Luljeta Bozo, profesoreshë e nderuar në fushën e inxhinierisë, e cila luajti një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së vështirë të pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, me shumë mundësi do të jetë përfaqësuese e shqiptarëve në Kuvendin e Shqipërisë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Mëngjesin e sotëm Kryeministri Rama e prezantoi se një prej kandidatëve të listës së PS në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për znj. Bozo ky propozim erdhi i papritur por ajo tregon se pas një momenti hezitimi vendosi ta pranojë atë.

"Propozimi erdhi nga një takim pune për programin e rindërtimit! Nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mendje që një ditë mund të isha pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.  Në minutën e parë u befasova por duke ditur dëshirën që kanë njerëzit për personazhe si mua dhe plot të tjerë që mund të japin zërin, opinionet dhe mendimet për zgjidhjen e problemeve dhe  vlerësimet që kishte Kryeministri pas një hezitimi të vogël e pranova, si një qytetare jo se e kisha objektiv për të qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë", tha Bozo në një intervistë ekskluzive për Report Tv.

E pyetur për qarkun ku do të kandidojë inxhinierja e njohur thotë se njoftimi ishte kaq i papritur sa ende nuk e di se ku do të bëjë fushatë.

"Ishte kaq i shpejtë ky njoftim sa nuk më shkoi në mendje të pyes së në cilën zonë do të kandidoj. Nuk e di fare se ku do të kandidoj. Unë do të ngre të gjitha mendimet e mia me forcën dhe argumentet për zgjidhjen e problemeve. Dua të çoj atë shqetësim që kanë njerëzit. Është shpejt për të parashikuar, ende nuk listat nuk kanë shkuar në KQZ. Por nga momenti kur do të bëhet e qartë se do të jem në Kuvendin e Shqipërisë do të propozoj gjëra të reja që mund të realizohen, jo vetëm në fushën e ndërtimit. Do të bëj maksimumin e mundshëm, aq sa mund të bëjë një zë", vijoi Luljeta Bozo.

"Kuvendi i Shqipërisë ka pasur gjithnjë specialistë, ashtu siç ka pasur edhe njerëz të profesioneve shëndetësore etj. Kur shkon aty ti je i detyruar që të gjitha kapacitetet që ke t'i vendosesh në dispozicion. Unë nuk mendoj që në Kuvend nuk ka pasur specialistë por si kudo ka nga të gjitha",  përfundoi ajo.