Punësimi, mirëqënia, shërbimi, urbanizmi dhe zhvillimi janë cilësuar si sfidat e LSI  dhe kandidatëve të saj në Këshillin Bashkiak të cilët i bënë të ditura këto në një bashkëbisedim me banorët e njësisë numër 6 në kryeqytet.Kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për këshillin bashkiak të Tiranës, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e zonës së Kombinatit, u angazhuan për zgjidhjen e problematikave të tyre

 “Ne kemi një sfidë për të realizuar, pasi duam që shërbimet e qytetarëve, punësimi, shërbimi, mirëqenia e urbanizimi, të jenë në duart tuaja e jo në duart tona”, tha  nënkryetari i LSI-së i prasnishëm në takim Ylli Manjani, ndërsa kërkoi dhe mbështetjen për kandidatin e përbashkët të ASHE-së në zgjedhjet vendore.
 
Të pranishëm në takim ishin Ardit Çela, Brunilda Paskali, Sidiola Basho dhe Alfred Alstafa të cilët shprehën gjithashtu angazhimin për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve duke kërkuar votën e tyre për kandidatin e majtë Veliaj  në garën për Tiranën.

Ne do e mbështesim maksimalisht projektin e tij për një Tiranë me më shumë shërbime dhe më shumë punësim për qytetarët”, tha Çela, ndërsa premtoi se “do të jetë zëri i banorëve të Kombinatit në zgjidhjen e problemve të tyre”- u shpreh Çela
 
Ndërkohë në fjalën e saj, kandidatja, Brunilda Paskali, tha se prioritet për LSI  do të jetë mbështetja ndaj biznesit të vogël dhe atij të mesëm duke theksur gjithashtu rolin e grave dhe të vajzave në jetën politike të vendit, përfshirjen e të cilave lëvizja socialiste për integrim e ka në plan të parë.

“Ne si kandidatë dhe si anëtarë të ardhshëm të Këshillit Bashkiak të Tiranës kemi ndërmarrë një nga impenjimet tona më të rëndësishme. Ne sot kemi dalë dhe kemi parë nga afër problematikat që ju shqetësojnë ju më së shumti në këtë zonë. Kemi pyetur banorë të ndryshëm, kemi pyetur biznese dhe natyrisht që problematikat ishin të ndryshme, që nga infrastruktura, legalizimet, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e ujit të pijshëm. Problematika të cilat ne sigurisht do t’i ngremë në Këshillin Bashkiak. Për të ruajtur lidhjet tona të ngushta dhe për të qenë konkret në zgjidhjet tona, kemi vendosur që një herë në tre muaj të takohemi me komunitetin për të marrë mendime, sugjerime nga ta për t’u ngritur në Këshillin Bashkiak.Që në vitin 2012 LSI vendosi që në të gjitha organet e veta drejtuese të kishte 50 me 50 për qind gratë me burrat, duke qënë në pararojë të të gjitha partive të tjera politike në Shqipëri në këtë aspekt. Është shumë e rëndësishme që gratë dhe vajzat të përfshihen më shumë në jetën politike e atë shoqërore, sepse aftësitë dhe mundësitë janë të mëdha”,- tha Paskali.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)