, dhomë e kuzhinë. Një punë e mirë për të dy, një biçikletë, pushime në Sarandë ose në Durrës. Ishte një rit për të gjithë. Kudo ishte burri që vendoste dhe merrte përsipër të ishte qendra e lumturisë dhe halleve. Sot nuk është më kjo familje. Dhe unë sot nuk jam i martuar që të mund të të flas sesi është tani.

-Je i lumtur?

-Jam mirë.

-Ke ndonjë kompleks? Apo je në paqe gjithmonë me veten. Mua kështu më dukesh!

-Tani që e mendoj, besoj që vuaj se çfarë po mendojnë të tjerët për mua.

-Vërtet? Nuk do ta besoja këtë?

-Po.

-Çfarë është diçka që i mungon ditës tënde?

Kjo është përgjigja kur ai nuk vonon hiç dhe vrikthi më thotë: Era e familjes. Se familja ka erën e saj! Vjen era e lavatriçes, era e qepës që skuqet, e kekut të dielën. Ka një erë familja, që të mbush. Unë jetoj vetëm dhe era e vetmisë është krejt gjë tjetër.

-Pse nuk e rindërton?, – e pyes edhe pak e prekur nga vetmia që më vetmoi edhe mua aty për aty.

-Tani është vonë. Por që të sqaroj: jam vetëm, por jo i vetmuar.

-Ah, ke dikë domethënë?

-Po, kam një lidhje prej 3 vitesh a diçka më shumë.

Kur dalim tek lidhja, ai me tregon për italianen Paola, një sociologe që e ka njohur në Tiranë gjatë një projekti. Kanë jetuar dy vite bashkë dhe tani iu duhet të bëjnë vajtje-ardhje Taranton, në Itali. Nuk janë të shqetësuar as ai dhe as Paola për të skuqur qepë dhe për të vënë lavatriçen në punë. Por Tosi duket kaq mirë me të. “Ajo me nxit të punoj, më frymëzon dhe kjo është një nga gjërat që më pëlqen më shumë tek Paola”, – më rrëfen.

Por unë insistoj duke i thënë: Po, pse jo? Pse jo një martesë, familja, era…?

-E ka marr era atë erë tani, Mira, -thotë dhe i lëshon batutat me lehtësi dhe aspak krenar.

Tosi nuk shfaqet nëpër debate dhe më tregon se nuk do ta bënte kurrë në Shqipëri. Nuk ka arsye të futet në disa shfaqje gjelash që krekosen se janë zot të së vërtetës së botës. “Nuk kam dëgjuar askënd të thotë, për mendimin tim modest, ose, unë mendoj kështu, por mundet ta kem gabim”. Të gjithë janë heronj të së vërtetës. Dhe të ishin të vetes së tyre ua bëja hallall, por janë zot të vërtetave që s’i njohin”. Ndërsa bisedojmë, porosit një Jack Daniels dhe sikur më lexon mendjen më përgjigjet: “Tani e marr një gotë gjithmonë e më pak”.

Baxhaku nuk ka shokë të famshëm. Miqtë e tij janë guaska ku ai jeton, duke harruar ndonjë lëndim që vjen nga jashtë. Vëllai i madh, mësues matematike, është streha ku ai shkon sa herë bëhet fëmijë. Tosi më siguron se çdokush ndihet ndonjëherë fëmijë dhe kërkon përkujdesje. Puna është pasioni i tij më i madh. Ai vjen nga një familje mësuesish dhe mesa duket, sindroma e profesorit është gjenetike. Dy gjërat për të cilat mund të them se vuri pak pluhur krenarie ishin dy vajzat e tij.

-Jam me fat që kam dy vajza. Nuk e di nëse kam qenë baba i mirë, madje mendoj që nuk kam qenë, sepse divorci i lëndon fëmijët, por duke qenë se kam qenë i ri, kam mundur të jem shoku i tyre më i mirë.

Po ish-gruan e keni shoqe?

-Po, patjetër. Kjo është një tjetër fitore. Nuk ia vlen të jetosh me inate për disa zgjedhje që nuk i kemi në dorë. Njerëzit shpenzojnë shumë energji duke u ndarë dhe duke u urryer. Mund të falim të gjithë po të duam.

-Nuk di pse gjithmonë, Baxhaku më ka kujtuar pak Teodor Kekon.

-Po, Dori është i ngjashmi im. Sikur ai të ishte, ky qytet do kishte më pak urrejtje.

-Ky është edhe problem im, Tosi. Dhe këtu i drejtohem si një nxënëse profesorit. Nuk e kuptoj pse unë nuk mbaj mëri dhe ka disa që sikur ua ke futur shpirtin në kripë. Kam kaluar një javë të pakëndshme dhe i rrëfej situatën time. Por, Tosi është befasues. Më kërkoi të tregoja respekt për këdo që shpreh urrejtje. Dashuria dhe urrejtja janë aq pranë dhe duhet të mendosh se dikush që harxhon vite në mni (variant i mërisë, në gegnisht), ka shpenzuar jetë nga jeta e vet për ty.

Është si një çlirim biseda me të. Më duket sikur e ndjej në kraharor valëvitjen e flamurit të ndërgjegjes që zbutet nga zemërimi i gjërave të kota.

Gjuha nuk mund të mos shkojë tek dhëmballa që dhemb. Flasim për median, lajmet, pronarët dhe për këta të fundit më tha një përkufizim perlë.

-Pronarët na japin lekët. Për këtë janë aq të mirë, se na mbajnë me bukën e gojës. Lavdërim tjetër mos prit, se nuk kam asgjë më shumë sesa kaq.

Duke folur për Tiranën, për Shqipërinë në përgjithësi, Tosi tha një tjetër përkufizim ‘creme della crème’.

“Ky vend nuk ka nevojë për heronj, për mite, për skulptura, për statuja, për buste. Heroi më i mirë është ai që do ta bëjë Shqipërinë pa u krekosur poshtë kollares. Dhe mendoj që heronj janë ata që nuk i njohim dhe nuk i shohim në media. Janë ata që nuk udhëhiqen nga kulti i armikut, si ajo mni-ja që folëm bashkë më parë. Kush ka nerva dhe kohë për këto humbje?! Shqiptarët duhet të bëjnë seks për veten e tyre, të dëgjojnë më shumë muzikë, të përshëndesin në mëngjes tjetrin, të fikin televizorin kur ai ia fut kot. Secili ka në dorë fatin e tij. Unë i përbuz ata që bëjnë arrogantin dhe shajnë Shqipërinë. Në jemi një vend normalisht i jetueshëm, por…”

Dhe ndërsa ai po kërkon një fjalë, unë me humor ndërhyj: duhet të bëjmë pak më shumë dashuri në darkë.

-Pikërisht.

E vazhdojmë bisedën për një palë pushime të tij në Itali, tek shtëpia e një miku që ka një bahçe me portokalle dhe që është fiks shtëpia e ëndrrave të Tos Baxhakut.

Meqë ra fjala, e pyes nëse ka një shtëpi të bukur këtu në Tiranë.

Ai bën një fytyrë modeste dhe thotë: “Mirë e kam, nuk pretendoj shumë nga jeta. Ndonjëherë edhe më bën përshtypje kur shoh studentët e mi me 3 shtëpi, por thellë gëzohem më vonë. Unë jam shumë mirë kështu. Mjaft të mos vijë plakja. E urrej pafuqinë, rrudhat dhe kur nuk i duhesh më askujt. Uroj të mos vijë shpejt ky moment, edhe pse i pashmangshëm. E mirë, i them unë. Ka kohë deri atëherë. /Tiranapost/.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 17/08/2019 17:03

    Shkrim i bukur i Mira Kazhanit per Baxhakun qe iku i ri ,dhe mori me vete dhe gazetarin e se vertetes atdhedashurise dhe pamvaresise.Mungesen e tij gazetaria shqiptare do ta ndhej se sot ne shumicen e saj sundon varesia dhe lepirja ndaj boseve te tyre.Gazetarin e ben te madh dhe te pa arritshem karakteri rebel ndaj se keqes dhe padrejtesise dhe karakteri fisnik ndaj te mires dhe drejtesise .Do mbahet mend qenia e tij ne median e lire shqiptare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja