Që nga titulli, është me siguri nga ato shkrime që nuk ka për të marrë kurrë qindra “pëlqime”, si ato foto e video që nuk tregojnë asgjë në ekstrem, as për mirë e as për keq. Eshtë një mendim në mes, në normalitet. Por a na duhet vërtetë ky normalitet? Eshtë diçka që vetëm secili prej nesh, brenda vetes mund ta dijë. Është ajo e vërteta intime e fshehtë që kur e peshojmë gjatë, vendosim në fund nëse është apo jo më mirë.
Ja për se bëhet fjalë.
Dy deputetë të opozitës, pa bërtitur, pa ofenduar dhe pa denigruar njeri, çuan në Gjykatën Kushtetuese një padi kundër të ashtuquajturit Bordi i Transparencës duke kërkuar shfuqizimin e tij në rolin e vendosjes së çmimit të karburanteve. Eshtë Gjykata Kushtetuese që do t’u japë përgjigje kërkesës dhe dyshimit të fortë që ata kanë nëse bëhet fjalë për një abuzim apo Bordi dhe realiteti i tij është në rrugën e përpuethshmërisë ligjore. Eshtë një rrugë e thjeshtë dhe e logjikshme për çdo konflikt, dyshim, kontradiktë, që individë apo institucione mund të kenë në rrugëtimin e tyre në një çdo shtet që synon të jetë një realitet i harmonizuar, i drejtë dhe ligjor për nënshtetasit e vet dhe miqtë që e vizitojnë dhe banojnë në të.
Në 30 vite tranzicion, në Shqipërinë e gjorë, individë dhe institucione aspak qëllimmira për ligjshmërinë, harmonizimin dhe sidomos zgjidhjen dhe mbisundimin e të vërtetës, si të ishin “aktorë” të superstërvitur Hollivudi, inskenuan e inskenojnë pa pushim, situata zhurme, kaosi, ofendimesh, shpifjesh, ekstremesh të denja për skena gladiatorësh që na vijnë nga lashtësia të riprodhuara përmes ekranti të madh e të vogël, pa iu drejtuar asnjëherë ligjvënësve.
Madje, duke bërë çmos gjithashtu në këto 3 dekada, t’i bëjnë sa më shumë qesharakë e më të pabesueshëm përballë vendit dhe qytetarëve. Nuk është e rastësishme që titullin ligjëvënës e kanë mbajtur në shumë raste njerëz botërisht të njohur për dinjitet e integritet të cënuar rëndë, sepse, sa më qesharakë ligjvënësit, aq më pak qytetarë do të merrnin guximin të trokisnin për të kërkuar qartësi dhe drejtësi në konfliktet e tyre.
Sot, ndoshta duke qenë gjithnjë e më të shumtë ata që mendojnë se e zbuluan hilen e të bërtiturave dhe të deligjitimimit të drejtësisë dhe të njerëzve të saj, mund të ketë një kundër rrymë. Edhe nga opozita, logjika, ligji, vendosmëria, e vërteta, fakti, mund të sjellë atë që ata dëshirojnë.