Për Covid-19, nuk ka shtete të mëdha e shtete të vogla. Nuk ka shtete të varfra dhe shtete të pasura. E gjitha bota po vuan pasojat e virusit vdekjeprurës. Edhe Kanadaja, superfuqia botërorë, ka mijëra të prekur e dhjetëra të vdekur. 3358 persona janë infektuar, ndërsa 36 të tjerë kanë humbur jetën. Detajet i dha në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Toronto në edicionin qendror të lajmeve, gazetari Emanuel Smaka. Ai dha lajmin e mirë se në komunitetin me rreth 5000 shqiptarë, deri tani nuk ka asnjë person të prekur me virusin e rrezikshëm.

Smaka, gjatë komunikimit me gazetarin, ka deklaruar se janë mbyllur deri tani të gjitha bizneset që nuk janë esenciale ose të domosdoshme, ndërsa transporti publik vijon të jetë i hapur, për shkak edhe të largësisë që kanë njerëzit atje me vendet e punës. Sa i takon ndërgjegjësimit, kanadezët duket se i kanë marrë edhe vetë masat duke mos dalë pa nevojë dhe duke respektuar distancat e sigurisë.

Kanadaja ka një sistem shëndetësor shumë të zhvilluar dhe për këtë duket se janë marrë të gjitha masat për përballimin e kësaj situate. Gazetari Smaka tha se edhe nëse do të ketë një zbulim të vaksinës ndaj Covid-19, ajo mund të hyjë në përdorim vitin e ardhshëm. Kanadaja do të paguajë të gjithë ata persona që janë detyruar të rrinë në shtëpi, ndërsa ka edhe disa paketa sociale me ndihma ekonomike që do të vihen në zbatim.