NBA po përgatitet të zbarkojë në Evropë. Por nuk është thjeshtë basketboll pasi gara e vërtetë është kryesisht ekonomike, duke përfshirë të drejtat e transmetimit, fondet e investimeve, arenat ku do zhvillohen ndeshjet, por dhe brezat e rinj të tifozëve.
Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, ka vendosur një objektiv: tetorin e vitit 2027. Megjithatë, përpara kësaj kohe, do të duhet të sqarohet nëse NBA mund të arrijë një marrëveshje me EuroLeague për të konkuruar me ekipe basketbolli, audiencë dhe të ardhura. Shenjat e para nuk janë inkurajuese pasi evropianët refuzuan ofertën e parë të projektit amerikan më 6 tetor.
Në Cernobbio, në liqenin Como, 13 klubet aksionare të EuroLeague hodhën poshtë propozimin e NBA-së për të krijuar së bashku garën e re. Disa në takim thuhet se e përshkruan ofertën si "ofensive" ose edhe "kolonialiste". Pika kryesore e mosmarrëveshjes ishte shuma e parave në tavolinë: një pagesë fillestare shumë më pak se 1 miliard euro, që do të ndahej midis 13 ekipeve, e ndjekur nga një sistem bonusesh që klubet evropiane e konsideronin shumë të vështirë për t'u arritur, shkruan 'la Reppublica'.
Në takimin e organizuar nga Olimpia Milano, morën pjesë të gjitha klubet me të drejtë vote në Euroleague Commercial Assets (ECA), kompania që menaxhon asetet komerciale të garës. Ato përfshinin Real Madridin, Barcelonën, Olimpia Milano, Panathinaikosin, Olympiacos, Maccabi Tel Aviv, Žalgiris, Fenerbahçe, Anadolu Efes dhe Bayern Munich, si dhe ekipin menaxhues të udhëhequr nga CEO Chus Bueno.
Refuzimi fillestar nuk do të thotë se negociatat kanë mbaruar. Aspak. Bisedimet po vazhdojnë. Plani draft për NBA Europe parashikon 16 ekipe, 12 anëtarë të përhershëm dhe katër ekipe që vijnë nga kualifikueset.
Komisioneri i NBA Silver e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të presë pafundësisht. “Ky është një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë. Është një projekt historik për sportin evropian.”
Ai gjithashtu konfirmoi se negociatat po vazhdojnë: “Po bëjmë përparim në bisedimet tona me EuroLigën. Do të ishte më mirë për të gjithë nëse do të arrinim një marrëveshje.”
NBA është gati të sjellë modelin e saj amerikan në Evropë: të drejta transmetimi ndërkombëtar dhe arena të projektuara për të gjeneruar të ardhura edhe kur nuk luhen ndeshje, përmes mikpritjes, restoranteve, dyqaneve, eventeve dhe koncerteve.
Kontrollet e kostove do të ishin thelbësore. NBA e lidh kufirin e pagave me të ardhurat dhe vendos një taksë luksi mbi pragje të caktuara. Në të kundërt, EuroLeague tradicionalisht u ka dhënë aksionarëve të saj liri më të madhe për të investuar.
Nëse vendos të veprojë vetëm dhe të refuzojë një partneritet me amerikanët, EuroLiga tashmë po planifikon të zgjerohet nga 20 në 24 ekipe, me licenca më të qëndrueshme dhe të ardhura më të parashikueshme. Një model gjithnjë e më i ngjashëm me një ligë të mbyllur.




Komente
Komento